Individualizmi destruktiv shqiptar

Nga Ndriçim Kulla, botuar në Mapo, 26 gusht 2016

ndricim-kulla-135x150I kultivuar apo jo nga terreni kryesisht malor, siç mendon Mid’ hat Frashëri, individualizmi është një cilësi e karakterit të shqiptarit, që nuk ka pasur dhe nuk ka ngjashmëri me individualizmin konstruktiv të njeriut europian, që është një individualizëm shoqëror, i integruar në shoqëritë përkatëse. Individualizmi shqiptar historikisht ka qenë dhe është individualizëm destruktiv, individualizëm asocial, që refuzon integrimin në shoqëri, përtej një niveli minimal fisnor. Historikisht është një individualizëm që realisht nuk pranon mbi krye një autoritet të vërtetë qendror. Faik Konica ka thënë se pa njohur këtë veçori të shqiptarëve që është individualizmi i tyre, historia e tyre mbetet një mister për atë që kërkon ta njohë atë.

Johan Georg von Hahn ka vënë re mirë këtu edhe atë veti të karakterit shqiptar që është kotësia, dhe që e ka përshkruar mrekullisht Mid’hat Frashëri. Hahn e shikon individualizmin shqiptar edhe si të nxitur nga kotësia. Shqiptari thotë Hahn nuk e sakrifikon individualizmin e tij, duke u bashkuar në komunitet nga dashuria, por e bën këtë për shkak të nevojës për të mbrojtur qenien e tij individuale nga rreziqet e ndryshme. Pra, ai i bashkohet komunitetit për ta përforcuar individualitetin e tij. Kjo mund të jetë edhe një arsye që shqiptari nuk iu ka besuar veçse komuniteteve të vogla, kur ishte fjala për t’ u integruar, fisit, bajrakut, fshatit. Hahn e shikon këtë karakteristikë të shqiptarit, si një ndryshim midis individit lindor dhe atij perëndimor, ku shqiptarin ai e llogarit në individin lindor:

Jakob Fallmerayer e sheh individualizmin shqiptar si refuzim ndaj çdo lloj organizimi shtetëror. Individualizmi shqiptar, i shprehur te etja për liri të shfrenuar siç e quan Fallmerayer ishte një refuzim ndaj frenave të ligjeve të këqija të Perandorisë Osmane. Nuk kishte arsye përse shqiptarët, të cilët i zbatonin me aq rigorozitet ligjet zakonore, të cilët i quanin të mirë, të mos bënin të njëjtën gjë me ligje shtetërore të mirë.

Herbert Louis nuk ka përdorur fjalën “individualizëm” kur përshkruan pikërisht këtë veti të shqiptarëve. Louis na thotë se shqiptarët jo vetëm që janë individualistë të skajshëm, por ata kanë një vendosmëri të përhershme për ta pohuar individualizmin e tyre gjithmonë dhe politika nuk bën përjashtim. Madje Louis, ka përshkruar mirë veçanërisht individualizmin politik të shqiptarëve, që shprehej ndër të tjera në atë që çdo individ me pak shkollim e quan veten të denjë për të qenë politikan, për të qenë ligjvënës dhe qeveritar në vend. Louis më lart thotë se mendja e shqiptarit është e drejtuar nga idealet politike, por këto ideale i përcakton si dëshirë për sundim politik, me nisma politike krahinariste dhe shpesh për t’u lavdëruar. Këto fjalë të Louis janë shumë aktuale për atë që ndodh në politikën e Shqipërisë së sotme, ku parlamenti është mbushur me turli njerëzish mediokër, deri edhe të tillë me rekorde kriminale në shumë vende të Europës, të cilët duke përdorur ndikimin e tyre lokal kanë hyrë në listat e kandidatëve për deputetë të partive dhe janë bërë ligjvënës e madje edhe qeveritarë. Shqiptarëve, në fund të fundit iu mungon ndjenja e bashkësisë, përtej një niveli të ngushtë lokal dhe kjo ka ardhur për shkak të individualizmit të tyre të skajshëm, kërkon të na thotë në fund të fundit studiuesi gjerman Herbert Louis.

Por për fat të mirë, pikërisht në vitet ’30 të shekullit XX, domethënë në kohën që Konica shkruante në Amerikë librin e tij “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” (libër të cilin nuk e përfundoi dot dhe që u botua vetëm në vitet ’50), ku bënte edhe vërejtjet e mësipërme, një studiues në Shqipëri, Branko Merxhani kishte marrë përsipër që t’u shpjegonte gjatë dhe me durim, me kompetencë shkencore prej antropologu dhe sociologu, ato gjëra për të cilat Konica nuk kishte durim t’u fliste gjatë, ndër të tjera për arsye se nuk kishte besim që ishte duke i kushtuar dikush vëmendje. Merxhani, pikërisht në kohën kur Konica shkruante në një libër që do të botohej shumë vite më vonë se të huajt nuk e kishin përcaktuar individualizmin shqiptar me termin përkatës, do të vinte re këtë dukuri të karakterit shqiptar dhe do ta përcaktonte me emrin e saktë, “individualizëm”, duke i bërë madje edhe një analizë të thelluar antropologjike dhe sociologjike. Merxhani shkruante:

Individualismi që prodhon gjëndja historike e jetës s’ onë shoqërore, është një fuqi mohonjëse pa një gjurmë ndërgjegje. Është një egërsirë që mbahet dhe ushqehet lirisht dhe vazhdimisht prej typeve të shuarë të rretheve të trashëguarë. Pjella e historisë s’ onë. Të gjitha fuqit shkatërimtare të 5. 6, 10 shekujve me radhë dhe me vazhdim, punuan pa reshtur e pa mëshirë për të prishur dhe për të prurë në një shkallë të tillë “Strukturën tonë shoqërore”.

Aspekti më interesant i kësaj analizë te Merxhanit është se ai, megjithëse ishte ithtar i teorisë që karakteri i popujve përcakton sjelljen e tyre dhe nuk influencohet veçse relativisht nga kushtet historike dhe faktorët e tjerë, ku përfshihet dhe terreni, e shikon këtë cilësi të karakterit të shqiptarit që është individualizmi destruktiv si “pjellë të historisë sonë”. Merxhani, të vetmen mënyrë për zhdukjen e kësaj vetie të keqe të karakterit shqiptar, të cilën ai nuk mungon që ta quajë “pathollogji historike” shikon vetëm veprimtarinë e intelektualëve që do të marrin rolin e edukatorëve të kombit, duke pasur edhe ndihmën e shtetit:

Fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma edhe sot në Shqipëri dhe ne vazhdojmë të vuajmë pasojat e individualizmit destruktiv të shqiptarit, të shprehur në shumë forma. Kështu, për shkak të individualizmit të tij, shqiptari e mendon veten zot të plotfuqishëm në tokën që zapton dhe atje jo vetëm ndërton pa leje, por pret pemët e bën gjithçka e mendon të arsyeshme.

Turqit, të cilët e studiuan mirë karakterin e shqiptarëve, e shfrytëzuan në maksimum këtë veti të keqe të karakterit të shqiptarëve, që ishte individualizmi i skajshëm dhe e ushqyen këtë individualizëm, me një qëllim të dyfishtë, nga njëra anë ta mbanin vendin nën kontroll dhe nga ana tjetër t’i përdornin shqiptarët sa më mirë që të ishte e mundur në shërbim të tyre në të gjithë territorin e perandorisë osmane. Rezultatet janë të njohura. Faik Konica sigurisht që ka pasur parasysh individualizmin destruktiv shqiptar, të cilin e ka denoncuar edhe vetë më vonë, kur ka thënë në 1897 se armiqtë më të këqinj të Shqipërisë nuk janë veçse shqiptarët:

Individualisti shqiptar është armiku më i keq i Shqipërisë! Këtë ka dashur të thotë këtu Konica me fjalë të tjera. Pavarësisht nëse ky shqiptar individualist rri në malet e Shqipërisë, indiferent për fatin e kombit të tij, i izoluar dhe moskokëçarës për asgjë përveçse për problemet e tij personale, apo sorollatet nëpër Perandorinë Osmane, në shërbim të Sulltanit, apo që është aktiv duke shitur kombin e vet për përfitime, ai është njëlloj armik i Shqipërisë, sipas Konicës. Kur Konica i barazon me armiqtë e Shqipërisë ata shqiptarë të cilët nuk kryenin detyrimet ndaj kombit të tyre, këtë gjë e bën me qëllimin e qartë për t’ i shkundur bashkatdhetarët e tij, të cilët me indiferencën e tij i bënin dëm atdheut të tyre, njëlloj si armiqtë më të këqinj të tij.

Shkurt, shqiptari e pranonte pushtetin e një shqiptari tjetër vetëm për aq sa ai ishte në dobi të individualizmit të tij, që nuk pranonte kufizime të tjera veç atyre të fisit. Për këtë arsye gjatë historisë kishte qenë një gjë shumë e jashtëzakonshme që shqiptarët të kryenin një aktivitet të përbashkët politik si popull. Julian Amery, një oficer britanik që ka qenë në Shqipëri në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe që më pas u bë një politikan i rëndësishëm konservator britanik, ka thënë në librin e tij me kujtime për Shqipërinë:

Shqiptarët janë kështu më shumë të shquar si individë se si popull dhe përfaqësojnë ndofta nivelin më të lartë, në të cilin mund të arrijë njeriu pa iu nënshtruar zgjedhës së komunitetit.

Ky mund të quhet përcaktimi më i mirë që iu është bërë shqiptarëve në raportin individ-popull. Ky përcaktim i Lordi Amery është një çelës për të shpjeguar atë paradoks të historisë së Shqipërisë, që ka pasur kaq shumë kryeministra (vezirë të mëdhenj) shqiptarë në Perandorinë Osmane dhe kaq shumë perandorë ilirë në Perandorinë Romake, por ndërkohë në Shqipëri shtetformimi ka qenë një proces kaq i varfër historikisht. Hyacinthe Hecquard, konsull i Francës në Shkodër në mes të shekullit XIX, në librin e tij “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë”, i botuar në 1858 në Paris ka shprehur një mendim të ngjashëm me atë të Lordit Amery, megjithëse jo kaq në mënyrë filozofike sa ky i fundit. Hecquard thotë:

Nëse, pavarësisht kësaj natyre fatmirësisht të talentuar, ilirët e lashtë dhe shqiptarët, pasardhësit e tyre, kanë luajtur vetëm një rol relativisht dytësor si komb… Shqipëria i ka dhënë gjithmonë individë të shkëlqyer Greqisë së Lashtë, Perandorisë Bizantine e së fundi Turqisë dhe Greqisë moderne.

Por, individualizmi i skajshëm shqiptar, i cili është bërë shkak për shumë konflikte midis vetë shqiptarëve, megjithatë ka pasur çuditërisht një rol pozitiv për t’i bashkuar shqiptarët kur gjendeshin para një rreziku të pushtimit të huaj, të rëndë dhe të padurueshëm, që iu kufizonte lirinë e tyre individuale primitive. Sepse të gjithë e kuptonin që kështu do të humbnin gjithçka dhe individualistët e mësuar me një pushtim që djallëzisht përpiqej të ishte sa më pak i ndjeshëm për ta, e ndjenin shumëfish peshën e një pushtimi të llojit të kundërt që qëllimisht kërkon të ishte sa më i ndjeshëm për të nënshtruarin, siç ndodhte me pushtuesit fqinj, serbët, grekët, malazezët. Prandaj shqiptarët individualistë, të cilët dukej se nuk do të bëheshin kurrë bashkë, në momentet më të rënda të rrezikut janë bashkuar për të mbrojtur vendin. Kështu ka ndodhur në 1878, në 1912, në 1920. Por në një shtet europian gjërat nuk mund të funksiononin kështu. Për të ndërtuar shtetin dhe zhvilluar një jetë shoqërore moderne, shqiptarët kanë nevojë për ta shndërruar individualizmin fisnor në individualizëm shoqëror.

Ne sot kemi nevojë, pikë së pari, të krijojmë një ndryshim themelor në kuptimin e Punës. Duhet të kuptojmë se në Atdhen e ri shqiptar që duhet të krijojmë, njeriu nuk është një individ i thjeshtë. Është një individ kompleks, një njeri shoqëror- një Bashkatdhetar. Një njeri që nuk ka nevojë të mendojë vetëm veten e vet, sepse nuk është vetëm anëtar i familjes së tij, por është anëtar i një gjendjeje shumë më të madhe, i një grumbullimi shumë më të gjerë dhe më të përhapur – është anëtar i Shoqërisë dhe i Shtetit Shqiptar.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan