Kujt i duhen ideologjitë në politikën shqiptare?

Nga Gerti Sqapi, botuar në Mapo, 13 dhjetor 2016

gerti-sqapi-768x469Prej kohësh, për të mos thënë që nga periudha e nisjes së pluralizmit politik dhe konkurrencës partiake, raporti i partive politike shqiptare me ideologji të caktuara politike mund të cilësohet si një raport i sforcuar. Kjo ka ndodhur sepse ideologji të tilla ose i kanë qëndruar tepër “ngushtë” kostumit të veprimit apo të politikave që partitë tona kanë ndërmarrë kur kanë qenë në pushtet, ose sepse ideologjitë politike nuk i kanë shërbyer dhe aq këtyre partive si një instrument efikas për të tërhequr mbështetje (vota) prej elektoratit shqiptar. Në këtë kuptim, partitë tona janë mbështetur gjithnjë e më shumë në instrumente dhe mekanizma jo ideologjikë për të garantuar atë që është dhe synimi kryesor i partive politike në çdo vend: sigurimi i votave në zgjedhje.

Në shkencën politike, një klasifikim i njohur që përdoret për të dalluar partitë nga njëra-tjetra, është ai midis partive të integrimit dhe partive të përfaqësimit. Sipas Sigmund Neumann, partitë e integrimit përdorin strategji vepruese në kuptimin që ato duan të mobilizojnë, edukojnë dhe frymëzojnë masat në lidhje me parime ideologjike të caktuara. Këto parti dëshirojnë ta transformojnë shoqërinë në lidhje me parimet e tyre ideologjike, dhe ndaj kërkojnë edhe bindje dhe përkushtim në strategjitë e tyre (vepruese) mobilizuese. Në të kundërt, partitë e përfaqësimit janë ato që përdorin strategji reaguese ose reflektuese të elektoratit, pa pasur synim themelor për ta edukuar apo ndryshuar atë në lidhje me parime ideologjike të caktuara. Partitë e përfaqësimit, sipas Neumann, janë parti që në strategjitë që ato përdorin i kushtojnë më shumë rëndësi pragmatizmit dhe jo parimeve (ideologjike, programore), dhe duke pasur si funksion parësor të vetin sigurimin e votave në zgjedhje, janë gati të bëjnë apo premtojnë çdo gjë që reflekton dëshirat apo interesat e elektoratit. Sigurisht, kjo nuk e përjashton faktin që parti të tilla në ligjërimet e tyre publike mund të mos pretendojnë se kanë ideologji politike të caktuara të cilave iu përmbahen, mirëpo hendeku midis atyre që ato premtojnë në periudha fushatash, midis politikave që zbatojnë kur vijnë në pushtet dhe parimeve ideologjike që ato pretendojnë se kanë, mbetet i madh.

Në cilën prej këtyre dy kategorive të mësipërme mund t’i klasifikonim partitë politike shqiptare: në parti integrimi apo parti përfaqësimi? Në fakt një ndarje e tillë i qëndron përsëri ngushtë shpjegimit të klasifikimit të partive politike tona, në kuptimin që ato nuk bëjnë pjesë në asnjërën prej tyre. Partitë politike shqiptare (të paktën, iu referohem këtu atyre që kanë arritur të sigurojnë një numër vendesh në Parlament) në këto vite tranzicioni, asnjëherë nuk kanë qenë parti integrimi dhe nuk kanë ndjekur ndonjëherë strategji vepruese për ta bindur apo frymëzuar elektoratin dhe për ta transformuar shoqërinë në lidhje me parimet ideologjike të tyre. Po kështu, partitë tona nuk janë mirëfilltazi as parti përfaqësimi, në kuptimin që ato të artikulojnë apo reflektojnë kërkesat e një grupi social të caktuar dhe të mbrojnë (përfaqësojnë) në mënyrë strikte interesat e tyre (siç do ishte p.sh. një e majtë tipike që mbron interesat e shtresës së varfër, të paprivilegjuar, punëtorët; apo një e djathtë që mbron interesat e klasës së pasur, sipërmarrësve apo edhe shtresës së mesme).

Partitë tona politike janë parti përfaqësimi vetëm në kuptimin që ato reflektojnë strukturën sociale të shoqërisë sonë. Me strukturë sociale i referohemi këtu modelit të marrëdhënieve tipike që kanë anëtarët e një shoqërie kundrejt njëri-tjetrit. Struktura sociale dhe modeli i marrëdhënieve sociale që janë të mishëruara në shoqërinë tonë janë në thelb të tipit klientelist, korruptiv, partikularist dhe që bazohen kryesisht në vlera (kulturore) materialiste dhe ato të mbijetesës. Shpeshherë artikulohet apo dëgjohet gabimisht ideja se marrëdhëniet klienteliste dhe korruptive ekzistojnë vetëm te njerëzit dhe partitë që kanë pushtetin dhe që kanë mundësi të abuzojnë me atë. Në fakt, një model i tillë marrëdhëniesh të tipit klientelist dhe korruptues ekziston dhe është i përhapur pothuajse në të gjithë strukturën sociale të shoqërisë shqiptare: nga posti më i privilegjuar dhe i pushtetshëm, te ministrat, deputetët, gjykatësit, prokurorët, drejtorët, policët, infermierja apo roja e parkimit që të merr një 200 lekësh në dorë për një shkelje të vogël e kështu me radhë.

Në një mjedis të tillë ku struktura sociale i incentivon, ose së paku nuk i kundërshton në mënyrë thelbësore marrëdhëniet klienteliste, korruptive dhe partikulariste ndërmjet anëtarëve të saj, partitë politike kanë zhvilluar mënyra dhe instrumente gjithnjë e më efikase që reflektojnë marrëdhënie të tilla dhe që i sigurojnë atyre vota. Siç edhe Harry Eckstein dhe autorë të tjerë kulturalistë kanë theksuar, institucionet e një vendi (duke përfshirë këtu edhe partitë politike si një ndër mekanizmat kryesorë të demokracisë përfaqësuese) duhet të jenë në harmoni me vlerat (kulturore) të masave që të prodhojnë një rezultat të dëshiruar ose të funksionojnë siç duhet. Partitë politike shqiptare të cilat kanë sukses elektoral dhe deklarojnë me krenari rritjen e votave të tyre nga zgjedhjet në zgjedhje, janë ato të cilat i janë përshtatur dhe i përgjigjen më së miri modelit të marrëdhënieve sociale që dominojnë në shoqërinë shqiptare. Parime ideologjike të caktuara, qofshin këto liberale, konservatore, social-demokrate, të rrugës së tretë, të gjelbra etj., nuk janë aq joshëse dhe motivuese për mobilizimin e elektoratit shqiptar (dhe kuptohet, sigurimin e votave), saç do të vazhdojnë të jenë metodat partikulariste të tipit: vende pune në administratë, tendera publikë, koncesione, dhe favoritizma të tjerë në këmbim të sigurimit të votave. Në fakt, parimet ideologjike të partive të tyre nuk i kuptojnë, dhe jo më t’i mbrojnë, as shumica e vetë anëtarëve që bëjnë pjesët në partitë tona. Funksioni i ligjërimit ideologjik, apo mobilizimi dhe frymëzimi i elektoratit mbi baza të parimeve ideologjike të caktuara mbetet ende i largët për skenën politike shqiptare.

Pak ditë më parë, një politikan popullor shqiptar shprehu para anëtarëve të partisë së tij një thënie proverbiale se “partia e tyre nuk kishte rënë nga qielli, por kishte lindur në realitetin shqiptar”. Në fakt, siç ka pak të vërtetë të hidhur në çdo thënie proverbiale, parti të tilla nuk do ta gjenin kurrë suksesin elektoral as në qiell e as në parajsë, sa ç’e gjejnë në realitetin shqiptar.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan