Reforma, një çështje e mbrapshtë e politikës

Nga Monika Shoshori Stafa, botuar në Shqip, 8 shkurt 2016

Monika-Shoshori-StafaTeoria e tribadizmit, sipas së cilës, lufta politike në Shqipëri është shkaktuar dhe ushqyer tërësisht vetëm nga urrejtja për tjetrin dhe shtypja e tij (I’ll rock you!) ka qenë një teori që plotësisht askurrë nuk më ka bindur. Është njëlloj sikur të thuash se Holokausti gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë për shkak të urrejtjes së popullit gjerman ndaj hebrenjve. Assesi nuk do të mjaftonte një studim i shteruar i kësaj teze për të kuptuar se ky është një mashtrim i madh. Vetëm urrejtja mes tyre (politikanëve), edhe sikur të pranojmë se ekziston vërtet, nuk do të shkaktonte kaq shumë neveri dhe përbuzje mes turmës së një populli të lodhur nga hiletë e tyre në grabitjet e pronës, nga prokurorët dhe gjyqtarët, kjo kastë e neveritshme e mashtrimit të madh e të paskrupullt deri në dhembje, për t’i dalë zot gjithnjë pushtetit të radhës.

Por veç kësaj nëse do të kishte vluar seriozisht gjithë ky mllef, kjo mëri etërish dhe bijsh që shkulmon nga gurmazi i tyre çdo të enjte në foltoret e parlamentit, si ia bëjnë të jetojnë krah njëri-tjetrit kaq gjatë në këta 26 vjet? Pse do të duhet të mendojmë se mund të kenë ndërruar mendje një ditë të bukur papritmas me projektin e ri, të reformës në drejtësi? Reforma në drejtësi është një nga ato “dështime të këqija” që ata po i kalojnë së bashku nën dhe mbi tavolinë, si dhe dhjetëra çështje të tjera, peng të së shkuarës. Të gjitha dosje dhe projekte tërësisht të pambyllura suksesshëm që në pikënisje, duke vazhduar ta mbajnë Shqipërinë tonë të vogël, por jo të tyren, me ndërgjegje të plotë edhe një dekadë më e pakta, larg Europës.

Pas shumë përplasjeve plot urrejtje mes palëve, kalimi në një llogore tjetër, që çdo vit kjo klasë e mbrapshtë politike prodhon, mbetet tërësisht një vepër e parë sërish, si pjellë e politikës rutinë shqiptare. Dhe mua më duket se kanë të drejtë ata që mbështesin teorinë e fabrikimit të urrejtjes së tyre ndërpolitike apo arsyet përse pushteti politik i viteve ’90 demonstroi gjithë aftësinë e tij të përçarjes gjatë këtyre 26 viteve. Konfliktet që në gjenezë dhe projekti për të ngritur që në ngrehinë një shtet të së drejtës tërësisht të kapur nga politika, shërbyen për të përjetësuar një klasë të tillë drejtuese, të cilën sot ne kemi fatin e keq ta jetojmë. Që nga pikënisja, qëllimi i vetëm i saj ka qenë shmangia nga procesi i centrifugimit, që shembja e komunizmit mund të sillte dhe bashkë me të dhe privilegjet e tij.

Një klasë drejtuese, që për të ndenjur në pushtet nuk hezitoi atëherë, por edhe tani, të instrumentalizojë instanca të veçanta shtetërore duke peshkuar gjithmonë llumin e fundit të një vendi vazhdimisht në zgrip. Që këtej gjithkush duhet të rimendojë edhe një herë se çfarë duket të jetë në të vërtetë, reforma në drejtësi. Ndoshta një alibi e radhës për të mbajtur nën thundër pushtetin e tyre politik sikurse bënë në këta 26 vjet? Provat po shihen dhe kërkohen tjetërkund. Ende turraviten të dëshpëruar dhe të palumtur mes pushtetit të lakmisë, të pakënaqur nën delirin e plotfuqishmërisë, po aq të babëzitur dhe nën etjen e pafundme për pushtet, nën vesin e “krenarisë kriminale” si zotër të ca “zotërve” të mjerë. Kjo është e vetmja klasë politike në historinë e sistemit politik shqiptar që do të kujtohet për të tilla tipare, ndër të tjera dhe për paaftësinë e tyre për të dialoguar sy më sy a për të gjetur kompromise apo dhe për taktikat e tyre të dëshpëruara që fshehin mungesën e një projekti të vërtetë politik. Si dhe për faktin që nuk po përpiqen të bëjnë atë që është më e drejtë, në vend të asaj që u intereson në një çast të caktuar.

Të dytët arbitër, ata që marrin hijen e rëndë të gjykatësit në çdo proces, janë ata, të huajt, ndërkombëtarët, që për shumë nga ne, ka fajet e veta. Për pasigurinë, për hezitimin, për vonesën në marrjen e vendimit për të ndërhyrë me forcë. Për faktin se bën sikur nuk e kupton se kjo politikë e mbarsur e tillë që në krye të herës është fryt i një politike tinëzare, vrasëse dhe dinake e jo pasojë e urrejtjes mes kundërshtarëve politikë në ideologji. Mbi dobësitë e Europës tani është shkruar gjithçka: fakti që Bashkimi Europian, siç dhe e kemi parë në çdo ndalesë vihet në llogore sërish për të rifilluar këshillimet nga larg si ajo e darkës së Strasburgut në restorantin “Au Crocodile” apo korridoreve të Brukselit, do të mbetet gjithsesi një ngushëllim i vakët.

Eurodeputeti Eduard Kukan dhe Knut Flenkenstein theksuan gjatë një interviste se reforma në drejtësi është vendimtare për luftën kundër korrupsionit. Shumë shqiptarë ia atribuojnë kaosin institucional aktual një lufte për pushtet që kanë të gjitha palët politike në Shqipëri, dhe sigurisht zgjedhjet e fundit të cilat nuk nxorën një fitimtar të vetëm. Fakti që nuk fitoi askush, imponoi logjikën e kompromisit, e cila nuk favorizon qartësinë. Kjo është dhe arsyeja përse Brukseli, i lodhur nga shqetësimet që vijnë prej Shqipërie, i trembet reformës që e nisur si rezultat i ekspertëve, po mbyllet si një marrëveshje e negociuar politikisht.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan