Vlerat e Evropës, janë mbrojtja e saj më e mirë

Nga Donald Tusk, Project Syndicate, 18 janar 2017

donald-tusk-reuters_625x372_71436781998

Viti 2016, do të hyjë në historinë e Evropës si koha e përpjekjes për të ruajtur unitetin politik, sistemik dhe social të Bashkimit Evropian, si një bashkësi vendesh, njerëzish dhe vlerash. Ajo qe një kohë e pasigurisë dhe e dështimeve tejet të dukshme. Por ishte gjithashtu një vit i shënuar nga arritjet reale.

Mbi të gjitha, vota e Mbretërisë së Bashkuar në muajin qershor për të dalë nga BE, mbetet e fiksuar si një zhgënjim i hidhur. E megjithatë pati edhe një konsensus të ri pan-evropian për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, së bashku me përfundimin e Marrëveshjes Ekonomike dhe Tregtisë Gjithëpërfshirës (CETA) me Kanadanë, që meriton një lloj optimizmi të përmbajtur.

Shumica e problemeve me të cilat është përballur BE-ja për një farë kohe, nuk janë zgjidhur plotësisht.

Kriza e emigracionit, tensionet me Rusinë mbi Ukrainën, dhe kërcënimet e tjera të sigurisë së jashtme dhe të brendshme, vazhdojnë të testojnë unitetin dhe efikasitetin tonë – dhe kjo do të vazhdojë edhe gjatë 2017-ës. Ajo që ne dimë nga viti 2016, është se ndryshimi i madh shtrihet përpara – shqetësues, ende i paidentifikuar, por një ndryshim megjithatë qartazi i dukshëm.

Në fakt, lloji i ndryshimit që është duke ndodhur dhe do të ndodhë në të ardhmen, është duke shtangur parashikuesit politikë. Ka kaluar shumë kohë qëkur realiteti është tallur mizorisht me ekspertët, dhe parashikuesit e zgjedhjeve, madje edhe në kontekstin afatshkurtër të zgjedhjeve të ardhshme apo referendumeve.

Politika është bërë po aq e paparashikueshme sa edhe moti në Bruksel. Dhe, ashtu si me parashikimet e motit, nëse ndonjë nga parashikimet dëshmohet e saktë, janë pikërisht ato pesimiste. Ndryshimet tektonike politike (e çfarë tjetër mund të quhet shkëputja e papritur e një ishulli të madh larg nga kontinenti?) që po ndodhin tani nuk janë thjesht pasgoditjet e krizës financiare të vitit 2008.

Burimi dhe thelbi i tyre, është më i thellë se zemërimi i të rinjve të papunë apo pakënaqësisë me stanjacionin ekonomik në mesin e klasave të mesme evropiane dhe amerikane, ndonëse asnjë person i arsyeshëm nuk do t’i minimizonte këto ndjenja. Por ne të gjithë mendojmë se këto dridhje mund të sinjalizojnë një ndryshim më të thellë:fundin e një epoke, e cila në Evropë do të mund të quhet Epoka e Stabilitetit të Madh.

Kjo është një epokë që ka zgjatur 70 vjet, e mbështetur mbi 3 shtylla. E para është një rend ndërkombëtar, që përcaktohet nga aftësia e Perëndimit për të imponuar botës pasjen e respektit për rregullat dhe marrëveshjet, dhe që e ka mbrojtur Evropën kundër konflikteve globale. E dyta është demokracia liberale. Dhe e treta është prosperiteti relativ i shoqërive evropiane.

Parashikimi i përhapur i ndryshimit nuk duhet të na frikësojë, apo akoma më pak paralizojë. Sikurse e dinë shumë mire historianët, është stabiliteti, dhe jo kriza, ai që është kalimtar dhe jetëshkurtër. Dhe, ashtu siç është përtej fuqisë sonë për të parandaluar krizat (të cilat nga natyra janë të pashmangshme), nuk është në interesin tonë të kapemi pas statuskuosë, teksa stabiliteti herë a vonë hyn në një fazë të stanjacioni, kur shpresa e ndryshimit bëhet universale. Kjo jo domosdoshmërisht çon drejt katastrofës. Por edhe mundet.

Çdo gjë varet nga aftësitë tona kolektive, për të lundruar në detrat e stuhishëm. Parakushti i parë është ruajtja e unitetit themelor të BE-së. Unë do ta përsëris këtë si një mantra: një BE-së e përçarë nga brenda, do të jetë e paaftë për t’u rritur përballë cilësdo nga sfidat me të cilat përballet, dhe po ashtu edhe shtetet anëtare të saj, duke përfshirë edhe ato më të mëdha.

Themelet e solidaritetit evropian mbeten të brishta, dhe provat e vërteta shtrihen para. Pa solidaritet, Evropa s’do të ketë ndikim mbi drejtimin e ndryshimeve të ardhshme, duke u bërë viktima në vend se bashkë-autore e tyre. Për të shmangur këtë skenar të zymtë, ne duhet të kërkojmë edhe një herë atë që mban lidhur, çfarë kemi të përbashkët, atë që jemi të gatshëm ta mbrojmë me vendosmëri të plotë, të barabartë me atë të treguar nga kundërshtarët tanë.

Ne duhet të përcaktojmë sërish territorin tonë, jo gjeografikisht, por në një kuptim civilizues, kulturor dhe ndoshta edhe simbolik. Ajo që jemi duke parë sot është se njerëzit, kombet dhe shtetet janë duke zbuluar fuqinë e mitit dhe thjeshtëzimit. Kjo mund të parashikojë një politikë më brutale – më pranë natyrës se sa kulturës.

Gjëja më e rëndësishme do të jetë bërja e një dallimi të saktë, midis asaj që është e cekët dhe e parëndësishme në traditën evropiane dhe asaj që është e qëndrueshme, e vlefshme dhe unike – atë që historiani Jakob Burkhard e quan liria e shpirtit. Pikërisht tek kultura dhe liria, ne do të rizbulojmë thelbin e Evropës.

Në politikë, kjo do të thotë se ne duhet të jemi të përgatitur për ndryshimin, me kushtin që kjo të mos kufizojë lirinë si një vlerë thelbësore. Para se të riparojmë strukturën e BE-së, para se të fillojmë zgjidhjen e dilemave themelore në lidhje me shkallën e integrimit, ne të gjithë duhet të biem dakord se duam të bartim idealin e Evropës si një kontinent i lirisë nga e kaluara drejt së ardhmes.

Bota e sotme është plot me barbarë, për të cilët liria dhe kultura, siç i kuptojmë ne, janë shndërruar në objektiva për t’u sulmuar. Evropianët do të jenë në gjendje të kapërcejnë sfidat e tyre aktuale, vetëm atëherë kur të bien dakord që nuk do të bëjnë asnjë kompromis në këtë përballje. Simptomat e barbarizmit janë rreth nesh, midis nesh dhe brenda nesh.

Nëse jepemi ndaj presionit të jashtëm dhe dobësive të brendshme, ndryshimet e ardhshme mund të zhbëjnë arritjen më të rëndësishme politike të Evropës: që së bashku – dhe vetëm së bashku – sundimi i shumicës, sundimi i ligjit dhe qeveria e kufizuar, mund të garantojnë lirinë e njeriut dhe të drejtat civile. Kjo është arsyeja pse duhet që me guxim, dhe në mënyrë të vazhdueshme, të sfidojmë ata që qëndrojnë kundër lirive tona, qoftë nga brenda apo jashtë Evropës.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan