Nocioni i sovranitetit sipas Jean Bodin

Koncepti modern i “sovranitetit” është formuluar nga Jean Bodin në veprën e tij madhore “Les six livres de la Republique”. Në kapitullin e 8-të të librit të parë gjëndet akti i vertetë i lindjes së nocionit modern të sovranitetit. Bodin shkruante që “sovraniteti është fuqia absolute dhe e përhershme e një Republike”. Autori shton se “është fuqia më e madhe e komandimit”.

Pra, Bodin propozon një lloj përkufizimi konçiz, të bazuar në tre fjalë: “fuqia”, “absolute” dhe “e përhershme”.

  1. Sovraniteti përbën një fuqi

Sovraniteti përbën para së gjithash një “fuqi”. Fuqia është mjeti ose e drejta në saj të së cilës mund të veprohet mbi personat ose gjërat. Në studimin e tij për Shtetin, Bodin zbulon dy atribute të kësaj fuqie: autoritetin e gjykimit dhe autoritetin e komandimit. Me fjalë të tjera, Bodin vlerëson se atributet e Shtetit përfshijnë detyrimisht magjistraturën dhe ushtrinë: Shteti e ushtron fuqinë e tij me anën e autoritetit të tij të gjykimit dhe nëpërmjet komandimit të tij ushtarak. Autori nuk pretendon të jetë më shumë shterues, por kufizohet në dy atribute që duket të jenë thelbësore.

  1. Sovraniteti përbën një fuqi absolute

Përsa i përket intesitetit, forcës së kësaj fuqie, Bodin saktëson që sovraniteti nuk përbën një forcë konkurruese me të tjerat, por ajo është e një natyre “absolute”, dmth që ajo është më e forta se gjithë të tjerat. Nga ana tjetër, fjala “absolute” do të thotë gjithashtu që kjo fuqi është e pakushtëzuar. Bodin zbulonte që “sovraniteti i dhënë një Princi në përgjegjësi dhe kushte, nuk është një sovranitet i mirëfilltë”. Me fjalë të tjera, sovrani duhet të mund të përdori fuqinë e tij sipas dëshirës së tij, do me thënë, pa kërkuar autorizim ose aprovim të një personi tjetër dhe pa qënë i lidhur me rregulla që saktësojnë përdorimin e forcës së tij. Ky pohim thelbësor i Bodin është gjithmonë i vlefshëm edhe aktualisht.

  1. Sovraniteti përbën një fuqi absolute dhe të përhershme

Sipas Bodin, fuqia sovrane, veç karakterit të saj absolut, është e përhershme (perpetuelle)” ajo, pra, nuk mund të ndërpritet dhe ka një prirje të zgjas për gjithmonë. Një Shtet i dhënë mundet edhe të zhduket, por sovraniteti tenton të ekzistojë në mënyrë të përjetëshme. Nga ana tjetër, edhe nëse supozojmë që ai do të zhdukej, një tjetër Shtet do të ushtrojë menjëherë sovranitetin e tij mbi territorin në fjalë duke zëvëndësuar atë të Shtetit të mëparshëm. Pra, duhet të pohojmë që sovraniteti është i përhershëm, në kuptimin që në një territor të dhënë ekziston gjithmonë një autoritet shtetëror që ushtron atje fuqinë e tij sovrane: pak rëndësi ka nëse territori fillimisht i përket Shtetit A, në vazhdim Shtetit B, për të qënë pastaj i pushtuar prej Shtetit C: territori në çdo moment disponon një autoritet që ushtron fuqinë e tij sovrane.

  1. Nocioni i “titullarit ose mbajtësit të pushtetit”

Sovraniteti, si nocion abstrakt, ka nevojë për një titullar, një person që ta ushtrojë konkretisht atë në një hapësirë gjeografikisht të përcaktuar. Sovraniteti bëhet i dukshëm për popullsinë veçse nëpërmjet personit që mban pushtetin.

Por i parë në një këndvështrim tjetër, të dy konceptet ndodhen në një raport antagonist: nëse sovraniteti është në thelb i përhershëm, titullari, mbajtësi, i pushtetit është shumë i paqëndrueshëm. Asgjë nuk e garanton në fakt mbajtësin e sotëm të sovranitetit që të jetë edhe nesër: në cdo moment ai rrezikon të jetë mbajtësi i fronit.

Zbulimi i dallimit midis nocioneve të sovranitetit dhe mbajtësit të pushtetit është një kontribut madhor i Bodin në Teorinë e përgjithshem të Shtetit. Edhe sot, pas 450 vjetëve  nga publikimi i librit të Bodin, ai mbetet aktual dhe lejon të spjegohen një numër fenomenesh të jetës së sotme institucionale. Kështu, në përfundim të mandatit të një Presidenti të Republikës, organizohet ceremonia e kalimit të pushtetit tek Presidenti i ri, që fillon mandatin e tij. Nuk ka asnjë pikë ndërprerje të sovranitetit të Republikës, por ka humbje të titullarit të saj që ikën dhe njëkohësisht lindjen e titullarit të ri që vjen.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi