Si zgjidhen organet e vetingut?

 

Cila është procedura për aplikimet për formimin e komisionit dhe kolegjit të apelimit?

Presidenti i Republikës shpall menjëherë thirrjen për të gjitha pozicionet në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend.

Kandidatët paraqesin kërkesat të shoqëruara nga dokumentacioni përkatës brenda 15 ditëve.

Brenda shtatë ditëve nga përfundimi i aplikimeve, Presidenti i Republikës përpilon dy lista, një me kandidatë që plotësojnë kriteret formale dhe një me kandidatë që nuk i plotësojnë këto kritere. Procesi monitorohet nga Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit.

Listat së bashku me dosjet e kandidatëve i përcillen menjëherë Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit. Një komision ku të paktën tre anëtarë janë nga Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit kryen vlerësimin dhe i bën rekomandimet përkatëse, të cilat Presidenti ia përcjell Kuvendit.

Cila është procedura që ndjek Kuvendi?

Komisioni ad hoc i Kuvendit është hallka e parë parlamentare në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të organeve të ri-vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky komision përbehet nga gjashtë anëtarë, tre nga shumica dhe tre nga opozita parlamentare dhe merr në shqyrtim listat e hartuara nga Presidenti i Republikës dhe vlerësimet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Ky komision mund të kalojë një kandidat nga lista e atyre që nuk plotësojnë kriteret formale tek lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, me të paktën katër vota.

Ky komision përgatit listën e kandidatëve për votim ku përfshihen të gjithë ata kandidatë që përmbushin kriteret formale dhe që kanë gjithashtu një rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit. Secili kandidat duhet të marrë të paktën pesë vota në favor.

Çfarë janë komisionet ad hoc të përzgjedhjes?

Komisionet ad hoc të përzgjedhjes janë hallka e dytë parlamentare për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Këto komisione janë dy, të përbëra respektivisht nga 6 dhe 12 anëtarë secili, me pjesëmarrje të barabartë të shumicës dhe pakicës parlamentare.

Komisioni ad hoc përzgjedhës me gjashtë anëtarë përzgjedh anëtarët e Kolegjit të Apelimit duke zgjedhur, nga lista e votimit, me votim të fshehtë elektronik, shtatë gjyqtarë titullarë dhe dy kandidatë zëvendësues.

Komisioni ad hoc përzgjedhës me 12 anëtarë përzgjedh 12 anëtarët e komisionit të rivlerësimit, dy kandidatët zëvendësues, dy komisionerët publikë dhe dy kandidatët zëvendësues për komisioner publik.

Lista me listën përfundimtare e komisionerëve, gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit dhe komisionerëve publikë të zgjedhur, bashkë me rezultatet e votimit, të prodhuara nga sistemi elektronik, i dërgohen brenda dy ditëve Kryetarit të Kuvendit, i cili menjëherë cakton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare, si dhe i përcjell të gjithë deputetëve këtë listë.

Cili është roli i seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë?

Kuvendi në seancë plenare aprovon ose rrëzon listën e dërguar nga komisionet ad hoc të përzgjedhjes.

Lista e dërguar miratohet me me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve (84 vota) të Kuvendit brenda 10 ditëve.

Nëse kjo shumicë nuk arrihet komisionet ad hoc ri-kryejnë procesin e përzgjedhjes dhe dërgojnë një listë të dytë brenda 10 ditëve.

Në votimin e listës së dytë Kuvendi mund ta rrëzojë listën e propozuar nëse në favor të rrëzimit votojnë 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij (94 vota). Në rast, nëse kjo shumicë nuk arrihet kandidatët konsiderohen të zgjedhur.

Në rast se lista rrëzohet nga Kuvendi me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të tij procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të organeve të ri-vlerësimit kalimtar rifillojnë që nga fillimi me shpalljen e vendeve vakante nga Presidenti i Republikës.

Sa është kohëzgjatja e procesit të përzgjedhjes?

Procesi i përzgjedhjes së anë anëtarëve të organeve të ri-vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë zgjat, sipas parashikimeve të ligjit, nga rreth 115 deri në rreth 165 ditë nga momenti i shpalljes së vendeve vakant nga Presidenti i Republikës.

Kush mund të jetë anëtar i organeve të vetingut?

Anëtar i organeve të vetingut (Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit) mund të zgjidhen vetëm shtetasit shqiptar që plotëson këto kushte:

  1. a) ka diplomë universitare për drejtësi në nivelin “Master i shkencave” të përfunduar në Shqipëri ose jashtë shtetit;
  2. b) ka jo më pak se 15 vjet eksperiencë pune si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës;
  3. c) të ketë marrë një vlerësim të lartë për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral të tij

ç) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratë ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit;

  1. d) ndaj tij të mos ketë nisur një hetim penal, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi, pavarësisht nëse krimi mund të jetë kryer me dashje ose nga pakujdesia dhe për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje, ose të mos ketë qenë subjekt i ndalimeve të parashikuara në ligjin për dekriminalizimin;
  2. dh) ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit;
  3. e) nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit “Mbi të drejtën e informimit me dokumentet e ish-shërbimit të sigurimit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

ë) nuk ka qenë gjyqtar, prokuror, këshilltar ligjor ose ndihmës ligjor gjatë dy viteve të fundit përpara kandidimit;

  1. f) nuk ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, ose ekspert i caktuar nga partitë politike, si dhe Ministri i Drejtësisë;
  2. g) nuk është më shumë se 65 vjeç.
  3. gj) zotëron shumë mirë gjuhën angleze.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi