Domosdoshmëria për një sistem të ri zgjedhor

Nga Ervis Iljazaj, botuar nMapo, 20 maj 2017

Mesa duket partitë politikë do ti drejtohen garës elektorale të vetme. Ky përbën një lajm të mirë për të gjitha zhvillimet politike të vendit. Kështu do të kenë mundësinë të matin forcat e tyre reale dhe të kenë peshë në vendimmarrje për aq sa votuesit do ti japin.

Deri më tani sistemi zgjedhor proporcional rajonal ka deformuar totalisht raportin midis zgjedhësve, pushtetit politik dhe përgjegjësisë që duhet të vijë nga ky raport. Kjo është një nga aspektet thelbësore të një gare demokratike të shëndetshme.

Situata politike me këtë sistem zgjedhor që kemi aktualisht, ka arritur në një pike, ku asnjë nga forcat politike nuk mban përgjegjësi për qeverisjen dhe shkeljet e marrëveshjeve me elektoratin e saj. Në të gjitha këto vite ,parti të treta si LSI , PR, PDIU apo ndonjë parti tjetër kanë qenë pothuajse gjatë gjithë kohës në pushtet dhe asnjëherë nuk kanë mbajtur përgjegjësi për veprimet e tyre politike. Asnjëherë nuk kemi dëgjuar që këto parti kanë qeverisur keq!.

Ndërsa, në krahun tjetër partitë e mëdha shpesh herë janë justifikuar për mosmbajtjen e premtimeve të tyre elektorale, pikërisht për faktin e koalicionit me këto parti. Për këtë arsye do të duhej një sistem zgjedhor i cili të rriste ndjeshëm përgjegjësinë e qeverisjes.

Nuk duhet të kemi frikë edhe nëse në qeverisje ndodhet një parti e vetme . Kjo nuk do të thotë pushtet absolut , por përgjegjësi dhe llogaridhënie më e madhe kundrejt elektoratit. Me Reformën në Drejtësi, nëse do të zbatohet, frika e abuzimit me pushtetin të një partie ulet ndjeshëm.

Jo vetëm kaq, por partitë e vogla me rolin dhe avantazhet që i jep ky sistem, shpesh herë nuk e kanë përdorur si mjet për të qenë luajal ndaj një programi politik të përbashkët, por si mjet shantazhi kundrejt aleatëve të tyre në qeverisje. Në këtë kuptim fuqia e tyre politike ka qenë ndejshëm në raport të zhdrejtë me mbështetjen popullore.

Edhe situata politike aktuale e tregoi këtë. Pavendosmëria e tyre për të mbajtur qëndrime politike koherente dhe të vendosura ishte një nga faktorët kryesorë që kriza politike zgjati kaq shumë. Ndoshta, ato me qëndrimet e tyre mund të ktheheshin në një faktor pozitiv. Por, edhe kësaj herë kalkulimet e tyre të imta politike ishin parësore kundrejt një pozicionimi i cili do të duhej të ishte më i besueshëm politikisht.

Marrëveshja që u arrit midis dy partive të mëdha ka kthyer edhe njëherë debatin e rolit të tyre për faktin se tanimë nuk ekziston mundësia e koalicionit paraelektoral. Duhet pranuar që marrëveshja politike për të nxjerrë vendin nga kriza penalizon partitë e vogla për faktin se mundësitë e tyre ishin me të larta nëpërmjet koalicionit politik. Andaj, të gjitha partitë e vogla janë kritikë ndaj kësaj marrëveshjeje. Por, çështja thelbësore e të gjithë këtij diskutimi është nëse kjo është e drejtë apo jo?

Edhe pse ky ndryshim erdhi si pasojë e një situate aspak normale për të gjitha situatat politike që u krijuan këto kohë, shpresojmë që kjo të jeta hera e fundit e një sistemi zgjedhor të tillë për të gjitha arsyet e lartpërmendura.

Shqipëria ka nevojë për një sistem zgjedhor i cili të garantojë një përfaqësim të drejtë dhe një qeverisje të qëndrueshme. Mund të jetë një sistem proporcional kombëtar me një prag të lartë ose një sistem mazhoritar i pastër. Ka vend për diskutim, por ajo që nuk duhet të diskutohet është fakti që fuqia politike e çdo partie duhet të jetë për aq sa peshë elektorale ka Në këtë mënyrë përfaqësimi politik dhe qeverisja do të sillej në një normalitet të plotë.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan