Pse duhet të kemi qeveri?

Sipas pedagogut te UET, Klementin Mile

Argumenti klasik në favor të qeverisë gjendet në teoritë e kontratës sociale, të propozuara fillimisht në shekullin XVII nga filozofë si Hobbes dhe Locke. Te Leviatani Hobbes zhvilloi pikëpamjen se qeniet njerëzore racionale duhet ta respektojnë dhe t’i binden qeverisë së tyre, pasi pa qeveri shoqëria do të binte në luftë civile ‘të të gjithëve kundër të gjithëve.’ Teoricienët e kontratës sociale e zhvillojnë argumentin e tyre duke iu referuar një shoqërie hipotetike pa qeveri, të ashtuquajturës ‘gjendje e natyrës.’ Hobbes e përshkroi jetën e njeriut në gjendjen e natyrës si ‘të vetmuar, të varfër, të ndyrë, të vrazhdë dhe të shkurtër.’ Sipas tij, qeniet njerëzore ishin esencialisht krijesa egoiste që kërkojnë pushtet, të cilat, po të mos kufizoheshin nga ligji, do të synonin të realizonin interesat e tyre në dëm të të tjerëve. As më të fortët ndër ta nuk do mund të ishin kurrë aq të fortë sa të jetonin në siguri dhe pa frikë: të dobëtit do të bashkoheshin kundër tyre para se të nisnin luftën kundër njëri-tjetrit. Pra, pa një qeveri që do t’i kufizonte impulset egoiste, rendi dhe stabiliteti do të ishin të pamundur. Hobbes sugjeroi se, duke e kuptuar këtë, individët racionalë do të kërkonin t’i iknin kaosit dhe rrëmujës duke hyrë në marrëveshje me njëri-tjetrin, duke lidhur një ‘kontratë sociale’, përmes së cilës do të vendosej një sistem qeverie.

Teoricienët e kontratës sociale e shohin qeverinë si mbrojtje të domosdoshme kundër së keqes dhe barbarisë, duke u bazuar në një pikëpamje esencialisht pesimiste të natyrës njerëzore. Por ekziston edhe një traditë alternative, e cila e portretizon qeverinë si vetvetiu mirëdashëse, si një mjet për të promovuar të mirën dhe jo vetëm për të shmangur dëmet. Kjo mund të shihet në shkrimet e Aristotelit dhe të filozofit mesjetar Thomas Aquinas. Te vepra e tij Summa Theologiae, Aquinas e portretizoi shtetin si ‘komunitet perfekt’ dhe argumentoi se efekti i duhur i ligjit ishte t’i bënte të mirë subjektet e tij. Sipas tij, qeveria dhe ligji do të ishin të nevojshme për qeniet njerëzore edhe në mungesë të mëkatit origjinal. Kjo pikëpamje mirëdashëse e qeverisë si një instrument që i mundëson njerëzit të bashkëpunojnë për përfitim të ndërsjellë reflektohet në politikën moderne nga tradita social-demokrate.

Megjithatë, sipas këndvështrimit anarkist, qeveria dhe të gjitha format e autoritetit politik nuk janë vetëm të këqija por edhe të panevojshme. Anarkistët e zhvilluan këtë argument duke e kthyer përmbys teorinë e kontratës sociale dhe ofruan një imazh krejt të ndryshëm të gjendjes natyrore. Teoricienët e kontratës sociale supozonin se po të liheshin njerëzit të shprehnin natyrën e tyre, rezultati i pashmangshëm do të ishte rivaliteti, konkurrenca dhe konflikti. Anarkistët, nga ana tjetër, kanë një konceptim më optimist të natyrës njerëzore, duke theksuar kapacitetin për të kuptuarin racional, dhembshurinë dhe bashkëpunimin. Për shembull Godwin deklaroi: ‘Njeriu është i përkryeshëm, ose thënë ndryshe i nënshtrueshëm ndaj përmirësimit të përhershëm.’ Pra në gjendjen e natyrës mbizotëron një rend ‘natyror’, duke e bërë kështu të panevojshëm një rend ‘politik.’ Harmonia sociale do të zhvillohet spontanisht ndërsa individët kuptojnë që interesat e përbashkët që i lidhin janë më të fortë se interesat egoistë që i ndajnë dhe kur të ndodhin mosmarrëveshje ato mund të zgjidhen paqësisht përmes debatit dhe diskutimit racional. Në fakt anarkistët nuk e shohin qeverinë si mbrojtëse kundër rrëmujës, por si shkakun e konfliktit, trazirave dhe dhunës. Përmes imponimit të rregullit nga lart, qeveria shtyp lirinë, duke gjeneruar fyerje dhe pabarazi.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi