Këshillat e serbëve dhe malazezëve për negociatat me BE

Intervistë në Ora News, 23 nëntor 2016

capture

Shqipëria është në prag të hapjes së negociatave të cilat do të kërkojnë shumë energji dhe aftësi teknike për t’i çuar deri në fund.

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Ilva Tare në Ora News, kryenegociatorja e Serbisë Tanja Miscevic dhe kryenegociatori i Malit të Zi, Aleksandar Andrija Pejovic shpjegojnë proçesin e vështirë të bisedimeve me Bashkimin Europian dhe rëndësinë e përgatitjes së stafit të negociatorëve.

Sipas kryenegociatorëve, proçesi i negociatave me BE është një proçes më së pari politik dhe si i tillë, gjithë klasa politike, shoqëria civile dhe aktorët e tjerë duhet të marrin pjesë në përfundimin me sukses të tyre.

Negociatorët folën edhe për shkëmbimin e ekspertizave mes vendeve ballkanike, duke qenë se çështjet që duhen zgjidhur janë të shumta dhe burimet njerëzore të pakta.

Ajo që duhet të bëjnë shqiptarët sipas kryenegociatorëve, është të lexojnë me kujdes progres raportin e Komisionit Europian dhe të tregojnë se kanë vullnet për të përmbushur detyrimet që duhen për të hapur negociatat.

Intervista e plotë

Ilva Tare: Zonja Mishevic, ju jeni negociatorja e Serbisë me Bashkimin Europian dhe z.Pejovic, ju jeni negociatori për Malin e Zi. Cili është komenti juaj për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE?

Tanja Mishevic: Së pari është një lajm tej mase i mirë që vjen nga Bashkimi Europian. Është me të vërtetë shumë e rëndësishme që çdo vend në rajonin e Ballkanin Perëndimor po përparon në rrugën europiane dhe ky ishte elementi më i rëndësishëm i raportit të këtij viti, të përgatitur nga Komisioni Europian për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rekomandimi për hapjen e negociatave, edhe pse është i kushtëzuar, është një hap i rëndësishëm sepse unë nuk mbaj mend që të jetë dhënë ndonjë vendim për hapjen e negociatave pa kushte. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë të përmbushë detyrimet që rekomandohen për hapjen e negociatave. Nuk do të jetë e lehtë, nuk do të jetë e shpejtë, duke marrë parasysh përvojën tonë, por përfitim do të ketë. Fillimi i negociatave është pak a shumë, fillimi i vërtetë i reformave në vend.

Aleksandar Pejovic: Mendoj se ky është një lajm i mirë, që po zgjerohet grupi i vendeve që po negociojnë. Pra përveç Serbisë dhe Malit të Zi, së shpejti grupit do t’i bashkohet edhe Shqipëria. Sa më shumë vende të ketë në Ballkan në proçesin e negociatave, do të thotë se ka shumë afërsi me BE, më shumë solidaritet dhe më shumë bashkëpunim. Sa më shpejt ecim të gjithë drejt anëtarësimit, aq më mirë do të jetë për të gjithë, sepse ky nuk është një proces që prek vetëm një vend. Nuk jemi aleancë dhe natyrisht jemi të ndërlidhur nga tregtia, nga kultura, nga projektet infrastrukturore, pra sa më shumë vende që negociojnë, aq më mirë për të gjithë rajonin. Kjo është shumë më e vërtetë tani që po flasim edhe për problemet që përballet BE, sepse masa kritike që do të kemi, duke qenë më shumë vende bashkë, me shpresë që Shqipëria t’i hapë negociatat vitin tjetër, do të jemi në gjendje të lobojmë sëbashku dhe të punojmë sëbashku për të arritur qëllimin përfundimtar që është anëtarësimi në union.

Ilva Tare: Ose për t’i bërë presion Bashkimit Europian

Tanja Mishevic: Saktë. Është më mirë nëse ke më shumë se 2 vende që negociojnë dhe bëjnë presion për proçesin e zgjerimit, politikave të zgjerimit si politikat më të suksesshme të Bashkimit Europian, e cila u provua që ishte e suksesshme. Jo vetëm në lidhje me zgjerimin në numër të shtetve anëtare të BE, por edhe në lidhje me ndryshimin e strukturës dhe presionit për të zbatuar shtetin ligjor në këto vende. Tani, me kaq probleme që po përballet BE, jo vetëm të brendshme por edhe të jashtme, me zhvendosjen globale të pushtetit, është njësoj e rëndësishme për ne të qëndrojmë dhe të jemi shumë proaktivë për të shpjeguar se ne nuk jemi një ishull por jemi pjesë e Bashkimit Europian.

Ilva Tare: Zoti Pejovic nuk duket i bindur me shprehjen “t’i bëjmë presion”.

Aleksandar Pejovic: Po, sepse unë besoj që ne jemi shumë të vegjël për t’i bërë presion Bashkimit Europian. Po flasim për gjysmë miliardi njerëz në Bashkimin Europian. Ajo që do të përfitojmë nëse janë më shumë vende që negociojnë është ajo që ju thashë, më shumë bashkëpunim në rajon. Ne ndajmë kufirin e përbashkët me Shqipërinë dhe për ne është shumë e rëndësishme për të ditur, sapo t’i bashkohemi Bashkimit Europian nëse do të kemi një kufi Schengen, një kufi të jashtëm në kufirin me Shqiëprinë apo ndoshta një kufi me Shqipërinë apo Maqedoninë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë ritmin e integrimit, anëtarësimit të çdo vendi në rajon për të patur mundësinë për të folur për prioritetet strategjike. Të flasim për prodhimet bujqësore. Sa më shumë i afrohemi anëtarësimit, sa më të forta janë rregullat për të importuar ushqim nga Shqipëria. Pra, është shumë e rëndësishme që i gjithë rajoni të ecë mbi të njëjtat standarde sepse ne po flasim për CEFTA që kryesisht ka vendet e një rajoni që tregtojnë mes njeri-tjetrit. Po flasim për sfidat e sigurisë së jashtme të përbashkët. Pra, sa më shumë Europë do të ketë në Ballkanin Perëndimor, aq më shumë e qëndrueshme do të jetë dhe për këtë mendoj se negociatat me Shqipërinë janë një lajm i mire, por kur flasim për influencimin e marrjes së vendimeve në Bruksel, në Berlin apo në Paris, nuk mendoj se do të mund të bëjmë ndonjë ndryshim të madh. Kushtëzimi do të mbetet dhe standardet do të ngelen të njëjta, s’ka rëndësi është 1 apo 3 vende që negociojnë.

Ilva Tare: Ju morët pjesë në një tryezë të rrumbullakët me pjesëtarë të OJQ-ve. Sa të rëndësishëm janë ata në proçesin e negociatave?

Tanja Mishevic: Patjetër që janë. Ky është një proces që kërkon përfshirje të të gjitha pjesëve të shoqërisë. Përgjegjësia është në duart e qeverisë, që krijon të gjitha dokumentet e nevojshme por dokumentet supozohet të përfaqësojnë sjelljen, mundësitë dhe aftësitë e shoqërisë që do të thotë jo vetëm strukturat qeveritare por gjithashtu edhe parlamenti dhe në veçanti shoqëria civile. Është një tip i ri ushtrimi për të gjitha vendet tona sepse deri tani shoqëria civile ishte e pranishme por jo aq e pranishme sa duhet të ishte gjatë procesit të negociatave, në mënyrë të veçanët në kapitujt e shtetit ligjor, ku interesi i shoqërisë civile është më i madh se sa në fushat e tjera. Kur them shoqëria civile, nuk flas vetëm për OJQ-të, por të gjithë spektrin e shoqërisë civile që do të thotë akademia, institutet e kërkimit, dhoma e tregtisë, shoqatat e biznesit, shoqatat e ekspertëve, duke përfshirë sigurisht median, e cila ka një lloj tërësisht të ndryshëm përfshirje, që deri tani nuk është vetëm të informojë, por edhe gazetaria investigative, kur zbulohen rezultatet e vërteta të proçesit të negociatave.

Aleksandar Pejovic: Ne patëm mundësinë për të diskutuar dhe mendoj se është shumë mirë që të flasim me OJQ-të këtu. Ajo që i ofruam dhe u treguam atyre ishte fakti se si po e kryejmë ne në Mal të Zi. Ne jemi i vendi vend që kemi përfshirë eksperimentalisht OJQ-të në strukturat negociuese, pra i ftuam OJQ-të në strukturat negociuese dhe së bashku punojmë për të ardhmen e vendit. Mendoj se është një eksperiencë shumë e mirë, po funksionon. Ne kemi një dialog interaktiv mes OJQ-ve dhe institucioneve të qeverisë, shtetit, gjyqësorit dhe shoqatave të biznesit, ku ulemi të gjithë së bashku në tryezë dhe diskutojmë prioritetet, dhe kjo na ka siguruar një mundësi të mirë për të përdorur kapacitetet e të gjithë shoqërisë. Pra, kjo është ajo që diskutuam dhe ia prezantuam shoqërisë civile shqiptare si një lloj modeli, modele të ndryshme që vendet kanë në rajon sepse së shpejti ju duhet të vendosni se ç’lloj modeli do të zbatoni.

Tanja Mishevic: Nëse mund të shtoj, ne ofruam modele të ndryshme sepse nuk kemi një model të njëjtë të Serbisë dhe Malit të Zi për përfshirjen e shoqërisë civile. Shoqëria jonë civile është e organizuar në një platformë të madhe që quhet konventa kombëtare që ekziston edhe këtu, gjithashtu të paktën për disa kapituj, dhe ka pjesë interesante në procedurat tona për të miratuar të gjitha vendimet për proçesin e negociatave, por ne mund të shpjegojmë modelet me të mirat dhe të këqijat e tyre por i përket Shqipërisë të zgjedhë modelin që është më i përshtatshëm me situatën këtu që mund të jetë e ndryshme nga Mali i Zi dhe Serbia. Por gjithmonë është mirë të dëgjosh shembujt e të tjerëve.

Ilva Tare: Ju keni një marrëdhënie të vazhdueshme me administratën shqiptare për negociatat. Ku konsiston ky bashkëpunim?

Tanja Mishevic: Fatkeqësisht jo aq sa do të dëshironim. Ne ofruam gjithashtu për të shkëmbyer ekspertët nga administrata publike në mënyrë që të përmirësojmë nivelin e bashkëpunimit. Ne ofruam llojin e bashkëpunimit që kemi me dy skuadra negociatorësh apo dy struktura negociatore.Kjo është ndarja e ekspertizës apo eksperiencës që ka të bëjë thellësisht me kapitujt dhe ndihmon shumë në punë por po, ne në Serbi jemi shumë të hapur për kolegët që vijnë nga administrata për t’i ndihmuar në interesin e tyre për t’u përgatitur për negociatat.

Aleksandar Pejovic: Mali i Zi dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim shumë të pasur. Do të thoja që në vitet e fundit, ne përdorëm mekanizma për të vendosur lidhje mes administratave tona publike. Është pjesë e marrëveshjes që dy vendet firmosën. Dy Kryeministrat firmosën një marrëveshje që specifikon se si do të bashkëpunojnë vendet në çështjet europiane. Takimi i fundit i komitetit të përbashkët të dy vendeve u mbajt në Podgoricë në mars të këtij viti. Së shpejti do të kemi një në Tiranë. Por ka shumë ekspertizë që kalon nga një vend në tjetrin. Ne kemi takime të njesuara ministrish, njerëz që diskutojnë çështje të përbashkëta, probleme dhe sfida të përbashkëta, por gjithashtu edhe qëllimet. Ne diskutuam edhe me Ministren tuaj të Integrimit Europian mënyrën si e modeluan strukturën e negociatave për anëtarësin në Malin e Zi. Ne do të jemi këtu, sapo Shqipëria të vendosë se çfarë do të bëjë dhe do të jemi të pranishëm. Ne i ftojmë të gjithë shoqërinë civile të Shqipërisë të vijnë në Mal të Zi për të parë si arritëm të hapnin 24 kapituj për anëtarësimin.

Ilva Tare: Perceptimi është se proçesi i negociatave është më shumë teknik, por sa shumë mund të ndikojë në këtë proçes klima politike?

Tanja Mishevic: Është çdo gjë përveçse teknike. Është një proçes shumë politik. Së pari çdo vendim që merret për progresin në proçesin e negociatave, varet nga shtetet anëtare. Pra kërkon konsensusin e çdo shteti nga 28 shtete anëtare. Është e rëndësishme t’i mbetemi numrit 28 deri tani. Nuk do të ndryshojë gjatë vitit të ardhshme me siguri. Secili prej vendeve anëtare ka interesin e vet në anëtarësimin e një shteti të ri por gjithashtu në marrëdhëniet dypalëshe. Për më shumë, në shumicën e shteteve anëtare, pëfshirja e parlamenteve kombëtare po zmadhohet në lidhje me vendosjen e hapave për politikën e zgjerimit. Proçesi politik në një vend kandidat gjithashtu ndikon shumë në vendimin dhe sjelljen e një shteti anëtar. Pra është një proces shumë politik, i drejtuar nga elementë teknikë dhe bashkë me qasjen e re që Shqipëria do të zgjedhë të negociojë, i lë më shumë vend shteteve anëtare edhe në procesin teknik për të vendosur standardet e famshme të hapjes dhe mbylljes së kapitujve 23 dhe 24 dhe për Serbinë kapitulli 25, standardet përfundimtare që vlerësohen nga secili nga 28 vendet anëtare.

Aleksandar Pejovic: Tanja foli për proceset politike në vendet anëtare por gjithashtu edhe në vendin që negocion, është e rëndësishme të kesh anën politike të procesit. Po flasim për një sasi të madhe të akteve ligjore por në fund është politika në fakt, qeveria dhe parlamenti që duhet të miratojnë gjithçka dhe është thelbësore të përfshihen këta aktorë sepse në rastin tonë të gjitha pozicionet e negociimit, të gjitha dokumentet miratohen nga qeveria. Por përpara kësaj, parlamenti diskuton dhe është shumë e rëndësishme që Komisioni parlamentar i integrimit europian ku përfaqësohet edhe opozita dhe drejtohet nga opzita ashti si këtu tek ju, është vendi kryesor ku diskutojmë çdo vendim. Deri tani mund të them se në 4 vitet e fundit të mandatit të parlamentit të shkuar ne patëm konsensus në të gjtiha çështjet. Edhe qeveria edhe opozita votuan pro pozicioneve negociuese, për dokumentet dhe raportet. Ne nuk kishim një mendim opozitar. Kjo tregon se ka një konsensus 100% të klasës politike. Gjërat që po bëjmë në bisedimet e negociatave kanë mbështetje të plotë dhe kjo është shumë e rëndësishmë sepse është një projekt i përbashkët i të gjithë shoqërisë.

Ilva Tare: Kjo nënkupton që për të qenë një kryenegociator duhet të pranohesh nga qeveria, pavarësisht se kush është në pushtet dhe nga opozita?

Tanja Mishevic: Dhe nga shoqëria civile… Po, sepse ky lloj konsensusi ndihmon shumë. Jo vetëm qeveria duhet të të pranojë si person, por gjithashtu edhe partitë politike por përsëri duhet të dish si të punosh dhe të pranohesh dhe të njihesh nga shoqëria civile për të patur mbështetje të plotë sepse ashtu siç tha dhe Aleksandri, është një ushtrim për shoqërinë, jo vetëm për qeverinë.

Aleksandar Pejovic: Gjithashtu, edhe fakti që nuk ka parti euroskeptike në Mal të Zi na ndihmon. Çdo parti në parlamentin tonë lufton për ta integruar Malin e Zi në Bashkimin Europian. Kjo ndihmon, kemi të njëjtin qëllim.

Ilva Tare: Cilët kanë qenë kapitujt më të vështirë për Serbinë dhe Malin e Zi?

Tanja Mishevic: Ato kapituj që kanë të bëjnë me qasjen e re ku është vendosur theksi. Shteti ligjor, kapitulli 23 dhe 24. Për ne kemi një specifikë, kapitullin 25 që ka të bëjë me monitorimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Por njësoj sfiduese janë ato kapituj që njerëzit nuk i perceptojnë si sfiduese, si kapitulli që ka të bëjë njohjen reciproke e kualifikimeve, e cila është një nga çështjet më teknike apo kapitulli i lëvizjes së lirë të mallrave për të njohur standardet por edhe për të bërë një listë të standardeve të tua. Këto janë kapitujt e mëdhenj. Kapitujt që deri tani, i kemi gjetur si më sfiduese janë ato që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit, të cilat në rastin tonë janë ato që kanë të bëjnë me bujqësinë, zhvillimi rural apo siguria ushqimore, më pas mbrojtja mjedisore, ndryshimet klimatike, të mos harrojmë që këto janë çështjet më të kushtueshme për t’u miratuar dhe zbatuar.

Ilva Tare: Pse është e kushtueshme?

Tanja Mishevic: Kushton shumë para. Sipas vlerësimit tonë, do t’i kushtojë Serbisë diku tek 10 miliardë euro për t’u përshtatur me standardet e BE dhe ato janë standardet ndihmojnë jetesën tonë normale si psh, mbrojtja e ujit, mbrojtja e ajrit, tokës që janë njësoj të dobishme për ne edhe nëse nuk përparojmë drejt BE.

Ilva Tare: Por këto janë para që do të vijnë nga BE do duhet t’i siguroni vetë?

Tanja Mishevic: Pjesërisht. Pjesërisht do të vijnë nga buxheti, disa do të vijnë nga IPA dhe më pas disa para do të vijnë sapo vendi të bëhet pjesë e BE por psh riciklimi është një mundësi e mirë për investime, të brendshme dhe të jashtme dhe kjo ëstë diçka për të cilën po diskutojmë në Serbi.

Ilva Tare: Mali i Zi?

Aleksandar Pejovic: Kapitujt janë gjithmonë të njëjtët. Ndoshta ne kemi problem në kapitullin e peshkimit që Serbia mund të mos e ketë por në shumicën e kapitujve është problematikë e njëjtë. Diçka që dua të shtoj është gjithashtu ndryshimi i administratës. Reforma e administratës publike që është thelbësore jo vetëm për të performaur në negociata, nuk mund të bësh negociatat pa një administratë të mirë, nuk mund të jesh anëtar i mirë i BE nëse nuk krijon një administratë publike moderne dhe efektive që i shërben qytetarëve por edhe sistemit kompleks të Bashkimit Europian. Duhet t’i përgjigjesh shumë kërkesave që BE kërkon prej teje. Pastaj janë çështjet ekonomike dhe financiare. Në këtë fazë ne duhet të sillemi si vend anëtar i BE, në financa, në resurse buxhetore, në të treguarin e përgjegjësive fiskale dhe nuk është e lehtë. Duhet të sillesh si vend anëtar por nuk ke fonde nga BE që të ndihmon me këtë, dhe pikërisht nga kjo vendet kandidate janë më në vështirësi dhe sa vendet anëtare. Në shumë fusha si Schengen, duhet të investojmë në sigurinë kufitare edhe pse nuk jemi pjesë e BE, kështu që sapo miratuam planin e aksionit të Schengenit që na ndihmon të arrojmë standardet e Schengenit edhe përpara se të bashkohemi me BE. Natyra e zgjerimit ka ndryshuar sepse BE kërkon nga kandidatët më shumë, përpara se të bashkohen, për t’u sjellë si shtete anëtare. Kjo ndodh edhe me masat kufizuese. Ne sillemi si vend anëtar, duke i vendosur sanksione vendeve të treta edhe pse nuk jemi pjesë e BE.

Tanja Mishevic: Apo në programin e reformës ekonomike për të cilën jemi të gjithë të detyruar për ta përgatitur.

Ilva Tare: Keni ndonjë vlerësim për koston apo faturën që mund të ketë Mali i Zi?

Aleksandar Pejovic: Është e pamundur ta llogaritësh. Ne e dimë vlerësimin për mjedisin, siç tha edhe Tanja, për ne është 1.5 miliardë investime, se si do të përmirësojmë menaxhimin e mbetjeve, trajtimin e ujërave. Si të ndërtojmë filtra më të mira për industritë që ndotin ambientin. Ka një investim të madh në Natura 2000 pë të mbrojtur parqet kombëtare etj. Kjo ndodh sepse standardet në BE janë shumë më të larta sde ato që kemi në Ballkan. Në shmë kapituj ka shumë kosto dhe për këtë, vendet që janë në negociata kërkojnë një periudhë tranzitore. Ti kupton se në një moment të caktuar nuk mund t’i arrish standardet e BE, dhe për këtë kërkon për një periudhë tranzitore 3, 5 apo 7 vite dhe më pas mund të përdorësh fondin e BE, asistencën që do të marrësh.

Ilva Tare: A keni një këshillë për Shqipërinë?

Tanja Mishevic: Rekomandimi im është që gjëja e parë nga t’ia nisni, është të vërtetoni që mund të përmbushni kushtet për të hapur kapitujt apo negociatat. E dyta është që është shumë e rëndësishme të punohet me strukturat që supozohet të drejtojnë negociatat dhe e treta, përpiquni të gjeni modlein më të mirë të mundshëm, përfshirë shqërinë në procesin e negociatave. Nuk është e lehtë të bëhet kjo në një vit, ju do të keni edhe zgjehdjet vitin e ardhshëm, që do të marrë shumë vemendjen e politikanëve dhe kohë sigurisht. Do t’i kushtojnë shumë rëndësi zgjedhjeve. Është shumë punë për të arritur diçka që do të donim të shihnim në fund të këtij viti pë të hapur negociatat me Shqipërinë.

Aleksandar Pejovic: Sigurisht që anëtarësimi do të ndodhë në një moment të caktuar por sugjerimi im do të ishte për të lexuar me kujdes progres raportin sepse është plot me rekokmandime dhe afate. Keni në çdo çështje një opinion të qartë të BE se çfarë duhet të bëjë dhe përpara se të hapni negociatat, ju mund të zgjidhni çështjet që janë të shkruara në progres raport, pra thjeshtë ndiqni atë dhe në kohën kur të hapni negociatat dhe kapitujt, do të jeni në gjendje të kapërceni kohën e pritjes sepse në ndërkohë ju mund të bëni shumë progres të shpejtë përpara se të hapni një apo dy kapituj

Tanja Mishevic: Ju lutem vazhdoni të diskutoni me njerëzit në mënyrën që po diskutoni me ne për sa ka të bëjë me shpjegimin ndaj publikut se çfarë do të thotë kjo. Nuk bëhet fjalë vetëm se si të bëheni anëtarë por me të vërtetë se si ta ndryshoni jetën tuaj.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan