Mashtrimi i brendshëm në institucionet publike

Nga Elvis Zaimi, botuar në BalkanWeb, 12 dhjetor 2016

elvis-zaimiNë kërkim të një legjitimiteti të ri në qeverisjen e institucioneve publike, opinioni shoqëror është duke ngulmuar për një vigjilencë më të madhe në mënyrën sesi organet drejtuese të ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore menaxhojnë fondet dhe burimet e tjera publike. Për të luftuar dhe çliruar jetën shoqërore nga fenomene si mashtrimi dhe korrupsioni, veçanërisht kur ato shfaqen në nivele të larta të drejtimit, janë të nevojshme jo vetëm politika publike dhe ligjore ndëshkuese, por edhe frenuese, d.m.th që kontrollojnë sjelljen e papërgjegjshme të drejtuesve të lartë administrativë, me qëllim të fundmë parandalimin e mashtrimeve dhe mbrojtjen e interesit publik. Duke synuar korrigjimin e qeverisjes së brendshme të institucioneve publike, e cila shfaq probleme legjitimiteti që vijnë nga zgjedhjet pragmatike afatshkurtra dhe “egoizmi racional korruptiv” i titullarit, është e rëndësishme të njihet roli dhe rëndësia e strukturave që kanë përgjegjësinë ta përmirësojnë efektivitetin e kësaj qeverisjeje, duke synuar kontrollin, parandalimin dhe shmangien e fenomeneve si mashtrimet.

Mashtrimet në veprimtarinë e një institucioni publik kategorizohen në tre grupe: 1-mashtrimi financiar; 2-vjedhja e brendshme e aseteve; 3-korrupsioni. Mashtrimet nga vetë punonjësit apo drejtuesit ekzekutivë të një institucioni publik janë një faktor që u shkakton humbje të konsiderueshme si shoqërive tregtare në sektorin privat, ashtu edhe institucioneve jofitimprurëse në sektorin publik, duke përfshirë bankën qendrore, universitetet publike dhe ato private, spitalet, komunitetet fetare, federatat sportive etj. Sipas shoqatës amerikane të ekzaminuesve të mashtrimeve (ACFE),organizatat amerikane të biznesit humbasin si rrjedhojë e mashtrimeve rreth 7% nga të ardhurat e tyre vjetore. Evidencat statistikore flasin për tregues edhe më të lartë të humbjeve nga mashtrimet në institucionet publike jofitimprurëse. Kostoja nga mashtrimet nënkupton jo vetëm humbjet financiare, por edhe dëmin që i shkaktohet reputacionit të institucionit, humbjes së donatorëve dhe të ofruesve potencialë të fondeve, si dhe humbjes së ekspertizës në burimet e personelit.
Kjo vjen për shkak se organizatat jofitimprurëse, veçanërisht ato që janë edhe institucione publike, nuk vënë në zbatim kontrollet më efektive të mundshme kundër mashtrimit dhe korruspionit, por ato më periferiket. Duke qenë se “mashtrimi” tipikisht lidhet me aftësinë për të anashkaluar kontrollet e brendshme, krijimi i Komiteteve të Auditit edhe në institucionet publike jofitimprurëse luan një rol kryesor për parandalimin e humbjeve nga mashtrimet. Në këtë drejtim, është e nevojshme të saktësohet kuptimi i termave “mashtrim” dhe “kontroll i brendshëm”, për të kuptuar marrëdhënien shkakësore që ekziston ndërmjet tyre në funksion të rolit që ka secili në qeverisjen e brendshme të institucionit publik, dhe parandalimin e mashtrimeve. Sipas fjalorit Blacks’Law Dictionary, mashtrimi përkufizohet si “një perversion i qëllimshëm i të vërtetës” d.m.th objektivisht përfaqëson keq prezantimin e një fakti, ose fshehjen dhe mos zbulimin e plotë të së vërtetës. Në praktikë mashtrimi merr kuptime dhe përmbajtje të shumëfishta, sepse nga vetë përkufizimi është një term i përgjithshëm dhe përfshin çdo lloj “mjeshtërie apo veprimi të menduar hollë”, të cilin mendja njerëzore është e aftë ta projektojë.

Ndërkohë termi “kontroll i brendshëm” nënkupton kontrollin që drejtuesit ekzekutivë ushtrojnë gjatë veprimtarisë së institucionit publik, dhe është i lidhur me ushtrimin prej tyre të tagrave të pushtetit për parandalimin e humbjeve dhe mashtrimeve. Kontrolli i brendshëm nuk duhet ngatërruar me “auditin”, sepse nëse kontrolli i brendshëm ka karakter pushteti dhe ushtrohet gjithmonë para mbylljes së veprimtarisë së audituar, “auditi” është prapaveprues dhe konsiston në një vlerësim intelektual të kontrolleve të vendosura nga drejtuesit e lartë ekzekutivë. Auditi ushtrohet zakonisht expost-d.m.th pasi veprimtaria ka përfunduar. Për rrjedhojë, nëse kontrollet e brendshme kanë përgjegjësinë kryesore të parandalojnë dhe të mos lejojnë mashtrimin, roli i auditit të brendshëm është të identifikojë faktorët e rrezikut që lejojnë apo nxisin mashtrimin, por jo ta parandalojë atë, dhe as humbjen që vjen nga mashtrimi. Thënë ndryshe roli i auditit të brendshëm në zbulimin e mashtrimit është rastësor (incidental). Duke qenë se kontrolli i brendshëm ushtrohet me tagrat që burojnë nga kompetencat administrative dhe i paraprin në kohë auditimit, është kontrolli i brendshëm i ushtruar nga drejtuesit ekzekutivë që ka përgjegjësinë të parandalojë humbjet nga mashtrimi, përfshi edhe “mashtrimin e brendshëm”.

ACFE e konsideron mashtrimin e brendshëm “si shpërdorimin e vendit të punës për pasurim personal duke keqpërdoruar në mënyrë të paramenduar burimet dhe asetet e një institucioni publik, ose duke keq zbatuar me paramendim rregullat edhe praktikat e brendshme të institucionit”. Krijimi i Komiteteve të Auditit si pjesë e qeverisjes së brendshme të një institucioni publik duhet parë edhe në vendin tonë si një praktikë e mirë për të adresuar rrezikun nga mashtrimet, duke forcuar kontrollet e brendshme. Arsyeja e krijimit të tyre është e lidhur me faktin se ndryshe nga auditori i pavarur, të cilit i njihet rol vetëm në zbulimin e mashtrimit gjatë procedurës së certifikimit të pasqyrave financiare, Komiteti i Auditit ka përgjegjësinë jo vetëm ta zbulojë, por edhe ta parandalojë mashtrimin. Duke qenë se nga vetë natyra e tij, mashtrimi mund të ndodh kudo dhe kurdoherë brenda një institucioni publik, është pikërisht Komiteti i Auditit që synon të vlerësojë nga një këndvështrim gjithëpërfshirës faktorët që mund të çojnë në mashtrime. Këtë funksion Komiteti i Auditit e përmbush duke përmirësuar efektivitetin e sistemeve të kontrollit, dhe parandaluar mundësinë e anashkalimit të tyre nga drejtuesit ekzekutivë, sepse siç u tha më lart dështimet e kontrolleve të brendshme, ose abuzimet me to, janë shkaqet më tipike dhe të drejtpërdrejta që sjellin dëmet pasurore dhe reputacionale nga mashtrimet. Në këtë kuptim, mbikëqyrja që komiteti i auditit ushtron mbi veprimtarinë e institucionit publik është gjithëpërfshirëse, duke i dhënë rëndësi edhe fakteve që në pamje të parë duken si të parëndësishme. Për rrjedhojë, vlera e shtuar që sjell përfshirja e komiteteve të auditit në qeverisjen e brendshme organizative të institucioneve publike, në mbrojtjen e integritetit financiar dhe etik të tyre, është se kjo strukturë sfidon në mënyrë të vazhdueshme vlerësimet dhe gjykimet e drejtuesve ekzekutivë, duke u mbështetur për këtë qëllim edhe në burime të pavarura informacioni dhe ekspertize, si kontabile ashtu edhe ligjore.
*Ekspert i të drejtës financiare

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan