Antikomunizmi që nuk frymëzon

Nga Namir Lapardhaja, botuar në Mapo, 29 prill 2016

Namir-Lapardhaja-150x150Teza e antikomunizmit, sot 25 vjet nga rënia e diktaturës, rezulton një retorikë boshe, e pavlerë, ndërsa në narrativën politike tregon varfëri dhe mungesë vizioni për t’u përshtatur me një realitet të ri. Komunistët në Shqipëri i fituan të gjitha betejat. U rreshtuan në kampin fitues gjatë Luftës së Dytë Botërore, për arsye historike dhe gjeo-strategjike, duke e keq qeverisur në mënyrë kriminale këtë vend për 45 vjet me radhë. Në demokraci fituan ligjërisht, duke i shpëtuar gjykimit të gjithë ish-drejtuesit e lartë të hierarkisë komuniste. Fituan kulturalisht. Prodhimet e tyre kinematografike për Shqipërinë e Re vijojnë edhe sot e kësaj dite të transmetohen te brezat e rinj, tashmë nga kanale digjitale, duke treguar për një periudhë të lavdishme. Fituan edhe politikisht. Sot një pjesë e rëndësishme e politikës aktuale është biologjikisht e lidhur ngushtësisht me ish-regjimin.

Narrativa e zjarrtë antikomuniste, në një vend që komunizmi ka fituar në mënyrë të shumëfishtë, nuk frymëzon dhe lipset të rishihet. Është e flashkët, e vagullt, duket sikur përçohet dhe shpërndahet në eter, pa thelb dhe pa bosht. Moshave të shtyra nuk u thotë asgjë. Ata e kaluan tranzicionin me këtë retorikë dhe e panë se, kush më shumë e kush më pak, në thelb askush nuk bëri aq sa duhej në këtë drejtim. Të persekutuarit e vërtetë, ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët janë regjur dhe zhgënjyer nga të gjitha palët. Tashmë, ata janë ambientuar me vuajtjen e tyre, kush është gjallë kalon ditët në pritje të marrjes së këstit të radhës së dëmshpërblimit të burgut, i vonuar s’dihet se prej sa dhe nuk kuptohet se për se. Komunistëve u shkakton hilaritet, ndërsa elektorati gri, i pavendosur, i lëvizshëm dhe fluid, ka nevojë për gjëra dhe premtime konkrete, të prekshme, të cilat ndryshojnë ekonominë vetjake. Të rinjve, as që bëhet fjalë. Ata kanë preokupime dhe kërkesa krejt të ndryshme nga teza e antikomunizmit dhe njohja e periudhës së diktaturës, si një fatkeqësi dhe si një mallkim i madh që e zuri këtë vend dhe që nuk po e lëshon ende. Kështu që kjo tematikë ngelet për t’u trajtuar nga një kategori që shfaq interes, që thellohet në studime dhe hulumtime për atë periudhë. Një gjë e tillë do të hajë kohë. Do të duhet që hendeku të thellohet edhe më, në mënyrë që gjykimi të jetë më i kthjellët dhe më i ftohtë. Si një kontribut mjaft i madh në këtë drejtim vlen për t’u përmendur shkrimtari Agron Tufa, i cili talentin e tij të jashtëzakonshëm letrar dhe artistik, me vetëdije të plotë e ka vënë në dispozicion të kësaj kauze. Romani i tij i fundit “gurit të varrit ia rrëfej” është një dokument i gjallë letrar, që evidenton anë të errëta dhe kriminale të atij regjimi. Po ashtu, memuaristika dhe burgologjia japin një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim.

Kauza e antikomunizmit është ndotur herë pas here edhe nga një pjesë e ish-të persekutuarve ose ish-të burgosurve politikë. Të konformuar ose të përdorur nga ish-regjimi, për një arsye ose një tjetër, të justifikuar ose jo, ata e vazhduan këtë inerci edhe sot, duke u bashkuar për arsye të justifikueshme ose jo, me bijtë e xhelatëve të djeshëm, herë të vetëdijshëm dhe herë jo. Gjithsesi, shtëpia e madhe e gjithë kësaj shtrese ngelet e djathta dhe veçanërisht Partia Demokratike, edhe pse kjo forcë politike mbart mbi vete një pjesë të fajit dhe gabimeve ndaj tyre përgjatë viteve të tranzicionit. Lidershipi i ri i kësaj partie ka fatin e madh të mos ketë asnjë lidhje gjenetike, politike, kulturore me ish-regjimin e shkuar. Në këtë kuptim, narrativa antikomuniste duhet riparë, riformuluar dhe riartikuluar në një mënyrë të re, të sinqertë, të besueshme dhe të vlefshme, si pjesë e diskursit të së djathtës moderne, e cila në përbërje të saj ka edhe këtë shtresë shoqërore, si një ndër shtresat e shumta të elektoratit të saj.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi