Për shpenzime buxhetore më koherente dhe eficiente

 

Nga Bujar LESKAJ*, botuar në Panorama, 2 mars 2016

Bujar LeskajMë 10 nëntor 2015, Gjykata Europiane e Audituesve (ECA) bëri publike raportin e saj vjetor të zbatimit të buxhetit të Bashkimit Europian për vitin 2014, të paraqitur përpara Parlamentit Europian. Me këtë dalje në publik, Presidenti i ECA-s, dr. Vitor Caldeira, theksoi: “BE duhet të investojë më mirë fondet e veta. Duhet të sigurojë që investimet e saj të përputhen më ngushtë me përparësitë e përcaktuara, të vendosë rregulla më të thjeshta për të arritur rezultate dhe të sigurojë që burimet menaxhohen në mënyrë më eficiente”.

Kjo u konsiderua nga të gjithë politikëbërësit në Bruksel si një thirrje e ECA-s për një qasje më të integruar dhe krejtësisht të re të menaxhimit të investimeve dhe shpenzimeve të Bashkimit Europian. Jo vetëm për buxhetin e përbashkët europian, por në të gjitha vendet anëtare të BE-së, si dhe më tej në vendet e zhvilluara kudo në botë, theksi për mirëqeverisjen publike vihet sot te menaxhimi më me eficiencë i shpenzimeve të buxheteve shtetërore.

Edhe për vendin tonë, idetë dhe politikat që qarkullojnë në Bruksel duhet të shërbejnë si shembull, dhe jo vetëm të flasim për integrimin europian kur publikohet një herë në vit Progres-Raporti i Komisionit Europian, apo kur zhvillohet ndonjë aktivitet nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri. Njëlloj si ECA, edhe ne si KLSH, mbi bazën e standardeve ndërkombëtare të fushës ISSAI, kemi kërkuar në raportet tona për zbatimin e Buxhetit në Kuvend, që të bëhen ndryshime të ndjeshme në mënyrën e përcaktimit dhe menaxhimit të fondeve të Buxhetit tonë të Shtetit.

Sipas dr. Caldeira: “…Ndryshim thelbësor kërkohet nga të gjithë ata përgjegjës të mënyrës se si menaxhohen fondet e BE-së. Vendimmarrësit e BE-së duhet te përputhin alokimet në Buxhet me përparësitë strategjike afatgjata të BE-së dhe ta bëjnë Buxhetin më të aftë të përgjigjet në raste krizash apo vështirësish serioze”.

Në vendin tonë, Strategjia “Për Menaxhimin e Financave Publike të Shqipërisë 2014-2020”, e përgatitur nga Ministria e Financave, me ndihmën e ekspertëve të Bashkimit Europian dhe e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 908, datë 17 dhjetor 2014, na jep të gjitha përparësitë strategjike për një administrim koherent dhe eficient të Buxhetit të Shtetit.

Si KLSH vërejmë se kjo strategji nuk po zbatohet si duhet, sidomos në shtyllën e dytë të saj, e cila flet për planifikim dhe buxhetim të mirintegruar dhe efikas të shpenzimeve publike. Në nëntor 2015, në raportimin përpara Komisionit të Ekonomisë për zbatimin e Buxhetit të konsoliduar të Shtetit për vitin 2014, si KLSH kemi kërkuar të bëhet kujdes me planifikimin e shpenzimeve dhe të ardhurave, si dhe ndërhyrjet në Buxhet, duke synuar ruajtjen e integritetit të tij.

Ndërhyrjet e shpeshta(gjatë tetë viteve të fundit, Buxheti i Shtetit është rishikuar një deri dy herë çdo vit gjatë zbatimit të tij) kanë sjellë konfuzion në veprimtarët ekonomikë në vend dhe kanë dobësuar qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e politikave fiskale e financiare të shtetit.

Të njëjtin shqetësim, dy muaj më vonë, në janar 2016, e ngritën ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar(FMN). Në raportin e FMN-së, “Country Report”, nr. 16/5 “Për Vlerësimin e Transparencës Fiskale të Shqipërisë” të janarit 2016, ata konstatuan se gjatë dekadës së fundit, buxhetet e qeverisë kanë parashikuar të ardhura mesatare të mbivlerësuara me 2 për qind të produktit të brendshëm bruto të vendit çdo vit, pra me mbi 180 milionë euro.

“Kjo, thotë FMN – ka inkurajuar plane jorealiste shpenzimesh që qeverisë i është dashur t’i shkurtojë gjatë vitit”. Ndryshimi i shpeshtë në zërat buxhetorë, niveli i lartë i detyrimeve si dhe veprimet e qeverisë për të shkurtuar zëra të caktuar janë tregues të kredibilitetit të ulët të Buxhetit, për të cilin i bie kambanës fort FMN-ja. ECA dha llogari në raportin e saj për mbikëqyrjen me auditime të mënyrës së shpenzimit të 142.5 miliardë eurove të Buxhetit të BE-së, për vitin 2014.

Sipas saj, llogaritë e BE-së për vitin 2014 janë përgatitur korrektësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe paraqesin një pamje të vërtetë dhe të drejtë. Megjithatë, audituesit e ECA-s japin një opinion jo të favorshëm në lidhje me rregullsinë e pagesave. Niveli i gabimeve, i cili mat nivelet e parregullsive, për pagesat e vitit 2014 ishte 4.4%, gjithnjë mbi pragun e materialitetit 2%.

Niveli më i lartë i gabimit, u gjet në shpenzimet e fushave “kohezion ekonomik, social dhe territorial” (5.7%) dhe në “konkurrencën për zhvillim dhe punësim” (5.6%). Niveli i vlerë- suar i gabimit për skemat e rimbursimit të kostove (5.5%), ku BE rimburson kostot për aktivitete të ligjshme mbi bazën e deklarimeve të kostove të bëra nga përfituesit, është sa dyfishi i programeve të sakta (2.7%), ku pagesat bëhen në momentin e përmbushjes së kushteve dhe jo me rimbursim kostosh.

Kostot e rimbursuara na kujtojnë rimbursimet që po detyrohet të bëjë Buxheti ynë i Shtetit, për shkak të projektimit dhe menaxhimit jo të mirë të disa koncesioneve të fundit, si ai i skanimit në dogana etj. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm në kostot që parashikohen për t’u përballuar nga Buxheti i Shtetit, sidomos për partneritetet e sotme dhe të afërta publikprivat(kemi disa të tilla në zhvillim në sektorin e shëndetësisë publike, apo që parashikohen në mbledhjen e të ardhurave tatimore etj.).

Këto partneritete mund të sjellin rëndime të dëmshme dhe të panevojshme në Buxhet, për shkak të aftësive të reduktuara parashikuese e projektuese të kontratave publik-privat, mungesës së një bilanci të qartë kosto-përfitime, si edhe, për ndonjë rast, edhe për arsye më pragmatike dhe të errëta.

Si KLSH, edhe pse natyra e zakonshme e punës sonë është auditimi “post factum” (pas punës, faktit të kryer), do të shikojmë të gjitha mundësitë të studiojmë me vërtetësi kostot dhe përfitimet reale nga koncesionet dhe partneritetet publik/privat të sotme dhe nga ato që po përgatiten të realizohen në një të ardhme të afërt. ECA në raportin e saj për Buxhetin e BEsë të vitit 2014, jep një konkluzion me rëndësi jo vetëm për Komisionin Europian dhe shtetet anëtare, por edhe për vendet kandidate, sikurse është vendi ynë.

Nëse Komisioni Europian, autoritetet e shteteve anëtare ose audituesit e pavarur do të përdornin të gjithë informacionin në dispozicion, ata do të kishin parandaluar, zbuluar ose korrigjuar një pjesë të konsiderueshme të gabimeve, përpara se sa ato të ndodhnin. Në monitorim të zbatimit të shtyllës së katërt të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike të Shqipërisë 2014-2020, për raportim transparent financiar qeveritar, kemi konstatuar mungesë të një baze të unifikuar të mbajtjes së kontabilitetit, adresime të ndryshme të përgjegjësisë, si dhe pasqyra financiare që nuk pasqyrojnë gjendjen reale të pasurisë së shtetit.

Mungesa e pasqyrave të konsoliduara të shtetit, ndikon jo vetëm në nivelin e transparencës, por është e lidhur ngushtësisht me ndjekjen e kujdesshme të financave publike dhe analizën e treguesve makroekonomikë.

Të njëjtin shqetësim e bën të pranishëm edhe FMN, në raportin e tij të janarit 2016 për transparencën fiskale, duke kërkuar që qeveria shqiptare të thjeshtojë raportimet fiskale, duke prodhuar një set të vetëm raportesh mujore, tremujore dhe vjetore që përfshijnë informacionin që sot raportohet veç nga Thesari i Shtetit, Departamenti i Borxhit, Departamenti i Buxhetit dhe Departamenti i Makroekonomisë; të publikojë një raport vjetor mbi shpenzimet në taksa që të vlerësojë të ardhurat e munguara nga të gjitha përjashtimet e mëdha nga taksat dhe privilegjet e tjera tatimore, si dhe të rrisë këqyrjen e parashikimeve të saj makroekonomike dhe fiskale, duke i krahasuar ato publikisht me ato të institucioneve të tjera, duke përshtatur parashikimet e reja me ato të mëparshmet dhe me të ardhurat aktuale.

Informacioni financiar dhe fiskal më i plotë, më profesional dhe që bëhet i dukshëm dhe i kuptueshëm për qytetarët është kusht themelor për të rritur besueshmërinë e përgatitjes dhe zbatimit të një Buxheti Shteti. Në gjendjen e sotme të administratës publike, regjistrimet kontabël bazohen mbi gjykime individuale të pakontrolluara dhe të paorientuara nga specifika të lidhura me sektorin publik.

Nuk ka programe të njëjta kontabël në përpunimin e të dhënave dhe përpunimin e informacionit kontabël, ndërkohë niveli i kapaciteteve që regjistrojnë transaksionet financiare te ne është larg kërkesave të një administrate të zhvilluar europiane. Si KLSH, në mënyrë që ky informacion financiar që përpunohet të jetë sa më profesional dhe koherent, i kemi kërkuar Kuvendit që të publikohen nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik IPSAS, si baza kryesore metodologjike, mbi të cilën do të hartohen pasqyrat financiare të shtetit.

Po ashtu, kemi rekomanduar të ngrihet një drejtori e veçantë, brenda Drejtorisë së Thesarit, që të mundë- sojë përshtatjen e pasqyrave të nxjerra nga sistemi i integruar në formën e pasqyrave të konsoliduara të shtetit.

Kjo drejtori duhet të ketë si funksion edhe kontrollin e saktësisë së pasqyrave të përgatitura nga institucionet publike, për ta vënë më se fundi nën monitorim këtë proces të rëndësishëm, për të cilin ngre shumë pikëpyetje dhe jep këshilla të hollësishme edhe FMN-ja, sikurse e pamë më sipër. Një tjetër konkluzion i rëndësishëm i ECAs është se veprimet korrigjuese nga autoritetet e shteteve anëtare dhe nga Komisioni Europian, kanë një ndikim pozitiv mbi nivelin e gabimit. Nëse veprimet korrigjuese nuk do të ishin ndërmarrë, atëherë niveli i gabimit do të ishte 5.5%, ose 1.1 për qind më i madh.

I përkthyer në shifra, një kursim në nivel 1.5 miliard euro. ECA cilëson se Komisioni Europian ka mundësi të mëdha për të përmirësuar vlerësimin e riskut dhe ndikimin e veprimeve korrigjuese. Në mënyrë të ngjashme në realitetin tonë, aftësia vetëkorrigjuese e qeverisë duhet vlerësuar dhe nxitur për t’u zhvilluar më tej.

Ajo është parë në aksionin për të kufizuar informalitetin në muajt e fundit të vitit 2015, por duhet nxitur dhe që të shtrihet e plotë në nismat e tjera me vlera të rëndësishme për Buxhetin e Shtetit, sikurse janë partneritetet publik-privat (PPP) dhe koncesionet e reja. E gjej me vlerë nismën e forcës politike LSI për të propozuar që koncesionet dhe partneritetet që kalojnë një kohë mbi 4 vjet(pra më shumë se një mandat qeverisës) të bëhen objekt i një diskutimi të gjerë në Kuvend.

Po ashtu, natyra shpeshherë shumë teknike dhe komplekse e kontratave PPP dhe koncesionare ka sjellë domosdoshmërinë që ligji për partneritetet publik-privat dhe koncesionet të plotësohet dhe me llojet kryesore të kontratave PPP dhe atyre koncesionare që përdoren në botë, sidomos nga vendet e Bashkimit Europian.

Sa më shumë që të dihet nga administrata jonë publike, sidomos institucionet që do të merren me tenderët përkatës, për llojet e kontratave PPP dhe atyre koncesionare, aq më e vogël do të jetë mundësia e gabimit me këto marrëveshje, njëlloj sikurse e ka konstatuar në raportin e saj për zbatimin e Buxhetit të BE-së 2014 edhe Gjykata Europiane e Audituesve.

Presidenti i Gjykatës Europiane të Audituesve e mbyll fjalën e tij prezantuese të Raportit të ECA-s përpara deputetëve të Parlamentit Europian, ndër të tjera, me fjalët “Qartësisht, nëse Bashkimi Euriopian do të adresojë sfidat presuese me të cilat përballet, duhet ta investojë Buxhetin më mirë. Mbikëqyrja jonë e lidhjeve midis Strategjisë së sotme të BE-së dhe Kuadrit të Menaxhimit Financiar tregon se këto dy dokumente mund të vijnë në një linjë, si për periudhat dhe për përparësitë.

Duam të theksojmë faktin se shtetet anëtare nuk i përkthejnë objektivat e Strategjisë “Europa 2020” në objektiva të nivelit operacional në marrëveshjet dhe programet e tyre të partneritetit.

Në mënyrë të ngjashme, si KLSH e gjykojmë shumë të rëndësishme që vendimmarrësit dhe zbatuesit e Buxhetit të Shtetit te ne të përqendrohen dhe bazohen me rigorozitet në objektivat dhe kërkesat e Strategjisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014- 2020”. Kemi hyrë në vitin e tretë të zbatimit të kësaj strategjie dhe konstatojmë se janë bërë përpjekje pozitive nga Ministria e Financave për zbatimin e disa drejtimeve të saj, por ende ngelet shumë për të bërë.

Treguesit kryesorë makroekonomikë të menaxhimit të borxhit publik dhe të deficitit buxhetor janë shumë prapa parashikimeve të Strategjisë. Përshëndesim vlerësimin B+ të marrë më 5 shkurt 2016 nga agjencia ndërkombëtare “Standard&Poors” lidhur me perspektivën financiare dhe fiskale të vendit tonë. Por, nga ana tjetër, shohim një moskoordinim mes institucioneve të tjera, veç Ministrisë së Financave, për zbatimin e Strategjisë.

Koherenca dhe respektimi i objektivave të saj sasiore dhe cilësore duhen të respektohen nga të gjitha ministritë e linjës, sidomos nga ato ku po zhvillohen ose do të jenë në zhvillim për një periudhë shumë të afërt, marrëveshjet PPP dhe ato koncesionare. Përgjegjësia e mbarëvajtjes së Strategjisë dhe respektimit të treguesve të saj nuk mund t’i lihet tërësisht ministrit të Financave dhe strukturës së drejtuar prej tij, por duhen mbartur nga të gjitha institucionet kryesore të shtetit: nga Kuvendi, ministritë, institucionet e tjera qendrore me profil të lartë ekonomik, si dhe KLSH.

Vetëm një zbatim me përpikmëri dhe me shumë përgjegjësi i objektivave të kësaj Strategjie, do të na bëjë të realizojmë një Buxhet Shteti koherent dhe eficient, sikurse e duan dhe e meritojnë plotësisht qytetarët shqiptarë.

*Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi