10 Vite Marrëdhënie tregtare Shqipëri – Kosovë

Nga Ilir Ciko, botuar në Monitor, 25 prill 2017

 

10 Vite Marrëdhënie tregtare Shqipëri – Kosovë: Situata, Potenciali, Problematikat dhe disa sugjerime

Cilët janë faktorët që pengojnë rritjen edhe më të vrullshme të tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës? Si shpjegohet që megjithëse pjesë të të njëjtit komb, gjeografikisht afër, me infrastrukturë lidhëse të përmirësuar veçanërisht pas investimit madhor e hapjes së Rrugës së Kombit që padyshim ndihmon tregtinë, me pengesa tregtare të reduktuara në vazhdimësi, me vullnet të përbashkët e të padiskutueshëm politik e shtetëror midis dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, ende marrëdhëniet tregtare me Kosovën përbëjnë një pjesë tepër të vogël të tregtisë së jashtme të Shqipërisë?

Përgjatë muajve të fundit janë hedhur një sërë propozimesh mbi modelet e mundshme të thellimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve të Ballkanit, ndër të cilat si më i përmendur në nivelet politike, është krijimi i një bashkimi doganor, një model i përdorur me sukses në Traktatin e Romës, që hodhi themelet e Komunitetit Ekonomik Europian që ishte bërthama e Bashkimit Europian të sotëm. Ndonëse bashkimi doganor është një formë e njohur integrimi ekonomik, e përdorur edhe në raste të tjera veçmas atij të Bashkimit Europian, përpara angazhimit të mundshëm në një proces të tillë, vlen të analizohen me vëmendje kostot dhe përfitimet që mund të burojnë prej tij.

Si në çdo rast tjetër të analizës së modeleve ekonomike, parashikimi për ç’mund të ndodhë në të ardhmen me një rajon që kërkon të thellojë integrimin ekonomik e tregtar, është jo vetëm i vështirë, por njëkohësisht edhe i ndërvarur nga faktorë të tjerë të jashtëm, të cilët mund të rezultojnë edhe më të rëndësishëm se modeli i zgjedhur i integrimit. Ndaj në mungesë të garancive mbi qëndrueshmërinë e këtyre faktorëve, mënyra më e drejtpërdrejtë për të menduar mbi të ardhmen mbetet analiza dhe kuptimi i asaj ç’ka ndodhur gjatë viteve të fundit me këtë proces integrimi të nisur në rajon që prej thuajse njëzet vitesh, pavarësisht se historia jo gjithnjë është treguesi më i mirë i së ardhmes.
Viti 2016 shënoi plotësimin e një dekade të funksionimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë CEFTA midis vendeve të rajonit të Europës Juglindore, që vijoi procesin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis vendeve, nisur në fund të viteve 90’ dhe konkretizuar në marrëveshje bilaterale bashkëpunimi dhe tregtie të lirë. Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e rëndësishme dhe aktive e këtij procesi, duke kontribuar pozitivisht në drejtim të suksesit të tij. Plotësimi i harkut kohor dhjetëvjeçar në historinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit është një rast i mirë për analizimin, reflektimin dhe nxjerrjen e mësimeve mbi arritjet, por pse jo dhe mbi sfidat dhe dështimet e mundshme, bazuar në rezultatet dhe objektivat parësorë të tij.

Në funksion të synimit kryesor të marrëveshjes CEFTA, nxitjes së tregtisë e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve dhe përgatitjes së tyre për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian, progresi ka qenë i padiskutueshëm. Shifrat e rritjes së tregtisë me vendet e rajonit kanë qenë të larta për thuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse në CEFTA, e madje në shumë raste, përfshirë Shqipërinë, edhe më të larta se rritja mesatare e tregtisë për këto vende, duke na paraqitur një ilustrim të qartë të rolit dhe funksionimit të një marrëveshjeje tregtare preferenciale. Dy vende themeluese të CEFTA 2006 – Bullgaria dhe Rumania – dolën nga marrëveshja ende pa nisur funksionimi i saj, për shkak të pranimit të tyre me të drejta të plota si anëtare të Bashkimit Europian, dhe të njëjtën rrugë ndoqi edhe Kroacia në vitin 2013. Vendet e tjera të rajonit kanë kryer gjithashtu përparim në shkallë të ndryshme drejt afrimit me Bashkimin Europian, ndonëse mjaft punë mbetet ende për t’u kryer deri në arritjen e këtij objektivi i cili mbetet i papërcaktuar në kohë.

Nuk duhet mohuar fakti që përveç arritjeve në drejtim të nxitjes së aktivitetit tregtar, mes vendeve të rajonit, jo rrallë gjatë këtyre viteve janë shfaqur edhe pakënaqësi, konflikte dhe përfitime të pabalancuara prej funksionimit të CEFTA-s, të cilat lidhen jo vetëm me faktorët e orientimit të tregtisë por edhe me shkallën e pabarabartë të zhvillimit të sektorëve ekonomikë të vendeve, mundësitë e kufizuara të ofertës në këto vende, qasjen mbrojtëse ndaj aktiviteteve vendase, orientimit të tregtisë drejt partnerëve jashtë zonës së CEFTA-s, klimës politike brenda dhe mes vendeve të rajonit, efekteve të krizës globale dhe kërkesës e rritjes së dobët ekonomike në vendet e rajonit dhe tregjet globale, apo lidhur me këto të fundit, mungesës së investimeve të huaja, e veçanërisht atyre rajonale, aq të shumëpritura në kuadër të funksionimit të CEFTA-s.

Synimi kryesor i këtij punimi është paraqitja e përmbledhur e faktorëve të mësipërm, duke u fokusuar në marrëdhëniet tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, përgjatë shtrirjes në kohë të CEFTA-s në periudhën 2006-2016. Këtu vlen të theksohet një faktor i rëndësishëm. Tregtia e jashtme e Shqipërisë, gjatë dy-tre viteve të fundit, për shkak të kombinimit të një morie faktorësh, analiza e të cilëve del paksa jashtë synimit të këtij punimi, është karakterizuar nga një rritje përgjithësisht e dobët, e cila nuk lidhet veç me tregtinë me rajonin, por pasqyrohet në të. Kjo prirje negative ka qenë më e theksuar veçanërisht në drejtim të eksporteve, të cilat kanë pësuar madje edhe ulje nga viti në vit. Ndaj eksportet e Shqipërisë në vitin 2016, ishin më të ulëta në vlerë se eksportet e tre viteve më parë (gjatë vitit 2013), duke shënuar një ecuri të rrallë që nuk ka ndodhur as në vitin 1997.

Rritja anemike e tregtisë së jashtme të vendit gjatë 2-3 viteve të fundit, ndërkohë që vendet e rajonit kanë përjetuar ritme të kënaqshme rritjeje të tregtisë, pasqyrohet dhe ndikon edhe në tregtinë me rajonin dhe Kosovën, duke zbehur disi rezultatet e arritura në vitet e para të kësaj periudhe dhjetëvjeçare. Pikërisht për këtë arsye, tregtia me rajonin arriti kulmin e saj me eksportet në vitin 2015 dhe importet në vitin 2014, ndërkohë që në tregtinë me Kosovën, eksportet arritën kulmin e tyre në vitin 2015 dhe importet në vitin 2013, duke pësuar një prirje uljeje në periudhën e mëpasshme.

Shih studimin e plotë

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi