Dy fytyrat e financave!

Editorial nga Monitor, 24 gusht 2016

banner_webi

Një vit më parë, Ministria e Financave nisi një fushatë agresive për të luftuar informalitetin, që duhet pranuar se është mjaft i lartë. Ndërsa veprimi u mirëprit, forma dhe agresiviteti me të cilën u zhvillua aksioni në katër muajt e fundit të 2015-s, së bashku me vendosjen e gjobave të larta e masave të ashpra ndëshkuese deri te kërcënimet me burg, u kundërshtua ashpër nga shoqatat e biznesit dhe ekspertët. Të frikshme, drastike, shkatërruese, të paimagjinueshme, shtypëse, diktatoriale, prishje e balancave të një vendi e deri te falimente me pasoja të rënda sociale afatshkurtër dhe ekonomike në afatin e mesëm, që mund të dëmtonin zhvillimin e vendit, u etiketuan në atë kohë këto masa nga bizneset. Ndërsa të gjithë ishin absolutisht dakord që informaliteti duhet luftuar, nuk pajtoheshin me mënyrën represive që po ndiqet dhe sidomos me ashpërsimin e gjobave, që shkojnë deri në 10 milionë lekë, për bizneset e mëdha që nuk dokumentojnë mallin. Sipas tyre, çdo tejkalim i ndëshkimit fiskal do të ishte i dëmshëm, sepse goditjet mund të ishin shkatërruese për bizneset. Ndërsa Kryeministri deklaronte që kjo është “luftë” edhe bizneset morën masat e tyre mbrojtëse. Por, kush fitoi?!

Koha vërtetoi që ishin bizneset ata kishin të drejtë. Aksioni agresiv i atëhershëm mund të vërtetohet lehtë që ishte i pasuksesshëm për disa arsye:

-Së pari, ishte Gjykata Kushtetuese ajo që shfuqizoi në dhjetor, vetëm pak javë pasi kishin hyrë në fuqi, supergjobat, si të papajtueshme me Kushtetutën dhe parimin e proporcionalitetit.

-Së dyti, të ardhurat në buxhet deri në fund të vitit të kaluar, teksa aksioni u përqendrua kryesisht te të vegjlit, ishin shumë poshtë planin dhe me një rritje reale negative. Vetëm në muajt e parë të këtij viti, tatimet e morën veten, pasi u fokusuan te bizneset e mëdha dhe analizën e riskut, metodë kjo që ishte rekomanduar më herët dhe nga FMN.

-Së treti, vetëm dy muaj pas fushatës agresive, teksa ambienti i biznesit po rëndohej me shpejtësi, qeveria bëri hapin e parë prapa, duke hequr taksën e biznesit të vogël, veprim që në fakt rezultoi i dëmshëm, sepse nxiti evazionin te sipërmarrjet e vogla dhe copëzimin e bizneseve.

-Së katërti, klima e investimeve u përkeqësua dukshëm dhe shkurt-marsi i këtij viti ishin të mbushura me deklarata nga shoqatat e investitorëve të huaj që paralajmëruan për mosardhje të investimeve të reja e deri për largim të investitorëve ekzistues.

-Së pesti, ashtu siç kishin paralajmëruar bizneset, ekonomia nuk arriti të gjallërohej. Konsumi mbeti i dobët, investimet u frenuan, e reflektuar kjo në kërkesën e ulët për kredi dhe papunësia në tremujorin e fundit të vitit të kaluar u rrit, për t’u përmirësuar lehtë vetëm në muajt e parë të 2016-s.

Si për t’i vënë kapakun, edhe vetë qeveria dhe financat në heshtje e pranuan që përqasja agresive ndaj sipërmarrjeve kishte qenë e dështuar. Muajt e fundit janë karakterizuar nga një klimë më e zbutur, e orientuar nga bashkëpunimi. Ndërsa ndryshimet ligjore një vit më parë, u karakterizuan nga mungesa e dialogut dhe vendosja e masave ndëshkuese, aktualisht ato po synojnë thjeshtëzimin e procedurave dhe reflektimin e qindrave kërkesave të shoqatave të biznesit. Në kahun tjetër u premtua publikisht se nuk do të kishte më rritje të taksave.

Por, duket se ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron! Një vendim i fundit i Drejtorisë së Doganave, i pakonsultuar më parë me biznesin, ka riklasifikuar lëndën e parë për veshjet e brendshme të këpucëve, çka bën që ky produkt tashmë të paguajë një tarifë doganore prej 10%, ndërsa ka ngarkuar sipërmarrjet që preken me gjoba të njëpasnjëshme. Një veprim që sipërmarrësit i ka gjetur të papërgatitur dhe madje ata kanë deklaruar se përveçse nuk po dëgjohen e sqarohen, një veprim i tillë mund t’i çojë ata në prag falimenti. Dhe në këto ditë të nxehta vere, askush nuk po u jep përgjigje shqetësimeve të tyre përballë një veprimi, që është i ndryshëm nga fryma bashkëpunuese e deritanishme dhe që dukshëm pengon eksportet e brishta.

Gjithsesi, urojmë që kjo situatë të zgjidhet shpejt dhe ky të jetë vetëm një veprim sporadik dhe të mos kthehet në një normë ku financat të mos jenë fshehur përkohësisht në lëkurën e deles për ta mbajtur mirë me biznesin teksa viti zgjedhor po afron…

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan