Parlamenti që “prodhon” me shumicë debate personale

DW, 14 janar 2017

Kuvendi

Rreth 45 deputetë, ose një në tre anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë, nuk kanë thënë asnjë fjalë në seancat plenare apo gjatë punës së komisioneve kuvendore në sezonin e fundit shtator–dhjetor 2016. Ky kontigjent “vegjetues” është evidentuar nga një monitorim që ka realizuar Instituti i Studimeve Politike, një organizatë e njohur joqeveritare në Tiranë. Pasi vëzhguan aktivitetin e institucionit ligjvënës në sezonin parlamentar janar-korrik 2016 aktivistët dhe ekspertët e ISP-së rivendosën “lupën” për të dokumentuar gjithçka nga dita e punës për të zgjedhurit nga populli.

Krahas deputetëve “spektatorë”, monitorimi ka dokumentuar edhe aspekte, të cilat zbulojnë shpenzim të energjive pafund nga deputetët për agjendën e tyre personale politike sesa për pjesmarrje në diskutime projektligjesh apo çështjesh me dobi për zgjedhësit e tyre. Koha që ata marrin për të folur apo për të debatuar duket se ka lidhje me performancën para kamerave të gazetarëve, si në një fushatë elektorale.

Përshembull, deputetët kryesorë që kanë marrë fjalën thuajse në çdo seancë plenare të ditëve të enjte, ku ka transmetime direkte nga disa televizione informative, kur vjen puna tek seancat në komisionet parlamentare ata s’janë pjesmarrës fare. Shkaku është se në këto seanca nuk ka mbulim të zgjeruar mediatik.

Në 4 muaj janë miratuar vetëm 4 ligje

Drejtori i Institutit, prof.asc. Afrim Krasniqi, duke treguar për Deutsche Welle-n gjetje nga projekti monitorues përqëndrohet së pari tek mënyra se si punohet në disa prej komisionet kryesore parlamentare si i punëve të jashtme, mediave, ligjeve apo i ekonomisë, ku koha më e madhe e punës janë zënkat mes kryetarit dhe nënkrytarit të komisionit, që janë përfaqësues nga krahë të ndryshme politike. Në vend që deputetët ta orietojnë diskutimin e tyre bazuar tek përfaqësuesit që janë të ftuar për të informuar dhe prezantuar aktivitetin e institucioneve, komisioni përfshihet nga akuza kundërthëse mes kryetarit dhe nënkryetarit.

“Nëse në komisione energjitë harxhohen për replika personale dhe me sfond politik, nëse në seancë plenare koha shkon me luftë mes grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës, atëherë kuptohet dhe produkti. Për periudhën shtator – dhjetor 2016 Parlamenti arriti të miratojë vetëm 4 ligje. Justifikimet janë se ‘qeveria nuk sjell projektligje apo nuk ka nisma ligjore’, ose të tjerë thonë se ‘mungojnë iniciativat nga grupe deputetësh për ligje, siç e parashikon kushtetuta’ apo ‘se ka pak ekspertë ligjorë në Parlament’. Ne mendojmë se ka një deformim të punës se komisioneve në parlament, ku deputetët shndërrohen në mbrojtës ose kundërshtarë të flaktë të të ftuarve. Personalizimi i debateve ndodh dhe për shkak të situatës në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit të këtij viti”.

Transparenca e aktivitetit të Parlamentit

Aktivistë dhe ekspertë të Institutit të Studimeve Politike konstatojnë se disa prej deputetëve këtë periudhë e shohin si mundësi të artë për të bërë protagonistin tani që selitë e partive kryesore politike po draftojnë listat e deputetëve të Parlamentit të ardhshëm. Një konkluzion tjetër është dhe fakti se ligjet me karakter politik hyjnë menjëherë për procedura diskutimi dhe votimi në seancë plenare, pasi vlerësohen për interesa të vetë politikanëve që i mbështesin, ndërkohë që ligje që sanksionojnë funksionimin e institucioneve të caktuara presin për një kohë të gjatë në rradhë për shqyrtim. Pikërisht këto ligje janë me impakt për forcimin e sistemit demokratik dhe përmirësimin e performancës së institucioneve.

Iris Shima, eksperte për mbledhjen e përpunimin e të dhënave pranë Institutit të Studimeve Politike nxjerr në pah aspektin e transparencës së aktivitetit të Parlamentit. Ajo vlerëson përfshirjen në publikimin online të procesverbaleve dhe dokumentacionit në përgjithësi nga mbledhjet e komisioneve dhe seancave plenare të Parlamentit, por thotë se “ende është larg prezantimit të shpenzimeve të ndryshme që bëhen, si dhe aktualizimit periodik për një kategori të dhënash që shkarkohen në faqe”.

Për Institutin nuk ka sens që Parlamenti i Shqipërisë ka faqe më vete për institucionin dhe faqe tjetër online për kryetarin. Gjithashtu për ta nuk mund të publikohen në faqen zyrtare informacione mbi aktivitete partiake që nuk lidhen me jetën parlamentare.

Seancat e Parlamentit ngjajnë me studiot televizive

Elton Metaj, kryeredaktor “Shekulli Online” vlerëson se puna e Parlamentit aktualisht është në kuotat më të ulëta kur vjen puna për produktin kryesor që është ligjvënia. Sipas tij, kjo jo e shikuar thjesht nga ana sasiore, por dhe cilësia e munguar dhe një deformim shumëvjeçar i punës së deputetëve. Legjislaturë pas legjislature, edhe niveli profesional dhe integriteti personal i parlamentarëve ka rënë shprehet Metaj për Deustche Welle-n.

“Nuk mungojnë shembujt e rizgjedhjes për disa mandate të deputetëve, të cilët nuk kanë diskutuar pothuajse kurrë dhe për asgjë. Kjo vjen për shkak se një deputet i mirë në Shqipëri konsiderohet zgjidhësi i sa më shumë ‘halleve të popullit’ dhe jo një folës apo debatues i spikatur e me argumente në sallën e seancave plenare. Për fat të keq në Shqipëri, ligjvënia është një shqetësim shumë i vogël për parlamentarët dhe debati i shëndoshë për rritjen e cilësisë së ligjeve mungon, si në komisionet parlamentare, edhe në seancë. Konflikti i ndezur politik mes PS-së dhe PD-së i ka shndërruar seancat e Parlamentit çdo të enjte në një studio të madhe televizive, ku debatohet për gjithçka, por jo për ligjet në rendin e ditës. Ato miratohen apo kundërshtohen me votë, në varësi të urdhrit partiak”.

Për Elton Metajn zgjedhjet e përgjithshme në qershor, megjithë kufizimet e sistemit elektoral, mbeten një sfidë për t’i rikthyer Parlamentit ligjvënien, sepse, sipas tij, rritja e nivelit intelektual të deputetëve mund të sjellë një hop në këtë drejtim.

Kualifikimi dhe eksperienca e mangët e deputetëve

Analisti Fabian Zhilla, studjues pranë Universitetit të Harvardit, mendon se Parlamenti aktual nuk i është përgjigjur si duhet dhe në mënyrë konstruktive dhe kritike reformave që ka ndërmarrë ekzekutivi. Ai gjykon se kanë qenë të paktën tre reforma shumë ambicioze për një mandat 4 vjeçar qeverisës, të cilat duhet të kishin nxitur shumë punë për parlamentin dhe shumë debat të specializuar.

“Këtu kam parasysh reformën në arsim, reformën administrativo-territoriale dhe reformën në drejtësi. Dy reformat e fundit kanë pasur dhe komisione të posaçme parlamentare. Debatet për këto reforma kanë qenë ngushtësisht politike dhe nuk ka pasur debat konstruktiv, perjashto ndonjë deputet të veçantë. Kjo mungesë cilësore e debatit vjen edhe si rezultat i kualifikimit dhe eksperiencës së mangët të shumë deputetëve në përgjithësi.

Mendoj se është parlamenti i skandaleve më të mëdha, mbase në të gjithë historinë 25 vjeçare të demokracisë shqiptare mbas rrëzimit të komunizmit. Vërtet kemi pasur konflikte banale dhe deri të shtëna në parlament. por nuk kemi pasur deputet të cilëve ju janë hequr mandatet përjashtuar nga grupet parlamentare për lidhjet e tyre me botën e krimit apo keqpërdorimi të pozitës së deputetit. Kemi pasur deputet që kanë kërcënuar haptas Kryeministrin e vendit, akuzuar Kryetarin e Kuvendit dhe që sot janë në procese gjyqësore për akuza që lidhen me krime serioze si kanosje apo kallzim të rremë”, thotë Zhilla në bisedë me Deutsche Welle-n.

Ai shkon më tej kur e pëshkruan Parlamentin me legjitimitet të munguar për një ndër reformat më të rëndësishme në vend, siç është reforma në drejtësi. Fabian Zhilla argumenton se ky institucion kishte një konflikt interesi të pastër me këtë reformë.

“Ishte numri i konsiderueshëm i deputetëve të këtij parlamenti të cilët dyshohen se kanë precedentë penal, i cili prodhoi ligjin e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi. Është qesharake dhe paradoksale që ky Parlament e votoi reformën në drejtësi ne mënyrë unanime dhe pa kundërshtime qoftë edhe të natyrës teknike, fakt ky që tregon se tek ne ligji mund të kalohet pasi dihet që nuk do të zbatohet. Shikoni, ky Parlament mbase do të mbahet mend në historinë moderne politike shqiptare si parlamenti i paradokseve të mëdha, pasi votoi ligje dhe reforma për dekriminalizmin dhe arsimin, duke qënë ndër parlamentet me cilësinë më të ulët në nivelin etik dhe profesional që kemi pasur në këto 25 vite demokraci”.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan