‘Rritja e pagave’: mungesa e seriozitetit për buxhetin dhe borxhin

Nga Gjergj Erebara, BIRN, botuar në reporter.al, 27 tetor 2016

Megjithëse nuk ka ende asgjë të shkruar, qeveria po përsërit vazhdimisht planin e saj për të rritur taksat mbi pagat minimale në sektorin privat dhe për t’i përdorur këto para për të majmur pagat në sektorin publik. Një spekulim paraelektoral i pritshëm ky, por që me gjasa, do të jetë ekonomikisht një gabim i rëndë me pasoja negative për shumë dhe shumë vite.

ahmetaj-ramaNë fillim qe Ministri i Financave Arben Ahmetaj që e tha mes rreshtave planin për të rritur pagat minimale të taksueshme me mbi 35 për qind dhe për t’i përdorur këto para për të majmur pagat e sektorit publik duke i rritur mesatarisht me 10 për qind.

Nga pikëpamja propagandistike, një lëvizje e tillë mund të ketë sukses. Deklarohet rritje pagash dhe rritje pagash. Nga pikëpamja ekonomike, kjo është gjëja më e keqe që mund të bëjë një qeveri e keqe në një vit zgjedhor, me synimin për të fituar sadopak kredibilitet politik për reformat ekonomike (që në masë të gjerë kanë dështuar) të tri viteve të fundit, por që në thelb, janë ekonomikisht të pavlefshme dhe thellësisht të dëmshme, me pasoja për shumë dhe shumë vite me radhë.

Kuptohet, deri tani kemi vetëm deklarata të llojit propagandistik të qeverisë mbi këtë punë. Nuk e dimë ende nëse rritja e pagave do të financohet vetëm përmes rritjes së taksave reale mbi sektorin privat apo edhe përmes buxhetit të shtetit, gjë që nënkupton ulje më të vogël nga sa shpresohej të borxhit publik si përqindje e PBB-së.

Le ta marrim hapin e parë:

Jo pagë minimale por taksim minimal

Qeveria nuk ka deklaruar asgjë me shkrim, por kryeministri Rama ka mbajtur fjalime në Facebook, ku ka bërë të ditur se ka ndër mend të rrisë pagën minimale zyrtare të taksueshme nga 22 mijë lekë që është aktualisht në 30 mijë lekë. Ajo që supozohet se është rritje page minimale, që prej një dekade është në fakt rritje taksimi real mbi punonjësit më të varfër të shoqërisë. Që ta themi më thjeshtë, nëse shkojmë dhe pyesim punëtorët e fabrikave apo kamarierët, dy kategori kryesore të punësimit me paga të ulëta, shumica dërrmuese e tyre do të të thonë se marrin realisht pagë 12 apo 15 mijë lekë në muaj. Shumë prej tyre, veçanërisht ata që punojnë në fason, marrin pagë vetëm kur fabrika ka punë. Por punëdhënësit e tyre, të cilët janë përgjegjës për pagesën e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, e kanë të ndaluar me ligj që të japin paga më të vogla se 22 mijë lekë të reja bruto, ose 18 mijë lekë të reja neto. Kjo do të thotë se, pavarësisht nëse punëtori e ka rrogën 15 mijë lekë në muaj, sigurimet shoqërore e shëndetësore i paguhen për pagën 22 mijë lekë në muaj.

Teorikisht, paga minimale është një masë mbrojtjeje shoqërore. Qeveria urdhëron këdo që ofron vende pune që, pavarësisht se sa është paga sipas kërkesë-ofertës, të japë një pagë të caktuar minimale. Qeveria mund ta urdhërojë diçka të tillë kur ajo disponon një shtet me mekanizmat e duhur të zbatimit të urdhrit. Por në rastin e Shqipërisë, ky shtet nuk është. Kemi të bëjmë me një karakatinë. Nëse qeveria beson se paga minimale zyrtare është realisht paga minimale në vend, atëherë le t’i shtrojë pyetjen vetes se sa inspektime me këtë temë ka bërë i ashtuquajturi Inspektorat i Punës, sa raste ka identifikuar ky inspektorat kur paga reale është më e ulët se sa paga minimale ligjore e sa gjoba ka vënë. E di që qeverisë nuk i pëlqen ta dëgjojë, por fakti është që Ardit Gjoklaj, 17 vjeçari që humbi jetën në një aksident në punë në Sharrë, paguhej 500 lekë dita, shifër kjo e paligjshme dhe poshtë pagës minimale zyrtare.

Tani, në rast se qeveria vendos ta rrisë pagën minimale, siç ka thënë kryeministri, me 35 për qind, nga 22 mijë në 30 mijë lekë, paga reale që marrin fukarenjtë e Shqipërisë nuk do të ndryshojë, por sigurimet shëndetësore e shoqërore që paguhen mbi këto paga minimale do të rritet me 35 për qind.

Rritje pesëfish te pagat e larta

Rritja e pagës minimale, përveç rritjes së barrës reale të sigurimeve shoqërore mbi të punësuarit me pagë të ulët, shkakton edhe një taksim shtesë te pak mijëra shqiptarë që punojnë pothuajse tërësisht në sektorin privat dhe që kanë paga të larta. Ligji për sigurimet shoqërore e shëndetësore sanksionon që kontributet për sigurime shoqërore mbahen për të gjitha pagat, deri në pesëfishin e pagës minimale. Kjo do të thotë që, nëse qeveria rrit pagën minimale me 8 mijë lekë nga 22 mijë në 30 mijë, ajo automatikisht rrit pagën maksimale mbi të cilën mbahen sigurime shoqërore nga 97 mijë lekë që është aktualisht në 150 mijë lekë. Me fjalë të thjeshta, çdo shqiptar që ka pagë 150 mijë lekë, pra ata pak mijëra që punojnë në profesione të mirëpaguara dhe që janë njëkohësisht taksapagues të rregullt, do të duhet të paguajnë minimalisht 10 mijë lekë sigurime shoqërore e shëndetësore shtesë.

Rritje administrative taksash

Paga minimale është një nga mënyrat që qeveritë kanë përdorur për të rritur bazën fiskale reale mbi kategori të ndryshme tatimpaguesish pa kryer ndryshime të dukshme në legjislacion. Mënyra tjetër është ndryshimi administrativ i llogaritjes së sigurimeve shoqërore e shëndetësore minimale që paguhen nga të vetëpunësuarit, ku përfshihet gjithçka, nga një shitës i vogël te ndonjë hidraulik që paguan sigurimet për veten. Në këtë kategori janë mbi 100 mijë shqiptarë, afërsisht një në çdo pesë tatimpagues. Qeveria e ka zakon që ta rrisë taksimin real mbi këtë kategori. P.sh, në vitin 2014, sigurimet shoqërore e shëndetësore për të vetëpunësuarit u rritën me 4 për qind ndërsa në vitin 2015 u rritën me 13 për qind. Nuk është e qartë se çfarë ka ndër mend të bëjë qeveria me këtë kategori, por nëse vepron edhe këtu si te paga minimale, duke e rritur me 35 për qind, efektivisht më shumë se gjysma e të gjithë të punësuarve me pagë në vend do të paguajë për të ushqyer dëshirën elektorale të rritjes së pagave të shtetit ku punojnë aktualisht rreth 100 mijë vetë.

Merrja të varfërit, jepja më pak të varfërit

Në terma afatshkurtër, një spekulim i tillë paraelektoral, pra taksimi i pagave të ulëta të sektorit privat për të majmur shtetin, ka një rezultat final zero. Zero për shkak se nëse i merr paratë 200 mijë shqiptarëve për t’ia dhënë 100 mijë të tjerëve, konsumi final i popullsisë nuk do të ndryshojë. E vetmja gjë që do të ndryshojë do të jetë raporti me shtetin. Sektori privat do të rripet për të ushqyer sektorin publik.

Kuptohet, në terma afatgjatë, rezultati final nuk është zero, ai është shumë – shumë negativ. Kur qeveria heq paratë nga sektori privat, ku paratë dalin nga puna reale dhe janë në përputhje me eficencën e kësaj pune, për t’ia dhënë sektorit publik, ku eficenca është së paku e pamatshme, atëherë pasojat janë shumë negative.

Problemi me rritjen e pagave është se një rritje e tillë ka efekt jo vetëm më 2016, por edhe në vitet në vijim. Qeveria sipas kushteve në të cilat gjendet, mund ta rrisë ose ta ulë fondin e investimeve publike, por pagat mundet vetëm t’i rrisë, nuk ka mundësi t’i ulë. Deformimi i krijuar në ekonomi nga spekulimi elektoral aktual do të vijojë të rëndojë buxhetin e shtetit edhe në vitet pas zgjedhjeve parlamentar. Paratë në dispozicion të investimeve do të vijojnë të pakësohen, ndërkohë që paratë për pagat e buxhetit do të vijojnë të shtohen.

Borxhi duhet të ulet

Qeveria aktualisht është në një pikë kyçe, në të cilën mund të vendosë të tregohet serioze ose të tregohet një qeveri e zakonshme, nga ato që kemi pasur me bollëk deri më sot, një qeveri joserioze.

Borxhi publik është rritur gjatë mandatit të kësaj qeverie nga 62 për qind e PBB-së në shtator 2013, në 73 për qind të PBB-së aktualisht. Rritja e këtij borxhi qe pjesë e një plani për të mundësuar rigjallërimin e ekonomisë para fillimit të uljes së borxhit publik. Ky rigjallërim nuk ndodhi. Pavarësisht se çfarë pretendon qeveria, prodhimi i brendshëm bruto i Shqipërisë këtë vit pritet të jetë gati 600 milionë euro më i ulët nga sa qe shpresuar nga qeveria aktuale kur kjo qeveri mori pushtetin. Kuadri Makroekonomik e Fiskal, në të cilin qeveria çdo vit parashikon treguesit makroekonomik për tri vitet pasuese e vërteton këtë mungesë. Në vitin 2014, [link], parashikimi i qeverisë qe që PBB e vitit 2016 të qe 1.61 trilionë lekë (11.5 miliardë euro). Po vetë qeveria, në kuadrin makroekonomik të këtij viti, vlerëson se PBB për vitin 2016 do të jetë 10.93 miliardë lekë. [Link]. Është domethënëse se ky parashikim është bërë në muajin shkurt 2016, ndërsa në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2016, të miratuar në korrik, prodhimi i brendshëm bruto parashikohet të jetë edhe më i ulët (plot 150 milionë euro) nga sa qe parashikuar në shkurt. Ky dështim në rritjen ekonomike të parashikuar nga vetë qeveria aktuale, është përkthyer edhe në deficit në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Për rrjedhojë, Shqipëria ka sot një barrë të borxhit publik ndjeshëm më të lartë nga sa duhej ta kishte. E vetmja arsye që mund të justifikojë rritjen e barrës së taksave mbi sektorin privat në Shqipëri është ulja e borxhit. Rritja e barrës për të paguar paga elektorale thjeshtë nuk duhet të ndodhë.

Në fund, qeveria bën mirë të tregohet serioze. Rritja e barrës fiskale aktualisht në Shqipëri është e pajustifikuar për asnjë lloj arsyeje. Por kur kjo rritje bëhet për spekulime elektorale, pasojat janë dy herë të këqija.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan