Pakti për Reformizmin

10 propozimet e 7 ekonomisteve për Shqipërinë,

Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, ekonomist,

Prof. Asoc. Dr. Luljeta Minxhozi, ekonomiste,

Prof. Asoc. Dr.Edi Puka, shkenca edukimi,

Prof. Asoc. Dr. Arbi Agalliu, financë

Prof. Asoc. Dr. Hemion Braho, jurist,

Dr.Ledia Dushi, letërsi,

Dr.Roland Lami, shkenca politike

43-ekonomistet-ok-768x439

“PAKTI PËR REFORMIZMIN”

Njëzet e pesë vite pas transformimit demokratik, Shqipëria ndodhet sërish para udhëkryqesh të vjetra, me nevojën e zgjidhjeve të reja dhe të duhura. Shumë prej proceseve ekonomike, sociale, politike apo kulturore gjenden, realisht, në udhëkryq. Nisur nga arsyetimet e poshtërenditura, ne, një grup ekspertësh dhe individësh me angazhim publik, besojmë se, disa nga masat që do të rendisim në vijim, do të ishin të dobishme për debatin publik në Shqipëri, në vëmendje të opinionit publik, vendimmarrësve, aktorëve politikë e shoqërorë, si dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ne arsyetojmë se:

Së pari: Krahas arritjeve të padiskutueshme të tranzicionit shqiptar, transformimit të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie demokratike, të hapur ndaj botës dhe, në disa aspekte, edhe të një shoqërie të zhvilluar, shumë prej proceseve të reformimit të vendit ose kanë mbetur në vend, ose kanë humbur vizionin strategjik, duke marrë tiparet e politikave të ditës.

Së dyti: Nuk mund të shmanget fakti që, për shkak të përfundimit të një cikli të plotë 25-vjeçar reformues dhe transformues, shumë prej proceseve ekonomike, kulturore, kushtetuese, ligjore e sociale, kanë manifestuar potencialet, por dhe kufizimet e tyre. Nga largësia e kësaj distance 25 -vjeçare, mund të kundrohen ato çfarë janë bërë mirë dhe nuk janë bërë mirë, çfarë është transformuar apo ka mbetur e njëjtë, si në të kaluarën e afërt, ashtu edhe në të largëtën.

Së treti: Politika aktuale, proceset politike dhe përvoja e shkurtër demokratike, pozitive apo e hidhur, e tranzicionit shqiptar, duket se shpesh herë kanë lënë në vend, kanë ngrirë ose kanë kthyer mbrapsht, për interesa të momentit, për interesa populiste apo për interesa meskine të elitës politike dhe drejtuesve të Shqipërisë, disa prej proceseve reformuese të vendit nisur pozitivisht në një kohë ose tjetër. Cikli politik, cikli ekonomik dhe interesat e ngushta të elitës dhe koniunkturës politike, kanë bërë që shumë prej reformave të lihen në mes, të mos kapen me dorë, të mos guxohet të preken, ose, çka është më revoltuesja, të bëhen keq në interes të populizmit të radhës.

Së katërti: Populizmi, ose politika populiste e orientuar drejt rezultatit elektoral, ka kompromentuar shumë prej ideve, profileve, rrymave politike, liderëve politikë, i ka vënë ata në kontradiktë dhe në inkoherencë, duke kompromentuar rëndë interesat e zhvillimit afatgjatë të vendit.

Së pesti: Duke marrë shkas nga sa më sipër, ne mendojmë se ka ardhur koha për një PAKT PËR REFORMIZMIN, pakt i gjerë 10-vjeçar mes Qeverisë dhe Opozitës, por dhe faktorëve të tjerë politikë e shoqërorë, për kryerjen e disa reformave të rëndësishme, për ta strukturuar plotësisht shoqërinë shqiptare, për ta nisur drejt një etape tjetër, drejt një etape që përgatit premisat e Shqipërisë si një vend i zhvilluar, të denjë për t’iu bashkuar familjes evropiane.

Ne besojmë se disa prej këtyre ideve gjenden aty-këtu në mjedisin politik, në mjedisin akademik, intelektual, gazetaresk apo rretheve ideologjike në Shqipërinë e sotme. Ka nevojë për një sintezë, duke kapërcyer kufijtë politikë, elektoralë, ideorë, ideologjikë apo grupeve të interesit, në funksion të një interesi të përgjithshëm: interesit publik më të rëndësishëm të momentit; zhvillimit të Shqipërisë dhe përgatitjes së një Shqipërie moderne, të gatshme për të hyrë në familjen e vendeve evropiane me të drejta të plota, në harkun e një dekade.

Ndaj, ne vijmë me një propozim të integruar, të çliruar nga interesat e çastit, ndikimet politike e interesat personale, por të përbashkuar rreth një interesi vital, që është REFORMIMI I VENDIT. Propozojmë për klasën politike shqiptare një numër reformash të rëndësishme, të cilat i kapërcejnë kufijtë e majtë apo të djathtë politikë dhe krijojnë mundësinë e një strukturimi modern të shoqërisë shqiptare, me qëllim bashkëngjitjen reale, ose të paktën afrimin me kontinentin ku jetojmë dhe zhvillimet perëndimore apo euro-atlantike në përgjithësi.

Ne ftojmë dhe inkurajojmë fort qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, në një proces reformimi të guximshëm dhe apelojmë për kapërcimin e gjithë kufizimeve që vijnë nga programet elektorale, përkatësitë partiake apo përfaqësitë e grupeve të interesave, duke qenë se interesi më i madh është zhvillimi i vendit.

Ne ftojmë opozitën shqiptare dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha, duke ruajtur profilin politik dhe ideologjik në përfaqësim të opozitës politike në vend, t’u bashkëngjitet të gjithave, ose të paktën disa prej këtyre reformave, duke ofruar mbështetje politike për reformimin e plotë të vendit. E gjitha kjo, duke mundësuar nuancimin e politikave sipas krahëve politikë, në çastin e ardhjes në pushtet. Këta hapa reformues duhet të jenë sa më konsensualë të jetë e mundur dhe nuk duhet të përbëjnë bilanc politik dhe elektoral për një krah politik, apo të shndërrohen në kosto elektorale politike për krahun që i bën apo i mbështet.

Si e tillë, ftesa jonë për një mbështetje bipartizane për REFORMIZMIN SHQIPTAR është shumë e hapur dhe e sinqertë. Ne ftojmë, po ashtu, kolegë, miq në botën akademike apo aktorë shoqërorë, përfaqësues të grupeve të interesit, për t’i debatuar këto hapa përtej kontekstit aktual e sidomos, përtej populizmit apo koniunkturës të çfarëdollojshme në të cilat ne gjendemi si shoqëri, apo si aktorë shoqërorë për momentin.

REFORMA 1- Reformë kushtetuese dhe politike drejt një Republike të Re

Institucionet aktuale nuk krijojnë ekuilibër të përshtatshëm për të administruar një jetë politike dhe demokratike. Qeveria ka shumë pushtet ose nuk ka pushtet për gjërat që duhet të ketë, ndërkohë që Parlamenti ka në dukje shumë pushtet, por pa pasur në fakt instrumentet e duhura për kryerjen e misionit të vet kushtetues. Nevoja e një reforme kushtetuese, që të futej në fuqi pas zgjedhjeve të 2021-it, edhe kjo, në mënyrë që shumica aktuale të ishte e painteresuar për ta influencuar, me qëllim përfitimesh, brenda mandatit. Kjo reformë të mundësojë krijimin e Senatit, për të agreguar dhe mos nxjerrë jashtë sistemit vlerat e elitës politike, që konkurrimi elektoral për parlamentin shqiptar i përjashton; për të krijuar një Dhomë të dytë Parlamenti, pra SENATIN E REPUBLIKES, që të zhvillojë dhe filtrojë cilësisht legjislacionin dhe politikat kryesore që kanë të bëjnë, sidomos, me pjesën natyrore të shtetit. Senati nuk do krijonte kosto shtesë, pasi do të duhej të zgjidhej nga zgjedhës të dytë, nga asambletë e përgjithshme të këshillave, komunave pas ndarjes së re territoriale. Një parlament me dy dhoma, me raportin 100 deputetë të dhomës së parë dhe afërisht 3 senatorë për qark, plus gjithë ish-presidentët e Republikës, do të krijonte një ekuilibër real të sistemit tonë politik, pa penguar, realisht, funksionet që ka dhoma e parë në qeverisjen korrente.

REFORMA 2- Financimi rrënjësisht më i mirë i jetës politike

Ne besojmë se themeli, përveç elementëve të natyrshëm të korrupsionit në shtresa ose segmente të caktuara të elitës politike, që mban në këmbë dhe ushqen një korruptim të përgjithshëm të elitës politike apo administratës së lartë shtetërore është niveli i ulët i pagës që merr elita politike dhe administrata publike, duke filluar nga Presidenti i Republikës e deri në nivelet e ulëta të shërbimit publik, përfshirë edhe sistemin gjyqësor, që tashmë është zgjidhur me reformën e saporealizuar. Nevoja që profesioni i politikanit të paguhet, në mënyrë të ligjshme, rrënjësisht më mirë, është imediate për të krijuar një profil të njerëzve të aftë, të ndershëm dhe të drejtë në shërbim të publikut në elitën tonë politike dhe më gjerë, në administratën publike. Indeksimi i sistemit të pagave të politikanëve referuar, përafërsisht, koeficientit të GDP pro capite, pra të prodhimit për frymë, është një praktikë moderne dhe plotësisht e mundshme për t’u arritur brenda një kohe të shkurtër në Shqipëri. Këtij sistemi duhet t’i nënshtrohet, më pas, edhe i gjithë sistemi i pagave në administratën publike, hap që duhet hedhur njëkohësisht me zvogëlimin numerik dhe riorganizimin e saj. Pra, më pak njerëz në administratën publike, por të paguar më mirë, më të ndershëm, të cilëve mund t’ju kërkojmë më shumë llogari. Kjo do të tërhiqte për lart edhe nivelin e pagës minimale dhe gjithë sistemin e pagave e pensioneve në vend. Kostot dhe pasojat ekonomike e financiare të kësaj mase duhet të vihen në balancë me përfitimet afatgjata që ajo do të prodhojë.

REFORMA 3 – Legalizimi i lobimit. Ligji i ri për Shoqërinë Civile dhe defiskalizimi i mecenatit kulturor

Ka një kompleks në shoqërinë shqiptare, për të pranuar ndikimin e drejtë e të ligjshëm në favor të interesit publik të grupeve të interesit, shoqatave të biznesit, organizimeve korporatiste në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe jetës së vendit, për rregullimin e sektorëve të caktuar ekonomikë apo industrive e shërbimeve të ndryshme. Shoqëritë perëndimore e kanë përballuar dhe kanalizuar pozitivisht ndikimin e grupeve të interesit, duke legalizuar çdo formë të lobimit të tyre në politik-bërjen publike dhe në jetën politike. Një LIGJ I RI PËR LOBIMIN, që të legalizojë dhe të heqë çdo kufizim për lobimin financiar të grupeve të interesit, të kompanive të ndryshme apo pjesëve të ndryshme të ekonomisë, të organizuara në pjesë të caktuara të sektorëve të ndryshme të lobeve, sipas frymës së Gjykatës Supreme Amerikane për këtë çështje, do të rriste transparencën dhe asgjësonte premisat për korrupsion dhe influenca të paligjshme për trafik influencash. Po ashtu, do ishte i dobishëm edhe një ligj i ri për Shoqërinë Civile, si dhe krijimi i hapësirave që biznesi të çlirohet nga detyrimet fiskale në rastet e mbështetjes së projekteve në fushën kulturore, artit, apo projekteve të tjera të natyrës kërkimore e studimore, projekteve sociale etj. që ndërmerr Shoqëria Civile. Më posaçërisht, njohja e më shumë shpenzimeve të zbritshme nga sa lejon legjislacioni aktual – llogaritur deri në 5% të detyrimeve tatimore për këto projekte – për efekte tatimi, do të motivonte edhe më shumë donacionin e biznesit për kërkimin shkencor, jetën kulturore, artistike apo sociale në vend.

REFORMA 4 – Platformë kombëtare e zhvillimit të qëndrueshëm.

Degradimi mjedisor, shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore dhe ndotjet masive të qendrave urbane por dhe zonave të tjera të vendit, janë një fenomen shumë shqetësuese për cilësinë e jetës në vend. Ne mendojmë se zhvillimi i ekonomisë dhe sipërmarrjes private duhet të respektojnë standardet më të larta mjedisore, duke rritur fuqimisht forcën zbatuese të ligjit. Po kështu rehabilitimi mjedisor nga dëmtimet ai që ka pësuar nga shfrytëzimi pa kriter në këto vite tranzicioni, është në kufijtë e emergjencës. Ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, edhe pse duken tepër të largëta prej nesh, janë në fakt duke e ndryshuar dhe kërcënuar jetën tonë në një mënyrë gjithnjë e më të shpeshtë dhe më të rrezikshme. Pasuria e individëve, ajo publike dhe shëndeti i shoqërisë janë përpara rreziqeve të forta dhe të panjohura dhe me ndikime të pallogaritshme.

Për këtë qëllim, një plan kombëtar që të përvijojë objektivat dhe planin e masave që duhet të realizohen nga autoritet publike, duhet të fillojë të hartohet duke angazhuar potencialet më të mira profesionale të vendit. Dhe në vijim, asnjë politikë ekonomike, reformë apo aksion publik nuk duhet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë nëse nuk është shoqëruar nga një analizë e detajuar e ndikimit që ato kanë potencialisht mbi burimet, mjedisin dhe ekosistemin.

REFORMA 5 – Platformë kombëtare për punësim dhe të ardhura dinjitoze nga puna.

Papunësia dhe puna e keqpaguar në shumë sektorë të manifakturës dhe bujqësi, janë dramat sociale të shoqërisë në tranzicion të cilat nuk mund të mos zënë një vend qendror. Punësimi i krijuar nga industritë e fasonerisë, call centers apo industri të tjera, kanë luajtur një rol pozitiv në luftën ndaj papunësisë masive në vend, por nga ana tjetër, kanë prodhuar një gjendje ku të ardhurat e punonjësve janë nën kufirin e mbijetesës.

Ne sugjerojmë që çdo politikë ekonomike e financiare, çdo alokim shpenzimesh buxhetore, çdo prioritet sektorial apo masë tjetër politike favorizuese për sipërmarrjen private, të ketë si kriter themelor, ndoshta dhe të vetëm të gjykimit të saj, punësimin dhe të ardhurat e kënaqshme që ai krijon nga puna. Në veçanti, programet e nxitjes së punësimit duhet të lidhen me arritjen e objektivave jo vetëm sasior, por edhe cilësor në punësim. Fondet publike për mbështetjen e punësimit duhet të jenë integrale, duke përfshirë rikualifikimin dhe aftësimin profesional të forcës së punës, si faktor që rrisin produktivitetin e sipërmarrjeve dhe mundësojnë politikat e rritjes së pagave, ashtu sikurse edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të punëtorëve të rinj të punësuar me të ardhura më të larta që në momentin e punësimit, duke reduktuar kostot e punëtorëve të sapo angazhuar në tregun e punës. Me prioritet duhet të konsiderohen aktivitetet industriale në zonat rurale, si një mënyrë e rritjes së të ardhurave për fermerët dhe zhvillimin rural në përgjithësi.

REFORMA 6 – Një politikë fiskale e qëndrueshme, mbështetëse për zhvillimin e sipërmarrjes dhe dekurajuese për mosshfrytëzimin e aseteve.

Ndryshimet tepër të shpeshta të politikave fiskale, dobësitë e theksuara në administrimin fiskal dhe inkoherenca në ndryshimet normative të taksave kanë qenë një tipar karakteristik i këtyre dy dekada e gjysmë tranzicioni. Kjo ka shtuar pasigurinë në planifikimin e sipërmarrjes dhe ka dëmtuar krijimin e një klime biznesi të favorshme dhe të parashikueshme.

Ne propozojmë një sistem fiskal të thjeshtë nga pikëpamja e administrimit, ku të spikasë një taksë unike mbi kapitalin dhe të ardhurat, një-nivelëshe, e rendit 12%, shoqëruar me politika preferenciale për investimet strategjike dhe me kontribut të lartë në krijimin e vendeve të reja të punës, sepse jemi vendi me investimet më të vogla të huaja dhe traditën më të paktë në kapitalizëm, por edhe sepse gjendemi në një konkurrencë të ashpër me vendet e rajonit për thithjen e investimeve të huaja. Një regjim i posaçëm ligjor dhe institucional, duke mos u kufizuar vetëm tek taksat, por dhe në elementët e tjerë të kostove, duhet të përshtatet për të thithur markat më të mëdha ndërkombëtare në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ligji për investimet strategjike duhet të rishikohet së bashku me opozitën për t’u dakordësuar në parime dhe në përmbajtje, dhe të jetë i pandryshueshëm për të paktën një periudhë njëzetvjeçare.

Ne nuk do formojmë dot qytetarë të përgjegjshëm ndaj taksave, nëse nuk kalojmë realisht në sistemin e “Numrit fiskal personal”, për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç. Kjo është baza e formalizimit të ekonomisë dhe e interesit të njerëzve për të funksionuar në një ekonomi formale. Më në fund shqiptarët duhet të futen në konceptin e deklaratës tatimore universale vjetore, ku secili të shihet sa i kontribuon realisht shoqërisë dhe sa i merr realisht asaj në raste nevoje. Legjislacioni ekzistues në këtë fushë duhet të rishikohet në këtë frymë dhe të jetë realisht i aplikueshëm. Kjo do të krijonte një sistem të fuqishëm, për të përgatitur premisat për politikat sociale, fiskale etj. Të gjithë politikat sociale në vend duhet të lidhen me deklaratën personale vjetore tatimore.

Shqipëria ka pasuri të jashtëzakonshme të fjetura, të cilat nuk shfrytëzohen, duke u bërë dëm jo thjesht atyre që i zotërojnë, por gjithë shoqërisë. Kjo pasuri mund të vihej në lëvizje duke fiksuar një taksë për tokat dhe pasuritë, tokat bujqësore ose jo bujqësore të papërdorura, duke nxitur kështu shfrytëzimin e tokës dhe pasurive të tjera natyrore, dhe duke ndikuar në krijimin e tregut real të shitblerjes së tokës. Një pasuri që nuk shfrytëzohet, duhet t’i kushtojë pronarit dhe duhet të vijë në përfitim të shoqërisë. Kjo taksë do të nxiste një kthim të punës e të prodhimit në këta sektorë. Do të fuste kapitalizmin në fshat.

REFORMA 7 – Identifikim dhe mbështetje e përforcuar e sektorit strategjik të ekonomisë

Mbështetje për sektorët e ekonomisë me avantazhe të shfaqura krahasuese. Ekonomia ka pësuar ndryshime të rëndësishme strukturore, duke kaluar drejt sektorëve më produktivë, me avantazhe krahasuese në tregjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Ne mendojmë se është me rëndësi hartimi i politikave të posaçme dhe mbështetëse, që ndihmojnë këta sektorë të fuqizojnë lidhjet e krijuara e rrisin më tej produktivitetin e tyre. Në veçanti, inkurajojmë mbështetje të fuqishme për sektorin e bujqësisë, shfrytëzimin më eficient të kapacitetit energjetik dhe të burimeve natyrore të vendit. Këto prioritete duhet të dakordësohen dhe të njihen si të tilla nga të gjithë forcat politike që do të qeverisin edhe në njëzet vitet e ardhshme, duke vendosur kufij dysheme buxhetor që të respektohen prej tyre.

REFORMA 8 – Fuqizimi i konkurrencës dhe lufta ndaj monopoleve

Ekonomia e tregut të lirë bazohet thelbësisht te konkurrenca e ndershme në treg midis të gjithë aktorëve sipërmarrës. Vetëm konkurrenca garanton përdorimin me eficiencë të burimeve dhe përfitimet maksimale për konsumatorët. Garantimi i konkurrencës së lirë realizohet nën mbikëqyrjen e tregjeve dhe rregullimin e funksionimit të tyre, mbi bazën e standardeve më të përparuara europiane. Prandaj, fuqizimi i institucioneve të mbrojtjes së konkurrencës dhe mbikëqyrjes së tregut duhet të jenë ndër objektivat më të rëndësishme të politikave qeveritare. Më në veçanti, një administratë tatimore profesionale dhe e qëndrueshme që garanton rregulla loje të barabarta për të gjithë biznesin, inspektorate dhe trupa kontrolluese të standardeve të cilësisë së mallrave dhe shërbimeve që i ofrohen publikut (ushqimit, medikamenteve, pajisjeve të ndryshme me efekte te shëndeti i qytetarëve etj.), autoritet konkurrence i pavarur dhe i mbështetur në veprimtarinë e vet, ente publike mbikëqyrëse dhe rregullatore funksionale, profesionale dhe garantuese të interesit publik, duhet të jenë objektiva të matshme të politikëbërjes publike.

REFORMA 9 – Thellimi, liberalizimi i tregut dhe standarde ndërkombëtare në ofrimin e shërbimeve publike, veçanërisht në arsim dhe shëndetësi

Ofrimi i shërbimeve publike, në veçanti arsimi dhe shëndetësia, duhet të marrin mbështetje të përshtatshme nga buxheti publik, në mënyrë që funksionimi i tyre të realizohet me profesionalizëm dhe objektivitet. Standardizim i shërbimit nga ana e të gjithë aktorëve aktualë në arsimin e lartë, transparencë dhe mbikëqyrje rigoroze e këtyre standardeve, liberalizim i plotë i tregut të shëndetësisë, etj., do përbënin disa nga premisat e mundshme për një ekzistencë njerëzore më dinjitoze, si dhe për daljen nga kjo situatë në të cilën ndodhemi. Mbështetja me fondet publike duhet të shtohet, për të arritur në të paktën 10% të PBB-së për të dy sektorët, brenda një periudhe dhjetëvjeçare. Parimi i shpërndarjes së fondeve publike duhet të jetë “Paraja ndjek individin”, duke mundësuar presionin e qytetarëve për të reformuar dhe modernizuar shërbimet publike.

Iniciativat pozitive që kanë nisur me reformimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor kanë nevojë të thellohen, duke krijuar sistemin e një konkurrence të drejtë midis gjithë ofruesve të shërbimit. Kjo është mënyra e vetme për të krijuar një shoqëri të shëndetshme.

REFORMA 10 – Paketa e nevojave bazë

Skema e pensioneve në Shqipëri, me gjithë përmirësimet e realizuara, do të vazhdojë të jetë e paqëndrueshme nga ana financiare dhe jomotivuese për pjesëmarrjen nga të punësuarit. Një skemë pensionesh me dy shkallë do të ishte një alternativë më e mirë. Një pension social për të gjithë qytetarët dhe banorët e zonave rurale në moshën mbi 65 vjeçare, me një shumë 100 euro në muaj, të indeksueshme çdo vit me normën e inflacionit, duhet të jetë baza e politikave publike për mbështetjen sociale, e financuar nga taksat. Kjo shoqërohet me abrogimin e taksës së punës (kontributeve të sigurimeve shoqërore), gjë që do të lehtësojë kostot e biznesit dhe inkurajon ndjeshëm krijimin e vendeve të reja të punës. Nga ana tjetër, fondet private të pensioneve ose skemat e kursimeve për efekte pleqërie, duhet të zhvillohen si instrumentet motivuese për gjithkënd të planifikojë një jetesë më të mirë për moshën e tretë.

Të gjitha masat liberalizuese, nuk do të kishin asnjë kuptim nëse nuk ngrihet një strukturë që do të krijonte premisat e një minimumi jetik e dinjitoz për qenien njerëzore. Këtu do përfshihen një kompleks masash që shoqëria duhet të vendosë në dispozicion të të “pamundurve”, duke bërë që humbja dhe fitimi i këtij statusi të ishte një procedurë sa më transparente e sa më e plotë. Kjo paketë dinjiteti do të përbënte një siguri për familjet nën kufirin zyrtar të varfërisë, për nevojat e tyre bazike, si arsimimi, ushqimi, vaksinat, strehimi. Sistemi i mirëqenies sociale ka nevojë për një reformim të thellë dhe të plotë, në mënyrë që t’u mundësojë realisht, grupeve në nevojë, një jetë të denjë për standardet e një shoqërie në rrugën e zhvillimit, duke shërbyer dhe si instrument thelbësor në garantimin e kohezionit social.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan