Fuqia e kombeve

Nga Kristaq Xharo, botuar në Mapo, 22 maj 2017

Kapacitetet e fuqisë. Buzan dhe Ueiver, por edhe mjaft studiues të tjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare besojnë që në themel të sjelljes së shteteve qëndrojnë kapacitet e fuqisë kombëtare. Fuqia kombëtare– shprehet Morgenthau, një nga figurat e spikatura të studimit të Marrëdhënieve ndërkombëtare, është aftësia ose kapacitetet e një kombi për të realizuar qëllimet dhe objektivat e tij kombëtarë në raport me kombet e tjera. Ajo përfshin kapacitetin për të përdorur apo mundësuar përdorimin e forcës duke influencuar mbi të tjerët… Në bazë të konceptit të kapaciteteve të fuqisë sot vendet kategorizohen në fuqi hegjemone, fuqi të mëdha, fuqi rajonale, fuqi ‘të vogla’ dhe vende të vogla. Aktualisht fuqi hegjemone është vetëm SHBA. Rusia është fuqi e madhe me potenciale të fuqishme ushtarake, por potencialet ekonomike nuk e mundësojnë për t’u shfaqur si fuqi hegjemone. Kina është fuqi e madhe me potenciale të fuqishme ekonomike, por kufizimet në arsenal ushtarak nuk janë të krahasueshme me ato të SHBA dhe Rusisë dhe detyrimisht nuk e bëjnë atë një fuqi hegjemone. Anglia dhe Franca janë fuqi të mëdha, por me potenciale ushtarake dhe ekonomike jo të krahasueshme me tre të parat.

Fuqitë hegjemone dhe fuqitë e mëdha kushtëzohen edhe nga zotërimi i fuqisë nukleare. Gjermania dhe Japonia zotërojnë potenciale të fuqishme ekonomike, ndoshta edhe më të mëdha nga të mësipërmet, por jo fuqi ushtarake dhe kjo, jo nga pamundësia, por për shkak të kufizimeve që iu vendosën fuqitë fituese që nga Lufta e Dytë Botërore. Fuqitë rajonale vlerësohen më pas se fuqitë e mëdha dhe shumë më pas se fuqitë hegjemone. Duke vazhduar arsyetimin Buzan dhe Ueiver në “Region and Powers” renditin vetëm një fuqi hegjemone (SHBA), pesë fuqi të mëdha, që janë njëkohësisht edhe anëtarë të KS të OKB dhe 13 fuqi rajonale. Në rajonin tonë si fuqi rajonale citohen Turqia dhe pranë Italia. Sipas këtij klasifikimi vendet e tjera janë ose ‘fuqi të vogla’ në rastin më të mirë ose thjesht ‘vende të vogla’. Ndërsa vendet e klasifikuara në tri kategoritë e para (hegjemone, të mëdha dhe rajonale) nuk sfidohen nga rreziqe të mbijetesës, vendet e tjera (të vogla) sipas Milan Kunderës luftojnë për mbijetesën e tyre dhe modifikojnë në çdo rast sjelljen për të shmangur rreziqet e sigurisë. David Mitran, autor i disa punimeve të rëndësishme dhe favorit i vendeve të vogla, kur krahason kapacitetet e fuqisë e gjen pozicionin e këtyre të fundit kryesisht në aleanca apo në partneritete të fuqishme strategjike për mbijetesën dhe prosperitetin.

Çfarë qëndron në thelb të fuqisë kombëtare? “Fuqia është kapaciteti për të imponuar vullnetin mbi të tjerët, duke u mbështetur në kapacitetet e fuqisë efektive në rastet e mospajtueshmërisë”, –Schvarzenberger. Fuqia kombëtare shprehet me një numër elementesh, që studiuesit e çështjeve të politikave ndërkombëtare i klasifikojnë në mënyra të ndryshme. Studiuesi i mirënjohur Morgenthau i klasifikon në dy kategori – të përhershëm dhe të përkohshëm, ndërsa Organski autor i teorisë tranzitore të fuqisë ka preferuar t’i klasifikojë burimet në natyrore dhe sociale. Studiues të tjerë si Palmer, Perkins, Charles O. Lerche, Abdul Said, Couloumbis dhe James H. Uolfe i përkufizojnë në: të prekshme dhe jo të prekshme ose në gjuhë më të artikuluar në ‘soft power’ dhe ‘hard power’. Në formë më të detajuar të gjitha klasifikimet e mësipërme të kapaciteteve të fuqisë përcaktohen nga: gjeografia, burimet natyrore, zhvillimi ekonomik dhe kapacitetet industriale, teknologjia, fuqia ushtarake, ideologjia, lidershipi, kualiteti qeverisës, karakteri dhe morali kombëtar, diplomacia etj. Në vazhdim të analizës Ajsle Tojle thjeshton përkufizimin e fuqisë në fuqi ekonomike, ushtarake dhe morale. Të tria format e fuqisë kombëtare janë të pandashme nga njëri-tjetri. Pa fuqi ekonomike asnjë komb nuk mund të zhvillojë fuqinë e tij ushtarake dhe pa këtë të fundit asnjë komb nuk mund të ketë fuqinë morale për të pasur një rol aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare. Të shkëputur nga ky trinom, vendet ndërthuren në situata, që pak mundësi dhe kapacitete kanë për të shfaqur një sjellje ‘unitare’ e aq më pak të ndikojnë në sjelljen e më të mëdhenjve. Nëse elitat politike nuk e respektojnë këtë ekuacion herët ose vonë ndodhen në situata të paparashikuara apo edhe në aventurë.

Fuqia Kombëtare është ‘monedha më e shkëmbyeshme’ për komunikim në Marrëdhëniet ndërkombëtare. Secili shtet përdor fuqinë e tij ose të paktën njërën prej formave që përmendëm më lart (ekonomike, ushtarake, diplomatike) për të siguruar interesat e tij në arenën ndërkombëtare. Është kjo veçori që na bën të shohim marrëdhëniet ndërkombëtare si një proces konkurrencë për fuqi. Natyra e kësaj ‘lufte’ për fuqi mund të analizohet vetëm përmes një analize të krahasimit të fuqisë me kombet e tjerë, brenda, më afër apo më larg rajonit. Roli që një komb luan ose mund të luajë në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të gjykohet duke vlerësuar fuqinë e tij. Prej këndej vjen fakti që interesi për ruajtjen dhe rritjen e fuqisë kombëtare është interesi primar i çdo kombi në rrugën e mbijetesës. Fuqia kombëtare është mjeti për përmbushjen e nevojave dhe aspiratave të një kombi. Si i tillë, mbetet esenciale që mbi bazën e fuqisë kombëtare mund të vlerësojmë rëndësinë dhe peshën e një vendi në politikën ndërkombëtare. Prej këndej buron edhe një vlerësim nga më të rëndësishmit për sjelljen e elitave dhe lidershipeve politike. Përtej ‘gjenialitetit’ që një lider mund të shfaqë, ajo që iu jep peshë qëndrimeve dhe deklarimeve të tij është fuqia e kombit. Asnjë komb nuk mund të tejkalojë ‘peshën’ e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare jashtë kontekstit të aleancave dhe aleatëve. Strategjitë kombëtare janë ato që balancojnë peshën dhe rolin e elitave politike. Humbja apo qëndrimet jo serioze ndaj aleatëve e çojnë një shtet në rrezik të mbijetesës…

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan