Mbi sovranitetin dhe diplomacinë

Nga Fatos Tarifa, botuar në Mapo, 12 maj 2016

fatos-tarifa-700x370Këto radhë marrin shkas nga debati që zhvillohet këto ditë në mediat tona mbi sovranitetin kombëtar të vendit dhe rrezikun e cenimit të tij. Arsyeja janë qëndrimet e ambasadorëve që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, “ndërhyrjet” e tyre në axhendën e Parlamentit të Shqipërisë dhe kontaktet e tyre me grupet drejtuese të tri partive politike shqiptare kryesore. Ndërkohë, në televizion dhe në shtyp, disa analistë shprehin qëndrime të kundërta, prej të cilave disa bëjnë kuptim, të tjerat janë thjesht fjalë në erë, pa asnjë lidhje me thelbin e çështjes. Në pikëpamjet dhe në opinionet që shprehin, shumica e tyre qëndrojnë në pozita që, në shkencën politike dhe në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, do të konsideroheshin liberale, madje idealiste, në kuptimin që mori ky term në periudhën mes dy luftërave botërore, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Me pak fjalë, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe Projekti Europian, pjesë e të cilit synon të bëhet edhe vendi ynë, thuhet se e ka transformuar kuptimin e konceptit “sovranitet kombëtar”, i cili, madje, nga një pjesë e analistëve tanë, shihet si një koncept “arkaik”. Ata që e besojnë këtë nisen, mesa duket, nga ideja iluzive se qeniet njerëzore dhe agjencitë e krijuara prej tyre janë gjithnjë racionale, se shtetet anëtare të organizatave transnacionale kanë interesa të përbashkët dhe se, në emër të këtyre interesave, mosmarrëveshjet dhe konfliktet mes tyre janë tërësisht të evitueshme.

Një pikëpamje e tillë është diskredituar të paktën dy herë brenda një shekulli: Fillimisht në dekadën e parë të shekullit të 20-të, kur Norman Angell botoi (më 1909) veprën e tij të njohur Iluzioni i madh dhe, së dyti, në dekadën e fundit të atij shekulli, kur Francis Fukuyama botoi (më 1989) esenë e tij kundërthënëse “Fundi i Historisë” dhe, tri vite më vonë, më 1992, librin e tij Fundi i Historisë dhe njeriu i fundit. Vetëm 5 vite para se të niste Lufta e Parë Botërore Angell besonte se lufta në Europë ishte bërë “e pamundur”. Sipas tij, ndërvarësia ekonomike mes fuqive të mëdha dhe bashkësia e interesave të tyre kishin bërë të mundur krijimin e një bote pa luftë, në të cilën do të sundonin logjika e së drejtës ndërkombëtare dhe “paqja kantiane”. Ironikisht, në vitin 1933, atë vit që Hitleri mori pushtetin në Gjermani, Norman Angell mori Çmimin Nobel për Paqe. Fukuyama nga ana e vet, e cilësoi përfundimin e Luftës së Ftohtë si “fundin e historisë”, duke deklaruar se demokracia liberale, e “vetmja ideologji” që mundi të mbijetojë pas një shekulli kaotik e të dhunshëm, kishte triumfuar dhe se triumfi i saj ishte “përfundimtar”.

Debati qendror që është zhvilluar e vazhdon të zhvillohet për më se një shekull, ka qenë e mbetet ai mbi raportin mes parimit “reason d’etat” dhe parimeve morale që duhet të rregullojnë marrëdhëniet mes shteteve dhe politikën ndërkombëtare. Përsëri idealistët, të cilët duket se kanë ndikim edhe në radhët e disa intelektualëve shqiptarë, besojnë se parimet morale universale kanë bërë të mundur minimizimin e rëndësisë së konceptit “sovranitet kombëtar”, në kuadrin e një bashkëjetese paqësore mes vendeve demokratike. NATO dhe Bashkimi Europian konsiderohen si shembujt idealë të këtij zhvillimi të ri “epokal”. Realistët, ndër të cilët bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve, përkundrazi, besojnë se interesi kombëtar ka qenë dhe mbetet parimi bazë i politikës së brendshme e të jashtme të çdo shteti dhe se koncepti i sovranitetit kombëtar, i formuluar dhe i sanksionuar qysh në vitin 1648, me Traktatin e Westfalisë, si koncepti themelor për organizimin politik të çdo shteti dhe si parimi bazë që rregullon marrëdhëniet mes shteteve, mbetet esencial në sistemin e sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shumë mendimtarë të njohur (Kant, Wallerstein, Habermas) kanë venë në dukje se marrëdhëniet mes shteteve dhe vetë sistemi ndërkombëtar ndikohen jo vetëm nga politika e pushtetit, por edhe nga idetë. Nisur nga pozitat e konstruktivizmit social, mendimtarë të tjerë besojnë se strukturat themelore të politikës ndërkombëtare janë jo thjesht materiale, por sociale dhe prandaj, përmes ndryshimit të mënyrës së të menduarit mbi politikën dhe mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, mund të ndryshojnë edhe vetë sistemi ndërkombëtar dhe siguria ndërkombëtare. Sipas tyre, struktura e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe raportet mes shteteve të veçanta janë produkt i marrëdhënieve shoqërore që varen nga shkalla e njohjes, nga resurset materiale, nga praktikat në marrëdhëniet mes shteteve etj. Kjo strukturë pra, ka një kuptim dhe, si e tillë, mund të ndryshohet.

Në ngjashmëri me pikëpamjet e mësipërme janë edhe ato që shprehin disa analistë të huaj dhe shqiptarë, kur e vënë theksin në zhvillimet e reja globalizuese në botën e sotme. Përgjithësisht besohet se krijimi i një sistemi ekonomik global (i cili, për hir të së vërtetës, duhet thënë se nuk është një dukuri krejt e re), mjetet e komunikimit global dhe elemente të një kulture globale kanë krijuar aktorë të rinj ndërshtetërorë (Komuniteti i Demokracive, OSBE etj.) dhe joshtetërorë (Amnesty International, Transparency International, Greenpeace, Oxfam etj.), të cilat ushtrojnë një ndikim të dukshëm në çështjet globale. Sidoqoftë, pavarësisht rolit të rëndësishëm që luajnë organizata të tilla në politikat e vendeve të veçanta dhe në marrëdhëniet e tyre me komunitetin ndërkombëtar, ato nuk kanë mundur e nuk do të munden t’i zëvendësojnë parimet bazë që përcaktojnë interesat kombëtarë të shteteve dhe ato që rregullojnë marrëdhëniet ndërshtetërore, ndër të cilat bëjnë pjesë parimet westfaliane të sovranitetit kombëtar dhe të legjitimitetit.

Ashtu sikurse Bashkimi Europian (nëse do mund të vazhdojë të ekzistojë edhe për një kohë të gjatë), nuk do të mund të bëhet dot “superfuqia e vërtetë e botës post-moderne në shekullin e 21-të”, bota e sotme as është bërë dhe as do të mund të bëhet, të paktën për një të ardhme të parashikueshme, një botë “post-historike”, “post-westfaliane”, ose një botë “habermasiane”, që do të karakterizohej nga triumfi i një “ndërgjegjeje morale” ndërkombëtare, problemet e së cilës, ashtu si dhe të gjitha mosmarrëveshjet e rëndësishme mes shteteve, të mund të zgjidheshin, të paktën në parim, përmes të menduarit racional kritik dhe veprimit komunikativ, për të arritur në mirëkuptimin e të gjithë aktorëve rreth mënyrës se si duhet organizuar dhe drejtuar bota. Ky do të ishte një “wishful thinking”, por evidenca historike dhe aktuale nuk e konfirmojnë një zhvillim të tillë. Mjafton të shohësh se ç’po ndodh me marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit, përhapjen e terrorizmit ndërkombëtar, shkatërrimet dhe tmerret e luftës në Siri dhe në Irak, shtimin e sentimenteve e të lëvizjeve nacionaliste në Europë, përfshirë edhe shumë vende të Bashkimit Europian.

Por le të marrim vetëm këtë të fundit, BE-në. Gati 60 vite pas nënshkrimit të Traktatit të Romës, i cili shënoi fillimin e realizimit të “Projektit Europian”, vetë europianët vazhdojnë të jenë të pasigurt se cila është Europa që ata po krijojnë, ose që duan të krijojnë: A është kjo Europa që projektoi Jean Monnet apo Europa që donte të krijonte Charles de Gaulle? Europa për të cilën punoi Helmut Kohl apo ajo për të cilën fliste Margaret Thatcher? Europa që përfytyronte Giulio Andreotti apo ajo e Silvio Berluskonit? Europa që imagjinonte Vaclav Havel apo ajo që donte të konservonte Jacques Chirac? Europa që kërkonte Gerhard Schröder apo ajo që përpiqet të krijojë Angela Merkel? Një Europë e bashkuar me Britaninë e Madhe, si pjesë e saj, apo një Europë pa ishullin britanik?

Askush nuk e vë në dyshim se unifikimi europian ka bërë një progres shumë të madh qysh nga fillimet e pasigurta të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore dhe Shqipëria nuk ka alternativë tjetër veçse të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Por, europianët, siç vënë në dukje studiuesit e njohur John Hulsman dhe William Schirano, në vend që të ushqejnë iluzione mbi një Europë të bashkuar, si një projekt post-modern dhe si liderja e ardhshme e globit, “duhet të pranojnë realitetin e një Europe të përbërë nga shtete të pavarura kombëtare, ku BE vazhdon të luajë një rol, por ama një rol dytësor në përcaktimin e fateve politike të kontinentit”.

Institucionet qendrore të Bashkimit Europian vazhdojnë të kritikohen gjerësisht për mungesë efektiviteti dhe, akoma më shumë, për deficitin e legjitimitetit të tyre demokratik për shkak të mungesës si të lidhjeve me qytetarët europianë, ashtu edhe të procedurave llogaridhënëse ndaj tyre. Pierre Manent, në librin e tij Një botë përtej politikës?, argumenton se “europianët janë përfshirë në një aventurë të pasigurt për të ndërtuar një demokraci pa një popull”, duke besuar se “e ardhmja e tyre kërkon një ndarje të plotë nga e kaluara e tyre dhe se, për këtë arsye, përkatësia e tyre në këtë apo atë popull duhet të zhvishet nga çdo kuptim politik specifik”.

Por, vijmë përsëri te çështja me të cilën e nisa këtë analizë të shkurtër: sovraniteti kombëtar i shtetit shqiptar dhe a cenohet ai nga ndërhyrjet e ambasadorëve të huaj në punët e brendshme të tij? Çështja nuk është bardhezi dhe as aq e thjeshtë sa duket në interpretimet që i bënin asaj pak ditë më parë prof. Servet Pëllumbi dhe ndonjë analist tjetër. Zoti Pëllumbi thotë se “në kushtet e reja, kur jemi një vend anëtar i NATO-s, koncepti i sovranitetit ka ndryshuar”. Asnjë koncept teorik dhe asnjë politikë nuk mbeten të pandryshuara, por, sidoqoftë, “sovraniteti kombëtar” mbetet parimi bazë i politikës shtetërore të çdo vendi dhe parimi bazë që rregullon marrëdhëniet e çdo shteti me komunitetin ndërkombëtar. Të flasësh për sovranitetin kombëtar të Shqipërisë dhe të kërkosh respektimin e tij në kushtet e sotme nuk do të thotë, siç shprehet z. Pëllumbi, se flet “me gjuhën e vjetër të ruajtjes së sovranitetit me miqtë….tanë ndërkombëtarë që duan të na ndihmojnë”.

Zoti Pëllumbi e di fare mirë se, në vitin 1974, Greqia dhe Turqia ishin të dyja vende anëtare të NATO-s, por këto dy vende nisën një luftë mes tyre. Edhe sot e kësaj dite, pra 42 dy vite më vonë, siguria në atë që quhet “green line” në ishullin e ndarë të Qipros, garantohet përmes një force paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Franca, gjithashtu, ishte një vend anëtar i NATO-s kur presidenti i saj, Charles de Gaulle, urdhëroi zhvendosjen e selisë së kësaj organizate jashtë territorit të vendit të tij, ndërkohë që Franca, edhe pse mbeti anëtare e NATO-s, u tërhoq nga Komanda e Bashkuar e saj.

Po kështu, z. Pëllumbi i ka të freskëta ngjarjet kur, Franca e presidentit Jacques Chirac dhe Gjermania e kancelarit Schroder, vende anëtare të NATO-s dhe aleate të Shteteve të Bashkuara, i thanë “jo” dhe votuan kundër (bashkë me Rusinë) pushtimit amerikan të Irakut, duke ushtruar të drejtën e tyre si kombe sovrane. Nga “fronti i Lindjes” mund të sjellim shembullin e Kinës dhe të Rusisë, të cilat, edhe pse bashkërisht kanë krijuar Organizatën e Shangait, në vitin 2001, nuk kanë hequr dorë në asnjë mënyrë, të imagjinueshme ose të paimagjinueshme, nga interesat e tyre kombëtare dhe nga sovraniteti i tyre kombëtar.

Është tjetër gjë sovraniteti popullor, që “shprehet me votë”, për të cilin flasin z. Pëllumbi dhe një varg analistësh të tjerë, dhe tjetër gjë sovraniteti kombëtar. Ndërhyrjet e ambasadorëve të huaj nuk kanë të bëjnë me sovranitetin popullor, të kuptuar si “pushtet mbi qytetarët për të komanduar punët e shtetit” (Jean Bodin), as me sovranitetin e kuptuar si “autoritet i pakufizuar dhe i padukshëm” i shtetit për të detyruar bindjen e qytetarëve të tij” (John Austin). Me “sovranitet”, prof. Paskal Milo, si diplomat, nënkupton tjetër gjë nga kjo që kupton me këtë koncept z. Pëllumbi. Unë mendoj se z. Milo ka të drejtë në arsyetimet e tij, pasi ai bën fjalë për qëndrime të caktuara të diplomatëve të huaj në punët e brendshme të vendit tonë. Shqetësimi i sinqertë i z. Milo, të cilin edhe unë e kam shprehur në më se një rast, nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si e lexon z. Pëllumbi mesazhin e tij, si “sovranitet në kuptimin klasik të dikurshëm, kur thuhej se ‘ne edhe në gojën e ujkut hedhim valle’”.

Lidhur me sa më sipër, ajo që unë vetë mendoj është kjo: Titullarët e misioneve diplomatike në Tiranë, duke vërejtur marrëdhëniet e tensionuara mes partive politike dhe vonesat e pengesat në kryerjen e reformave demokratike (kryesorja e të cilave është Reforma në Drejtësi), shqetësohen me shumë të drejtë dhe është veçse e natyrshme që shqetësimet, përshtypjet dhe bindjet e tyre ata t’ua shprehin qeverive të tyre. Ky është misioni i tyre. Dhe nëse qeveri të caktuara, ose drejtuesit e Bashkimit Europian, u kërkojnë ambasadorëve që kanë emëruar në Tiranë që t’ua transmetojnë shqetësimet e tyre qeverisë shqiptare, parlamentit, ose partive të opozitës, kjo mund të bëhet dhe duhet bërë në rrugë dhe me metodat e duhura diplomatike, jo kaq hapur e publikisht, siç shohim dhe lexojmë përditë në televizion dhe në gazetat tona. Ambasadorët nuk janë e nuk duhet të bëhen “TV stars”. Ata nuk janë askund të tillë në Europë, me përjashtim, ndoshta, në Kosovë, në Maqedoni dhe në Bosnjë. Unë besoj kjo është ajo që ka dashur të thotë z. Milo, ndërsa z. Pëllumbi e ka lexuar gabim mesazhin e tij.

Z.Pëllumbi shpreh paqartësi dhe naivitet kur shkruan se “bota është drejt hapjes dhe globalizimit dhe kjo shoqërohet automatikisht me kufizimin e sovranitetit sipas konceptit të dikurshëm”. Por ç’mund të thotë z. Pëllumbi për sovranitetin “e kufizuar” të Britanisë së Madhe brenda BE-së, ose për sovranitetin e kufizuar të Hungarisë, ose të Polonisë, politikat e të cilave, në mjaft raste, vijnë në kundërshtim me qëndrimet e Brukselit, ose për politikën e pesë vendeve anëtare të BE-që që ende nuk pranojnë të njohin pavarësinë e Kosovës?

Të ruhemi nga iluzionet për të mos marrë si të mirëqenë atë që nuk është. Sa kohë që aktorët kryesorë në politikën ndërkombëtare janë shtetet kombëtare, në marrëdhëniet mes shteteve ende nuk është shpikur një parim më i përgjithshëm se ai i sovranitetit kombëtar, i cili, siç thotë Kissinger, nuk mund të rrezikohet. Në një botë si kjo e sotmja, që është ende hobbesiane (jo post-historike dhe jo post-moderne), detyra e çdo shteti është, pa dyshim, që të përshtatet sa më mirë si pjesë e organizmit të tërë (komunitetit ndërkombëtar), duke krijuar e rikrijuar, sipas kushteve e rrethanave, marrëdhënie me shtetet e tjera dhe me organizatat ndërkombëtare, pa hequr dorë nga parimi udhërrëfyes i politikës së jashtme—mbrojtja e interesit kombëtar dhe e sovranitetit të vendit.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan