Lehtësimi Sasior, politika që mund të mbërrijë në Shqipëri

Përgjatë muajve të fundit, në media dhe në qarqe të tjera është përmendur togfjalëshi “lehtësim sasior” si një politikë e mundshme e Bankës së Shqipërisë për të luftuar krizën. BSH e ka lënë të hapur mundësinë e ndjekjes së kësaj politike por djalli fshihet te detajet…

banka-c1200x600

Shqiptarët, ashtu si edhe e gjithë bota, janë detyruar gjatë viteve të fundit të mësojnë disa koncepte ekonomike jo të zakonshme, ato lloj konceptesh për të cilat, deri më sot nuk është parë e nevojshme të shpjegohen. Deflacioni, fenomeni i rënies së çmimeve, dhe rrjedhimisht, prodhimit në një ekonomi, u shfaq si shqetësim më së shumti mediatik në Shqipëri përgjatë dy muajve të fundit, kur Instituti i Statistikave raportoi rritje të papërfillshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit në muajt shkurt dhe mars me 0.2 dhe 0.3 për qind, për herë të parë në shumë vite. Banka e Shqipërisë iu përgjigj shqetësimeve duke argumentuar se në fakt, aktualisht Shqipëria gjendet në dizinflacion dhe se rreziku i deflacionit është ende i largët. Guvernatori Sejko këmbëngul se ngadalësimi aktual i rritjes së çmimeve është një fenomen i përkohshëm.

Por argumenti se Shqipëria mund të gjendet pranë deflacionit duket se u forcua kur Instituti i Statistikave publikoi muajin e kaluar të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas metodës së konsumit, ku e bardhë mbi të zezë, shkruhej se konsumi final i popullsisë ka pësuar rënie në vitin 2015, për herë të parë që nga viti 1998. Kur konsumi final i popullsisë refuzon të rritet, kuptohet që çmimet do të kenë tendencën të mos rriten, në rastin më të mirë dhe të bien, në rastin më të keq. Problemi është që konsumi final i popullsisë ndikohet pjesërisht nga konsumi final i administratës publike. Në fakt, të dhënat e vitit 2015, sugjerojnë se ka qenë rënia e konsumit final të administratës publike ajo që ka sjellë rënien e konsumit final dhe konsumit final të popullsisë.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ndërhyri pa shumë sens në debat kur deklaroi të mërkurën më 20 prill në kuvend: “Ka një rënie të madhe të konsumit publik, jo atij privat dhe pikërisht ky ka qenë qëllimi ynë, që Qeveria të mos ketë pjesën e luanit në konsum”, tha Ahmetaj. Në fakt konsumi ka rënë si për publikun ashtu edhe për privatin. Problemi shtesë është që qeveria po vijon të mos shpenzojë dhe ka gjasa, do të vijojë të mos shpenzojë edhe për këtë vit. Kjo e shton rrezikun që ekonomia të bjerë në deflacion, për të mos thënë që deflacioni dhe recesioni mund të kenë mbërritur sakaq.

Interesat zero, inflacioni zero, kredia zero

Kriza ekonomike, sipas përkufizimit të Friedman, është një situatë ku prodhimi refuzon të rritet, inflacioni është i ulët, interesat e kredive dhe depozitave janë të ulëta. Kjo duket si kontradiktë. Nëse interesi i kredive është i ulët, siç është aktualisht në Shqipëri, pse njerëzit nuk marrin kredi? Nëse çmimet janë të ulëta apo në rënie, pse njerëzit nuk shpenzojnë? Ky diskutim teorik do të qe i vlefshëm në rast se Shqipëria do të ishte një ekonomi e madhe si Amerika, vendi ku teoria është krijuar. Aktualisht, shumë ekonomistë në Shqipëri po binden se problemet aktuale lidhen para së gjithash me emigrimin e pazakontë dhe shumë të lartë të shënuar në vitin 2015. Sipas të dhënave të EUROSTAT, mbi 68 mijë shqiptarë kërkuan azil politik në vendet e BE-së, më së shumti, Gjermani. Një pjesë e tyre besohet se janë kthyer, por fakti është që kjo është një shifër e stërmadhe për një vend me 2.8 milionë banorë. Kjo shpjegon se pse ekonomia refuzon të rritet. Largimi i një pjese të konsumatorëve sjell normalisht rënie të investimeve dhe huamarrjes, pavarësisht se sa të lira mund të jenë interesat.

***

Që në dhjetorin e kaluar, kur inflacioni dukej sikur qe i ulët por jo pranë zeros, Banka e Shqipërisë filloi të mendojë një politikë të re të quajtur Lehtësim Sasior. Në të shkuarën, bota ka përdorur politika të ngjashme me këtë, por me emra të tjerë si Ndërhyrje Kundërciklike apo Reflacion.

Teorikisht, lehtësimi sasior funksionon thjeshtë: banka qendrore emeton më shumë impulse të parasë elektronike, d.m.th, shtyp një buton në kompjuter dhe prodhon një sasi parash. Për këtë arsye, lehtësimi sasior konsiderohet si ekujvalenti i kohës sonë i prodhimit të parave në shtypshkronjë në variantin e vjetër. Duke rritur sasinë e parasë në qarkullim, inflacioni, teorikisht nuk ka rrugë tjetër veçse të rritet. Problemi është se eksperienca e deritanishme në SHBA, BE dhe Japoni, ka rezultuar shumë më e komplikuar se sa kaq. Problemi qëndron te mekanizmat e transmetimit të politikës monetare. Stephen S. Roach, një profesor i financave, jep disa shpjegime. Në SHBA, thotë ai, politika e lehtësimit sasior e zbatuar nga Rezerva Federale pas vitit 2008, kishte një mekanizëm transmetimi të tillë: Rezervat Federale blenë me para të re titujt e borxhit të qeverisë, duke ulur interesat në minimum dhe duke i shtyrë njerëzit që të mos i investonin paratë në tituj borxhi por t’i investonin në aksione në bursë. Rrjedhimisht, kjo politikë solli rritjen e çmimeve të aksioneve. Tani, një pjesë e madhe e amerikanëve investojnë në bursë dhe rrjedhimisht, kur çmimet e aksioneve u rritën, mirëqenia e tyre u rrit gjithashtu, kompanitë u ngopën me kapital dhe ekonomia u rrit. Problemi ishte krejt ndryshe në Europë, ku blerja e bondeve nga ana e Bankës Qendrore Europiane me para të re të krijuar me lehtësim sasior, supozohej se do të funksiononte pak a shumë si politika monetare konvencionale. D.M.Th, banka qendrore u jep para bankave të nivelit të dytë, të cilat ia japin këto para me kredi bizneseve (me synimin, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme).

Dukshëm, ky kanal transmetimi nuk funksionoi. Aktualisht, Banka Qendrore Europiane dhe figura të tjera po diskutojnë për një mekanizëm të ri transmetimi, i cili, në thelb, synon të anashkalojë bankat. Mekanizmi quhet “hedhja e parave me helikopter”. Kjo duhet të funksionojë në këtë mënyrë: banka qendrore do të nënshkruajë një çek të cilin do t’ia dërgojë çdo familjeje që t’i shpenzojë si t’i teket pa asnjë kusht. Rrjedhimisht, të gjithë qytetarët do të kenë në dorë më shumë para për të rritur konsumin si dhe çmimet, punësimin e prodhimin. Kritikët thonë se kjo është një teori që bën mirë të mbetet teori. Kur banka qendrore emeton para, ajo e jep këtë para në treg në formë huaje. Nëse e fal, kjo është situatë e paprecedent, dhe me pasoja të paparashikueshme.

***

Teoria ndërkombëtare është një gjë qe realiteti shqiptar është një gjë tjetër. Aktualisht, termi “lehtësim sasior” është përmendur në disa raste në Shqipëri, dhe në të paktën një rast, në mënyrë shumë hileqare. Banka qendrore thotë se është “duke e analizuar situatën” por pa dhënë sqarime. Herën e fundit që termi lehtësim sasior doli në lajme, qe në një kronikë të Vizion Plus, ku raportohej për një propozim për të zgjidhur krizën e rafinerisë ARMO. Sipas propozimit, kreditë që ARMO ka nëpër banka, propozohet të zgjidhet përmes “lehtësimit sasior”.

Përmendja në mënyrë rastësore e një propozimi të tillë, krejtësisht të pavend dhe pa lidhje me kuptimin e fjalës “lehtësim sasior”, solli sakaq spekulime alarmuese mes qarqeve të ekonomistëve. ARMO raportohet se ka rreth 207 milionë euro kredi të pashlyera. Vlera tregtare e rafinerisë së Ballshit është praktikisht zero. Vlera tregtare e rafinerisë së Fierit, teorikisht është e konsiderueshme, por për shkak të korrupsionit në menaxhimin e sektorit të naftës, e ka vlerën për çfarëdolloj investitori serioz, zero. Tani, përmendja e termit “lehtësim sasior”, në këtë dokument nuk ka kuptim në vetvete. Nëse një kompani si ARMO ka 207 milionë euro kredi, këto duhet të quhen para të humbura për bankat që kanë dhënë këto kredi.

Problemi është se qeveria, banka qendrore dhe bankat e nivelit të dytë janë përballur me këtë dilemë që prej së paku dy vitesh, kur u kuptua se Shqipëria nuk ka vetëm një problem me kreditë e këqija. Ajo ka edhe një problem me bizneset me lidhje politike. Një grusht biznesesh të lidhura me pak biznesmenë zotërojnë më shumë se gjysmën e kredisë së keqe. Teoria qe që këto biznese të likujdoheshin. Por pavarësisht se kjo diskutohet prej tre vjetësh, asnjë biznes i tillë nuk është likujduar dhe kredia e keqe nuk po ulet. Disa bankierë mendojnë se kompani të tilla, që në gjuhën e tyre konsiderohen si “zombi”, jo vetëm që nuk shlyejnë kreditë, por ato zënë edhe hapësira në treg, duke penguar hyrjen e kompanive të reja dhe të shëndetshme.

Në rast se teoria e zgjidhjes së problemit ARMO me “lehtësim sasior” nuk është thjeshtë teori, problemi është se shqiptarët mund ta gjejnë veten duke paguar kreditë e bizneseve të falimentuara dhe të dështuara. Shkurt, aplikimi i një “lehtësimi sasior” në një kontekst të tillë, vështirë se do të jetë “lehtësim sasior”, ai do të jetë shpëtim nga falimenti i klasës aktuale të biznesit politik dhe mediatik, e cila, për shkak se refuzon të falimentojë dhe ka fuqinë të sfidojë bankat dhe të korruptojë gjykatat, po e mban Shqipërinë peng.

Në fund, Shqipëria duket se nuk ka aktualisht në problem ekonomik. Në thelb, problemi është politik. Dhe pikërisht këtu, duhet të vijë, nëse do të vijë, zgjidhja e problemeve ekonomike.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan