Fondi i Kompensimit, shteti dhe tregu i sigurimeve

Nga Avni Ponari, botuar në Panorama, 4 tetor 2016

avni-ponariIndustria e sigurimeve në Shqipëri mbetet ende nën ndikimin e sigurimeve motorike, që aktualisht zë mbi 60% të tregut në tërësi dhe në kompani të veçanta është mbi 90%. Në rreth 24 vite të ekzistencës së industrisë së sigurimeve në Shqipëri, janë paguar mbi 300 milionë euro dëme të shkaktuara nga drejtuesit e automjeteve, shifër kjo që, përveçse dëshmon aftësitë likuiduese të kompanive të sigurimeve, nga ana tjetër tregon numrin e madh të aksidenteve që ndodhin në Shqipëri, prej nga ku ndodhin kaq shumë dëme materiale e shëndetësore.

Fatkeqësisht jemi një nga vendet me numrin më të madh të vdekjeve në Europë, mesatarisht 84.7 vdekje në vit për çdo 100 mijë automjete. Problemi në thelb nuk qëndron te dëmet që kanë paguar kompanitë e sigurimeve ndër vite, pasi tek e fundit ky është edhe misioni i industrisë së sigurimeve që të blejë riskun e ndodhive të paparashikuara dhe në fund, nëse të ndodh ngjarja, të dëmshpërblen. Shqetësimi më i madh është në një këndvështrim tjetër: janë evidentuar dhe paguar dëme të shkaktuara nga mjete të pasiguruara, të cilat vetëm për 10 vitet e fundit kapin vlerën mbi 20 milionë euro, vlerë kjo e cila, pavarësisht pagesës paraprake nga Fondi i Kompensimit, në fund është përgjegjësi financiare e shkaktarëve të dëmeve, janë ata që do dhe duhet t’i paguajnë këto dëme.

Përveç këtyre dëmeve kolosale nga automjetet e pasiguruara që janë paguar, aktualisht janë edhe rreth 15 milionë euro dëme të mbetura pezull, të papaguara, të shkaktuara po nga automjete të pasiguruara. Rastet për aksidentet me mjete të pasiguruara janë të rregulluara me ligj: nëse një automjet i pasiguruar shkakton dëm material shëndetësor apo çfarëdolloj dëmi tjetër, i dëmtuari paguhet për vlerën e dëmit nga Fondi i Kompensimit dhe me regres ky i fundit u drejtohet shkaktarëve për të rimbursuar shumën e paguar. Në vetvete ky është Fondi i Kompensimit, i cili tashmë përflitet, përgojohet dhe për disa ka qenë dhe është burim fitimi.

Vetëm në Shqipëri dhe Kosovë Fondi i Kompensimit rritet vit pas viti dhe kontribuueset më të mëdha, de fakto, janë kompanitë e sigurimeve. Ndërsa bota e qytetëruar ka Fond Kompensimi, i cili nuk financohet vetëm nga kompanitë e sigurimeve, ose financohet shumë pak nga ato. Në vende të tilla, Fondi i Kompensimit financohet nga ato dikastere, të cilat janë përgjegjëse të kontrollit dhe zbatimeve të ligjeve me përgjegjësi financiare, siç janë sigurimet e përgjegjësive: ku përfshihen sigurimet e përgjegjësive rrugore, sigurimi i profesioneve të vështira, përgjegjësive të mjekut, e shumë e shumë ligjeve të tjera, pra shpesh quhet Enti i Fondit të Kompensimit apo Fondi i Kompensimit Kombëtar.

Në Shqipëri, Fondi i Kompensimit në bazë të ligjit ka si burim financimi kontributin e kompanive në përqindje të pjesës së tregut për produktet e sigurimit, gjobat e policisë për ato automjete që konstatohen të pasiguruara (de jure, sepse de facto nuk funksionon) dhe të ardhurat që realizohen nga paditë e regresit, pra të ardhurat që grumbullohen nga shkaktarët e dëmit. Fondi administrohet nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve, përmes anëtarëve të saj.

Në thelb, ky Fond është kosto shtesë për kompanitë e sigurimit. Ka shumë të meta në funksionimin dhe administrimin e Fondit të Kompensimit, pasi, duke qenë një kompani e disa kompanive, persona të caktuar kanë abuzuar në forma të ndryshme. Situata u përkeqësua edhe më shumë, kur në vitin 2007 u vendos që Byroja të monitorohej nga anëtarë me vota të barabarta. Ky vendim krijoi një kaos në vendimmarrje, pasi 30% e tregut vendos për 70% të tregut, duke harruar faktin se ky 70% ka 20 vjet në treg dhe paguan dëmet më të mëdha e rrjedhimisht duke pasur pjesën më të madhe të tregut, paguan edhe më shumë taksa.

Sponsorizimi i këtij ndryshimi në vitin 2007 çoi në situatën ku jemi sot. Duke qenë se Fondi i Kompensimit ka ardhur çdo vit duke u rritur për shkaqet që thamë më sipër dhe administrimit të keq të Byrosë, si dhe plot shkaqe të tjera dhe abuzimeve të gjykatave të ndodhura nën presionin e avokatëve, të cilët preferojnë më shumë paditë ndaj Fondit të Kompensimit, duke zhvilluar gjyqe në shkelje të ligjit, pa prezencën e palës shkaktare, dhe duke rritur këto vlera edhe përtej përcaktimeve ligjore, kanë krijuar një situatë të vështirë për tregun, por mbi të gjitha për qytetarët.

Të gjitha këto vendime të dala nga gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë në dëm të Byrosë, pa palën shkaktare, janë në fund të fundit shkelje të rënda dhe objekt studimi e vlerësimi për të gjithë këtë kategori gjyqtarësh. Sepse nuk është Byroja shkaktare e dëmit, por personi i pasiguruar dhe vendimi për pagesë ka dalë në emër të Byrosë, por pa dijeninë e shkaktarëve. Ajo që bie në sy nga gjithë kjo situatë e krijuar është se dëmi mesatar në Byro është 2 deri në 6 herë më i lartë se dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve, dhe kjo vetëm për faktin se dëmet e trajtuara nga Byroja, duke e menduar atë si një thes të të gjitha kompanive, dhe vendimet e gjykatave, të cilat janë me të njëjtën përmbajtje kanë sjellë një rritje marramendëse dhe të pajustifikuar të dëmeve që duhet të paguajë Byroja.

Kjo tregon qartë se çfarë ndodh në të vërtetë dhe sa e rëndë është situata në të gjitha këto vendime gjyqësore. Po ashtu është interesant fakti që të gjithë përfituesit nga këto dëme nuk marrin nga avokatët që i përfaqësojnë as 40% të shumës së shpërblimit që u takon. Pra, pothuajse gjithë masa e shpërblimit u kalon avokatëve dhe jo të dëmtuarve nga aksidentet. Nëse ky fenomen do të përcaktohej qartë në ligj dhe masa e shpërblimit nuk do të ishte e lirë që avokatët të përfitojnë vlera kolosale nga viktimat dhe fatkeqësitë e viktimave, atëherë do të kishim një situatë krejt tjetër. Shumë vende të Europës, madje dhe Kosova, e kanë të përcaktuar me ligj masën e shpërblimit të avokatëve që mbulojnë proceset gjyqësore për aksidentet, veçanërisht për dëmet shëndetësore, apo rastet tragjike me vdekjen e personave.

Është paradoks që një avokat të përfitojë 50% të shpërblimit në një rast vdekjeje për një vendim të nxjerrë nga gjykata, nga Fondi i Kompensimit apo rast sigurimi. Kjo masë shpërblimi në ligjin e ri duhet të përcaktohet qartë sa duhet të jetë. Natyrisht që në ligjin e ri të sigurimeve motorike duhet përcaktuar qartë se cili do të jetë Fondi i Kompensimit dhe si duhet ndarë ai nga Byroja, pasi atributet e Byrosë nuk kanë lidhje me Fondin e Kompensimit. Shumë vende e quajnë Enti i Fondit të Kompensimit dhe ka detyrime dëmshpërblimi, jo vetëm për dëmet motorike, por edhe dëmet e tjera ku ligji kërkon sigurim të detyruar.

Pagesa e dëmeve të drejtpërdrejta nga çdo kompani për dëme, kur i siguruari është dëmtuar nga një i pasiguruar dhe përcaktimi i Fondit të Kompensimit vetëm për ato dëme që vijnë si shkak i përplasjes së të dy të pasiguruarve, i të dëmtuarve, në një mjet të pasiguruar apo kur një i pasiguruar godet objekte, apo sende të tjera dhe viktimat e rrugës do ta mbrojë klientin e do ta zvogëlojë numrin e të pasiguruarve, për shkak të veprimeve të shpejta që kompanitë do të bëjnë ndaj të pasiguruarve dhe ndjekjen me operative të shkaktarëve. Për pasojë, do të ulej edhe numri i personave që paguajnë dëme.

Ndërmarrja e këtyre masave në ligjin e ri do ta shpëtojë Byronë nga situata dhe klientët e dëmtuar, gjithashtu do të shpëtojnë nga vonesat në pagesa dhe shkaktarët nga përgjegjësitë e mëdha financiare që rrjedhin nga këto raste Sigurimi i financimit të dëmeve pezull që janë sot në Byro dhe dëmshpërblimi i tyre është objekt i rëndësishëm dhe i domosdoshëm të kryhet sa më shpejt dhe për këtë duhet që edhe shteti të bëjë detyrën, duke kaluar në Byro të gjitha gjobat e policisë për mjetet e pasiguruara, që nga viti 2009. Ky është një detyrim ligjor që duhet zbatuar dhe mendoj se është një kontribut, i cili duhet kryer sa më shpejt.

Aktualisht, nga rreth 400 mijë automjete që qarkullojnë në Shqipëri, rreth 20% deri 30% e tyre janë të pasiguruara. Në botë ka masa shumë më të ashpra për këta persona që qarkullojnë me automjete të pasiguruara si çregjistrimi i mjetit, kalimi i mjetit në skrap, gjoba shumë të rënda dhe të papërballueshme etj. Ndërsa te ne lejohen të qarkullojnë lirshëm në shumë raste, edhe duke u shpëtuar gjobave të policisë. Detyrimin ligjor për kontrollin e automjeteve të pasiguruara e ka policia. Ky kontroll është aq i thjeshtë për t’u kryer, por mungon vetëm dëshira dhe vullneti i institucioneve përkatëse, pasi tregu i sigurimeve ka qenë gjithmonë i gatshëm të investojë në infrastrukturë për ta bërë këtë kontroll në mënyrë elektronike.

Miratimi i të gjitha ndryshimeve të lartpërmendura, ndër të tjera, do të kishte një ndikim shumë të madh edhe në zbehjen e fenomenit tejet negativ social te shumë familje shqiptare, të cilat enden me muaj apo ndoshta edhe me vite të tëra nëpër gjykata, duke harxhuar edhe shuma të mëdha parash për të përfituar një të drejtë që u takon me ligj: të marrin dëmshpërblimin që u takon nga ata që u kanë shkaktuar dëmin! Dhe e gjitha kjo për faj të mosfunksionimit të sistemit.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan