Bota po përjeton një formë të re të autokracisë

Nga Tim Horley, Anne Meng & Mila Versteeg, sinas Bota.al, 9 mars 2020

Në marsin e vitit 2018, Donald Trump, po fliste para një turme donatorësh në rezidencën e tij në Florida. Ai përmendi ndryshimin e fundit të kushtetutës në Kinë, për të hequr kufizimet mbi mandatin presidencial, çka i jep mundësi presidentit Xi të qëndrojë në atë detyrë deri në fund te jetës.

Duke u ndalur tek Xi, Trump tha:”Ai është tani një president i përjetshëm. Dhe është një burrë i shkëlqyer. Dhe ja, ishte në gjendje që ta bënte atë. Unë mendoj se është një lëvizje e përsosur. Ndoshta dhe ne duhet ta bëjmë një ditë këtë gjë…”. Turma brohoriti dhe e duartrokiti.

Në fakt, Trump ka bërë vazhdimisht batuta mbi këtë çështje, që kur është zgjedhur president. Dhe ndonëse deklaratat e Trump perceptohen përgjithësisht si shaka, shumë nga homologët e tij në skenën botërore, janë shumë seriozë në këtë aspekt.

Në janar të këtij viti, Vladimir Putin, iu drejtua kombit rus me fjalimin e tij të përvitshëm. Krahas premtimeve për të përmirësuar standardet e jetesës, duke ofruar ndër të tjera ushqim falas për nxënësit në shkolla, ai propozoi reforma të mëdha kushtetuese, që mund të dobësojnë postin e presidentit dhe kryeministrit, dhe të forcojnë atë të Këshilli i Shtetit.

Këto lëvizje, synojnë me shumë gjasa se Putini mund të mbetet në pushtet edhe pas vitit 2024, kur kufizimet kushtetuese do ta largojnë atë nga presidenca. Kështu duket sot autoritarizmi. Studimi ynë, dokumenton të gjitha strategjitë për shmangien e kufizimeve kushtetuese të mandateve presidenciale në të gjithë botën, që nga viti 2000.

Ne zbuluam se kjo praktikë është shumë e zakonshme:Rreth një e treta e të gjithë presidentëve që arritën deri në fund të mandatit të tyre, kanë bërë përpjekje serioze për ta kapërcyer ligjin, dhe për të qëndruar më gjatë në detyrë. Dhe dy të tretat e atyre që u përpoqën patën sukses.

Interesant është fakti, që jo vetëm ka kaq shumë presidentë që përpiqen të shmangin kufizimet e mandateve, por se ata janë gjithnjë e më të sofistikuar dhe “brenda ligjit” në mënyrën se si e bëjnë këtë.

Më konkretisht, ne kemi zbuluar se ekzistojnë 4 strategji themelore për shmangien e kufizimit të mandateve presidenciale, asnjëra prej të cilave nuk shkel plotësisht kushtetutën e ndonjë vendi. Strategjia e parë dhe më e zakonshme – e përdorur në rreth 66 përqind të përpjekjeve që kemi regjistruar – është thjesht ndryshimi i kushtetutës për të zgjatur ose anuluar kufizimet e mandateve. Kjo është rruga që ndoqi presidenti kinez Xi Jingping, kur pas disa kundërshtimesh të zbehta në Parti Komuniste Kineze, hoqi çdo kufizim të numrit të mandateve presidenciale 5-vjeçare.

Një strategji e dytë, e cila përbën rreth 8 përqind të përpjekjeve për të zgjatur qëndrimin në pushtet, është ajo që ne e quajmë strategjia e “propozimit fillestar”:pra kur një udhëheqës krijon një kushtetutë krejtësisht të re, duke anuluar në thelb duke kufizimet e vjetra mbi mandatin.

Kur miratohet një kushtetutë e re, mandati i udhëheqësit rifillon që nga ai moment, pa ndonjë shkelje të dukshme kushtetuese.

Kjo ishte një nga metodat e përdorura nga ish-presidenti sudanez Omar Al-Bashir, deri në rrëzimin e tij nga pushteti vitin e kaluar:Pas marrjes së pushtetit në vitin 1989, ai diktoi hartimin e 2 kushtetutave tërësisht të reja, dhe në këtë mënyrë mbeti në fuqi për dekada, pa shkelur zyrtarisht kufijtë e mandateve.

Një strategji e tretë, e cila ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm sidomos në Amerikën Latine, është sfida ndaj vetë ligjshmërisë të kufizimit të mandateve, duke i paditur në gjykatë nenet përkatëse. Kjo strategji përbën rreth 15 përqind të përpjekjeve, për të zgjatur qëndrimin në pushtet, që nga fillimi i këtij mijëvjeçari.

Për shembulls në Nikaragua, presidenti Daniel Ortega ia doli të anulonte me sukses kufizimet e kushtetutës ndaj mandateve presidenciale, duke argumentuar se ato përbënin një shkelje të të drejtave të tij njerëzore. Një histori e ngjashme, ndodhi në Bolivi dhe Honduras.

Një strategji e katërt, që përbën gjithashtu rreth 15 për qind të përpjekjeve për të shmangur kufizimin e mandateve, është ajo që ne e quajmë “strategjia besnike e agjentit”, ku presidentët  caktojnë në vend të tyre një pasardhës, që mund ta kenë nën kontroll, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë të qeverisin, edhe kur nuk janë zyrtarisht në detyrë.

Një nga shembujt kryesorë është ai i Vladimir Putinit. Ai u bë president në vitin 2000, kur presidentët rusë e kishin të kufizuar pushtetin në 2 mandate të njëpasnjëshme, me nga 4 vjet secili. Në vitin 2008, në vend se të bëhej mënjanë, apo të tentonte të zgjaste mandatin e tij si president, ai u tërhoq, duke caktuar pasardhësin e preferuar Dimitry Medvedev, që premtoi ta emërojë Putinin si kryeministër nëse zgjidhej në detyrë.

Në 4 vitet në vazhdim, Putin shërbeu si një kryeministër i fuqishëm, përballë një presidenti relativisht të mefshët si Medvedev. Më pas u miratuan disa reforma kushtetuese, përmes të cilave Putini mundi të kthehej në 2 mandate të njëpasnjëshëm presidencialë, tanimë të zgjatur

në 6 vjet secili.

Kështu, pa shkelur ligjin, Putini është në pushtet prej 20 vjetësh. Ai është udhëheqësi rus më jetëgjatë në pushtet, që nga koha e Josif Stalinit. Ndërkohë, studimi ynë ka zbuluar se rezistenca popullore, nëpërmjet përpjekjeve të koordinuara të grupeve të ndryshme të shoqërisë civile, përfshirë studentë, klerikë, sindikata punëtore, dhe në disa raste dezertorë nga partia e vetë presidentit, është deri më sot mënyra më efektive për të parandaluar qëndrimin në pushtet tej përcaktimeve fillestare kushtetuese.

Një burim tjetër i optimizmit, është se në demokracitë e konsoliduara dhe me një histori të gjatë rotacioni të pushtetit, qëndrimi i stërzgjatur në detyrë, është një dukuri relativisht e rrallë. Nga këto demokraci, vetëm 18 përqind e udhëheqësve u përpoqën të shmangin kufizimet e mandateve, kryesisht përmes ndryshimeve kushtetuese.

Gjithsesi, strategjitë ligjore dhe kushtetuese që përdorin liderët për të mbajtur veten në pushtet, janë veçanërisht të rrezikshme, pikërisht pasi ato perceptohen si procedura demokratike. Një gjeneratë e re autokratësh, e ka përsosur “artin” e të dukurit si demokratë, ndërsa në fakt ndjekin synime autoritare. Nëse ata kanë sukses, u takon qytetarëve të zakonshëm që ta marrin seriozisht kërcënimin, dhe të nisin të reagojnë. / “The Atlantic” – Bota.al

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi