Pse duhen modelet ekonomike në nivel kombëtar?

Nga Besnik Nuredini, botuar në Panorama, 21 dhjetor 2016

besnik-nuredini-150x150Situata në ekonominë shqiptare, nisur jo vetëm nga faktet e rritjes apo qëndrimit në vend të saj në përqindje ndaj produktit të përgjithshëm bruto, i ngjan momentit të tërheqjes së dallgës. Ti mendon se ajo po të shtyn të dalësh në breg, por më pas ndihesh sikur po kjo po të tërheq me të njëjtën forcë.

Nuk do të merrja dhe në fakt nuk kam asnjë arsye që të shkruaj për këtë temë, nëse nuk do të ndihesha i dyzuar: Nga njëra anë janë fermerët, të cilët pasi kanë kryer gjithë atë punë vjetore për të arritur në produktin e gatshëm për ta tregtuar dhe ana tjetër, që nuk ekziston industria e përpunimit ushqimor. Edhe këto dy arsye (po i quaj), nuk e përligjin arsyen përse po e bëj këtë shkrim. Besoj se të gjithë e kanë ndier dhe e shohin kërkesën e qeverisë dhe të çdo qeverie, që nuk lënë rast pa përmendur se Shqipëria e mirëpret biznesin e vendeve të tjera dhe pothuajse në çdo rast përmendin investimet në infrastrukturë dhe energjetikë.

Asnjë nga ne nuk ka dëgjuar, e aq më pak të shikojë apo lexojë një strategji, se cilat do të ishin investimet më produktive që i nevojiten Shqipërisë, pa folur për normat e fitimit dhe kohën e kthimit të investimeve. Ato njerëz të shumtë, si edhe unë që kanë studiuar për ekonomi, e aq më tepër që i kanë thelluar njohuritë në këtë fushë, e kanë hasur në jo pak ligjërata apo leksione çështjen e zgjedhjes së modelit.

Të gjithë e kuptojnë se çështja e zgjedhjes së modelit është e një rëndësie të veçantë. Kur e shikon më gjerë këtë e kupton se kjo është jo vetëm nocion ekonomik, por edhe më gjerë. Kur takohesh me punonjës që kanë aktivitetin e tyre në administratën shtetërore fillojnë dhe rendisin modelin e drejtuesit, modelin e qeverisjes, modelin e shefit, apo drejtuesit të kompanive private. E kësaj rëndësie është edhe zgjedhja e modelit ekonomik të vendit, sipas fazave të zhvillimit të tij. E megjithatë, përveç sa rendita më lart, përsëri nuk përligjin arsyen e këtij shkrimi.

Ajo që e përligj është analiza e një ngjarjeje konkrete dhe reale. Pak kohë më parë, një përfaqësi investitorësh të një vendi të akredituar në vendin tonë patën disa kontakte me biznese dhe autoritete për të gjetur mundësitë e investimit në fusha të ndryshme, duke i përshtatur mundësitë e tyre teknike me kërkesën e tregut vendës. Pas këtyre konsultimeve dhe marrje informacioni, kontaktuan edhe me ambasadën e vendit të tyre. Interesimit pranë përfaqësuesve të vendit të tyre dhe pyetjes se si e mendoni ju dëshirën tonë për të investuar në Shqipëri, morën përgjigjen: Këta mendojnë se ekonomia do të zhvillohet “edhe kështu, edhe ashtu”.

Unë, si edhe shumë të tjerë, besoj se ky perifrazim kërkon një analizë, por edhe trajtim më të gjerë. Çështja e zgjedhjes së modelit ekonomik ka qenë dhe vazhdon të jetë me rëndësi jetike për një vend. Aq e vërtetë është kjo, sa vetëm me një leksion nga Ragner Frisch, është fituar çmimi “Nobel” në Ekonomi. Çfarë rekomandon Frisch në temën e tij? “Zemra e çdo modeli është lista e variableve dhe e ekuacioneve dhe/ose e kufizimeve që përfshihen në ndërtimin e tij.

Përveç kësaj zemre, mund të përfshihen ose jo një funksion preference, d.m.th. një funksion, maksimizimi i të cilit përcakton qëllimin e vendimeve që mund të studiohen me anë të modelit. Modeli, siç dihet, shërben për të prodhuar variante alternativash arritjeje, ose për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të këtij lloji: ‘Çfarë do të ndodhë në qofte se… ‘“ Pra për ekonominë shqiptarë është e nevojshme të përcaktohet jo vetëm modeli, por edhe zemra e tij. Që të përcaktohet modeli, duhet të shtrohet për zgjidhje dhe të jepen një listë variablesh, që do të na çonte në ndërtimin e një matrice të dhënash, me qëllim gjetjen e rrugëve më të shkurtra për realizimin. Kjo do të thotë që të maksimizojmë forcat dhe me sa më pak forca (shpenzime)të marrim më shumë të ardhura, aq të nevojshme për çdo ekonomi.

Edhe në ekonomi keqkuptimet më të zakonshme në lidhje me funksionin e preferencës rrjedhin nga mosdallimi i diferencës që ekziston ndërmjet objektivave që përpiqemi të realizojmë dhe përdorimit të funksionit të preferencës, si dhe nga mosdallimi i ndryshimeve ndërmjet formës së lirë dhe formës së thjeshtë të funksionit të preferencës. Studiuesi që fitoi çmimin “Nobel” argumenton se vendimmarrësi (autoriteti politik përgjegjës) nuk është i aftë të kuptojë rëndësinë e nocionit të zemrës së modelit. Për pasojë, ai nuk është i aftë të formulojë objektiva dhe të përcaktojë një funksion të vetëm preference.

Objeksionet e mësipërme bien, në qoftë se ekspertët arrijnë të komunikojnë në një mënyrë të përshtatshme me vendimmarrësin. Kjo do të ishte një mënyrë që përfaqësues të vendeve mike të mos e kenë konkluzionin se ekonominë këta (Qeveria) kërkojnë ta zhvillojnë “edhe kështu, edhe ashtu”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi