Funksionimi i politikave aktive të tregut të punës

Nga Elena Polo, botuar në Mapo, 15 nëntor 2016

Nxitja e punësimit është ndër sfidat më të vështira sidomos në vende si Shqipëria, ku fuqia punëtore nuk është e kualifikuar dhe ku një pjesë e mirë e programeve që synojnë nxitjen apo kualifikimin e tyre e kanë të vështirë të japin rezultat. Polo shkruan se ka nevojë urgjente për të rritur financimin, gjë që do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve publike, të cilat më pas mund të kthehen në incentivë.

Politikat aktive të tregut të punës janë instrumente të përdorura gjerësisht nga Komisioni Europian për të reduktuar efektet negative të krizës së fundit ekonomike në tregjet e brendshme të punës. Suksesi i këtyre politikave në arritjen e objektivave të vendosur në nivel europian është parë përgjithësisht të variojë mes vendeve të ndryshme, duke u analizuar kryesisht në bazë të angazhimit kombëtar për reforma strukturore eficiente apo specifike, që promovojnë rritjen ekonomike nëpërmjet barazisë dhe mirëqenies.

Shërbimet Publike/Kombëtare të Punësimit (SHKP) në vendet anëtare kanë rolin zbatues të këtyre politikave dhe qëndrimi kombëtar mbi termat e eficiencës dhe barazisë duket se ndikon në një mënyrë të konsiderueshme suksesin e përgjithshëm në tregjet e punës. Padyshim, një çështje kritike e analizës është marrja e masave të ashtuquajtura kundërciklike ndaj natyrës së lëkundshme të vetë tregut të punës.

Për aq kohë sa modelet e ndryshme të SHKP variojnë nga njëri-tjetri, edhe (ri)orientimi i strategjive për të arritur qëllimet e politikave të ndryshme gjithashtu varion. Është e nevojshme të analizohet çdo model ekzistues i tyre në mënyrë që të rekomandohen sa më mirë reformat që çojnë në modelet e reja të administrimit publik në vendet e BE-së. Veçanërisht, përfshirja trepalëshe në një politikëbërje të caktuar mund të ushqejë dialogun social dhe të shkohet kështu drejt një strukture më bashkëpunuese të SHKP, e cila mund të përshtatet më mirë, sidomos ndaj shkurtimeve në buxhet të kohëve të fundit.

Politikat aktive janë adaptuar po ashtu nga vendet në tranzicion si një mënyrë eficiente për të luftuar papunësinë e lartë. Sidoqoftë, ky proces nuk ka qenë gjithmonë i plotë në mënyrë eficiente duke qenë se mungesa e informacionit të vazhdueshëm shkakton në të njëjtën kohë një asimetri informacioni, që do të thotë se kompanitë shpesh nuk njohin punëkërkuesit e papunë ashtu sikundër këta të fundit nuk njohin vendet vakante në sektorë specifikë apo në tregun e përgjithshëm, gjithmonë atë formal të punës.

Përvoja e politikave aktive të tregut të punës lidhur me programet është e ndryshme dhe kjo varet nga karakteristikat e veçanta demografike të fuqisë punëtore dhe të vendit në përgjithësi, duke përfshirë edhe pozitën ekonomike dhe atë të institucioneve. Prandaj, dizenjimi dhe zbatimi i këtyre politikave dhe programeve të planifikuara në ekonomitë në tranzicion duhet bërë me mjaft kujdes dhe analizuar nën kushtet specifike të një vendi të caktuar. Nuk ka një politikë “model i mirë që iu përshtatet të gjithëve”, që do të thotë se janë të nevojshme skemat e përziera në nivel të përgjithshëm dhe ato më specifike për target-grupet e veçanta.

Programet e sipërmarrjes dhe të vetëpunësimit nxisin punësimin dhe në përgjithësi gjenerojnë rezultate për një pjesë shumë të vogël të punëkërkuesve të papunë. Këto programe kanë patur më tepër sukses për pjesën e punëkërkuesve të papunë që zotërojnë disa aftësi dhe kanë treguar të jenë më pak efektive për grupet vulnerable, si gratë apo grupet më pak të kualifikuara.

Për ekonomitë në tranzicion, një rëndësi e veçantë i duhet dhënë zgjerimit të nivelit të trajnimit dhe ritrajnimit për punëkërkuesit e papunë mes të rinjve, femrave dhe/ose të papunëve afatgjatë. Më tej, zhvillimi i aftësive fleksible e gjerësisht të tregtueshme duket të jetë një element kyç për rezultate më të suksesshme krahasuar me promovimin e një kapitali human specifik. Mbi të gjitha, eksperienca e vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore me politikat aktive të tregut të punës ka treguar se është realisht e mundur të transformohen institucionet dhe të ndërmerren politika duke krijuar mekanizma eficientë të matjes dhe vlerësimit edhe për një periudhë afatshkurtër. Në këtë aspekt, dialogu tre-palësh është forca me ndikimin më të madh në arritjen e objektivave të Strategjisë Europiane të Rritjes – Europa 2020. Ky nivel europian negocimi ndihmon në formimin e politikave më të qëndrueshme dhe më të suksesshme ekonomike e të punësimit për shkak se institucionet e Bashkimit Europian janë më të afta të dëgjojnë drejtpërdrejt zërat e ndryshëm të palëve të interesuara.

Edhe pse, legjislacioni shqiptar për nxitjen e punësimit dhe Strategjia e Punësimit e MMSR e përcaktojnë dialogun social si një aspekt kyç për funksionimin e politikave aktive dhe pasive të tregut të punës në Shqipëri, ndikimi i vërtetë i dialogut social dhe subjekteve tripalëshe në zhvillimin dhe zbatimin e politikave është në të vërtetë sot shumë i kufizuar. Struktura e brendshme e organizimit përcakton autonominë që ka SHKP nga Ministria e Punës (sot MMSR), ndërsa struktura menaxheriale ka rolin e vet në procesin e marrjes së vendimeve. Mbikëqyrja e aktiviteteve të SHKP-së iu lihet organeve të pavarura të interesuara ose Ministrisë së linjës.

Në Shqipëri, krijimi i programeve të ndryshme si pjesë e politikave aktive të tregut të punës ka nisur me synimin për të ulur papunësinë duke përmendur këtu sidomos papunësinë e të rinjve dhe të grupeve në nevojë. Për më tepër, programet e ndryshme kanë patur vazhdimisht qëllim uljen e informalitetit si dhe uljen e kostove sociale dhe ekonomike duke futur në program edhe individë të cilët përfitojnë nga skema të tjera aktuale të mbështetjes sociale. Financimi i këtyre politikave ka qenë gjithmonë në rritje edhe pse të ngadaltë dhe kjo përkthehet rrjedhimisht edhe në një rritje të numrit të përfituesve. Sipas Strategjisë 2014-2020, për vitin 2017 niveli i synuar është 3.5% dhe për 2020, specifikisht 10%. Papunësia e të rinjve ka nevojë për t’u adresuar edhe në terma të shpenzimeve financiare, edhe në kushtet kur shpenzimet publike prej 0.046% e PBB, janë rreth 1/10 e nivelit Europian (për vendet e OECD, 0.6% e PBB-së shkon për politikat aktive të punës dhe për vendet e BE-së rreth 0.5%).

Ndërkohë, numri i kompanive të përfshira në politikat aktive është shumë i ulët. Këto programe duket të jenë të përqendruara në vetëm disa kompani të mëdha apo në sektorë me potencial të lartë vetjak për të gjeneruar punësim, prandaj ka ndërlikime të mëtejshme në terma të analizës rajonale. Numri i kompanive për rajon aktualisht varion shumë dhe po ashtu jo të gjitha rajonet ofrojnë të gjitha programet. Për më tepër, analiza rajonale tregon se duhet të ketë një përputhje më të mirë midis nevojave rajonale të punësimit, aktivitetit ekonomik dhe ofertave të programit. Edhe pse ka 6 programe të nxitjes së punësimit, të gjitha konsistojnë në subvencionimin e punësimit dhe trajnimit nëpërmjet punës dhe praktikës.

Delegimi i shërbimeve të punësimit jo vetëm në agjencitë private të punësimit mund të trajtohet në dy fronte: së pari, për organizatat e specializuara që punojnë ngushtë me grupet “e vështira për t’u punësuar” – komuniteti rom dhe egjiptian, njerëzit me aftësi të kufizuara etj., dhe së dyti, për organizatat ndërmjetësuese private që mund të lehtësojnë marrëdhëniet e SHKP me ndërmarrjet e sektorit privat, si edhe të sigurojnë shërbimet mbështetëse të këtij të fundit në lidhje me zbatimin e politikave aktive, veçanërisht me zhvillimin e kurrikulave të trajnimit për “trajnimin në punë”.

Trendi i fundit në vlerësimin e tyre tregon se ka një kombinim të teknikave gjatë vlerësimit të masave të veçanta, për shkak të kompleksitetit të tyre, gjithëpërfshirjes dhe ndërlidhjes së efekteve komplekse, duke përshirë faktorë socialë dhe ekonomikë. E ashtuquajtura qasje e synuar/orientuar ofron pamje më të plotë mbi vlerësimin e cilësisë së përgjithshme të politikave, duke gjeneruar një grup informacionesh lidhur me rëndësinë, efikasitetin, efektivitetin dhe ndikimin e programeve të ndryshme në një kohë dhe në një kontekst të caktuar.

Sot në Shqipëri, programet aktive dhe shërbimet mbështetëse në tregun e punës janë relativisht të pazhvilluara për aq kohë sa çdo vlerësim i buxhetit dhe strukturës së SHKP duhet të marrë parasysh edhe karakteristikat shqiptare të tregut të punës dhe dinamikat, si dhe shkallën e informalitetit. Programet e integruara të cilat kombinojnë trajnimin, orientimin profesional, informacionin mbi tregun e punës, ndihmën në kërkimin e punës dhe punësimin e subvencionuar analizohen në përgjithësi të kenë një probabilitet më të lartë suksesi.

Duke pasur parasysh faktin që kuadri rregullator është pothuajse i kënaqshëm, është e nevojshme të zbatohen në praktikë shumë prej rekomandimeve të dhëna në mënyrë të vazhdueshme nga palët e përfshira, deri tani të mbetura joaktive dhe të ripërsëritura në raporte të njëpasnjëshme. Ekziston një nevojë urgjente për të rritur financimin, gjë që do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve publike të ofruara si në aspektin sasior dhe atë cilësor të analizës.

Për më tepër, duhet një unifikim i sistemit të mbledhjes së të dhënave me qëllim lejimin e një vlerësimi më të mirë që do të ofrojë rekomandime specifike për mënyrën se si duhet të përmirësohen programet e veçanta.

Sot, rritja e ndërgjegjësimit dhe informacionit mbi politikat aktive të punës për punëkërkuesit që të bëhen partnerë aktivë të SHKP është me të vërtetë e rëndësishme, po aq sa dhe krijimi i partneritetit për zbatimin e politikave të ardhshme më të larmishme.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan