Si duhet lexuar dhe interpretuar eurobondi 600 milionë euro?

Nga Sherif Bundo, botuar në Panorama, 12 pershor 2020

Procesi i daljes në tregjet financiare europiane dhe botërore të qeverive dhe të institucioneve të tjera publike, është po aq normal sa edhe loja në tregjet financiare e çdo operatori privat. Në kushtet e krijuara dhe të provokuara nga situata e Covid 19 tregjet financiare kanë pësuar tronditje të mëdha dhe janë shoqëruar me oscilacione të ndjeshme. Vetë ekspertët e tregjeve financiare, në mënyrë të veçantë analistët, por edhe brokerat dhe investitorët e interesuar, shoqëritë e portofolave dhe fondet e investimeve e kanë krahasuar këtë situatë me periudhën e “Depresionit të Madh” të viteve ’29-’33 të shekullit të kaluar, periudhë e cila është konsideruar me të drejtë si djepi ekonomik që polli Luftën e Dytë Botërore. Karakteristika kryesore e situatës që kanë kaluar dhe po kalojnë ende tregjet financiare në këto gjashtë muaj, është e lidhur me mungesën e optimizmit, me rënien e fortë ekonomike, me humbjen e perspektivave të investimit, me mungesën e kërkesës për fonde dhe me rritjen e presionit të depozitave në rritje dhe stokut të likuiditetit për t’u investuar dhe për punë. Në këto situata, qeveria shqiptare bëri publike organizimin e ankandit të radhës për marrjen e një huaje të re në euro, në shumën 600 milionë.

A DUHEJ MARRË KJO HUA NGA QEVERIA SHQIPTARE?

Sigurisht që po. Personalisht, në një artikull të datës 23 prill të këtij viti, në gazetën “Panorama”, kam shkruar “Qeveria mund të rinegociojë termat e disa kontratave të huamarrjes si dhe mund dhe duhet të emetojë një huamarrje të re në kufijtë e deri 400-450 milionë euro, në mbështetje të një pakete ridinamizimi prej rreth 1 miliard eurosh”. Një rruge të tillë do t’i ishte drejtuar çdolloj qeverie, pavarësisht profilit të saj, të majtë apo të djathtë, si e vetmja alternativë serioze për të ringritur ekonominë. Në kushtet kur ekonomia pësoi një goditje të rëndë, kur biznesi privat u paralizua dhe u plogështua, kur disa sektorë të ekonomisë pothuaj janë tërësisht jashtë loje, sikurse vazhdon të jetë turizmi, dhe sektorët e restoranterisë, bareve dhe kafeneve, transporti, industria dhe eksporti, etj., në kushtet kur buxhetit të shtetit i duhej të bënte disa sakrifica të imponuara nga situatat për të mos lejuar falimentimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë sonë të brishtë, huamarrja ishte një lëvizje e detyruar. Buxheti i shtetit është disbalancuar, ose, më saktë, disbalanca është thelluar dhe duhen vendosur ekuilibra të rinj. Kanë rënë të ardhurat e buxhetit të shtetit nga burimet kryesore me natyrë tatimore, por edhe me natyrë jotatimore. Për këtë, qeveria aktuale ka pasur, besoj, mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik, të mendimit politik, të specialistëve të botës së financave publike dhe të sektorit bankar. Pyetja që shtrohet ka të bëjë me faktin se cilat janë termat e negocimit të kësaj huamarrjeje? Për çfarë do të përdoret kjo huamarrje e re në ekonominë tonë? A do të mund të ndërtojë qeveria shqiptare një paketë politikash që janë vërtet në shërbim të ngritjes së shpejtë ekonomike të vendit? A ka qeveria shqiptare kapacitetet e nevojshme profesionale dhe ekspertizën e duhur për të seleksionuar prioritetet dhe për t’i orientuar këto burime financiare të huajtura, në shërbim të kërkesave dhe të interesave të publikut? Ky është thelbi i vërtetë i problemit dhe personalisht mendoj se në këtë drejtim të grumbullohet pa as më të voglin kompleks mendimi dhe sugjerimi i gjithkujt që gjykohet se ka ide dhe propozime të vlefshme. Për këtë lipset që qeveria të manifestojë një sjellje të tillë ku të dominojë virtyti i përulësisë

MARRJA E HUAS SË RE PUBLIKE, ËSHTË SUKSES APO VEPRIM RUTINË?

Të konsiderosh si sukses marrjen e një huaje, do të thotë të mos kuptosh logjikën dhe sjelljen ekonomike të qeverive dhe të tregjeve. Në ekonominë e tregjeve financiare dominon logjika e raportit të kërkesës dhe të ofertës për fonde. Nuk e kuptoj tentativën e qeverisë për ta shitur si sukses të madh marrjen e një huaje të re. Çfarë kuptimi ka kjo? Që tregjet financiare çmojnë dhe vlerësojnë shumë performancën e ekonomisë shqiptare? Çfarë performance? Ekonomia shqiptare është në ditën e saj më të keqe të këtyre 22 viteve të fundit. Parashikimet e instituteve kërkimore vendëse, por edhe ato të institucioneve financiare ndërkombëtare, si FMN dhe Banka botërore, por edhe Banka Qendrore Europiane apo BERZH-i, kanë parashikuar një tkurrje të ekonomisë. Ekonomia parashikohet që për vitin 2020 jo vetëm që nuk do të ketë rritje, por të ketë rënie deri në minus 5 % nën nivelin e Prodhimit të Përgjithst’u japin hua qeverive. Përse huadhëniet për qeveritë çmohen dhe vlerësohen si investimi më i mirë për këto institucione të specializuara të ndërmjetësimit financiar? E natyrshme. Institucionet financiare kanë ndjeshmëri të lartë ndaj riskut të investimit. Nëse ato do të investonin duke financuar sektorin privat, do t’u lipsej të merrnin përsipër edhe riskun sistematik, gjithsesi të lartë, edhe riskun e biznesit të kompanive private, po ashtu të lartë. Ky sektor nuk ka fuqinë e duhur të kërkesës për fonde. Nga ana tjetër, sektori privat kërkon huamarrjen e brendshme më me përparësi ndaj huamarrjes në tregje. Ngelet që investimi më i mirë për tregjet është akordimi i huadhënies për qeveritë. Ato, qeveritë, janë klientë me risk të ulët. Janë klientë që blejnë me shumicë. Janë klientë që edhe nëse do të vihen në vështirësi financiare për t’i kthyer huat, do të përdornin mekanizmat tradicionalisht të njohur të rritjes dhe rishikimit të tatimeve dhe taksave për të kthyer huat ndaj institucioneve financiare. Kjo është logjika që huamarrja nuk duhet konsideruar si sukses për qeverinë dhe se qeveria nuk duhet të manifestojë një sjellje fëmijërore për ta promouar huamarrjen si sukses të saj. Cila është merita dhe zotësia e qeverisë në këtë proces?

A DO TË SHËNOJË KJO HUAMARRJE E RE RRITJEN E BORXHIT PUBLIK?

Sigurisht që huamarrja e re do të rritë nivelin e huamarrjes publike në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto për vitin 2020. Do të rritet, në radhë të parë, sepse qeveria detyrohet të marrë hua të re, pa shlyer huan e vjetër. Në këtë mënyrë do të pësojë një rritje të ndjeshme stoku i huas. Nga ana tjetër, edhe nëse stoku i huas (shuma gjithsej e huas, përfshi edhe huan e re) nuk do të rritej, niveli i borxhit publik do të shënonte një rritje, sepse për vitin 2020 do të bjerë Prodhimi i Përgjithshëm Bruto. Kjo është ngjarje e sigurt. Rritja e nivelit të borxhit publik, që në fund të vitit do të kapë shifra shqetësuese, mund të kalojë edhe 80 apo 85 %, do të jetë ana tjetër e medaljes së huamarrjes. A duhet lejuar paralelizmi që kjo rritje të konsiderohet si dështim i plotë i qeverisë? Edhe në këtë rast duhet të përdoret logjika dhe duhet respektuar profesioni. Personalisht, mendoj se situatat aktuale janë mjaft të përshtatshme për të marrë hua dhe absolutisht të disfavorshme për të dhënë hua. Meqë ekonomia e vendit tonë dhe buxheti i shtetit janë të ekspozuar si huamarrës, edhe për shkak të pozicionit deficitar të buxhetit, atëherë do të ishte veprim i zgjuar të përdoret huamarrja (që publiku e njeh me termin eurobond, ose huamarrje me emetimin e kontratave huamarrëse në monedhën euro). Kjo huamarrje mund të përdoret edhe për të ristrukturuar stokun ekzistues të huas. Specialistët e financave publike në administratën e Ministrisë së Financave, specialistët e nivelit të lartë në Bankën e Shqipërisë, por edhe këshilltarët e tjerë të qeverisë, duhet ta kapin këtë situatë. Termat e huamarrjes varen nga disa faktorë, ndër të cilët më të rëndësishmit janë: gjendja dhe performanca e ekonomisë, besueshmëria dhe kredibiliteti i institucioneve, afati i maturimit të huas dhe teknikat e rimbursimit të saj. Nga një studim, gjithsesi sipërfaqësor, i huadhënies në tregjet financiare europiane, evidentohet se te huadhënia akorduar qeverive, për afate maturimi deri 10 vite, përdoren norma interesi që fillojnë nga 0,4 % deri në 2 %. Në një treg të tillë duhet penetruar. Është momenti të ristrukturohen nëse termat e kontratave e lejojnë një gjë të tillë, huat e vjetra me interes 5 apo 6 % me hua të re me interesa 1,5-2,5 %. Nëse ndodhin veprime të tilla, atëherë, pa asnjë dyshim do të gjykonim pozitivisht rolin e administratës në operacione të tilla. Këtu gjykohet vërtet kredibiliteti i institucioneve, nënkupto i qeverisë, dhe performanca e ekonomisë. Për të gjykuar koston e marrjes së huas, duhet të nisemi edhe nga norma bazë e interesit aplikuar si instrument i politikës monetare nga Banka jonë Qendrore.

A KA MARRË VENDI YNË HUA ME KOSTO TË ULËT?

Termat e huamarrjes nuk janë bërë akoma publike. Pritet data 16 qershor që të mbyllet zyrtarisht dhe proceduralisht tenderi i shitjes së bonove të thesarit të emetuara në euro. Nga studimi i gjendjes së situatës aktuale të tregjeve financiare europiane, veçanërisht bursave të Luksemburgut, të Frankfurtit dhe të Parisit, kam krijuar bindjen se ofertat për fonde, për huadhënie, janë mjaft interesante. Ja normat vjetore të interesit të eurobondeve për disa vende europiane, me afat maturimi rreth 10 vjet: për Bullgarinë 0,8 % huaja 10-vjeçare; Kanadaja 0,5 % huaja 10-vjeçare; Kroacia 1,4 % huaja 10-vjeçare; Qipro 1 % për huan 10-vjeçare; Republika Çeke 0,8 % për huan 10-vjeçare; Franca interesa negative për periudhat deri 5-vjeçare; Greqia 1,3 %; Hungaria 2,1 %; Izraeli 0,8 %; Italia 1,4 %, gjithnjë dhe të gjitha vendet për huat 10-vjeçare; Malta 0,7 %; Holanda -0,2 %, e kështu me radhë. Në këtë treg duhet të matë dhe vlerësojë veten ekonomia dhe qeveria jonë. Nëse përqindja e interesit të huave të marra për shumën 600 milionë euro nuk kapërcen nivelin vjetor të interesit 2 deri 2,5 %, atëherë unë do të thosha pa asnjë rezervë se vendi ka realizuar një huamarrje të suksesshme. Por, për këtë duhet pritur të paktën edhe një javë.

Së fundi, jo çdo njeri, pavarësisht nga funksioni apo misioni që kryen, mund dhe duhet të interpretojë termat e një huamarrjeje apo të veprimeve që kërkojnë formim thellësisht profesional. Jo çdo veprim duhet interpretuar si sukses politik. Sukses i madh politik do të ishte aftësia për të angazhuar kapacitetet më të mira që ka vendi dhe paraprirja e çdo procesi huamarrje me projekte të mirëmenduara.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi