Çfarë lufte po ndodh në qeveri

Nga Fitim Zekthi, botuar në Mapo, 4 shkurt 2017

Fitim-Zekthi-768x554Ngjarjet e ditëve të fundit në vend, me akuza të rënda për lidhje me krimin të qeverisë nga ministri i Drejtësisë, shkarkimin e tij nga kryeministri, akuzat e padëgjuara të Prokurorit të Përgjithshëm se ambasada të huaja kanë kërkuar arrestimin e ministrave apo ish-ministrave, se ambasadori amerikan ka shantazhuar prokurorinë dhe përgjigjet po ashtu të padëgjuara të ambasadorit se prokuroria ka penguar Reformën në Drejtësi, ka thyer Kushtetutën, bërë lojë politike etj., tregojnë se siç thoshte mendimtari amerikan William Sherman nuk ka asnjë mënyrë për ta reformuar luftën, e çfarëdo lloji qoftë ajo.

Sa më mizore të jetë aq më shpejt do të përfundojë. Është e qartë se akuzat Lu-Llalla, Manjani-Rama, Koka-Rama, ndërhyrjet e Peleshit, të Ballës apo Braçes janë pjesë e një lufte proxy, e një lufte që dy entitetet bazë kanë futur në të tjerët dhe vetë po mundohen të flasin për stabilitet, për aleanca strategjike, për ecuri të reformave, për kujdes dhe maturi etj.

Në fakt lufta është PS-LSI ose më saktë Rama-Meta. Kjo luftë proxy është edhe në media, ku njerëz të palëve po përpiqen të ndihmojnë secilën në këtë luftë, sidomos analistët dhe opinionistët, duke e shndërruar edhe median me pak përjashtime në një shesh lufte. Rezultati i luftës është shkatërrimi i plotë i qeverisë, zhytja e saj në kaos të plotë.

Douglas North, një ekonomist amerikan fitues i çmimit Nobel i përshkruan gjendje të tilla nëpërmjet “shoqërisë me akses të kufizuar” që janë gjendje parademokratike. Ai thotë se për të kontrolluar luftën apo dhunën krijohet një koalicion dominues që përfshin grupe me potencial për të ushtruar dhunë apo me akses te dhuna.

Ky koalicion shpërndan renta, privilegje dhe fitime tek anëtarët e tij apo grupet që e përbëjnë. Si pasojë e privilegjeve dhe rentave grupet me potencial për dhunë apo me akses te dhuna duan paqe dhe e ruajnë atë. Të gjitha palët ndërveprojnë dhe ruajnë rendin thotë North.

Një cilësi kryesore e shoqërisë me akses të kufizuar është se ajo lejon vetëm disa grupe të formojnë korporata, organizata të shoqërisë civile, sindikata apo edhe parti që kanë akses në burime. Po ashtu edhe individët mund të arrijnë të përfitojnë nga burimet vetëm nëpërmjet grupeve apo partive të lejuara. Marrëdhëniet në këtë lloj rendi janë personale dhe jo institucionale.

Douglas North thotë se paqja ruhet derisa rentat dhe privilegjet janë në ekuilibër me fuqinë, pushtetin apo potencialin për luftë apo për dhunë të secilit grup. Në momentin që një grup apo parti ka më shumë pushtet apo mendon se ka më shumë pushtet se sa privilegje dhe renta, atëherë nis lufta. Lufta vazhdon e egër deri në vendosjen e një ekuilibri të ri dhe rendi vijon si më parë.

Gjendja në koalicion duket se përshkruhet saktësisht nga teza e Douglas North. Të gjitha partitë në pushtet kanë marrë renta dhe privilegje në përputhje me fuqinë apo pushtetin apo potencialin për luftë, iu lejojnë aksesin në burime bizneseve që duan, tek to ekzistojnë vetëm marrëdhëniet personale, nuk ka marrëdhënie institucionale, askush nuk mund të arrijë te burimet pa qenë pjesë e partive dhe pa marrëdhënien personale me to. Dihet që kryeministri Rama ka marrëdhënie personale me njerëzit e grupit të tij dhe me liderët e grupeve të tjera.

Institucionet si kryesia, asambleja apo kongresi janë formale. Marrëdhëniet janë personale dhe me njerëz që nuk janë fare në politikë, por kanë akses të madh në burime. Meta dhe Idrizi gjithashtu sillen dhe veprojnë po në këtë mënyrë. Lufta ka ndodhur sepse grupi i Ramës ka më shumë pushtet dhe potencial për luftë krahasuar me privilegjet apo rentat se sa grupi i Metës.

Kjo ka ndodhur për shkak se gjatë katër viteve në qeveri ai gradualisht e ndryshoi gjendjen e fushës së lojës duke e bërë atë më të vështirë për Metën, i cili me gjithë mprehtësinë e njohur politike nuk e kuptoi që një ditë nuk do të kishte më mjete për të balancuar Ramën. Në fushë është Idrizi, që ka rritur fuqinë e Ramës, është Reforma në Drejtësi që i jep pushtet Ramës, janë edhe elemente të tjera, të cilat çuan te lufta.

Meta gaboi në atë që është më e thjeshtë: nuk e kuptoi se rendi që kishte ndërtuar dhe e kishte forcuar ishte ai që përshkruan Douglas North. Në këtë lloj rendi del gjithmonë dikush që do ta bëjë më mirë atë që ke bërë ti vetë dikur dhe kostoja është shumë e lartë, humbja është shkatërruese. Kjo është ajo që po ndodh në vend.

Opozita, e cila duke mos qenë pjesë e kësaj lufte të egër duket sikur është e dobët apo sikur është jashtë loje është në fakt i vetmi institucion politik në vend.

Ata që janë në luftën proxy, sidomos anëtarët në media, analistët dhe opinionistët nuk mund ta shohin kurrë se çfarë ndodh jashtë, pra në opozitë. Ata mendojnë se në qoftë se nuk je në këtë luftë, po nuk luftove për privilegje dhe renta në përputhje me aksesin te dhuna apo potencialin për dhunë, nuk je.

image_pdfimage_print

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Si mund të qeveriset një vend që ka 246 lloj djathrash?
    - Charles De Gaulle
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan