Drejtësia, si raport i përhershëm force

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 17 qershor 2016

Ervis-Iljazaj-150x150Në vitet e fundit në Shqipëri, problemet e drejtësisë janë përjetuar kryesisht si një përplasje e pushteteve të shtetit, përplasje që është karakterizuar nga një dhunë verbale e pazakontë. Kjo dhunë, shpesh herë nuk ka lënë indiferent dhe pushtetet informale, duke filluar që nga masmedia e duke përfunduar te pushtet antishtet që bashkëpunojnë me ato në mënyrë të padukshme, por po aq të dhunshme.

Kundërshtitë drastike dhe tensionet e rrezikshme të përhershme kur flitet për drejtësinë, janë shfaqur jo vetëm midis palëve politike, por edhe midis institucioneve dhe organeve të shtetit, të cilat janë stimuluar nga kjo klasë politike që tenton rregullisht t’i këtë nën kontroll ato.

Ndër të tjera, natyra e drejtësisë në Shqipëri kthehet edhe më shumë konfliktuale nga një vizion i gabuar që kemi për atë, që gjendet kudo prezent, në mediat tona, në botën politike dhe në funksionin jo të zakontë që i japim asaj. Një vizion i cili tenton të transferojë konfliktin politik në proceset gjyqësore me objektivin për të zgjidhur këto konflikte me natyrë politike nëpërmjet rrugës së drejtësisë.

Nuk mungojnë as përplasjet konfliktuale brenda vetë institucioneve të drejtësisë sepse dhe brenda atyre mureve, raportet e forcës kanë mbizotëruar kundrejt sensit të përgjithshëm të dhënies së drejtësisë.

Nga ky konflikt i përhershëm midis pushteteve për “drejtësi”, në debatin publik dhe në perceptimin kolektiv, i gjithë funksioni i drejtësisë ka dalë nga ndërtesat e saj të zakonta për t’u zhvendosur në konfliktet politike, duke humbur kështu konsensusin e përgjithshëm që një pushtet kaq thelbësor për demokracinë duhet të ketë.

Në të gjithë këtë luftë për “drejtësi” ka mbizotëruar gjithmonë dimensioni politik i konfliktit midis institucioneve, duke sjellë në këtë mënyrë delegjitimimin e vazhdueshëm të tyre. Si pasojë, një popull i privuar nga institucione të besueshme kthehet në një masë amorfe, ku konfliktet midis institucioneve nuk rregullohen nga e drejta dhe nga ligji, sepse nuk kemi të bëjmë me të drejtën apo të padrejtën, por thjesht me një force që ushtrohet vazhdimisht mbi to.

Kështu kemi humbur sensin e drejtësisë dhe i kemi hapur rrugën një “nihilizmi juridik” ku drejtësia sigurohet vetëm nëpërmjet vullnetit subjektiv të kujtdo, pa asnjë pikë mbështetjeje parimore apo principi të jashtëm që është mbi atë vullnet dhe çdo konflikt zgjidhet thjesht nga një raport force. Kjo forcë na shfaqet në të gjitha mënyrat dhe dimensionet e saj, te një gjykatës, te një prokuror, te një politikan dhe kudo që ka fuqi vendimmarrëse.

Edhe kësaj herë jemi po në të njëjtën situatë. Në të vërtetë, bllokimi dhe mosdakordësia që mbizotëron midis partive për Reformën në Drejtësi është thjesht një konflikt politik, i cili si qëllim ka vendosjen e raporteve të forcave midis palëve politike.

Pushtetin e tyre dhe peshën politike çdo aktor kërkon ta vendosë nëpërmjet aksesit të saj në pushtetin gjyqësor dhe jo me anë të një gare elektorale të ndershme dhe reale. Mirëpo ky pushtet i vendosur në këtë mënyrë është thjesht një artific po aq i rrezikshëm sa kapja e drejtësisë. Ai nuk vjen si pasojë e qeverisjes së mirë dhe alternativave për zhvillim, por thjesht si një strategji perfide e lojtarëve politikë.

Prandaj, janë të kota të gjitha diskutimet mbi formulat juridike, të cilat do të na siguronin një drejtësi të pavarur. Nuk ekziston asnjë formulë e tillë, që do të evitonte përplasjen e forcave të politikës për të vendosur vullnetin e saj, sepse problemi i vërtetë që ne kemi, është konflikti i skajshëm politik, i cili zbrazet pikërisht në luftën për “drejtësi”, për të siguruar mbijetesën në forma jo demokratike por thjesht si forcë e përhershme e vendosur në të gjitha hapësirat vendimmarrëse që ekzistojnë.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan