Projekti europian në periudhë kritike

Nga Vasil Kureta, botuar në Ballkanweb, 16 shkurt 2016

Ka kohë që projekti europian rënkon brenda kontradiktës reale për të avancuar përpara dhe ngurrimeve nga presionet e interesave të shtetit-komb, që nxisnin kompleksimin ndaj prirjes për prioritet të interesave europiane të bashkësisë. Madje kjo kontradiktë e ngurtësuar, ka penguar edhe hapin praktik, por edhe mendimin shkencor për të gjetur zgjidhjen e kontradiktës. Kriza ekonomike e vitit 2008 i rëndoi më tepër problemet e akumuluara në rrugëtimin e BE. Madje kjo krizë nuk është kapërcyer akoma dhe rrezikon një krizë tjetër, e mbivendosur mbi të parën, që mund t’i japë një goditje thuajse vdekjeprurëse ardhmërisë së projektit europian e që mund të kërcënojë rëndë stabilitetin e gjithë hapësirës europiane.

Është fakt historik që Gjermania e kaloi shpejt ndikimin e krizës botërore ekonomike dhe ruajti stabilitetin e rritjen ekonomike, edhe pse jo në nivele shumë të larta. Kjo mundësoi edhe një pushtet real ekonomik brenda BE dhe për rrjedhojë edhe një rol të dukshëm në vendimmarrjen e bashkësisë europiane. Kjo është shoqëruar me një mirëpritje brenda BE edhe në sensin që t’ia shkarkojnë Gjermanisë koston më të madhe të kapërcimit të krizës e problemeve, por edhe me një shqetësim rreth zmadhimit të pushtetit të Gjermanisë në vendimmarrjen europiane. Në fakt, Gjermania as e ka zmadhuar vetë këtë pushtet, as ka uzurpuar pushtet, as ka punuar të zvogëlojë rolin e pushtetin e organizmave mbikombëtarë, përkundrazi, është më mbështetësja e tyre. Gjermania e ka zmadhuar pushtetin e rolin në BE, me mbajtjen serioze të përgjegjësive europiane të bashkësisë dhe me ruajtjen e stabilitetit ekonomik e politik të saj, me ruajtjen e rritjes ekonomike dhe zbatimin e politikave efektive ekonomike e sociale brenda vendit.

Megjithatë, është i njohur fakti se pushteti ekonomik të siguron edhe pushtet politik e rol më të madh në vendimmarrjen e përbashkët. Të gjithë e mbajnë mend mënyrën e menaxhimit të krizës greke, kur vendimmarrja europiane pritej të konkludonte me qëndrimin e Gjermanisë. Po kështu, edhe tani e njëjta gjë po ndodh, me menaxhimin e krizës së refugjatëve, që realisht i ka acaruar më tej problemet brenda BE. Kjo situatë, nuk mund të mos krijonte shqetësim te disa vende anëtare, por edhe përtej BE. Madje, disa kanë punuar, që këtë shqetësim ta zmadhojnë e ta bëjnë armë të destabilizimit e përçarjes brenda BE.

Kur u krye bashkimi i dy Gjermanive, kancelari Kohl lëshoi premtimin se, në të ardhmen nuk do të kishte një Europë të gjermanizuar, por një Gjermani europiane. Megjithatë, në kushtet e krizës botërore dhe tash në atë të refugjatëve, edhe skeptikët e projektit europian janë fuqizuar, edhe populistët e nacionalistët kanë trashur zërin kundërshtues, ndaj vendimmarrjes europiane e peshës së rolit të Gjermanisë në të dhe i mëshojnë përqendrimit në interesat e shtetit-komb. Edhe kritikët ndaj projektit europian kanë rritur presionin për të ndryshuar shumë koncepte e praktika pune, që anojnë nga sentenca, me pak Europë e më shumë shtet-komb.

Edhe ndryshimet në sistemin e MN, ku aktualisht, më e rëndësishme është prirja e Rusisë për t’u afirmuar me prepotencë si superfuqi botërore dhe ka shpalosur një ekspansionizëm, që ka kafshuar realisht kufijtë e Europës, me aneksimin e Krimesë dhe konfliktin në Ukrainë dhe objektivat strategjikë ndaj ish-vendeve të BS dhe të ish-kampit socialist, për t’i kthyer në zona të influencës së Rusisë, lëshojnë goditje mbi ecurinë e projektit europian, apo e dëshirojnë frenimin dhe dështimin e këtij projekti bashkues, zhvillues e stabilizues. Është fakt se BE sot është një aktor tepër i rëndësishëm në sistemin e MN, pas rrëzimit të komunizmit, që i kontribuon stabilitetit, paqes dhe prosperitetit. Modeli i ri i këtij sistemi e përfshin dhe e ndjen nevojë këtë rol të Europës së bashkuar, por që vjen ndesh me objektiva të caktuar gjeostrategjikë. Jo rastësisht, kriza e refugjatëve po përdoret realisht si armë për destabilizimin dhe dështimin e projektit europian, që e ka rënduar më tepër përballimin e një problematike të brendshme të BE.

Ka dhe lëvizje rajonale që marrin frymëmarrje për të mbrojtur më shumë interesat rajonale e nacionale, se ato të bashkësisë europiane. Në fakt, ky problem i harmonizimit të interesave të shteteve-kombe dhe atyre europiane, të bashkësisë, përbën element thelbësor në ecurinë e projektit dhe përmbylljen e plotë të tij. Është një problem teorik e praktik njëherësh, që kërkon impenjim kompleks e jo spontanitet. Tashmë është domethënëse humbja e peshës dhe rolit politik të partive tradicionale në vendet europiane dhe rritja e peshës dhe rolit të partive nacionaliste e populiste, e pse jo skeptike ndaj projektit europian. Edhe lëvizja e Britanisë, në formë kërcënimi ndaj anëtarësisë së saj në BE, për të riparë e ndryshuar disa rregulla të raportit mes një vendi anëtar dhe bashkësisë, organizmave mbikombëtarë dhe mënyrës së vendimmarrjes së tyre, është pjesë reale e situatës problematike që kalon sot projekti europian. Është dhe pjesë e nevojës historike për t’u përballuar drejtpërsëdrejti dhe në mënyrë të organizuar.

Gjithnjë e më shumë, skeptikët po marrin terren e forcojnë mbështetjen në popujt e vendeve të tyre, dhe ideja europiane po humb peshën e rolin e saj, për rrjedhojë edhe mbështetjen e popujve e klasave të reja politike, që shfaqet qartësisht, në reagimet ndaj asaj, që po e quajnë si një vlerësim negativ, “burokracia europiane” dhe vendimeve të saj, për përballimin e problemeve brenda bashkësisë, ku sot evidencohet mprehtë kriza e refugjatëve dhe e rolit të BE në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nga strukturat e BE, duket që ka shqetësim të përmbajtur, por të pafshehur për problematikën kritike dhe ndaj mendimeve, se BE është ndoshta duke u kolapsuar, apo të ideve, që e konsiderojnë të pamundur avancimin më tej të projektit europian.

Edhe jashtë strukturave të BE, konstatohet një debat “teorik” rreth ardhmërisë së BE, ku skepticizmi dhe pesimizmi kanë shumë terren. Ka vëzhgime e ndoshta studime të pjesshme, por nuk ka një ndërmarrje serioze studimi të problematikës komplekse që përjeton projekti europian, nuk ka ide të reja për stimulimin dhe lëvizjen përpara të projektit. Konceptet e dy shpejtësive e të tjera si këto, janë tregues i një alarmi në sintezën “të shpëtojmë ç’mund të shpëtojmë”. Nuk mungojë idealistët, në nivel studiuesish e politikanësh, si kryeministri italian Renci, nuk mungojnë përkrahësit dhe mbrojtësit e projektit europian, që çuditërisht, edhe duan të avancohet, edhe frenojnë e pezullojnë zgjerimin, duke u dhënë një goditje të rëndë mbështetësve më të vendosur të projektit në vendet aspirante. Nëse vërtet ka shpresë e vullnet për ta shpëtuar projektin europian, atëherë duhet parë vetëm përpara dhe duke bërë vendimmarrje tepër të rëndësishme zgjidhëse, sa nuk është vonë dhe kolapsi i supozuar të bëhet i pashmangshëm.

Sot, më shumë se kurrë ka shumë nevojë për ide të reja, që do t’i japin impulse të reja projektit europian, ndryshe, kthimi te pika apo statusi i arritur në kushtet e luftës së ftohtë 1, ku kishte një komunitet europian dhe një treg të përbashkët europian TPE, troket te dera, por që do të shënonte dështimin dhe eksperimentin më të dështuar, pas Komunës së Parisit dhe projektit të socializmit në BS dhe vendet e tjera socialiste. Kjo do të shënonte një goditje të rëndë për stabilitetin europian dhe do të shoqërohej me pertubacione të rrezikshme në hapësirën europiane. Kjo do të shënonte goditjen më të rëndë ndaj vlerave europiane e perëndimore, që do të ndikonte direkt negativisht në stabilitetin social e ekonomik, brenda vendeve sovrane. Një dëm i jashtëzakonshëm do të shkaktohej ndaj vendeve, që aktualisht e duan projektit europian dhe i dëshirojnë vlerat europiane e perëndimore. Do të krijoheshin kështu hapësira të gjëra për synime reale gjeostrategjik e politike, që do të ndryshonin shumë ekuilibra të vendosur me kosto të larta.

Aktualisht, ka lindur nevoja edhe për lëvizje konkrete që mbrojnë projektin dhe bashkësinë europiane, por sidomos për koncepte e ide konkrete që prodhohen nga studime serioze të institucioneve të pavarura, por edhe të iniciuara e të mbështetura maksimalisht nga strukturat dhe vendet e BE. Varfëria ideore është një nga shkaqet, që ka krijuar situatën problematike, që përjeton sot projekti europian. Kjo problematikë nuk është thjesht në nivelin e një përplasjeje mes optimistëve dhe skeptikëve, por një përplasje mes të sotmes dhe të ardhmes së BE. Tashmë shqetësimi për të ardhmen e BE është në nivele të larta.

Konstatohet njëlloj qëndrimi që e konsideron këtë situatë të papërballueshme, por ka dhe nga ata që përpiqen që të kapërcehet kjo situatë kritike, me qëllim që projekti të lëvizë nga e ardhmja. Kryeministri italian Renci, përmes një qëndrimi kritik ndaj BE, ka pohuar se po i ngjan orkestrës, që luante në kuvertën e Titanikut, në momentin kur anija po fundosej në atlantik. Ai e konsideron një situatë më se kritike faktin, nëse BE nuk reformohet në mënyrë urgjente. Edhe ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentilloni, ka thirrur në Romë kolegët e gjashtë vendeve themeluese të BE, për të reflektuar së bashku, një mënyrë të mundshme për rimëkëmbjen e projektit europian.

Gjithnjë e më tepër do të bëhet më e mprehtë nevoja e një zgjidhjeje që i hap mundësi të reja projektit europian. Duket se ka lëvizje, që evidentojnë shqetësimin e lindur, por që bie në sy përqendrimi te defekte të caktuara, si demokracia në BE, mekanizmi që harmonizon interesat nacionale me ato europiane të bashkësisë, siç ka dhe nga ato që mendojnë të ruajnë projektin duke u rrudhur apo duke bërë disa rregullime marrëdhëniesh mes shteteve anëtare, ku bie në sy prirja për interesa nacionale. U besua shumë se idealizmi do të sheshonte ndarjet mes interesave kombëtare, duke shtratuar rrugën e fuqizimit të interesave të përbashkëta europiane. Një zgjidhje apo kapërcim efektiv i ngecjes së ecurisë së projektit europian, me sa duket do të vijë përmes prodhimit të ideve të reja, sepse idelizmi nxitës nuk shtyn më tej.

Projekti europian, pas krijimit të organizmave mbikombëtarë, u shty përpara nga idelizmi, që nuk u shoqërua me prodhim të ideve të reja, që do t’i përgjigjeshin pyetjes se si do të harmonizoheshin interesat e shteteve-kombe, që kanë prirje nga diferencat e ndarjet dhe atyre europiane të bashkësisë. Krijimi i organizmave mbikombëtarë, pas kësaj shterpësie ideore, krijoi një situatë rehatimi e fjetjeje, që vetëm akumulonte probleme e konsumoi keq strukturat europiane, që gjithnjë e më tepër kualifikoheshin edhe si burokracia europiane, edhe si organizma që dukej se vendosnin e nuk vendosnin, duke i parë ato gjithnjë e më shumë si barrë e vërtetë funksionimi të vetë BE. Kriza ekonomike botërore, e zgjatur dhe e pakapërcyer plotësisht, i thelloi më keq ndarjet, frymëzoi nacionalizmin, skepticizmin e populizmin, shqetësimin e përqendrimit të pushtetit e vendimmarrjes në një dorë apo shtet të vetëm. Me sa duket, po bëhet gjithnjë më e mprehtë nevoja, jo thjesht për ta shpëtuar BE, jo për kozmetika, që vetëm akumulojnë probleme, jo zgjidhje rrudhëse organizative, as bllokim të procesit e projektit, por për zgjidhje vizionare, për të bërë hapin e duhur të përmbylljes së plotë të projektit europian, që do të mundësohet nga një bazament, i krijuar nga idealizmi e shikimi përpara, realizmi e racionalizmi, që mundëson ide të reja, që ofron zgjidhje ndryshuese, që harmonizojnë realisht vlerat dhe interesat e shtetit-komb me ato europiane e të bashkësisë, që do të mundësojnë vërtet ndryshime rrënjësore dhe rregullime juridike që i bëjnë ato efektive e funksionuese. BE kanë filluar ta zënë krizat dhe dhimbjet e lindjes, apo më saktë të zgjidhjes së problemit të së ardhmes së saj. Dështimi i projektit europian nuk është alternativë. Ai është një vizion që e siguron të ardhmen nga vlerat që përmban.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi