Kontrata liberale dhe roli i Shtetit

Nga Elton Ndreka, botuar në Mapo, 29 mars 2017

Që pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore, liberalizmi politik dhe para së gjithash ai ekonomik fituan terren të pakthyeshëm në interpretimin dhe ndikimin e sjelljes ekonomike dhe politike të vendeve. Duke qenë se liberalizmin politik, e majta perëndimore pretendonte ta kishte pjesë të paradigmës së vet ideologjike, e gjithë mosmarrëveshja me të djathtën shtrohej në planin ekonomik: domethënë, për rolin e shtetit në ekonomi. Kjo mosmarrëveshje, pas viteve ‘90, shtrohej në planin e mekanizmave të cilët duhet të përdorë shteti, ose jo, për të rregulluar tregun e lirë. Që këtej, liberalizmi pohonte se çdo ndërhyrje e shtetit është e dëmshme sepse tregu ruan mekanizmat e vet rregullues, ku çdokujt i jepet aq sa meriton dhe ndërhyrja për të ndikuar mekanizmat sjell padrejtësi. Shembulli i famshëm është ai një kompanie që po falimenton. Nëse shteti do ndërhynte për ta shpëtuar falimentimin e kompanisë për shkak se disa punonjës rrezikojnë të mbesin pa punë, do prodhonte së paku padrejtësi në dy drejtime: 1. Shteti përdor taksat e popullit për të mbajtur në këmbë një kompani private. 2. Financimi i kësaj kompanie çon në konkurrencë të padrejtë me kompanitë e tjera që pa mbështetje e financave publike i kanë mbijetuar tregut. Në këtë kuptim roli i shtetit do duhej të ishte i ngjashëm me atë të një “roje nate”.

Le të ndalemi pak tek ajo çfarë na propozon kontrata liberale ose më saktë neoliberale në kontekstin e punëdhënësit dhe punëmarrësit. Një kompani çfarëdo ka disa lloj ofertash për punë me kushtet përkatëse kohore, vendore dhe ekonomike. Nga ana tjetër kemi disa njerëz që ofrojnë cilësi të punëve që mund të bëjnë. Pra, kemi një ofertë pune (kompania) dhe një ofrues fuqie punëtore (punëtori), apo ndryshe kemi një kërkesë për punëtorë dhe një kërkesë për punë. Në këtë kontekst ofruesi dhe kërkuesi arrijnë në një marrëveshje apo një kontratë të pëlqyeshme, në termat e neoliberalizmit do thoshim se tregu nëpërmjet mekanizmit të ofertë-kërkesës arrin një ekuilibër të kënaqshëm për ofruesin dhe kërkuesin, çka institucionalizohet në një marrëveshje kontraktuale. Shteti në këtë mes ka rolin e ruajtësit që kjo kontratë mes palëve të mos shkelet, dhe rolin e ndëshkuesit nëse kontrata shkelet. Me fjalë të tjera, shteti, që të mund të bëjë rolin e vet, ka për detyrë së pari, të këmbëngulë që palët të kenë një kontratë dhe më pas të vëzhgojë nëse kontrata ekzekutohet sipas kushteve të saj. Në të dyja rastet, shtetit i ngelet, siç dhe u tha, të bëjë rolin e rojës: është aty të ruajë që ofertë-kërkesa e punëdhënësit të institucionalizohet në marrëveshje ose jo, dhe të ruajë që në rastin e marrëveshjes, nëpërmjet saj të gjykojë rastet e shkeljes ose jo të kontratës.

Në Shqipërinë e pas ‘90, si pjesa më e madhe e shteteve ish-komuniste, përqafoi këtë logjikë të funksionimit të tregut. Madje, nga intelektualë të ndryshëm u arrit deri atje sa të akuzonin politikat e shtetit si tejet neoliberale dhe kjo lidhej me faktin e terapisë së shokut të propozuar prej Gramoz Pashkos. Si pasojë erdhi privatizimi i shpejtë i kompanive apo ndërmarrjeve publike dhe falimentimi i degëve të industrisë, të cilat nuk i nxirrnin kostot e veta. Një pjesë e opinionit publik që kuptonte termat në përdorim, ndahej në mbështetës dhe kundërshtarë të kësaj politike. Megjithatë, ajo për të cilën bihej dakord përgjithësisht është se kjo politikë ishte neoliberale dhe shteti shqiptar është një shtet ekstremisht neoliberal.

Por a është e vërtetë që shteti shqiptar i pas ‘90 është neoliberal? Dhe a është zbatuar logjika neoliberale e shtetit si “roje nate”? Për këto pyetje, referuar kontekstit të punëdhënësit dhe punëmarrësit do thuhej: Nëse shteti shqiptar është neoliberal, a ka këmbëngulur që marrëveshja mes punëdhënësit dhe punëmarrësit të institucionalizohet në kontratë? A ka ruajtur ekuilibrat e tregut duke qenë prezent që kontrata mes palëve të mos devijohet sipas raporteve të forcave jashtë tregut? Ndryshe, a ka qenë shteti shqiptar rojtari i cili, në një vend ku kërkesa për punë është me e madhe se oferta për punë, ka marrë në konsideratë marrëveshjet kontraktuale që punëdhënësi duke qenë i tejngopur nga ofertuesi i punës, mos ta shkelë kontratën pa marrë parasysh pasojat që mund të sjellë ai veprim?

Përgjigjet për të gjitha pyetjet e mësipërme mund të jepeshin saktësisht veç në bazë të një studimi shkencor. Megjithatë kjo nuk na mohon mundësinë e dhënies së përgjigjes përgjatë lëvizjes së opinionit si hamendësim i imi, por edhe si miratim ose jo i lexuesit. Gjithsesi, mund të përdorim raportin e INSTAT-it për informalitetin e tregut të punës, ku thuhet: “së paku 24% e të punësuarve në zonat urbane punojnë në një treg informal”; pra, nuk gëzojnë ndonjë lloj kontrate për të cilën shteti neoliberal mban përgjegjësi sepse pa të nuk mund të ruajë zbatueshmërinë e marrëveshjeve të pashkruara. Sigurisht që unë mendoj se ky informalitet është më i lartë në përqindje, por kjo pak rëndësi ka. Ajo që merr rëndësi është fakti që shteti, edhe pse me përgjegjësi të reduktuara, nuk e bën detyrën a tij. Është pikërisht kjo lloj mungese e shtetit që e bën të rrezikshëm “neoliberalizmin”. Të mos pasurit një kontratë, por një ofertë dhe një kërkese të painstitucionalizuar, në kontekstin ku kërkesa për punë është më e lartë se oferta, marrëveshja mbetet nën kërcënimin e ofertuesit të punës. Ky ofertues mund t’i ndërrojë kushtet sa herë që i leverdis dhe nga ana tjetër të vërë nën tensionin e pasigurisë punëmarrësin i cili as nuk është në gjendje të kërkojë detyrimisht kontratën, sepse dikush tjetër është i gatshëm për punë pa kontratë dhe as që është në gjendje (në rastin e pasjes tashmë të një kontrate) të kërkojë zbatimin korrekt të kontratës, sepse prishja e saj mund t’i leverdisë më shumë ofertuesit të punës, i cili mund të gjejë kërkues pune pa e institucionalizuar marrëveshjen në një kontratë (pra punëmarrësi mund ta humbë lehtësisht punën).

Le ta mbyllim me tregimin e një thashethemnaje, por që këtu merr një rëndësi të veçantë. Qarkullojnë fjalë se një ish-deputet dhe një nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri (edhe pse dihet që ky është vetë një rast ndër të shumtë në Shqipëri) iu paska thënë punonjësve të vet që, ai po kërkon të bëjë një investim të ri dhe, duhej që për tre muaj të mos u jepte rrogat, nga ana tjetër, për arsye që mund të imagjinohen pjesa më e madhe e punonjësve e kanë pranuar kushtin e ri të paparashikuar në kontratë. Sipas një pikëpamjeje neoliberale koha është e bleshme; me fjalë të tjera, punëdhënësi i ble kohën punëmarrësit me synim që ta shfrytëzojë për punët e veta; në rastin e sipërpërmendur punëdhënësi i ka blerë punonjësit kohën e grumbullimit të parasë për një synim të caktuar. Në këtë kuptim ndalja për tre muaj e rrogave do detyronte formulimin e një kontratë për borxhin, pak a shumë siç bëhet nëpër banka, ku punëdhënësi do duhej vërtetë ta blinte kohën kur këto para nuk qarkullojnë në xhepin e punonjësit. Sepse shumë mirë, ato para mund të ishin investim i punonjësit për çështje të interesit të vet. Por duke mos qenë garanti i shtetit për zbatimin e kontratave, ndodh që punonjësi pranon të vidhet si pasojë e një tregu informal që i kërcënon pareshtur vendin e punës. Pra, ata që thonë se shteti shqiptar është neoliberal e kanë gabim. Ky shtet mund të jetë shumëçka, por kurrsesi neoliberal. Për të qenë të paktën i tillë duhet me patjetër t’i futet punës për institucionalizimin e kontratave mes palëve dhe të ruajë shkeljet e tyre. Sepse, nga shembulli më sipër, mund të thuhet pa frikë që jo vetëm ekstremizohen më tej diferencat ekonomike, por për më tepër institucionalizohet anormaliteti i neoliberalizmit, çka mund të sjellë pasoja psikologjike te subjektit punëmarrës. Me fjalë të tjera, nëse shteti nuk e bën as rolin e “rojtarit të natës” mos u çudisni kur ndonjëri (siç edhe ka ndodhur në vende me probleme të ngjashme) ta jetojë anormalitetin si gjendje normale e “vetë-rojës” së natës dhe kësisoj ta shprehë me vetëgjyqësi.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan