Krizë politike apo krizë institucionale

Nga Fabian Zhilla, botuar në Mapo, 17 maj 2017

Dëgjohet një kakofoni termash të cilët hidhen dhe priten në funksion të aksioneve politike të palëve, të cilat rrotullohen rreth Reformës në Drejtësi, por të cilat në fakt, më shumë e kanë turbulluar se sa kthjelluar atë se çfarë është në thelb sot konflikti pozitë-opozitë. Përplasja konceptuale në dukje është krizë filozofie politike “Krizë politike vs. krizë institucionale”.
E majta nënkupton se jemi përballë një krize institucionale dhe Reforma në Drejtësi do të konsolidoj gjyqësorin dhe efekti domino i kësaj reforme do të sjellë si pasojë forcimin e institucioneve. Institucione të qëndrueshme nxjerrin demokracinë nga ngërçi dhe e bëjnë atë funksionale duke krijuar një sistem politik ku shoqëria voton ata që e qeverisin, por njëkohësisht ka mundësinë të ushtrojë kontroll mbi ekzekutivin nëpërmjet parlamentit dhe institucioneve të pavarura. Pra një demokraci për shoqërinë dhe jo për partitë. Shoqëria ka dhe mjete të tjera kontrolluese jashtë procesit politik (votimit), si: shoqërinë civile, mediat dhe qarqet akademike. Por këtyre të fundit iu është dhënë pak rëndësi, madje edhe ato janë menduar në funksion të reformës (jepen fonde që media dhe shoqëria të monitorojnë Reformën në Drejtësi dhe jo cilësinë e demokracisë edhe në sektorë të tjerë). Për t’iu kthyer diskutimit, nëse drejtësia është shkopi, vullneti është parlamenti pasi ai shpreh konsensusin politik të shoqërisë (kjo nuk duhet ngatërruar me dëshirën politike/political will) dhe qeveria është zbatimi i kësaj politike konsensuale me bazë të gjerë.
E djathta, nënkupton se kriza nuk është thjesht institucionale por është thelbësisht politike. Dhe për këtë kërkon disa garanci zgjedhore që janë një miksim i kërkesave të natyrës politike (dorëheqja e kryeministrit dhe qeveria teknike ) dhe të natyrës teknike (numërimi elektronik). E djathta duket sikur vjen me një qasje nga poshtë-lart, pra garanci për një proces zgjedhor të rregullt do të prodhonin një parlament me vullnetin politik të duhur, i cili më pas do të konstituonte një qeveri legjitime që bashkë me parlamentin do të administronin dhe monitoronin Reformën në Drejtësi dhe administronin efektet e saj. Por dhe e djathta në qasje duket se ka një problem konceptual me tezën që ngre. Nëse kemi krizë politike ajo nuk zgjidhet vetëm me një proces zgjedhor të rregullt, por duhet të shoqërohet edhe me mekanizmat kontrollues të cilët i lejojnë parlamentit të ardhshëm instrumentet e duhura për të vënë në provë qeverinë gjatë 4 viteve (dhe jo të pritet fundi i mandatit) nëpërmjet mocioneve të besimit dhe mosbesimit, të cilat Kushtetuta e vitit 1998 i kishte të rregulluara më mirë se kjo aktuale dhe që bën që në Kosovë kriza politike të menaxhohet brenda institucioneve dhe jo jashtë saj. Ndryshimet kushtetuese aktuale ia kanë minimizuar maksimalisht pushtetin balancues ekzekutivit ndaj gjyqësorit dhe ia kanë kaluar këtë pushtet parlamentit. Ndërkohë që këto ndryshime nuk i prekën institucionet kontrolluese të parlamentit ndaj ekzekutivit, i cili pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 u kthye në një parlament “kryeministror”.

Pra dhe e djathta paçka që ngre tezën se kriza është politike nuk e ka artikuluar atë qartë si dhe nuk ka nënvizuar indikatorët e kësaj krize afatgjatë dhe zgjidhjet që ajo ofron për to. Këto kërkesa që ngre opozita duhet të vinin përpara konsensusit të saj të sforcuar për Reformën në Drejtësi duke votuar paketën kushtetuese e cila duhet të parashikonte edhe mekanizmat kontrollues të parlamentit ndaj qeverisë. Opozita duhet të ngulmonte që në krye të herës për përmirësimin e sistemit zgjedhor. E djathta nuk mund të ngrejë alibinë se kjo do të ishte e vështirë pasi u përjashtua nga reforma administrative, pasi në ligjin për dekriminalizimin aksioni i saj ishte i suksesshëm dhe me mbështetje të plotë nga ndërkombëtarët. Me votimin e paketës kushtetuese opozita nënshkroi një kontratën politike duke e vendosur atë përballë detyrimit për ta zbatuar në ato elemente juridike që i përkisnin kësaj legjislature, paçka që ky parlament është në konflikt të hapur me të gjithë filozofinë e Reformës në Drejtësi.

Pozita, ka një qasje nga lart-poshtë, pra forcimi i mekanizmave të zbatimit të ligjit do ta rivendosë demokracinë në një cikël të rregullt politik, paçka që kjo pozitë gjeneroi nga kjo demokraci që ajo pretendon si shumë nga ne se duhet përmirësuar. Pozita mendon se opozita po stimulon artificialisht një krizë politike pasi forcimi i institucioneve (procesi vetting) prek interesat e opozitës, një qasje që në fakt ngre shumë pikëpyetje. Duhet pasur parasysh që forcimi i institucioneve do të thotë kontroll dhe balancimi i pushteteve të cilat në situatën e krijuar janë të dominuara kryesisht nga pozita. Ndërkohë që sot një reformë institucionale e njëanshme ka deficit legjitimiteti dhe automatikisht është në konflikt me vetë qëllimin e Reformës në Drejtësi (forcimin e shtetit ligjor). Nga ana tjetër, demokracia është votë e lirë popullore dhe institucione të pavarura që e mbrojnë dhe monitorojnë këtë votëbesim. Pa rregulluar të parën nuk bën sens të rregullosh të dytën.

E gjithë plejada e Reformës në Drejtësi tregon se kriza në Shqipëri është më shumë politike se sa institucionale. Krizë politike do të thotë mungesa e një konsensusi të gjerë politik. Kriza politike vjen si pasojë e personalizimit të politikës. Dhe në situatën e krijuar, partitë politike duhet të kuptojnë se nëse nuk gjejnë gjuhën e përbashkët kjo do të thotë se ato kanë dalë jashtë funksionit të tyre politik.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan