Fuqia e parasë në politikë, si duhet ndalur?!

Nga Gjon Ndreja, botuar në Tema, 15 nëntor 2016

gjon-ndreaj-fotojaFuqia e parasë është e njohur ndër shekuj dhe populli e ka përjetësuar këtë në sentencën e njohur se , “Paraja e kthen ujin përpjetë”. Ndërkohë shumë mendimtarë në fusha të ndryshme të ekonomisë, të politikës dhe të filozofisë e kanë vlerësuar fuqinë e parasë si një instrument të fuqishëm për zhvillimin ekonomik, por nga ana tjetër kanë evidentuar edhe kërcënimin që vjen nga fuqia e saj. Paraja për nga natyra e saj, ka tendencën të shumëfishohet, por pikërisht kjo natyrë e brendshme e parasë, bart edhe rrezikun për deformimin e ligjësive shoqërore dhe demokratike. Një mendimtar i shquar i fushës së ekonomisë dhe filozofisë vlerësonte se, kur paraja arrin të sigurojë 300 përqind fitim, zotëruesi i saj nuk ndalet përpara asnjë krimi.

Është pikërisht kjo arsyeja që të gjitha rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar lidhur me përsosjen dhe konsolidimin e sistemeve demokratike orientojnë formalizmin e ekonomisë, identifikimin e burimeve të parasë dhe kufizimin e fuqisë së saj në ato raste kur ajo gjeneron krim apo kërcënon demokracinë. Teorikisht të gjithë e njohin fuqinë e parasë dhe rrezikun e saj si në ekonomi ashtu edhe në politikë por përpjekjet për kufizimin e fuqisë së saj, veçanërisht në politikë janë të zbehta, duke vënë në dyshim faktin se ndoshta paraja me presionin e saj për t’u shtuar, i ndikon drejtpërdrejt politikbërësit për këtë qëndrim dashamirës ndaj fuqisë së saj. Veçanërisht ky rrezik, prej nga burojnë ndoshta të gjitha rreziqet e parasë lidhet pikërisht me politikën.

Nevoja për para e partive politike, nuk është e pakufizuar

Duke e përdorur paratë për synimet e tyre politike veçanërisht në zgjedhjet elektorale politikbërësit bëhen viktima të fuqisë së parasë e cila pastaj i udhëheq këta të fundit sipas ligjeve të saj. Por edhe paratë janë të domosdoshme për partitë politike dhe pa to nuk mund të mendohet të realizohen funksionet e tyre. Ato i duhen partive politike për të informuar zgjedhësit lidhur me programin e tyre, për të bërë të mundur që ata të shprehin lirshëm vullnetin e tyre, për ta matur këtë vullnet dhe për t’i informuar ata për rezultatin, që siç dihet përkthehet në atë që quhet infrastrukturë zgjedhore. Por partitë politike nuk ndalen këtu, disa syresh kërkojnë të përdorin paratë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve e cila shfaqet nëpërmjet fushatave marramendëse publicitare, e deri tek përdorimi i drejtpërdrejtë i parasë për të blerë votat, si shfaqja më vulgare e përdorimit të parasë në politikë.

Por ata që investojnë paratë qoftë edhe në fushata elektorale, përpara se t’a bëjnë këtë, sigurisht mendojnë për kthimin e tyre ose shtimin e tyre sipas ligjeve të parasë. E përkthyer kjo në praktikë rezulton të shfaqet në fitimin e tenderave publikë, punësimin etj. Dhe pas kësaj vjen kapja e shtetit, klientelizmi, zbatimi i ligjit jo në mënyrë të barabartë për të gjithë, dukuri të cilat në fund të fundit cenojnë thelbin e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Sipas mendimit tim nevoja për para e partive politike në fushatën zgjedhore është lehtësisht e parashikueshme, ashtu si edhe përdorimi i saj është i mundur të kontrollohet. Ashtu siç e thashë edhe më lart, shuma e parave që i duhet një partie politike buron nga nevoja e saj për të transmetuar te anëtarësia e saj dhe te zgjedhësit programin e saj qeverisës. Mjetet për ta bërë këtë janë të ndryshme, si ato që kanë të bëjnë me takime të drejtpërdrejta me zgjedhësit për të prezantuar kandidatin, për të shprehur programin etj.

Krahas kësaj, ky qëllim mund të arrihet edhe me fushata informimi të zgjedhësve, nëpërmjet përdorimit të fletë palosjeve të ndryshme, përdorimit të mediave vizive etj. Kjo sigurisht do të ishte idealja dhe e mjaftueshme për një fushatë elektorale normale, ndërkohë që përkundër kësaj jemi ndeshur me dukuri të cilat synojnë deformimin e vullnetit të zgjedhësve, duke treguar “forcën” e partive politike nëpërmjet mitingjeve gjigande dhe të përsëritura disa herë, reklamave dhe antireklamave, inaugurimeve, bill borderave dhe banderolave, të cilat deri në një farë mase mund të konsiderohen edhe si një fyerje për ndërgjegjen qytetare.

Të gjitha këto aktivitete në gjuhën profesionale quhen “shoferë të kostos” (cost drivers) të cilat të përkthyera në kosto, do të përbënin nevojën për para, ose buxhetin e partive politike. Ky buxhet në vendin tonë ashtu edhe në shumicën e vendeve të Europës sigurohet nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe financimeve private.

Paratë publike vs: financimet private

Duke e konsideruar faktin se tashmë kemi rënë dakord që fuqia e parasë duhet kufizuar ajo duhet të fillojë pikërisht nga përcaktimi i buxhetit limit të çdo partie në fushatë, mbi të cilin nuk lejohet financimi. Si do që ky është një kufizim i fortë, mendoj se është i domosdoshëm për kushtet e vendit tonë si një demokraci e brishtë dhe kur informaliteti është në shkallë të lartë dhe mundësia e financimit të partive nga burime kriminale është prezent. (Zbatimi i Ligjit të dekriminalizimit fillon prej këtu). Buxheti limit për financimin e fushatës zgjedhore mund të jetë i barabartë për të gjitha partitë politike pavarësisht nga rezultatet zgjedhore të mëparshme. Kjo sepse asnjë partie nuk i duhet kufizuar mundësia për t’u rritur e forcuar dhe potencialisht ato duhet të vihen të gjitha në një start të barabartë. Por sa duhet të jetë madhësia e financimit të partive politike nga paratë publike dhe sa nga burimet private ? Kjo është një çështje mjaft e diskutueshme dhe delikate, por në këndvështrimin tim të dyja këto burime duhet të jenë të kufizuara dhe të kontrollueshme.

Së pari kufizimi i parave publike diktohet nga mundësia që ka buxheti për të mbështetur këtë proces në krahasim me prioritetet e tjera dhe nga ana tjetër madhësia e tij duhet të jetë në atë masë sa të sigurojë një minimum të zhvillimit të fushatës së çdo partie. Së dyti kufizimi i financimeve private duhet të bëhet deri në kufirin e buxhetit limit për partitë politike në programin financiar të fushatës të depozituar në KQZ. Nga ana tjetër financimi partive politike nga burime private duhet t’i nënshtrohet edhe disa kufizimeve të tjera për të cilat do të flasim më poshtë.

Zhvillimi i demokracisë dhe i pluralizmit kërkon që të nxiten sa më shumë alternativa politike që përkthehen në parti politike të cilat zhvillohen dhe reduktohen nga konkurrenca në tregun e politikës. Financimi i tyre pa kriter rrezikon të kthehet në abuziv, por këtu duhet vendosur një kriter diferencues midis financimit fillestar për themelimin dhe financimin për fushatë elektorale. Kështu financimi fillestar për krijimin e një partie politike mund të jetë i barabartë, ndërkohë që financimi i fushatës mund të marrë parasysh numrin e votave të fituara në zgjedhjet e mëparshme. Financimi i këtyre partive duhet bërë në bazë të projektit që ata paraqesin deri në limitin e përcaktuar nga financimi i parave publike.

Formula aktuale e financimit të partive politike nuk është e drejtë dhe duhet ndryshuar sipas kësaj filozofie. Në tërësi raporti midis financimit të partive politike nga buxheti i shtetit dhe nga burimet private duhet të anojë dukshëm në favor të kësaj të fundit. Por le te kthehemi edhe një herë te burimet private të financimit të partive politike. Burimet private të partive politike mund të jenë jo vetëm në para por edhe në formën e mbështetjes me mjete apo lehtësira të tjera të cilat në buxhet përkthehen në para. Financimi nga këto burime duhet të jetë i tillë që të parandalojë futjen e parave të pista në politikë dhe të parandalojë klientelizmin e mundshëm si dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Disa nga mjetet për të arritur këtë qëllim mendoj se mund të jenë:

Në fillim të fushatës duhet të deklarohet burimi financiar nga të ardhurat e anëtarësisë dhe pronat e partisë.

Financimi duhet të bëhet vetëm nëpërmjet kanaleve bankare duke identifikuar donatorin.

Çdo person fizik që financon fushatën i ndalohet të punësohet në administratën publike në pozicione që nuk i nënshtrohen konkursit për vete dhe për familjen.

Çdo personi juridik që ka kontribuar në para ose mjete për fushatën, duhet t’i ndalohet të jetë subjekt i konkurrimit në tendera publikë për dy vitet ardhshme, në se partia ose koalicioni për të cilën ka financuar është fitues i zgjedhjeve.

Financimi, si për personat fizikë dhe juridikë duhet të jetë i kufizuar në shumë.

Duhet të ndalohet financimi nga subjekte ose shtetas të huaj.

Për çdo veprimtari të organizuar nga partitë politike duhet të hartohet një preventiv i veçantë i vlerësuar në para.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të monitorojë nga pikëpamja financiare në mënyrë vazhdueshme (on-going) çdo aktivitet të partive politike duke krijuar një strukturë të veçantë pranë saj duke dokumentuar çdo veprimtari.

Auditim i bazuar në monitorim

Referuar ligjit aktual për partitë politike Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka për detyrë: “..harton dhe miraton rregullat për raportimin e financimit, për monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike, si dhe për formatet e standardizuara për raportimin financiar vjetor”. Unë kërkova në faqen dhe rubrikat përkatëse por nuk rezulton të ketë rregulla të veçanta të hartuara nga ky organizëm për procedurat e raportimit, monitorimin dhe auditimin e këtyre veprimtarive. Në se kjo është e vërtetë atëherë burimi i mungesës së efiçensës së raporteve të auditimit të kryera deri tani duhet kërkuar pikërisht në këtë shkak. Megjithëse auditim i financimit të fushatave zgjedhore të partive politike është kryer rregullisht dhe për këtë janëpaguar një“grusht” parash, rezultatet e kësaj pune në raport me qëllimin për të cilën është kryer janë pothuajse zero. Opinion i auditimit lidhur me deklarimet financiare përmbyllet me “refrenin” e audituesve që “deklaratat janë të besueshme dhe pasqyrojnë gjendjen reale …..” etj. Në të vërtetë për dështimin e kësaj pune nuk është krejtësisht faji i auditëve.

Auditët kanë për mision të vlerësojnë sistemin e kontrollit të brendshëm i cili realisht në këtë rast është inekzistent. Në këtë kuptim gjëja e parë që kërkohet të bëhet në këtë proces është krijimi i një sistemi rregullash (kontrolli i brendshëm) për pasqyrimin e veprimtarive të partive në kontabilitet, rregulla të cilat duhet të marrin parasysh dokumentimin e saktë të veprimtarive dhe pajisjen me dokumente justifikuese. Monitorimi i fushatës nga pikëpamja financiare është një funksion i KQZ i përcaktuar në ligjin për partitë politike por në vlerësimin tim është një funksion që nuk është ushtruar. Hartimi i këtyre rregullave kërkon nivel të caktuar ekspertize dhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit.

“Faji” i auditëve në këtëproces konsiston se ata nuk janë përgjegjës vetëm për vlerësimin e transaksioneve të regjistruara por referuar parimit të skepticizmit profesional që ata duhet të zbatojnë edhe për faktin në se të gjitha ngjarjet dhe transaksionet e subjektit nën auditim, janë dokumentuar dhe regjistruar. Në këtë pikëpamje besoj se askush nuk mund të kundërshtojë faktin se paratë e harxhuara në fushatën e partive politike nuk dokumentohen saktësisht as si burim dhe as si shpenzim Auditimi i këtij procesi duhet të marrë në konsideratë monitorimin e kryer nga strukturat e posaçme monitoruese për çdo aktivitet dhe krahasimin e këtyre aktiviteteve me pasqyrimin e tyre në dokumente dhe në kontabilitet ose në dokumente të tjerë të miratuar. Dhe e fundit por jo për nga rëndësia. Suksesi i procesit te auditimit varet nga zgjedhja e një trupe profesionale auditimit të pavarur, të përzgjedhur nga shoqatat profesionale me jo më pak se tre kandidatura për një pozicion nga radhët e profesionistëve. Mandati i kësaj trupe duhet të jetë për një periudhë shtatëvjeçare duke u alternuar me mandatet e KQZ dhe të partive politike si dhe faktin që asnjë nga kandidatët të mos kenë qenë në forumet e partive politike së paku për pesë vjetët e fundit.

Sanksionet duhen forcuar

Për të realizuar misionin e mësipërm kuadri rregullator duhet përmirësuar. Ai duhet të përcaktojë qartë si kundravajtje të gjitha veprimet që pengojnë me dashje ose nga pakujdesia moszbatimin e kërkesave të tij. Të tilla mund të jenë: mosdeklarimi i të ardhurave ose i origjinës së tyre, pranimi i të ardhurave të jashtëligjshme, fshehja e të dhënave për të ardhurat dhe shpenzimet ose mos pasqyrimi i saktë i tyre, mos dokumentimi i saktë me dokumente justifikues i të ardhurave dhe shpenzimeve, mosrespektimi i limiteve të kontributeve, mosmbajtja e të dhënave për të ardhurat dhe shpenzimet sipas kërkesave të rregullit dhe formave të miratuara, pranimi i kontributeve jashtë përcaktimeve të bëra nga ligji veçanërisht në cash, mosparaqitja dhe mospublikimi i deklarimeve financiare në afat etj.

Nga ana tjetër përcaktimi dhe zbatimi i sanksioneve për zbatimin e rregullave dhe procedurave për shkeljet e kërkesave të mësipërme, duhet të forcohen. Ky kuadër mund të parashikojë sanksione të tilla si: Revokimi i mandatit , kufizimi i të drejtës për t’u zgjedhur për një afat deri në dy legjislatura, gjobë për subjektin zgjedhor dhe personat në administratën zgjedhore, privimi nga e drejta për të përfituar nga fondet publike për një periudhë kohe, kufizimi i të drejtës për të punuar në administratën publike për një afat të caktuar ose përgjithmonë, konfiskimi i fondeve të financuara në mënyrë të parregullt etj. Krahas kësaj një dispozite penale, e cila të parashikojë dënime të ashpra vetëm me burgim kur shkeljet janë të rënda, duket e nevojshme për kushtet e vendit tonë dhe do ti kontribuonte kufizimit të fuqisë së parasë në ndikimin e saj në politikë dhe disiplinimit të punës së administratës zgjedhore të partive politike.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan