Konflikti, kompromisi dhe konsensusi në demokraci

Nga Marc Mathew, Universiteti i Tucson-it, 15 qershor 2016

compromiseDemokracia nuk është gjë tjetër veçse një sërë rregullash për zgjidhjen e konfliktit. Në të njëjtën kohë, ky konflikt duhet të zgjidhet brenda caqeve të caktuara dhe të sjellë kompromisin, konsensusin apo marrëveshje të tjera, që gjykohen nga të gjitha palët si të ligjshme.

Qeniet njerëzore kanë dëshira të shumta, ndonjëherë edhe kontradiktore. Njerëzit lakmojnë sigurinë dhe megjithatë, pëlqejnë edhe aventurën. Ata aspirojnë për liri personale dhe megjithatë, kërkojnë edhe barazi shoqërore.
E tillë është edhe demokracia. Duhet vënë në dukje se shumë prej këtyre të kundërtave, madje paradoksesh, janë të pranishme në çdo shoqëri demokratike. Larry Diamond, bashkëbotues i “Journal of Democracy” dhe bashkëpunëtor i Institutit “Huvër”, është i mendimit se midis konfliktit dhe marrëveshjes ekziston një paradoks qendror. Demokracia nuk është gjë tjetër veçse një sërë rregullash për zgjidhjen e konfliktit. Në të njëjtën kohë, ky konflikt duhet të zgjidhet brenda caqeve të caktuara dhe të sjellë kompromisin, konsensusin apo marrëveshje të tjera që gjykohen nga të gjitha palët si të ligjshme. Theksimi i tepërt i njërës anë të barazimit mund të rrezikonte gjithçka. Në qoftë se grupet e vështrojnë demokracinë vetëm si një forum ku ato kërkojnë realizimin e kërkesave të tyre, shoqëria do të shkatërrohej nga brenda. Në qoftë se qeveria ushtron mbi popullin presion të tepërt për arritjen e konsensusit, duke e mbytur zërin e tij, shoqëria do të shkatërrohej nga lart.
Përfundimi është se zgjidhja për një çështje të tillë nuk është e vetme apo e lehtë. Demokracia nuk funksionon vetvetiu, sapo të përdoren parimet dhe procedurat e duhura. Një shoqëri demokratike ka nevojë për përkushtimin e qytetarëve, të cilët duhet ta kuptojnë pashmangshmërinë e konfliktit dhe domosdoshmërinë e tolerancës.
Ka rëndësi të kuptohet se shumë konflikte në një shoqëri demokratike nuk lindin nga një kundërvënie e prerë midis dy pikëpamjeve, ku njëra është “e drejtë” dhe tjetra “e gabuar”, por midis dy interpretimeve të ndryshme të të drejtave demokratike dhe parësive shoqërore. Në Shtetet e Bashkuara, krijohen shpesh debate të tilla. A është e drejtë, për shembull, që grupeve të pakicave që kanë vuajtur historikisht nga dallimi racial, t’u jepet një përqindje e caktuar vendesh pune? A ka të drejtë shteti të shpronësojë shtëpinë e dikujt për të ndërtuar në vend të saj një rrugë shumë të nevojshme? E drejta e kujt duhet të mbizotërojë kur shoqëria kërkon të ndalojë prerjen e druve, në emër të ruajtjes së bimësisë, por në kurriz të humbjes së vendeve të punës dhe të rrënimit ekonomik të disa bashkësive të vogla, për të cilat industria e drurit është burimi i vetëm i të ardhurave? A kemi të bëjmë me cenim të të drejtave të qytetarëve apo me mbrojtje të të drejtave të bashkësisë, kur policia kontrollon pa dallim të gjithë njerëzit, për të penguar kontrabandën e drogës?
Këtyre pyetjeve nuk mund t’iu përgjigjesh lehtë, ndërkohë që rregullat e përgjithshme të demokracisë vetëm na udhëzojnë si t’i trajtojmë dhe analizojmë këto probleme. Në të vërtetë, zgjidhjet që mund t’iu jepen këtyre problemeve mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Kjo është arsyeja që zhvillimi i kulturës demokratike ka rëndësi shumë të madhe. Individët dhe grupet duhet të paktën të tregojnë vullnetin e mirë për të toleruar dallimet midis tyre, duke pranuar se argumentet e palës tjetër janë me të vërtetë të drejta. Palët e ndryshme që marrin pjesë në një debat, qoftë në shkallë lagjeje apo parlamenti, mund të takohen në frymë kompromisi dhe të kërkojnë një zgjidhje të veçantë, të ngritur mbi parimin e përgjithshëm të sundimit të shumicës dhe të të drejtave të pakicës. Në disa raste, do të ishte e nevojshme që çështja të hidhej në votë zyrtarisht, por palët mund të arrijnë një konsensus apo marrëveshje jozyrtare nëpërmjet debateve dhe kompromisit. Në të njëjtën kohë, këto praktika kanë edhe të mirën tjetër se mbi bazën e tyre, ngrihet besimi i nevojshëm për zgjidhjen e problemeve të ardhshme.
“Krijimi i koalicioneve”, — vë në dukje Dajena Reviç, — “është thelbi i veprimit demokratik. “Ai i mëson grupet e interesuara të hyjnë në bisedime me të tjerët, të bien në kompromis dhe të punojnë brenda kuadrit të sistemit kushtetues. Gjatë punës për formimin e koalicionit, grupet me mosmarrëveshje midis tyre, mësojnë si të diskutojnë në mënyrë paqësore, si të ndjekin qëllimet e tyre në mënyrë demokratike dhe së fundi, si të jetojnë në një botë të larmishme.”
Demokracia nuk përbën një sërë të vërtetash të njohura e të pandryshueshme. Ajo është një mekanizëm, nga i cili, njerëzit, sado në mënyrë jo të përsosur, mund ta arrijnë të vërtetën nëpërmjet ballafaqimit të ideve, të individëve e të institucioneve, dhe kompromisit midis tyre. Demokracia ka karakter pragmatik. Idetë dhe zgjidhjet e problemeve nuk kontrollohen sipas një ideologjie të ngurtë, por provohen në botën reale, ku ato shtrohen për diskutim dhe ndryshohen, pranohen ose hidhen poshtë.
Vetëqeverisja nuk të mbron nga gabimet, as nuk iu jep fund grindjeve etnike dhe as nuk garanton mbarëvajtjen e ekonomisë. Megjithatë, ajo merr parasysh debatet dhe shqyrtimet që bëhen për gjetjen e gabimeve, i lejon grupet të mblidhen dhe të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe krijon mundësi për ripërtëritje dhe investime, që janë baza e zhvillimit ekonomik.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi