Lëvizja e lirë dhe Shqipëria e gjeneratës tjetër

Nga Pëllumb Nako, botuar në Panorama, 20 dhjetor 2016

pellumb-nako-150x150Do të mjaftonte një shikim i disa statistikave zyrtare të botuara nga FRONTEX dhe nuk do të ishte shumë e vështirë që qytetarët shqiptarë të gjeneratës së sotme dhe ata të gjeneratës së ardhshme (për të cilët po bëhet aq shumë) të konstatonin se tërë sulmi kolosal i propagandës që evidenton arritjet aktuale dhe “katastrofën” e djeshme nuk ka pikën e lidhjes me atë që po ndodh sot me shqiptarët nëpër rrugët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Mbretërisë së Bashkuar.

Në mënyrë të çuditshme, debati, vëmendja politike, propaganda zyrtare që reklamon futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian shkon në një drejtim, ndërkohë që mijëra e mijëra shqiptarë ndihen të detyruar të ndjekin sistematikisht një drejtim tjetër. Rrugë kjo aspak e përputhur me atë që afishohet përditë, kudo, me forcë dhe me shumë shpenzime. Të krijohet përshtypja se po punohet për të futur Shqipërinë në BE. Por, pa shqiptarët. Edhe institucionet teknikisht përgjegjëse për monitorimin e lëvizjes së qytetarëve në zonën “Shengen” nuk po munden të tregojnë një autonomi minimale nga politika zyrtare për të qenë të qartë e të zhveshur ndaj çdo lloj demagogjie.

Të shohin se çfarë po ndodh me lëvizjen e liberalizuar të qytetarëve. Të administrojnë të dhënat e ofruara llokum nga FRONTEX-i. Të identifikojnë problemet dhe t´ia paraqesin hierarkisë vendimmarrëse politike. Kjo e fundit, para se të turret me vrap për t’u varur në qafë dështimet paraardhësve, të marrë përgjegjësitë dhe t’u japë zgjidhjen problemeve. Pranuar si meritë apo jo, përqeshur ose jo, fakti mbetet se në fundin e vitit 2010 Shqipëria fitoi statusin e lëvizjes së liberalizuar të shtetasve të saj në zonën “Shengen” dhe në disa vende që nuk i përkasin kësaj zone.

Për pjesën dërrmuese kjo liri aktualisht është kthyer në një standard që ndoshta të bën edhe të harrosh kujtimin e hidhur të vuajtjeve në ambasada. Rrugët ilegale të migrimit. Tragjeditë që i shoqëruan. Impakti në sajë të këtij statusi ishte i kthjellët. Ndryshimi me të shkuarën, drastik. Një vit para liberalizimit të vizave ishin plot 32 592 qytetarë shqiptarë që kaluan kufirin në mënyrë ilegale.

Një vit më pas, kur filloi lëvizja e liberalizuar, numri i tyre ra në 5.138. Po çfarë po ndodh aktualisht kur po punohet për Shqipërinë e gjeneratës tjetër? Gjatë vitit 2015, numri i personave të kapur gjatë kalimit ilegal të kufirit është rritur në 9 450. Pak më shumë se 4 mijë se në vitin 2011. Shkaqet janë të shumta. Dikush duhet t’i shohë. T’u japë përgjigje. Të shtrojë zgjidhje. FRONTEX-i këtë migracion e quan qarkullues në kufirin me Greqinë. Informacione të shumta thonë se shumica dërrmuese janë punë- torë sezonalë. Ka edhe kategori të tjera.

Nuk e di, ndoshta është naive, por më mirë se të zihemi me Greqinë, të mendojmë e të bëjmë ndonjë marrëveshje për të normalizuar këtë fenomen. Jemi i vetmi vend në Europë që kemi ende emigracion ilegal. Përjashto Kosovën. (Por kjo e fundit nuk është ende në kushtet e lëvizjes së liberalizuar të qytetarëve të saj). Gjatë vitit 2015, kur puna për Shqipërinë e gjeneratës tjetër u intensifikua, në vendet e Bashkimit Europian janë kapur 28 485 shtetas shqiptarë me qëndrim të parregullt. Pak më shumë se 7 mijë më shumë se vitin e kaluar 2014. Trend i qartë.

Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bën pjesë në top dhjetëshen e parë të shteteve me shtetas të kapur me qëndrim ilegal në vendet e BE -së. Plot 28 485 shqiptarë thyen ligjet e vendeve që i lejuan të hyjnë si vizitorë. Dëmi është i madh për çdo individ. Por kolosal për vlerat e shoqërisë shqiptare. Ndërkohë të gjithë këta shtetas, ose pjesa dërrmuese e tyre, vitin tjetër nuk do të kenë të drejtë të hyjnë në zonën “Shengen” dhe logjikisht numri i atyre që do ta kalojnë kufirin ilegalisht drejt Greqisë dhe prej andej të shkojnë në vendet e tjera “Shengen” automatikisht do të rritet dhe, po ashtu, edhe i atyre që do të kapen me qëndrim ilegal.

Edhe për këtë fenomen shkaqet janë të shumta dhe nga mëngjesi në darkë ne mund të themi se shkaqet janë ekonomike. Nuk është e pavërtetë. Por duhet sqaruar. Shtetasit shqiptarë nuk janë në kushtet e lëvizjes së lirë në zonën “Shengen” dhe nuk janë subjekt i “tregut të lirë të punës”, siç janë shprehur disa persona me profil të lartë publik. Gabim ose justifikim. Jemi në kushtet e lëvizjes së liberalizuar. Jashtë çdo lloj tregu europian. Gjithsesi, rëndësi ka të kuptohet se në vitin 2015 janë 10.600 shqiptarë më shumë se në vitin e largët 2011 të kapur në qëndrim ilegal.

Janë 10.600 shqiptarë më shume të izoluar që nuk do të qarkullojnë dot në vendet “Shengen” për një kohë minimalisht 5 vjet. Një vit më parë, numri i tyre ishte 21.177. Trendi më se i qartë. Kjo është e dhimbshme. Por jo më tragjike sesa fakti që një vit para liberalizimit të vizave, numri i shtetasve shqiptarë të kapur me qëndrim ilegal në vendet e BE-së ishte rreth 8 mijë më pak se në vitin 2015. Më pak shqiptarë të integruar. Më shumë të izoluar. Nuk e di se cilës gjeneratë i përkasin. Gjatë periudhës janar – gusht të vitit 2015, thotë raporti i FRONTEX-it, duke cituar EASO (Europian Asylum Support Office), 96% e totalit të refuzimeve të kërkesave për azil në vendet e BE-së e përbënin shtetasit shqiptarë.

Veprime katastrofike të qytetarëve tanë. Shoqëria shqiptare, në kufijtë e anemisë. Në raport nuk lihet pa u përmendur edhe Mbretëria e Bashkuar, ku thuhet se rastet e konstatimit prej autoriteteve të saj të personave me dokumente false është rritur në masën 70% nga viti 2014 në vitin 2015. Ky trend i atribuohet numrit në rritje të shtetasve shqiptarë, që përdorin shpesh në mënyrë abuzive karta identiteti greke dhe italiane… Nuk është i pavërtetë fakti se shumica e tyre vjen nga migracioni i mëparshëm shqiptar në këto dy vende. Por është tërësisht e papranueshme që në biseda me ndërkombëtarë apo shpesh në media, drejtues institucionesh apo ministra vrapojnë të evidentojnë këtë fakt për të mos marrë asnjë lloj përgjegjësie për këta shtetas që, në fund të fundit, shqiptarë janë.

(Në fakt, në kohë fushate ka shumë interes për të ditur numrin e autobusëve që i sjellin këtu për votime). Por ata kur kthehen nga autoritetet e huaja, në Shqipëri i kthejnë dhe më pas nuk do të jenë më në gjendje të qarkullojnë lirshëm. Kostoja, gjithsesi, Shqipërisë i ngelet. I gjithë ky trend rrit vështirësitë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. 12-vjeçarët e vitit të liberalizimit të vizave tani janë madhorë. Të pavarur për të marrë rrugët e Europës.

Nuk mendoj se i kanë shumë të qarta rregullat e lëvizjes së liberalizuar. U takon autoriteteve kompetente të marrin përgjegjësitë e të gjejnë zgjidhjet e duhura në mënyrë që qytetarët (sidomos të rinjtë) mos të braktisen e të jenë të detyruar të gjejnë zgjidhje individuale. Shpesh antiligjore. Dëmi është i të gjithëve. Sidomos i Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan