Qeveria teknike dhe ‘’teknikët’’ e politikës

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 11 gusht 2016

Ervis-Iljazaj-150x150Që nga dita, që Ilir Meta artikuloi për herë të parë idenë e qeverisë teknike, gjatë kohës kur zhvilloheshin negociatat për aprovimin e reformës në drejtësi, kjo është kthyer në kauzën kryesore të opozitës. Me justifikimin e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme , partia demokratike nuk ka lënë rast pa bërë një kërkesë të tillë , që në vetvete, përbën një absurd politik dhe një pafuqi për ti propozuar shqiptarëve një alternativë të besueshme të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Duket, se Partia Demokratike ka rënë qartazi në ‘’grackën’’ që LSI i ngriti kësaj force politike për ti bërë ‘’presion’’ aleatit të saj në qeveri, për ti treguar se çdo ekuilibër politik , qoftë edhe vazhdimësinë e qeverisë e vendos ajo.

E vetmja shpresë që Partia Demokratike ka për të ardhur në pushtet, me sa duket, është ndjekja me interes e marrëdhënieve brenda koalicionit qeverisës. Kjo përbën një fatkeqësi të politikës shqiptare. Në fakt, kështu ka qenë gjithmonë. Forca e vërtet e opozitës, artikulimi dhe alternativa e saj, ka munguar gjithmonë dhe e vetmja shpresë e ardhjes në pushtet, ka qenë dështimi i mazhorancës dhe jo merita e saj.

Kjo ka dëmtuar në mënyrë të vazhdueshme garën e alternativave e cila do të duhej të ishte loja kryesore e ndërrimeve të pushtetit. Ajo që ka ndodhur gjatë viteve të tranzicionit, është fakti se, pushtetet janë ndryshuar gjithmonë si pasojë e kalkulimeve të ftohta politike dhe jo si pasojë e besueshmërisë të politikave për zhvillim, që forcat politike ofrojnë.

Kështu, me sa duket , do të ndodhë dhe kësaj radhe. Partia Demokratike ka krijuar varësi nga ‘’shkelja e syrit’’ që Ilir Meta i bën herë pas here kësaj force politike. Për interesat e saj kuptohet.

Kjo varësi që Partia Demokratike po krijon nga marrëdhëniet brenda forcave politike të koalicionit qeverisës po dëmton rëndë atë si forcë politike dhe Shqipërinë në mungesën që kanë shqiptarët të alternativës opozitare.

Edhe vetë Luzim Basha, e di, që kjo kërkesë, është absurde dhe pa asnjë lloj logjikë politike, kundër një mazhorance, e cila ka një numër deputetësh prej 84 mandatesh. Ndonjëherë, kjo kërkesë kthehet në qesharake, kur ajo artikulohet nga aleatët e Partisë Demokratike siç është Aleanca Kuq e Zi, e cila nuk ka asnjë peshë politike . Qeverinë teknike mund ta kërkojë vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim . Ajo me sa duket është e vetmja forcë politike ‘’teknike’’ në sistemin politik shqiptarë.

I ndodhur përballë një mazhorance kaq të madhe të të majtës të bashkuar , Lulzim Basha, e di fare mirë, që nuk ka asnjë shans për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Andaj, ai po përgatit terrenin për të krijuar një klimë tensioni dhe mosbesimi në procesin zgjedhor të ardhshëm. E vetmja mënyrë për të dobësuar qeverinë e së majtës dhe rëndësinë e partisë së tij në skakierën e politikës është krijimi i idesë në opinion publik, se kjo qeveri nuk mund të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj, është domosdoshmëri, sipas tij, krijimi i një qeverie teknike.

Por çfarë është një qeveri teknike dhe kur është e domosdoshme ajo?

Me qeveri teknike kuptojmë një qeveri pa identitet politik, që mund të mbështetet nga forcat politike dhe që krijohet në kushte emergjente politike dhe ekonomike , kur partitë politike nuk mund të shprehin një qeveri plotësisht funksionale. Pra, me fjalë të tjera, një qeveri me ekspertë, në rastet kur politika nuk është e aftë të krijojë një të tillë.

Situata politiko-ekonomike e vendit, personalisht , mendoj që nuk ka asnjë nga kushtet e lart përmendura, me gjithë kritikat që mund të meritojë kjo qeveri.

Prandaj, Partia Demokratike do të bënte mirë të linte sa më parë tezën e qeverisë teknike dhe të vazhdojë në misionin që Kushtetuta i ngarkon asaj. Të vazhdojë t’i ofrojë popullit alternativën e saj qeverisëse dhe të denoncojë me forcë abuzimet e pushtetit dhe keq qeverisjen, siç në shumë raste e ka bërë, në mënyrë që, ecuria e saj mos të ngelet peng e marrëdhënieve PS-LSI dhe shqiptarët peng i kalkulimeve të ftohta politike për pushtet. Në fund të fundit demokracia kjo është. Ka mekanizmat e saj të rregullimit të pushtetit politik. Ndoshta nuk është forma më e mirë e qeverisjes, por mënyrë më të mirë qeverisëse nuk kemi parë deri më tani.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi