Rënia e Murit të Berlinit dhe ndikimet në Shqipëri

Fragment nga libri “Në fillimet e Tranzicionit”, me autor Ylli Bufi

IMG_4681Ndryshimet e sistemeve politike janë ngjarje të rëndësishme historike të një vendi, sepse shënojnë pikat e referimit të rendeve të ndryshme shoqërore. Ato përbëjnë kolonat mbi të cilat ngrihet historia e çdo shteti.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, që shënoi ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Otomane dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar, shqiptarët, gjatë historisë njëshekullore të shtetit të tyre, kanë përjetuar tri momente të tilla: vendosjen e monarkisë, më 1 shtator 1928; vendosjen e sistemit komunist në vitet 1944–1946; rrëzimin e sistemit komunist dhe vendosjen e një sistemi pluralist e demokratik në vitet 1990 – 1991.

Natyrisht, këto ngjarje historike janë produkt i përpjekjeve të shqiptarëve për krijimin dhe konsolidimin e shtetit të tyre. Ato kanë edhe protagonistët e tyre. Duhet të pranojmë se këto momente të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, janë të lidhura ngushtësisht me zhvillimet europiane të kohës. Roli i kancelarive të Fuqive të Mëdha ka qënë vendimtar për Shqipërinë e vogël.

Pavarësia e Shqipërisë lidhet me procesin e shpërbërjes së Perandorisë Otomane dhe krijimin e shteteve të reja në Ballkan. Përpjekjet shumëvjeçare të shqiptarëve dhe akti final i burrit të shquar Ismail Qemali u kurorëzuan me pavarësinë e vendit, me mbështetjen vendimtare të kancelarive të Vjenës dhe të Romës. Ishte Konferenca e Ambasadorëve në korrik të vitit 1913 që vendosi që Shqipëria të shpallej Principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme. Statuti Organik i Shqipërisë, që u hartua dhe miratua nga KNK, e shpalli atë Principatë Kushtetuese Sovrane. Ky ishte eksperimenti i parë monarkist në Shqipëri ose zanafilla e krijimit të Mbretërisë Shqiptare 15 vjet më vonë nga Ahmet Zogu.

Edhe vendosja e sistemit komunist në Shqipëri, përveç rolit përcaktues të Partisë Komuniste në drejtimin dhe organizimin e Luftës Nacionalçlirimtare, ishte e lidhur me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen e sistemit komunist në një numër vendesh të Europës Qendrore dhe Lindore. Edhe në këtë rast ka një vulë të Fuqive të kohës, të vendosur në Marrëveshjen e Jaltës (shkurt 1945).

Lidhur me momentin e tretë, përmbysjen e sistemit komunist dhe vendosjen e sistemit demokratik, në vitet 1990 – 1991, nuk mund të thuhet se, në kushtet e mungesës së një opozite politike të organizuar, qenë vetëm protestat e studentëve ato që sollën këtë përmbysje. Falimentimi i sistemit komunist në vendet e Europës Lindore, që simbolikisht njihet me rënien e Murit të Berlinit, u tregoi shqiptarëve, se atij sistemi i kishte ardhur fundi. Futjet masive në ambasada dhe protestat e studentëve ishin të frymëzuara drejpërdrejt nga këto ngjarje. Këto rrethana e detyruan udhëheqjen komuniste të Tiranës të pranonte realitetin e ri dhe të shpallte pluralizmin politik, akt që shënon njëkohësisht edhe fundin e saj.

Nga ky këndvështrim, historia 100-vjeçare e shtetit shqiptar, megjithëse e mbushur me ngjarje të shumta të rëndësishme (nga Pavarësia deri në ditët tona janë ndryshuar 83 qeveri apo janë miratuar nga Parlamenti mbi 10 Kushtetuta), përmban në vetvete tri rende të ndryshme shoqërore, që dallojnë nga njëra-tjetra prej sistemit politik (sistemi monarkik, sistemi komunist dhe sistemi demokratik), prej mënyrës së organizimit të shtetit dhe prej modelit ekonomik. Të trija këto periudha në vetvete karakterizohen nga zhvillime dhe procese kalimtare, me përmbajtje progresive apo regresive. Mund të thuhet se gjatë këtyre 100 vjetëve në përpjekjet e tyre për ngritjen dhe konsolidimin e shtetit të pavarur, shqiptarët kanë përjetuar tri tranzicione: tranzicionin monarkik, tranzicionin komunist dhe së fundmi, tranzicionin demokratik.

Sistemi politik i një vendi, si mënyra e organizimit të Shtetit, përfshin regjimin politik, strukturën ekonomike, organizimin shoqëror, etj. Pra, demokracia, monarkia, feudalizmi totalitarizmi, autotarizmi, etj, janë forma të ndryshme të sistemeve politike. Ndërsa regjimi politik, në dallim nga sistemi politik, është mënyra se si janë të organizuara pushtetet dhe sesi ato ushtrohen në një sistem politik të dhënë. Të dyja këto së bashku përbëjnë atë që quhet rend shoqëror apo sistemi i organizimit shoqëror, shtetëror dhe ekonomik: forma e organizimit të shoqërisë në një etapë të caktuar të zhvillimit të saj.

Ndryshimi i rendit shoqëror është një proces i thellë dhe që kërkon kohë, sepse ka të bëjë me ndryshimin e sistemit politik, të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të shtetit, me modelin ekonomik, në thelb me jetën e popullit. Historia botërore tregon se ndryshime të tilla mund të ndodhin me dhunë apo në mënyrë paqësore. Vendosja apo përmbysja e sistemeve totalitare dhe diktatoriale në përgjithësi është një proces i dhunshëm. Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri ishte një proces i dhunshëm, jo vetëm për faktin se u realizua përmes luftës nacionalçlirimtare, por edhe për shkak të eliminimit fizik të individëve apo organizatave që kundërshtuan sistemin komunist. Vendosja e sistemit demokratik ishte një proces paqësor, me gjithë faturën e madhe të shkatërrimeve që shoqëruan ndërrimin e sistemit.

Nocioni i “tranzicionit demokratik” si një proces politik që karakterizohet nga kalimi progresiv nga një regjim i tipit “diktaturë” në një regjim të tipit “demokraci”, ka qenë vazhdimisht objekt i gjerë diskutimesh politike dhe akademike. Sipas disa autorëve, antagonizmi midis një sistemi totalitar dhe një sistemi demokratik, si dhe kompleksiteti i ndryshimeve që ndodhin me ndryshimin e sistemit politik, e bën më të përshtatshme fjalën “përmbysje”, sesa thjesht “ndryshim”. Kjo nuk ka lidhje me faktin se ndryshimi ishte i dhunshëm apo paqësor; përmbysja konsiston në ndërtimin e një shteti të ri mbi parime thelbësisht të ndryshme nga shteti i mëparshëm. Përmbysjet e sistemit politik nxiten nga elitat politike dhe intelektuale të vendit, por gjithmonë realizohen përmes një pjesëmarrjeje të gjerë e masive të shtresave të ndryshme të popullsisë, të interesuara drejtpërdrejt për ndryshimin e sistemit politik.

Sipas disa autorëve të tjerë, termi tranzicion shpreh paqëndrueshmërinë dhe jofunksionalitetin e sistemit qeverisës. Kjo sjell nevojën e ndryshimit të sistemit qeverisës, kryesisht përmes reformave dhe zgjedhjeve, por jo të vetë sistemit politik. Në thelb dallimi nuk është në termat e përdorura. Ato shprehin procese të ndryshme që nuk mund të njësohen, pavarësisht se mund të pleksen në kohë.

Tranzicioni demokratik është një periudhë ndryshimesh institucionale, në të cilën normat demokratike imponohen si kriter legjitimues i sjelljes së aktorëve kryesorë të shoqërisë. Transformimi i sistemit të mëparshëm socialist në sistemin kapitalist të pronës private dhe të tregut të lirë, ose ndryshe, kalimi nga një sistem i vjetër totalitar në një sistem të ri demokratik, do të ishte pa dyshim një proces relativisht i gjatë. Vështirësitë lidheshin me faktin se nevojitej njëherësh transformimi i institucioneve politike, reformimi i tërë ekonomisë dhe vendosja e marrëdhënieve të reja përmes krijimit të një kuadri të ri ligjor. Vetë administrata shtetërore do të ishte subjekt i rëndësishëm i këtij transformimi.

Ndodh që ndërtimi i një sistemi të ri politik të jetë rifillim, ose ribërje. Disa prej vendeve të Europës Lindore pas rënies së Murit të Berlinit rifilluan ndërtimin e sistemit demokratik, që, në njërën apo tjetrën formë, kishte funksionuar në ato vende para vendosjes së sistemit komunist. Për Shqipërinë nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Në historinë e shtetit tonë mund të flitet vetëm për një fillim të paqëndrueshëm të një sistemi demokratik pluralist afatshkurtër në vitet 1920-1924, përvojë kjo që, pas periudhave të gjata të qeverisjeve totalitare monarkiste dhe komuniste të shoqëruara me ndërrimin e elitave, pothuaj nuk kishte lënë gjurmë në qeverisjen e vendit.

Sidoqoftë, në fillim të tranzicionit, ne nuk e mendonim se dhe pas 15 – 20 vjetësh do të vazhdonim të diskutonim se kur do të quhej i përfunduar tranzicioni demokratik në Shqipëri. Megjithë mjegullnajën, klasa e re politike e mendonte transformimin e sistemit politik të fundmë, të arritshëm në terma afat shkurtër apo afat mesëm. Tani që kanë kaluar 25 vjet nga krijimi i qeverisë së parë pluraliste të vendit, e njohur si Qeveria e Stabilitetit, tranzicioni duket si një proces pa fund, gati i paarritshëm. Tani është shumë më e lehtë të bësh analiza të plota, të paanshme dhe objektive. 25 vjet më parë situata ishte shumë e vështirë, shpërthyese dhe eksperienca e klasës së atëhershme politike ishte e pakrahasueshme me atë të sotmen.

Shpesh drejtuesit politikë të vendit, por edhe studiues të ndryshëm, kur analizojnë proceset politike që kanë ndodhur gjatë këtij tranzicioni, e konsiderojnë Shqipërinë një “rast i veçantë, i ndryshëm nga të tjerët”. Gjykoj se ky përcaktim është i pasaktë dhe jo i drejtë; ai shërben më shumë për të justifikuar vonesat apo gabimet e ndodhura në rrjedhën historike të vendit dhe bëhet një pengesë për marrjen e përgjegjësisë së zhvillimit të vendit në drejtimin e duhur. Një arsyetim tjetër i gabuar është pohimi se Shqipëria nuk është “as Lindje, as Perëndim”. Kështu thoshte R. Alia kur u shpjegonte shqiptarëve se Shqipëria nuk mund të ishte si vendet e tjera Perëndimore dhe se nuk duhej të ndiqte rrugën e vendeve të tjera të Lindjes, që kishin nisur transformimin e sistemit të tyre politik. Pra, sipas tij, ne ishim të ndryshëm nga vendet e tjera!? Kur analizohen zhvillimet politike dhe ekonomike, pa dyshim, duhet të evidencohen karakteristikat specifike të vendit, si ato që lidhen me vonesën historike të krijimit të shtetit shqiptar të pavarur, me prapambetjen e theksuar ekonomike e sociale që trashëgojmë, me mungesa të kulturës dhe të përvojës demokratike, për shkak të sundimit të regjimeve totalitare etj. Por ne nuk jemi ndryshe nga të tjerët, ne jemi të vonuar në krahasim me të tjerët. Problemi ynë sot është si të zvogëlojmë këtë vonesë, për të arritur të tjerët. Nëse vazhdojmë ta konsiderojmë veten “rast i veçantë”, ne e thellojmë vonesën në krahasim me të tjerët. Njohja dhe të kuptuarit e kësaj trashëgimie është e domosdoshme për ta konsideruar gjatë procesit të bërjes së politikave qeverisëse të vendit, por kurrsesi jo për të sajuar rrugë dhe modele të panjohura për zhvillimin afatgjatë të vendit. Për të ndërtuar të ardhmen tonë, të ndihmuar nga përvoja të vendeve të tjera, ne duhet të ecim më shpejt se të tjerët. Përvoja tregoi se procesi i integrimit europian pa dyshim është drejtimi i duhur që e lidh zhvillimin dhe të ardhmen e vendit me atë të vendeve të tjera të kontinentit europian.

Ndonëse sot në debatet akademike shtrohet pyetja se kur do të quhet i përfunduar procesi i “tranzicionit demokratik”, për të kuptuar dhe analizuar më mirë sfidat e këtij tranzicioni në Shqipëri, unë do të shtroja së pari pyetjen: “Kur ka filluar procesi i tranzicionit demokratik?”. Përgjigjja e shpejtë është se tranzicioni demokratik nis me shpalljen e pluripartizmit dhe me bërjen e zgjedhjeve të lira shumëpartiake. Por ajo që ndodhi në vendet e Europës Lindore tregon se një proces paraprak reformash liberalizuese i ka paraprirë tranzicionit demokratik me një ndikim të rëndësishëm në vetë mënyrën sesi do të kryhej ky tranzicion. Me sa duket, edhe në këtë rast, “filizat e sistemit të ri lindin në gërmadhat e sistemit të vjetër”. Ky proces reformash i kryer nga vetë institucionet e sistemit të mëparshëm njihet si proces i demokratizimit të vendit. Ndërsa një proces i tillë demokratizues në vendet e tjera të Europës ndodhi në një periudhë rreth 10 vjet para rënies së Murit të Berlinit, në Shqipëri ai mbeti më shumë në fjalë, në tentativë. PPSH nuk ndërmori reforma thelbësore që do t’i hapnin rrugë tranzicionit demokratik të vendit. Në fakt, Shqipëria ishte vendi që kishte nevojë për reforma demokratizuese më shumë prej vendeve të tjera të Europës Lindore, por ndryshimet kishin ecur në drejtimin e kundërt: drejt një centralizimi absurd, duke zhdukur edhe elemente të pronës private në fshat apo duke ndaluar me Kushtetutë marrjen e kredive financiare nga jashtë. Parimi i “ndërtimit të socializmit me forcat e veta”, në vitin 1976 u bë nen i Kushtetutës.

Vdekja e Enver Hoxhës koincidoi me ardhjen e Gorbaçovit në drejtimin e BRSS dhe zbatimin prej tij të një procesi reformash, të njohura si perestrojka dhe gllastnost. Procesi i demokratizimit të vendit në Shqipëri, të paktën, duhej të kishte filluar pas vitit 1985, kur në drejtim të partisë dhe të shtetit erdhi Ramiz Alia. Në vend që të shpallte vazhdimësinë e rrugës së E. Hoxhës, ai duhej të ndërmerrte shumë reforma demokratizuese, sidomos në drejtim të liberalizimit të ekonomisë, duke u hapur rrugë pronës private dhe marrjes së kredive nga jashtë, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm në fushën e të drejtave të njeriut, të lirisë së besimit, të burgosurve politikë etj. U tha se Kongresi IX i PPSH (nëntor 1986) i hapi rrugë zgjerimit të marrëdhënieve me botën, por ai nuk bëri gjë për abrogimin e nenit 28 të Kushtetutës që “ndalonte marrjen e kredive dhe krijimin e shoqërive të përbashkëta me vendet imperialiste revizioniste”. Nëse në vend të vazhdimësisë do të kishte nisur procesi demokratizues, transformimi i sistemit politik në Shqipëri nuk do të shoqërohej me shkatërrime masive. Edhe presioni nga jashtë prej vendeve Perëndimore do të ishte më i moderuar. Në vendet e Europës Lindore të gjitha këto reforma u bënë në vitet ’80 nga vetë partitë komuniste, që kishin pushtetin në këto vende. Nëse do të ndiqej kjo rrugë, edhe në Shqipëri rrëzimi i komunizmit do të ishte një proces i ngjashëm me atë të vendeve të tjera të Europës Lindore.

Presioni i brendshëm për rrëzimin e regjimit komunist, si në vendet e Lindjes, edhe në Shqipëri lidhej sidomos më dështimet ekonomike. Modeli shqiptar i ekonomisë bazohej në eliminimin e të gjitha formave të pronës private nëpërmjet shtetëzimit të plotë të të gjitha degëve të ekonomisë dhe të tregtisë, dhe në planifikimin tërësisht të centralizuar. Parimi i mbështetjes në forcat e veta dhe ndalimi me Kushtetutë i marrjes së kredive dhe i financimeve të tjera nga jashtë u bë kredoja e politikës ekonomike, që çoi në vetizolimin ekonomik të vendit. Në fillim të viteve ’80 ekonomia ishte e zhytur plotësisht në pasojat e politikës autarkike financiare dhe në vetizolimin e plotë të saj. Në vitin 1990, që shënon dhe fundin e regjimit komunist, kriza ishte kaq komplekse dhe e thellë, sa u shoqërua edhe me vendosjen sistemit të tollonave (racionimit) për artikujt ushqimorë dhe ato të përdorimit të përditshëm. Shumë ndërmarje u mbyllën, për shkak të mungesës së lëndëve të para. Të gjithë treguesit ekonomikë dhe financiarë u përkeqësuan me shpejtësi. Strukturat e shtetit e ndienin veten të paralizuara. Vendi ishte në prag të kolapsit. Vetëm në Plenumin e 8-të të KQ të PPSH (1989) Ramiz Alia pranoi publikisht nevojën për ndryshime radikale në sistemin ekonomik, por, në të njëjtën kohë, deklaroi se “PPSH nuk do të lejojë kurrë kthimin te prona private dhe te kapitalizmi”. Alia u shpreh se ishte i bindur që kishte ardhur koha për ndryshime, por asnjëherë nuk tha konkretisht se për çfarë ndryshimesh ishte fjala. Disa përpjekje për vendosjen e një “mekanizmi të ri ekonomik”, të ndikuara nga “perestrojka”, që përmbante disa masa të kufizuara me synim hapjen e ekonomisë dhe “zbutjen” e planifikimit të centralizuar, dështuan, sepse ishin tepër sipërfaqësore dhe nuk preknin thelbin e sistemit ekzistues politik dhe ekonomik.

Tashmë, edhe udhëheqja e lartë komuniste e shihte veten të pafuqishme përballë kësaj situate. Dështimi i sistemit komunist në Shqipëri ishte një realitet, që shqiptarët, tashmë, e ndienin. Kjo gjendje e pashpresë ndikoi së tepërmi në rritjen e presionit nga poshtë për nevojën e ndryshimeve dhe të reformave të thella me karakter politik dhe ekonomik dhe u bë shtysa kryesore për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. Duket se Alia mendonte për ndryshime që do të çonin në një qeverisje më liberale të partisë në pushtet, por gjithmonë brenda sistemit politik ekzistues. Edhe pas rënies së Murit të Berlinit, R. Alia mendonte për pluralizmin e mendimeve brenda partisë-shtet, por jo për pluralizmin politik. U abroguan disa nene të Kodit Penal (neni 55 etj.), por këto ishin disa masa demokratizuese brenda sistemit socialist ekzistues. Vazhdimisht Alia shprehej për një “proces demokratizimi gradual”, që ai e ka theksuar edhe në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, kur ky vizitoi Shqipërinë në maj të vitit 1990. Në këtë rast, R. Alia shprehu dëshirën për të marrë pjesë në mbledhjet e aktivitetet e KSBE-së, por jo të bëheshim anëtarë të saj. Siç dukej, edhe anëtarësimi në KSBE duhej të bëhej gradualisht!

Nëse do të krahasonim gjendjen në Shqipëri në vitet 1990-1991, periudhë që konsiderohet si koha e fillimit të ndryshimeve demokratike, me atë të vendeve të Europës Lindore kur filluan këto procese, do të shohim se dallimet janë shumë të mëdha:

Së pari, shumica e këtyre vendeve trashëgonin nga e kaluara kulturën dhe përvojën e demokracive parlamentare, para vendosjes së regjimit komunist;

Së dyti, në këto vende që prej viteve ‘50-‘60 kishte ndodhur procesi i destalinizimit, i rehabilitimit të kundërshtarëve politikë dhe të atyre që mendonin ndryshe;

Së treti, ato kishin bërë përparime në fushën e të drejtave të njeriut, duke u përfshirë në procesin e KSBE-së qysh prej vitit 1975. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që nuk merrte pjesë në të;

Së katërti, sidomos pas vitit 1985, nën ndikimin e perestrojkës, në këto vende ishin ndërmarrë reforma të rëndësishme ekonomike, duke liberalizuar drejtimin e ekonomisë.

Së pesti, në Shqipëri mungonin disidenca politike, grupet liberale dhe lëvizjet sindikale. Institucionet fetare ishin të mbyllura.

Në vitet 1989 – 1990 në vendet e Europës Lindore u realizua dhe akti i fundit dhe më i rëndësishëm i këtij procesi, ai i sanksionimit të sistemit shumëpartiak dhe i ekonomisë së tregut, përmes hartimit dhe miratimit të kushtetutave demokratike prej parlamenteve pluraliste. Por duhet thënë se edhe në këto vende vendosja e pluralizmit politik, e ekonomisë së tregut dhe e zgjedhjeve të lira shumëpartiake, që natyrshëm do të çonte në përmbysjen e sistemit komunist, nuk u bënë me dëshirën e partive komuniste. Ato ndodhën vetëm në vitin 1989 apo 1990, nën presionin e protestave popullore dhe të Perëndimit. Pikërisht ky moment përcaktoi rënien e komunizmit atje. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në rastin e Shqipërisë. Nga PPSH dhe nga R. Alia nuk mund të pritej që të shpallnin me dëshirën e tyre pluralizmin dhe zgjedhjet e lira, domethënë, të bënin de facto largimin e tyre vullnetar nga pushteti, që kishin mbajtur për një periudhë 45-vjeçare. Përgjegjësia e PPSH dhe e R. Alisë ishte se ata nuk ndërmorën në kohën e duhur dhe me ritmin e nevojshëm fillimin e procesit demokratizues, të paktën, pas vitit 1985.

Duke iu kthyer pyetjes për fillimin e tranzicionit në Shqipëri, duhet thënë se ai lidhet me përmbysjen politike të sistemit të kaluar, që daton me shpalljen e pluralizmit politik (dhjetor 1990), me zgjedhjet e para shumëpartiake (mars 1991) dhe me miratimin e Dispozitave kryesore kushtetuese (29 prill 1991), të cilat i hapën rrugë krijimit të institucioneve të shtetit të ri, duke filluar me parlamentin pluralist. Këtu nis rruga e “tranzicionit demokratik” në Shqipëri, e procesit politik që karakterizohet nga kalimi prej një regjimi monist në një regjim pluralist, nga “diktatura”, në “demokraci”. Pa këtë përmbysje politike paqësore ishte e pamundur të mendohej dhe të veprohej për “tranzicionin ekonomik”, për procesin e kalimit nga “plani” tek “tregu”. Trinomi pluralizmi politik, zgjedhjet e lira demokratike dhe krijimi i parlamentit pluralist do të bëhej çelësi i hapjes së portës së tranzicionit demokratik. Ndërsa rruga për arritjen dhe konsolidimin e demokracisë parlamentare dhe të ekonomisë së tregut dukej se do të ishte shumë më e gjatë.

“Kronika” e momenteve të fundit të rrëzimit të sistemit komunist në vendet e Europës Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila ishte vetëm 1-2 vjet më e vonuar se vendet e tjera, është mjaft e ngjashme. Gjithçka rrokullisej me shpejtësi. Më 9 nëntor 1989 ra Muri i Berlinit. Në intervalin prej një viti të gjitha vendet e Europës Lindore kishin shpallur pluralizmin shumëpartiak dhe kishin filluar miratimin e ligjeve për ekonominë e tregut. Ngjarjet e dhunëshme në Rumani, ku ashtu si në Shqipëri, nuk kishte ndodhur procesi i destalinizimit, ndodhën në fundin e dhjetorit 1989. Në takimin e Maltës të 3 dhjetorit 1989, Bushi dhe Gorbaçovi deklaruan fundin e Luftës së Ftohtë dhe më 1 qershor 1990 do të shkrihej Traktati i Varshavës.

Ndërkohë që në Shqipëri njerëzit ndiqnin pa frymë ngjarjet që precipitonin në vendet e tjera, udhëheqja komuniste dhe Ramiz Alia vazhdonin të hezitonin për t’i hapur rrugë pluralizmit dhe vendosjes së një sistemi të ri demokratik. Demonstratat e para filluan në Shkodër dhe në Kavajë. Më 2 korrik 1990 mijëra qytetarë u dyndën brenda ambasadave të vendeve Perëndimore. Ishte përpjekja e parë e shqiptarëve për të hapur në mënyrë shpërthyese portat e hyrjes në Europë. Ramiz Alia, brenda partisë, por edhe në publik, vazhdonte të fliste për nevojën e demokratizimit të mëtejshëm. Në takimin e gushtit me intelektualët u fol vetëm për pluralizmin e mendimeve brenda sistemit, ndërsa pluralizmi politik u konsiderua i parakohshëm dhe i rrezikshëm për vendin. Të njëjtin mesazh Ramiz Alia dha edhe në fjalimin që mbajti në OKB, në shtator të vitit 1990.

Vetëm pas 3 muajsh, ngjarjet precipituan me fillimin e Lëvizjes studentore më 8 dhjetor 1990. Kjo është ngjarja politike më e rëndësishme që përfundimisht, në mënyrë të pakthyeshme, do t’u hapte rrugë pluralizmit partiak dhe përmbysjes së sistemit komunist në Shqipëri. Menjëherë pas kësaj, më 11 dhjetor 1990 u mbajt mbledhja e Plenumit të 12-të KQ të PPSH, në komunikatën e të cilit u tha: “Plenumi shprehu mendimin se është në dobi të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit dhe të pluralizmit krijimi i organizatave politike të pavarura, në përputhje me ligjet në fuqi.” Të gjithë në Byronë Politike kishin votuar pro pluralizmit partiak, me përjashtim të Spiro Kolekës dhe Rita Markos! (Ky vendim do të institucionalizohej me Dekretin 7442, datë 17 dhjetor 1990 “Për krijimin e organizatave dhe shoqatave politike”). Në mbrëmjen e 11 dhjetorit, Ramiz Alia, në takimin me studentët i njoftoi ata për vendimin e marrë për shpalljen e pluralizmit politik, për lirimin nga funksionet të shumicës së anëtarëve të Byrosë Politike dhe për ndryshimin e përbërjes së qeverisë. Të nesërmen, Ramiz Alia iu drejtua popullit me një mesazh, i cili përshkohej nga preokupacioni se na mungojnë eksperienca dhe mekanizmat e nevojshëm juridikë, konceptet dhe etika politike…, se demokracia nuk duhet të kuptohet si një çlirim nga çdo moral politik dhe nga çdo normë juridike…, se demokracia nuk janë vetëm liritë e të drejtat, demokraci janë edhe detyrat…

Deri në vitin ’90, as Alia dhe askush tjetër nuk mendonte për zgjidhjet që duhej të çonin në ndryshimin politik të pushtetit. Drejtuesit e pushtetit komunist e kishin të qartë se pranimi i pluralizmit ishte përmbysje e pushtetit të tyre, e “atij pushteti që ata e kishin fituar me gjak dhe shumë sakrifica”. Ata e konsideronin pushtetin të tyre, sepse e quanin veten të përjetshëm në postet që mbanin prej kohësh. Ata ishin të gatshëm të pranonin çdo lloj ndryshimi, por deri atje sa të mos rrezikonin largimin e tyre nga pushteti. Ata e konsideronin lënien e pushtetit si një tradhti ndaj interesave të popullit. Natyrisht, kjo ishte një bindje e gatuar gjatë gjithë periudhës së gjatë të qeverisjes komuniste, e lidhur kjo me interesat dhe përfitimet që sjell të qenit në pushtet. Sa më e dhunëshme të ketë qenë mënyra e mbajtjes së pushtetit, aq më e vështirë është pranimi i largimit prej tij.

Megjithëse me vonesë, vendimi për shpalljen e pluralizmit partiak e bëri Ramiz Alinë figurën qendrore të tranzicionit në Shqipëri. Ai kishte përvojën e një burri të shtetit, që në atë kohë ishte veçanërisht e nevojshme. Ai mund të jepte një kontribut të rëndësishëm në këtë proces, sidomos në periudhën kur ishte në pozicionin e Sekretarit të Parë të PPSH dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kur u zgjodh në vitin 1991 President i vendit, mundësitë ishin pothuaj zero, sepse, me dispozitat e reja kushtetuese, kompetencat e tij nuk e lejonin të kishte rol politik. Alia e kuptonte nevojën e ndryshimeve, e kuptonte se ndryshimet që ndodhën në vendet e tjera të Europës Lindore do të ndodhnin edhe në Shqipëri, por ai vazhdimisht kujdesej të zgjaste në kohë rënien e sistemit socialist. “Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim” ishte një mesazh që, në thelb, shprehte krizën e brendshme që ai vetë përjetonte. Ai, kështu, u jepte kurajë vetes dhe shokëve të tij byroistë dhe mbante të bashkuar anëtarësinë e partisë. Në fakt, Alisë i mungonin kuraja dhe guximi për të bërë ndryshimet që kërkonin koha dhe vetë shqiptarët.

Thuhej se për kryerjen e reformave Alia pengohej nga konservatorët në Byronë Politike. Besoj se kjo nuk është e vërtetë. Tashmë, të gjitha procesverbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike janë bërë publike dhe në to duket se në të gjitha vendimet që ka marrë, Alia nuk ka pasur kundërshtime nga anëtarët e Byrosë. Ata ishin të paaftë dhe mediokër, por nuk u bënë në asnjë rast pengesë. Ata, natyrisht, të qejfmbetur, nuk kundërshtuan edhe kur Alia i përjashtoi nga Byroja. Mosveprimi i Alisë tregoi se ai nuk mund “të tradhtonte” sistemin që E. Hoxha dhe udhëheqja komuniste, pjesë e së cilës ishte dhe Alia, kishin ndërtuar për gati 50 vjet në Shqipëri. “Atij i mungoi aftësia për të thyer guackën e kalcifikuar të regjimit, ku ishte i mbyllur vizioni i së ardhmes”, thotë Spiro Dede në një intervistë të tij. Kjo ndikoi që të rriteshin edhe presionet nga Perëndimi, kjo bëri që shqiptarët t’i drejtohen “procesit të rrugës”, proces që, natyrisht, do të dilte jashtë kontrollit dhe do të destabilizonte vendin.

Ideja e kalimit gradual nuk ishte e besueshme, sepse Alia ishte shumë i vonuar. Do të kishte kuptim të flitej për gradualitetin e procesit reformator në vitin 1985, pas vdekjes së E. Hoxhës. Në të kundërt, atëherë Alia foli për vazhdimësi. Ky ishte një gabim historik i tij, që do të kishte ndikimin e vet në gjithçka që do të ndodhte më vonë, sidomos në vitin 1990. Alia, veçanërisht kur opozita politike filloi të organizohej, nuk ishte më i besueshëm. Ideja e tij e gradualitetit interpretohej si një përpjekje për të mos ndryshuar gjë në thelbin e sistemit. Në librin e tij “Jeta ime”, Ramiz Alia shprehet se “krejt e kundërt, ishte nxitja që vinte nga qarqe të ndryshme politike të Perëndimit, sidomos nga SHBA. Ata nuk e dëshironin strategjinë e gradualitetit. Propaganda që bëhej në drejtim të Shqipërisë, nxiste që proceset e filluara në Europën Lindore të përfundonin sa më parë edhe në vendin tonë, pavarësisht nga çmimi. Ajo nuk merrte parasysh, as realitetin shqiptar, as psikologjinë kombëtare shqiptare. Ngutja kishte për qëllim ndryshimin e sistemit shoqëror ekzistues, pra, zhdukjen sa më parë të çdo gjurme të komunizmit.”

Ndryshimet, sado të vogla apo të pjesshme, ishin rezultat i presionit të jashtëm apo të ngjarjeve që ndodhnin në vend. Gjithnjë synohej që, në varësi të situatës, të kërkoheshin zgjidhje që të ishin brenda sistemit ekzistues. Alia asnjëherë nuk foli hapët së çfarë ndryshimesh do të bënte. Opinionit publik duhej t’i bëhej e ditur se çfarë do të thoshte “gradualitet” në terma konkrete. Duke mos e thënë këtë, perceptimi ishte që Alia fliste për pseudoreforma, që ai, në thelb, nuk dëshironte të ndryshonte sistemin politik ekzistues. Nëse pluralizmi dhe kushtetuta e re do të ishin bërë në fund të vitit 1989 apo në fillim të 1990-s, ngjarjet në Shqipëri me siguri do të kishin një rrjedhë tjetër, të ngjashme me atë të vendeve të tjera ishkomuniste. Në fakt, PPSH-së i mungonte një platformë ku të përcaktoheshin hapat e ndryshimeve kryesore politike dhe ekonomike, që do të ndërmerreshin, si dhe afatet e realizimit të tyre. R. Alia e pohon se “unë nuk arrita që, krahas përpjekjeve për të evituar të keqen kryesore të mundshme në ato momente, pra gjakderdhjen, të nxitja dhe të udhëhiqja përpunimin e programit të ri të punës së partisë, që t’i përshtatej gjendjes së krijuar.”

Në fakt, pas Konferencës Kombëtare të PPSH, që u mbajt në fundin e dhjetorit 1990, grupi i ri reformues që mori drejtimin e partisë, si Spiro Dede, Ismail Lleshi, Fatos Nano etj., filloi hartimin e një programi të ri politik, por ai ishte më shumë një përshtatje afatshkurtër për situatën e krijuar, sesa një program i mirëfilltë politik për ndryshimin e sistemit politik të vendit. Drejtuesit e rinj reformistë, që morën drejtimin e PP dhe pastaj të PS, nuk e kishin autoritetin, përvojën dhe kohën e mjaftueshme që të drejtonin këtë proces. Vonesa e Alisë i dëmtoi edhe ata. Ata e pranuan tezën e Alisë për gradualitetin e reformave, që, në fakt, u shndërrua në tezën e lënies graduale dhe paqësore të pushtetit. Ndërkohë që PPSH mbante peshën e rëndë të qeverisjes së saj të dështuar, ajo hezitonte të bënte publike dhe t’u shpjegonte shqiptarëve programin për ndryshimin e sistemit politik në vend.

Pas shpalljes së pluralizmit dhe krijimit me shpejtësi të forcave të reja politike opozitare, ishte e vështirë, pothuaj e pamundur, që PPSH dhe Alia të ruanin një lloj kontrolli të normalitetit të procesit. Tashmë, do të ishte opozita politike që do të kishte nisiativën e veprimeve. Ende të paorganizuara dhe të paformësuara si alternativa politike, forcat politike opozitare filluan të veprojnë si një front antikomunist. Objektivi i parë imediat i opozitës ishte rrëzimi i komunizmit, prandaj parullat dhe veprimet e saj do të ishin antikomuniste. Megjithëse programet e para të forcave opozitare përmbanin objektiva për ndërtimin e një shteti demokratik sipas modeleve perëndimore, në realitet, në vend të një alternative demokratike, ato kishin frymë thjesht antikomuniste. Në mbështetje të këtyre forcave mjaft aktive ishte dhe diaspora antikomuniste, sidomos ajo me banim në SHBA. Me sa dukej, modeli specifik komunist shqiptar, i karakterizuar nga lufta e egër e klasave, nga dënimi dhe eliminimi i kundërshtarëve politikë, pas 45 vjetësh do të gjeneronte të kundërtën e tij. Përmes nxitjes së veprimeve të rrugës u shkatërruan shumë pasuri publike, sepse, marrëzisht, ato identifikoheshin me sistemin komunist. Konflikti antikomunist çoi në destabilizimin e thellë të vendit, pasi opozita mendonte se ky do t’i shërbente asaj për të marrë pushtetin. Një platformë e tillë antikomuniste, jolargpamëse, mbështetej sidomos nga mungesa e përvojës politike të drejtuesve të rinj të opozitës, nga elementë të veçantë me ide dhe prirje radikale në strukturat e saj, si edhe nga pjesëtarë të diasporës. Dukej se kjo platformë mbështetej edhe në vlerësimet dhe këshillimet që vendet perëndimore u jepnin drejtuesve të opozitës. Sigurisht që këto vlerësime të të huajve bazoheshin, kryesisht, në të dhënat shërbimeve inteligjente. Për shkak të mungesës së prezencës së tyre në Shqipëri për një periudhë të gjatë, mjaft vende përdornin më shumë informacionet e shërbimeve sekrete të vendeve fqinje me Shqipërinë, të cilat ishin prezente në Shqipëri.

Imazhi i Shqipërisë si vendi i vetëm stalinist në Europë dhe deklarimet e Hoxhës dhe të Alisë që Shqipëria nuk do të ndryshojë kurrë, se Sigurimi i Shtetit është një organizëm i plotfuqishëm etj. kishin krijuar opinionin se komunizmi në Shqipëri nuk do të rrëzohej lehtë, se kjo do të bëhej me gjakderdhje. Këto vlerësime çuan në përpunimin e platformave për destabilizimin e thellë të vendit nëpërmjet “veprimeve të rrugës”. Nxitja e këtyre veprimeve ishte relativisht e lehtë, për shkak të mungesës së kulturës demokratike, elementëve radikalë, sidomos të atyre të dënuar nga regjimi komunist, si dhe për shkak të varfërisë së skajshme etj.

Pa dashur të hyj këtu në ngjarjet dhe në argumentet konkrete, dua të vë në dukje se të gjitha këto veprime shkatërruese u ndërprenë sapo opozita erdhi në pushtet, domethënë, kur u plotësua objektivi i rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Shkatërrimet masive që u bënë në emër të antikomunizmit ishin një dëm me vlerë kolosale, faturën e të cilave ende po e paguan populli shqiptar. Ato do ta bënin shumë më të vështirë vetë procesin e rimëkëmbjes ekonomike dhe, në përgjithësi, tranzicionin demokratik të vendit.

Në fakt, në fillim të vitit 1991 vendi ishte në një udhëkryq dhe në kaos. PPSH në pushtet ishte tërësisht e papërgatitur për ta drejtuar procesin reformator të transformimit politik dhe ekonomik të vendit. Morali i saj politik nuk e inkurajonte në këtë drejtim, sepse ajo e ndiente përgjegjësinë dhe ishte e kompleksuar për gjendjen në të cilën e kishte katandisur vendin. Partitë opozitare që po krijoheshin kishin euforinë dhe mbështetjen e jashtme, por ende jo të popullit. Lidershipit të tyre u mungonin përvoja dhe njohuritë e drejtimit. Ato kishin si objektiv rrëzimin nga pushteti të PPSH-së dhe marrjen e pushtetit. Pas kësaj, ato do të ishin në gjendje të bënin çdo gjë nga e para. Këtu e ka origjinën dhe parulla e “çekut të bardhë”. Në vend të shpalosjes së platformave dhe alternativave të tyre politike dhe ekonomike, forcat politike opozitare, sidomos Partia Demokratike, zgjodhën protestat dhe demonstratat. Këto, zakonisht, shoqëroheshin me përleshje, me veprime të dhunshme ndaj policisë dhe institucioneve të tjera të shtetit. Ndërkohë, gjërat precipitonin me shpejtësi: ekonomia ishte në kolaps, mungonin mallrat ushqimore, rendi destabilizohej me shpejtësi, vendi shkonte drejt një anarkie të vërtetë.

Në janar 1990 në Shkodër u organizuan protesta për heqjen e bustit të Stalinit, në janar 1991 Sindikatat e Pavarura filluan greva për të paralizuar transportin urban dhe pastaj edhe në miniera. Në fillim të shkurtit, në Durrës u bë përpjekja e parë për një eksod masiv, por që u pengua nga forcat e rendit. U plagosën 35 policë, u dogjën disa dyqane dhe u thyen shumë vitrina. Ngjarje të tilla dhune do të ndodhnin edhe në Korçë, Kavajë, Shkodër, Elbasan etj. Më 7 shkurt, Sali Berisha dha një intervistë në “Zërin e Amerikës”, duke thënë se në vend “ekziston mundësia e një grushti shteti”. Nga fundi i shkurtit, studentët e Universitetit të Tiranës nisën grevën e urisë me kërkesën për heqjen e emrit të Enver Hoxhës Universitetit të Tiranës. Për disa ditë rresht në qytetin e studentëve PD organizoi disa mitingje me pjesëmarrje masive të qytetarëve, ku u hodhën parulla antikomuniste, kundër PPSH dhe Enver Hoxhës. Më 20 shkurt, një turmë e madhe manifestuesish iu drejtua sheshit “Skënderbej” dhe rrëzoi statujën e Enver Hoxhës. Ngjarja nuk pati gjakderdhje. Kjo ishte fitorja e parë më e rëndësishme e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri, por që ndikoi në tensionimin e situatës në vend. Pamjet e rrëzimit të monumentit u bënë lajmi kryesor i televizioneve të botës. Provokime për gjakderdhje u tentuan edhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Të nesërmen, turma njerëzish në bulevardin kryesor të Tiranës tentuan të suleshin në drejtim të Muzeut të Enver Hoxhës, të Bllokut dhe institucioneve të tjera të shtetit, por, fatmirësisht, u arrit të ndaleshin. Këto ngjarje sollën kundërreagimin e komunistëve dhe të veteranëve të luftës, të cilët organizuan mitingje dhe protesta në shumë qytete të vendit. Të nxitur nga individë të ekstremit të majtë, ata organizuan lëvizjen “Vullnetarët e Enverit”, të cilët kërkuan rivendosjen në vend të nderit të Enver Hoxhës. Ata bënë përgjegjës Ramiz Alinë për situatën e krijuar, për shkak të lëshimeve që ai kishte bërë. Më 22 shkurt, qeveria ‘Çarçani’ u zëvendësua me një kabinet të përbërë kryesisht me ekspertë të fushave përkatëse, të drejtuar nga Fatos Nano. Në muajin mars, në portet e Vlorës, Durrësit dhe Shëngjinit forcat e rendit nuk qenë në gjendje të sprapsnin turma të mëdha njerëzish, që rrëmbyen anijet dhe u larguan drejt Italisë. Ishin mbi 25 mijë veta që u larguan nga vendi, ngjarje kjo që rëndoi më tej situatën në vend.

            Barra e vështirë e përballimit të kësaj situate i mbeti, kryesisht, vetëm Ramiz Alisë. Ai pati meritën e madhe që përmbysja e sistemit komunist në Shqipëri u bë pa gjakderdhje. Provokacionet për të shkaktuar gjakderdhje nuk munguan. Të tilla qenë rrëzimi i monumentit të E. Hoxhës, eksodi i marsit 1991 në portet kryesore të vendit, ngjarjet e Shkodrës etj. Nëse do të kishte gjakderdhje, presioni i jashtëm do të ishte më i madh dhe i drejtpërdrejtë për të larguar udhëheqësit komunistë nga pushteti. Opozita politike në Shqipëri ishte shumë e dobët, prandaj rrëzimi i komunizmit shpresohej më shumë nëpërmjet presionit të jashtëm. Mendohej që regjimi komunist në Shqipëri nuk mund të rrëzohej aq lehtë, me një apo disa protesta, qofshin këto edhe masive. Vrasjet e disa protestuesve do të ishin një shkak i mjaftueshëm për t’i bërë të dhunshme protestat. Një skenar i tillë ishte edhe ai i Çausheskut në Rumani apo edhe disa raste në vende të tjera, që mbetën në tentativë. Por skenari me gjakderdhje nuk u realizua në Shqipëri. Në menaxhimin e këtyre situatave të vështira R. Alia u tregua një burrë shteti i matur dhe i aftë për të parashikuar drejt çfarë do të ndodhte në Shqipëri. Roli i lidershipit në menaxhimin e këtyre situatave me tensione të forta sociale është përcaktues. Mjafton të krahasohet mënyra se si u menaxhuan protestat për rrëzimin e regjimit komunist me atë që ndodhi nga protestat e vitit 1997. Ndërsa në protestat e viteve ‘90 nuk pati gjakderdhje, në ngjarjet e viteve ‘96-’97, për shkak të rënies së shtetit, pati më shumë se 2000 të vrarë.

Megjithë faktin që PP, tashmë, ishte futur në rrugën e transformimit të vet, largimi i saj nga pushteti identifikohej me përmbysjen e komunizmit, me përmbysjen e asaj diktature komuniste që kishte sunduar vendin për 45 vjet. Lufta e klasave dhe dënimi i kundërshtarëve politikë ishte zbatuar në mënyrë tepër të ashpër në Shqipëri. Këtë, tashmë, e pranonin edhe vetë drejtuesit e PP. Ç’farë reperkursionesh do të kishte kjo? A do të shoqërohej ndërrimi i pushtetit edhe me hakmarrje? Thirrjet “komunistët në litar” dëgjoheshin nga individë të veçantë, por një frymë e tillë ishte prezente gjithmonë e më shumë. PD distancohej nga parulla të tilla, por individët radikalë që i lëshonin ato ishin pjesë e strukturave drejtuese të saj. Pra, a do të ishte largimi i PPSH nga pushteti një rotacion normal demokratik i pushtetit nga një parti, në tjetrën, siç do të ndodhte më vonë çdo katër vjet në Shqipëri?

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi