Ligji i Vettingut balancon pushtetet

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 14 dhjetor 2016

Ervis-Iljazaj-150x150Mendimi i Komisionit të Venecias mbi ligjin e famshëm të Vetingut që i kërkoi Gjykata jonë Kushtetuese iu dha fund debateve dhe dyshimeve që ishin krijuar mbi këtë aspekt të Reformës në Drejtësi. Jo vetëm kaq, por Komisioni i Venecias, në mendimet e tij garantoi edhe njëherë ndarjen dhe balancimin midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv në Shqipëri.

Pika më e debatuar këto ditë dhe shqetësimi më i madh që pretendohej nga Partia Demokratike ishte pjesa që parashikon ky ligj mbi hetimin ndaj figurës dhe “pastërtisë” së gjykatësve.

Në këtë pikë të tij, ky ligj parashikon pjesëmarrjen e disa organeve administrative, të cilat do të duhen të mbledhin të dhëna që më pas do të gjykohen nga organe të tjera gjyqësore që parashikohen në këtë ligj, siç janë Komisioni i Pavarur i Hetimit dhe Komisioni i Apelit. Pra, dy organe kushtetuese të parashikuara nga Reforma në Drejtësi, të cilat përzgjidhen në mënyrë totalisht të ndarë nga politika, do të vendosin në instancë të fundit nëse një gjykatës mund të jetë pjesë e sistemit gjyqësor të ardhshëm apo jo.

Keqkuptimi më i madh që është krijuar mbi këtë proces, është fakti se, organet e drejtuara nga Qeveria do të vendosin mbi fatin e pastërtisë të figurës së një gjykatësi. Ndërkohë, që nuk është absolutisht e vërtetë dhe Komisioni i Venecias në mendimin e tij e thotë fare qartë që puna e tyre nuk ndikon dhe nuk ndërhyn në vendimet gjyqësore, të cilat janë totalisht të pavarura nga pushteti ekzekutiv.

Këto organe të varura nga pushteti ekzekutiv, pra nga Qeveria, brenda normalitetit të funksioneve të tyre, thjesht do të mbledhin të dhëna për t’i vënë në dispozicion të organeve gjyqësore të pavarura. Këto organe do të jenë nën mbështetje të pushtetit gjyqësor dhe nën “komandën” e tyre, siç ndodh normalisht në një proces gjyqësor.

Andaj, frika se Qeveria do të vendosë mbi fatin e gjyqtarëve të ardhshëm të sistemit gjyqësor në Shqipëri është një frikë totalisht e pabazuar, e cila vjen si pasojë e tensioneve politike dhe proceseve bllokuese që sjell kjo klimë, ose në rastin më të mirë, nga mungesa e kapacitetit për të kuptuar se ç’do të thotë një ndarje dhe një balancim pushtetesh në një shtet demokratik.

Për fat të mirë, këtë balancë, e siguroi mendimi i Komisionit të Venecias mbi këtë ligj thelbësor për zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila me shumë gjasa do të mbajë peng hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Personalisht, mendoj që kjo reformë në disa aspekte të saj ka kaluar balancimin e pushteteve nga një ekstrem në ekstremin tjetër. Nga një situatë, ku të gjitha pushtetet e tjera kontrolloheshin nga politika dhe mbipushteti i saj në të gjitha organet e tjera kushtetuese, rrezikon të krijojë një mbipushtet të pushtetit gjyqësor kundrejt politikës.

Kjo situatë do të ishte njësoj e rrezikshme sa edhe ajo e mbipushtetit të politikës. Duke patur parasysh që parlamentarët tanë nuk kanë më regjimin e imuniteteve, i cili mund t’i mbronte nga “përndjekja” gjyqësore me motive politike, atëherë do të kthehej në një situatë e cila mund të dilte jashtë kontrollit për një garë politike të ndershme dhe demokratike.

Jo më kot, një nga parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe demokratik është balancimi i pushteteve. Sepse pushteti politik dhe ushtrimi i tij siç e parashikon Kushtetua është po aq i rëndësishëm sa pushteti gjyqësor. Ndaj, mendimi i Komisionit të Venecias për ligjin e Vettingut nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse i ka hequr të drejtën pushtetit gjyqësor të ushtrojë atë ekzekutiv, që në një Republikë demokratike i përket Qeverisë, cilado qoftë ajo. Duke bërë në këtë mënyrë që të evitojë një Republikë gjyqësore, që në disa aspekte kjo reformë rrezikon ta instalojë. Nëse nuk do të ruhej edhe ky ekuilibër, nëse do të “ fitonin” pretendimet e atyre që këtë ligj e dërguan në Gjykatën Kushtetuese për t’i dhënë edhe pushtetin ekzekutiv gjyqtarëve, atëherë shumë shpejt do të shihnim që të përdornin pushtetin e tyre për t’u katapultuar në politikë. Dhe raste të tilla nuk mungojnë. Mjafton të kujtojmë Italinë e fillimviteve ‘90.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan