Dypartitizëm apo multipartitizëm?

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 13 qershor 2017

Zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, me sa duket do të zgjidhin vetëm një çështje. Nëse analizojmë me kujdes të gjithë retorikën dhe kontekstin politik në të cilin po zhvillohet kjo fushatë, atëherë do të kuptojmë se çështja kryesore që shtrohet në këto zgjedhje është nëse Shqipëria do të shkojë drejt një sistemi politik dypartiak apo do të vazhdojë ende me sistemin e fragmentarizuar multipartiak.

Dy partitë kryesore, PD dhe PS, të cilat vijnë pas 8 vitesh qeverisje koalicioni, janë duke tentuar të instalojnë sistemin politik dypartiak në vend. Ky argument është shtruar më shumë se asnjëherë më parë në këto zgjedhje pasi të dyja forcat kryesore kanë provuar gjatë këtyre viteve peshën e rëndë të një partie tjetër, e cila të vetmin rol që ka luajtur ka qenë ai i Kingmakerit, duke u hedhur sa në një krah te një tjetër. Palët duken të lodhura nga varësia e formimit të qeverisë nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe kësaj herë po provojnë të shpëtojnë nga copëzimi i pushtetit, që më shumë se qeverisje kanë qenë një ndarje parcelash, ku secila kishte pjesën e saj dhe askush nuk duhet të ndërhynte në territorin e tjetrit. Duke krijuar kështu jo një qeverisje të bazuar mbi platforma politike dhe ekonomike, por një bashkëjetesë të sforcuar vetëm për hir të mbijetesës së pushtetit të tyre.

Edhe sulmet ndaj LSI duhen kuptuar në këtë drejtim. Dy partitë janë duke u përpjekur që të joshin elektoratin shqiptar duke iu treguar atyre se votat për partitë e vogla janë vota të hedhura dëm, pasi ato s’do të kenë asnjë rëndësi apo peshë politike në formimin e qeverisë së ardhshme. Mirëpo, kjo është në kuadër të objektivit të tyre kryesor, atë të forcimit të dy partive më të mëdha, dhe aspak nuk nënkupton një bashkëqeverisje.

Ky është synimi apo marrëveshja që kanë dy partitë kryesore. Kjo është një fushatë e cila ka një strategji politike të qartë drejt tij.

Ndaj edhe tensioni që ekziston tashmë midis dy partive kryesore dhe partive të tjera të vogla dhe, sidomos ndaj LSI duhet parë në këtë këndvështrim, as si hakmarrje politike dhe as si shenjë e bashkëqeverisjes.

Tashmë është e qartë që këto zgjedhje do të përcaktojnë fatin e sistemit politik në vend. Në këtë drejtim duhet të fokusohen të gjitha diskutimet publike, nëse Shqipërisë i duhet një sistem dypartiak apo shumë partiak? Të gjitha hamendësimet e tjera me eliminim, pabesi, tradhti apo dashuri midis Ramës dhe Bashës janë konsum i përditshëm politik pa asnjë vlerë reale.

Përtej mendimeve të ndryshme që mund të ketë për këtë argument, ja disa arsye në favor të dypartitizmit duke parë kontekstin politik shqiptar, pasi çdo zgjedhje në favor të njërës apo tjetrës nuk mund të bëhet pa patur parasysh atë.

Pikë së pari, sistemi dypartiak rrit llogaridhënien te qytetarët që është një nga elementet bazë të demokracisë. Që nga viti 2008 e deri më sot është e vështirë të gjykojmë përgjegjësitë apo meritat e një qeverisje për shkak të koalicioneve të sforcuara që janë formuar deri më tani. Shqiptarët po shkojnë të votojnë, por askush nuk është i qartë se kujt i takojnë meritat apo dështimet e kësaj qeverie.

Pikë së dyti, gjatë qeverisë së fundit kanë zënë më shumë kohë marrëdhëniet e vështira midis dy partive në koalicion se sa çështjet që duhet të shqetësojnë publikun. Një marrëdhënie e vështirë e cila ka penguar kursin e reformave që duheshin ndërmarrë. Demokracia është përfaqësim, por mbi të gjitha është vendimmarrje. Dhe vendimmarrje politike do të thotë një raport më i drejtpërdrejtë midis atyre që qeverisin dhe ata që qeverisen. Sistemi dypartiak e siguron këtë.

Pikë së treti, Reforma në Drejtësi do të ulë ndjeshëm abuzimin me pushtetin e një qeverisje të një partie të vetme që mund të sjellë sistemi. Nëse palët kanë vullnetin të aprovojnë dhe një ligj organik për funksionim dhe organizimin e partive, atëherë çdo gjë shkon drejt një normalitetit politik që nuk duhet të na shqetësojë.

Dhe së fundmi, për sa iu përket vlerave politike të cilat kanë të bëjnë me traditën kulturore, shoqërore dhe parimeve, janë vetëm dy forcat kryesore të cilat i pasqyrojnë ato në shoqërinë shqiptare. Partitë e tjera politike më shumë se sa për motive parimore janë krijuar si pasojë e skizmave të tyre dhe konflikteve për pushtet. Në këtë kuptim demokracia shqiptare do të ishte më konkurruese për sa i përket garës së vlerave.

Megjithatë një sistem dypartiak nuk do të thotë që s’do të ekzistojë asnjë parti tjetër, por që dy forcat kryesore do të jenë forca të cilat do të vendosin mbi qeverisjen e vendit dhe do të marrin përgjegjësitë që i takojnë, duke kthyer kështu një normalitet politik që e kemi humbur prej kohësh. Kjo është beteja e këtyre zgjedhjeve, nuk është një betejë kundër LSI apo çdo force tjetër, aq më tepër që në këto zgjedhje Kingmakeri ka ambicien të bëhet King.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan