Plani Marshall dhe dialogu strategjik Gjermani-SHBA

Nga Valbona Zeneli, botuar në Panorama, 4 korrik 2017

28 qershori ishte një ditë e rëndësishme në “George C. Marshall”, Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë (Qendrën “Marshall”), e vendosur në zonën e bukur të Garmish-Partenkirchen, në Gjermani. Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, James Mattis, dhe ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Ursula Von der Leyen, u takuan aty për të përkujtuar 70-vjetorin e fjalimit të famshëm që George C. Marshall mbajti në Universitetin e Harvardit.

Ky përkujtim i rëndësishëm, gjithashtu shënoi edhe përurimin e “Dialogut Strategjik” midis SHBA-ve dhe Gjermanisë, me qëllim diskutimin e sfidave strategjike të sigurisë me rëndësi për të dyja vendet. Fakti që të dy udhëheqësit zgjodhën Qendrën “Marshall” për të përkujtuar këtë 70- vjetor është veçanërisht i rëndësishëm. Qendra “Marshall” është themeluar në vitin 1993, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në ngjashmëri me “Planin Marshall”, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e kuptuan se pas më shumë se 70 vitesh komunizëm, ish-republikat sovjetike kishin nevojë për ndihmë në zhvillimin e strukturave të reja qeveritare të sigurisë të përshtatshme për shtetet demokratike.

Kështu filloi një version i ri i bashkëpunimit gjermano-amerikan, i cili dëshmon një tjetër shembull të prekshëm të aleancës së qëndrueshme midis Gjermanisë dhe SHBA-ve. Në fjalët e ministres gjermane të Mbrojtjes, Von der Leyen, “Qendra Marshall është një fener i miqësisë gjermano-amerikane… vendi i duhur për nisjen e Dialogut Strategjik, sepse ajo mishëron lidhjen e thellë transatlantike”. Në të njëjtën mënyrë, Sekretari i Mbrojtjes, Mattis, e quajti Qendrën “Marshall” “një mishërim të gjallë të misionit bashkëpunues, një manifestim të prekshëm të aleancës së qëndrueshme midis Gjermanisë dhe SHBA-ve”.

Dhe nuk mund të kishte vend më të mirë për të përkujtuar trashëgiminë e “Planit Marshall” sesa institucioni që mban emrin e tij. 5 qershori 1947 ishte një “datë kthese në histori”, tha ministrja Von der Leyen në fjalimin e saj. Fjalimi prej vetëm 12 minutash i Marshall-it shënoi një vizion të rëndësishëm për rimëkëmbjen e Europës pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore dhe siguroi bazat e Programit Europian të Rimëkëmbjes. Ky program furnizoi me ndihmë ekonomike dhe teknike 18 vende të Europës Perëndimore gjatë periudhës 1948-1951.

George Marshall besonte në përgjegjësinë globale të vendit të tij dhe udhëhoqi SHBA-të ndërsa ndërmori masa masive dhe të qëndrueshme për të thyer ciklin vicioz të luftës dhe shkatërrimit në Europë. Mbi të gjitha, ajo ndihmë ishte e dobishme në rikthimin e besimit të njerëzve në vendet e tyre. “Plani Marshall” nuk ishte vetëm ekonomik. Për njerëzit në Europë nxiti besimin në demokraci, konfidencën në ekonominë e tregut dhe shpresën për të ardhmen. Mbi të gjitha, “Plani Marshall” i dha jetë idesë së Bashkimit Europian i cili, pavarësisht faktit se kishte “shumë nëna dhe baballarë në Europë, nuk do të kishte sukses pa vizionin e Marshall-it”, sipas Von der Leyen.

Shtetet e Bashkuara e mbështetën Europën me një paketë të madhe ndihme financiare prej 13.3 miliardë dollarësh (më shumë se 150 miliardë dollarë sot). Vetëm në vitin 1949, alokimi për “Planin Marshall” përbënte 12% të buxhetit federal amerikan. Më interesante ishte dhënia në zotërim të këtyre ndihmave vendeve përfituese. Në të vërtetë, ai i delegoi përgjegjësitë për krijimin dhe implementimin e projekteve vendeve europiane. Por, një kusht i fortë i kësaj ndihme ishte bashkëpunimi europian në projekte, duke i bërë kështu lidhjet e forta europiane një realitet.

“Plani Marshall” e ktheu kontinentin europian nga konsumues, në ofrues të fuqishëm të sigurisë. Europa sot ballafaqohet me një sërë sfidash, që kanë një natyrë më transnacionale. Është e qartë se përkushtimi i vazhdueshëm i SHBA-ve në Europë është po aq i rëndësishëm sa ishte në vitin 1947. Në fjalët e qarta si kristal të sekretarit Mattis u përsërit angazhimi i SHBA-ve ndaj Europës dhe NATO-s, duke deklaruar se “angazhimi i SHBA-ve ndaj artikullit 5 të NATO-s është i hekurt”. Në të njëjtën linjë, Senati Amerikan miratoi një rezolutë, me votë unanime, duke rikonfirmuar angazhimin e SHBA-ve ndaj artikullit 5 të NATO-s. Për më tepër, qeveria amerikane do të shtyjë afatin e prezencës së forcave amerikane në Europën Lindore deri në vitin 2020, duke vazhduar kështu angazhimin për sigurinë europiane të deklaruar 70 vite më parë.

“Përtej çdo fjalë gazetash, ju mund ta gjykoni Amerikën nga veprat e saj”, tha sekretari Mattis në fjalën e tij. Me gjithë sensacionalizmin e krijuar nga titujt e gazetave dhe mediave sociale, të cilat në fakt po dëmtojnë diskutimin publik, Amerika është plotësisht e angazhuar në sigurinë e Europës. Në fakt, administrata e re i ka kërkuar Kongresit të aprovojë një rritje prej 40% të fondeve për Iniciativën Europiane të Risigurisë (European Reassurance Initiative) nga 3.4 miliardë vitin e kaluar në 4.8 miliardë dollarë këtë vit. Shembuj të tjerë si mbështetja e SHBA-ve për anëtarësimin në NATO të Malit të Zi, është një tjetër fakt që tregon angazhimin amerikan ndaj sigurisë europiane.

Duke folur për sfidat e sigurisë në Europën Lindore, Sekretari Mattis kishte edhe një mesazh për “kombet të cilat zgjedhin të sfidojnë rendin e sigurisë dhe paqes”, duke thënë se ndërsa SHBA kërkon të angazhohet në mënyrë diplomatike me Rusinë, ashtu si edhe NATO, “ajo do të qëndrojë e vendosur për të mbrojtur liritë dhe vlerat në zemër të Aleancës”, duke u përballur me agresionin me “vendosmëri, parandalim dhe qëllim”. Angazhimi i NATO-s në rajonin e Europës Lindore është evidentuar edhe nga vendosja e trupave në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Gjermania është aleati më i fuqishëm i SHBA në Europë dhe shtyllë për marrëdhëniet transatlantike.

SHBA dhe Gjermania e kanë demonstruar këtë partneritet të fortë në çështje të ndryshme të sigurisë, duke filluar nga lufta kundër terrorizmit, operacionet ushtarake në Afganistan, dhe sigurimi i partnerëve në Europën Lindore. Gjermania është po aq e angazhuar në marrjen e më shumë përgjegjësive ndërkombëtare në gjurmët e George Marshall, por duke u vënë edhe më shumë theks në të ardhmen çështjeve të tilla si terrorizmi, rikoncilimi, investimet, sundimi i ligjit, e duke pasur një vizion të qartë politik.

“Gjermania dhe Europa i kanë të gjitha instrumentet e duhura, por duhet të bëjnë më shumë për të arritur objektivat, më shumë rezultate konkrete”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes në fjalimin e saj para një audience të madhe ndërkombëtare në Qendrën “Marshall”. “Gjermania është e përkushtuar të forcojë edhe më tepër forcat e mbrojtjes që të jetë një partner i besueshëm dhe po punon drejt përmbushjes së detyrimit të angazhimit për 2% për shpenzimet e mbrojtjes… pasi të qenët partnerë do të thotë ndarje e barrës në NATO”, tha ministri Von der Leyen.

Kjo është një çështje që ka pushtuar titujt e gazetave në muajt e fundit, por në fakt tema e ndarjes së barrës së buxheteve brenda Aleancës është po aq e vjetër sa edhe vetë NATO. Vetëm në 2016, barra e shpenzimeve të SHBA ka qenë 68.2%, dhe ne afatgjatë këto lloj shpenzimesh kaq të larta nuk mund të jenë të qëndrueshme. Ideja e Unionit Europian të Mbrojtjes u prezantua gjithashtu si një pjesë plotësuese e NATO-s, jo konkurrente e saj. Historia ka treguar qartë se “Plani Marshall” ishte themeli mbi të cilin u ndërtua një partneritet i qëndrueshëm transatlantik.

Dhe Qendra “Marshall”, ky partneritet i përbashkët amerikano-gjerman mbart vizionin e Marshallit, në një tjetër fushë aplikimi, “përmes idealeve që kanë fuqinë të frymë- zojnë”. Gjatë 20 viteve të fundit, Qendra “Marshall” ka mbledhur së bashku më shumë se 12 mijë individë nga më shumë se 150 vende (nga Shqipëria më shumë se 300 ekspertë janë trajnuar në këtë qendër, duke përfshirë edhe nivele të larta drejtuese). Vetëm duke krijuar një network të fortë njerëzish, të cilët ndajnë të njëjtat parime dhe ideale, të cilët mund të përkthejnë mësimet e historisë, dhe t’i zbatojnë ato në përballimin e sfidave të sotme, përmes dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, mund të bëjmë përparim. “Liria dhe paqja nuk janë krijime spontane.

Ato kërkojnë bashkëpunim, komunikim, dhe angazhim”, tha Sekretari Mattis në përshëndetjen e tij. Dhe Qendra “Marshall”, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani, është një shembull i shkëlqyer i angazhimit gjermano-amerikan për një botë më të mirë, me paqësore dhe më të begatë.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan