Mbi shtetarët e integruar në Perandorinë Osmane

Nga Dritan Egro, botuar në Panorama, 6 shkurt 2016

dritan-egroNë Gjenealogjinë e familjes Muzaka, shkruar në fillim të shek. 16, fisniku shqiptar Gjon Muzaka rrëfen se Bejlerbeu i Rumelisë/Ballkanit, Sinan Pasha, që më 1430-n kishte qenë protagonist në marrjen nga osmanët të Selanikut dhe Janinës, nuk ishte askush tjetër veçse i biri i Bogdan Muzakës.

Kronikani bizantin, Dukas, kur rrëfen ngjarjet në kampin osman gjatë sundimit të Sulltan Bajazitit I në fund të shek. 14, pohon se veziri i oborrit, Bajazit Pasha, ishte shqiptar. Këto të dhëna tregojnë që lidhjet njerëzore mes turqve dhe shqiptarëve dhe fillesat e integrimit të shqiptarëve në nivele të larta të administratës osmane zbresin shumë thellë në kohë, qysh në dekadat e fundit të shek. 14.

Moment kyç në marrëdhëniet mes elitave ballkanase dhe veçanërisht shqiptare me atë osmane duket se ka shënuar Beteja e Kosovës e vitit 1389. Në atë betejë aristokracia ballkanike ishte rreshtuar në të dyja kampet, si në atë të Aleancës Ballkanike, ashtu edhe në atë osmane. Disfata ballkanase ngjalli pasiguri të madhe në rajon, çka e shtyu një pjesë të mirë të aristokracisë shqiptare që, nga ky moment rrugët e përfitimit t’i kërkonte brenda strukturave të Perandorisë Osmane, e cila po lëshonte rrënjë në Ballkan.

Dokumentacioni osman dëshmon se të tre djemtë e Teodor Muzakës, i vrarë në këtë betejë, u konvertuan në Islam dhe u bënë funksionarë të lartë osmanë: Jakupi, kreu i sanxhakut shqiptar, Kasem Pasha, kreu i sanxhakut shqiptar dhe më pas bejlerbej i Rumelisë, dhe Sulejmani, subash i qytetit të Beratit. Ndonëse hasen rëndom fakte të tilla, deri më sot janë lënë jashtë vëmendjes së studimit, madje jo vetëm në historiografinë shqiptare, por edhe në historiografinë moderne turke dhe atë perëndimore. Përgjatë shek. 20, në kushtet e shtetndërtimit të vështirë kombëtar, si shqiptarët, ashtu edhe fqinjët, madje edhe vetë Turqia republikane mbajti një qëndrim të ashpër kritik ndaj trashëgimisë osmane. Në këto kushte, historiografia moderne shqiptare e braktisi në mënyrë të vullnetshme njohjen e të gjithë shqiptarëve që u integruan në strukturat shtetërore osmane, ndërkohë që falë tyre, duke filluar nga shek. 16, historia e shqiptarëve zgjerohet shumë në terma gjeografikë dhe zgjatet nga Hungaria deri në Jemen, nga Algjeria deri në Poloni e Ukrainë.

Madje, ata edhe sot e kësaj dite shërbejnë si bazamenti historik i marrëdhënieve shqiptaro-turke. Ndërsa në Turqinë republikane të shek. 20, paragjykimi për të shkuarën osmane ishte mirëfilli ideologjik, në rastin shqiptar paragjykimi mori edhe karakter politik, duke sjellë refuzimin e njohjes së kësaj kategorie shqiptarësh, të cilët bënë emër dhe famë që shumë herë i kaloi edhe kufijtë e Perandorisë Osmane. Nga ana tjetër, historiografia shqiptare e shek. 20 mbeti e kyçur brenda hapësirës shtetërore shqiptare. Kështu, nuk u arrit të njihej ajo se çfarë përfaqësonte realisht Perandoria Osmane dhe cila ishte domethënia e zgjerimit të saj fillimisht në Ballkan dhe më pas në Europën Qendrore e Perëndimore. Kjo optikë e kufizuar e ka bllokuar sheshpamjen reale të asaj se çfarë ka ndodhur realisht me elitën shqiptare qysh në shekujt e parë të realitetit osman.

Historiografia moderne turke tokat shqiptare dhe shqiptarët i ka studiuar shumë pak, madje pothuajse fare, por edhe kur i ka analizuar, hapësira gjeografike e analizës është shtrirë nga Anadolli deri në brigjet adriatike shqiptare. Përsa i përket dokumentacionit të përdorur, dominanca absolute i ka takuar dokumentacionit osman, duke lënë përgjithë- sisht mënjanë dokumentacionin perëndimor. Kështu, historia osmane e shkruar në Turqi përgjatë shek. 20 ka qenë mirëfilli një rrëfim turk. Historiografia moderne turke nuk e ka bërë objekt të veçantë studimi peshën e grupeve etnike brenda drejtimit të perandorisë, dhe veçanërisht të grupeve etnike që kishin përqafuar fenë islame.

Një realitet i tillë njohjeje e ka ngushtuar tej mase hapësirën e veprimit të shqiptarëve, të cilët gjatë periudhës së invazionit osman kanë qenë lojtarë të rëndë- sishëm jo vetëm në Ballkan dhe në pellgun e Adriatikut, por edhe pjesë e projekteve politike që fillonin nga Atlantiku dhe përfundonin në Anadoll. Për sa i përket historiografisë perëndimore që është marrë me shqiptarët në periudhën osmane, hapësira gjeografike e analizës fillon në Europë/Atlantik dhe mbaron në viset më lindore të zotërimeve të Kastriotëve, pra në linjën Tetovë – Ohër.

Kjo historiografi i ka lënë tërësisht mënjanë shqiptarët që bënë karrierë në shtetin osman, njohja dhe studimi i aktivitetit të të cilëve do të kërkonte krijimin e një hapësire integrale veprimi që fillon nga Europa Perëndimore e zgjatet deri në Lindjen e Mesme. Është me vend të thuhet që në shekujt e parë të sundimit osman, tokat shqiptare u shpërfaqën si arenë rivaliteti e konflikti mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane, kurse në shekujt e mëpasëm si vise kufitare mes dy botëve, asaj të krishterë dhe asaj islame. Në këtë kontekst të gjerë politik dhe fetar, pika e lidhjes mes Lindjes së Mesme dhe Europës Perëndimore ishte Ballkani, kurse pika e lidhjes mes Ballkanit dhe Europës Perëndimore ishin shqiptarët, të cilët treguan fleksibilitetin më të madh politik dhe fetar qysh në fillimet e vendosjes së sundimit osman në Ballkan.

Studimi i elitës mesjetare shqiptare dhe procesi i integrimit të saj në strukturat shtetërore osmane kërkon, së pari, çlirim të plotë ideologjik, që do të thotë elita shqiptare dhe më pas populli shqiptar gjatë periudhës osmane duhen konceptuar të vendosur brenda ligjësive historike të kohës, në raport me botën islame dhe me atë të krishterë. Së dyti, duhen kërkuar shkaqet që elitën mesjetare shqiptare e detyruan të reagonte në forma të ndryshme ndaj realitetit të ri që po instalohej në rajon.

Nga ana tjetër, njohja e shqiptarëve të integruar në shtetin osman kërkon profesionalizëm dhe mjeshtri të një klasi të veçantë, pasi studimi i tyre si individë dhe i periudhës në përgjithësi ngërthen brenda vetes sa historinë osmane, po aq edhe historinë turke paraosmane dhe historinë e Islamit; sa historinë e Europës dhe të Krishterimit, aq edhe njohjen e trashëgimisë politike dhe kulturore të Bizantit, por edhe studimin e marrëdhënieve intensive me popujt sllavë.

Shqyrtimi preferencial i dokumentacionit historik do të sillte veçse njohje të pjesshme të realitetit dhe nuk do të mundë t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve që edhe pas gati dy shekujsh historishkrimi modern qëndrojnë ende pa përgjigje; për shembull: Pse elita mesjetare shqiptare, në një masë të madhe, ndoqi rrugën e integrimit në strukturat osmane? Cilat ishin ligjet morale dhe politike të kohës? Krahas qasjes horizontale, pra njohjes së gjithë spektrit të reagimeve të elitës shqiptare dhe institucioneve turke të thithjes së kuadrove ballkanike, hulumtimi në këtë fushë duhet të depërtojë edhe vertikalisht në kohë, duke përfshirë natyrën e marrëdhënieve të elementëve shqiptarë edhe në perandoritë apo shtetet e tjera pararendëse të osmanëve në Ballkan e më gjerë.

Qëndrimi i ashpër ideologjik i mbajtur ndaj shqiptarëve të integruar në shtetin osman, duket se nuk ka qenë i njëjtë me atë të shqiptarëve të integruar në perandoritë e mëparshme që kanë sunduar në tokat shqiptare. Për shembull, burimet mesjetare na bëjnë me dije se një pinjoll i familjes së njohur Matrënga, Nikolla, u ngjit deri në postin e lartë të gjykatësit të përgjithshëm në Bizant, në gjysmën e parë të shek. 14, vetëm pak kohë para se bashkëkombësit e tij të ngjiteshin në poste të larta në Perandorinë Osmane.

A ishte pra edhe ai një renegat, ndërkohë që nga bizantinët thirrej barbar (jo greqishtfolës i lindur)? Shqiptarëve të integruar në shtetin osman historianët perëndimorë u vunë një emër të përgjithshëm, renegatë, një cilësim thellësisht ideologjik, duke i klasifikuar si të këqijtë e historisë mesjetare shqiptare, duke mos marrë në konsideratë faktin që pikërisht tek ata duhen kërkuar rrënjët e familjeve të mëdha shqiptare që u formuan gjatë shekujve osmanë dhe në shek. 19 morën përsipër zhvillimin e nacionalizmit shqiptar, por edhe ndërtimin e shtetit shqiptar. Problemi me të cilin përballemi sot është se si duhet studiuar metodologjikisht kjo kategori shtetarësh shqiptarë.

Elita mesjetare shqiptare, që përbëhej nga një varg familjesh disashekullore (Skurrajt, Muzakët, Arianitët, Topiajt dhe Balshajt etj.), ishte njohëse dhe protagoniste në zhvillimet politike të realitetit mesdhetaro-ballkanik. Potencialisht ato gëzonin përvojën e kapacitetin politik që të sundonin në territore gjithnjë e më të gjera, duke synuar t’ia zinin vendin cilësdo familjeje dinastike vendëse apo sunduese në rajon, mjafton që t’i jepej rasti.

Këto veçori të elitës aristokratike shqiptare në dokumentacionin osman i gjejmë të shprehura me një fjali: princ fisnik i kohës, i zoti për shpatë dhe për shtetadministrim. Kjo fjali shpreh në formë sintetike mënyrën se si zyrtarisht osmanët e njohën elitën mesjetare shqiptare, por njëkohësisht edhe arsyen se pse kjo pjesë e elitës shqiptare arriti qysh në shek. 15 rangjet më të larta të shtetit osman. Procesi i integrimit të shqiptarëve në strukturat e shtetit osman u detyrohet dy institucioneve: 1. Pengu i gjallë, marrja e djemve të princërve të krishterë peng në oborrin e sulltanit.

Kjo situatë lidhej drejtpërdrejt me faktin nëse princi i krishterë ngrinte krye për të hedhur poshtë vasalitetin osman, apo jo. Për këtë kontingjent djemsh në Sarajin Osman ishte rezervuar një dhomë e veçantë. Institucioni i pengut të gjallë nuk ishte një institucion mirëfilli turko-osman; ai ishte huazuar nga Bizanti. 2. Devshirmeja, grumbullimi i fëmijëve të krishterë për nevojat ushtarake osmane. Ky institucion lindi si nevojë për forca njerëzore në kohën që shteti osman realizoi një ekspansion shumë të shpejtë në Ballkan dhe në Europën Qendrore. Ky institucion e furnizoi rregullisht ushtrinë osmane me gjak shqiptar dhe me të shpjegohet roli i shqiptarëve në krye të Korpusit të Jeniçerëve. Nëpër këtë institucion kanë kaluar edhe Qyprilinjtë e famshëm nga Rroshniku i Beratit.

Nga ana tjetër, kastën e shqiptarëve të integruar në strukturat e shtetit osman nga shek. 15-18 mund ta klasifikojmë në tri grupe: Grupi i atyre që jetuan dhe punuan në të gjitha hapësirat e perandorisë, që e përdornin ende emrin etnik Arnavud, por që më së shumti shërbyen në vise të ndryshme të perandorisë. Një vështrim kritik mbi dokumentacionin osman tregon se solidariteti etnik mes shqiptarëve ka filluar shumë herët, qysh në gjysmën e dytë të shek. 15.

Për shembull, një vajzë e Arnavud Sinan Pashës, pinjoll Muzakash, dhëndër i Sulltan Bajazitit II e bejlerbej i Rumelisë, u martua me Ahmet bej Dukagjinin, fillimisht sanxhakbej i Ankarasë, e më pas Kryeministër i Perandorisë Osmane. Përtej solidaritetit etnik, tashmë ka ardhur koha të njohim edhe rolin që këta shtetarë shqiptarë kanë luajtur në politikëbërjen dhe në vendimmarrjen brenda strukturave shtetërore osmane.

Qyprilinjtë nga Berati, jo vetëm që i dhanë pesë kryeministra perandorisë, por me politikat e tyre frenuan shumë procese që shpejt do ta çonin perandorinë drejt kolapsit të plotë. Në grupin e dytë do të klasifikonin ato familje myslimane shqiptare, të cilat nga gjiri i tyre nxorën zyrtarë osmanë në tokat shqiptare, por edhe kryeministra të perandorisë. I tillë është rasti i familjes Vlora, e cila sipas udhëtarit turk Evliya Çelebi, në mes të shek. 17, në krye të sanxhakut të Vlorës kishte Hysen Pashën Vlorën, kurse po në atë kohë, në Stamboll kryeministër ishte xhaxhai i tij, Kara Murat Pasha.

Me këtë pozitë që ka gëzuar për shekuj mund të shpjegohet pesha politike e kësaj familjeje në nivel perandorak, por edhe roli i saj specifik në lëvizjen nacionaliste shqiptare. Në grupin e tretë do të klasifikonim ata shqiptarë, shtetarë osmanë, që u shfaqën në skenën politike osmane, duke mos kaluar nga Stambolli.

Afirmimi i tyre u bë pa lejen e Stambollit, por u konfirmua prej tij. Të tillë ishin Bushatllinjtë dhe Ali Pasha Tepelena me të bijtë. Megjithatë, ngjitjen deri në postin më të lartë kryeministrat shqiptarë të perandorisë nuk e kanë pasur të lehtë. Ismail Qemali kujton se karrierat e tyre janë zhvilluar edhe me gjak; pra, ata vërtet kanë bërë emër, por edhe janë vrarë apo ekzekutuar. Shqiptarët u integruan në Perandorinë Osmane, por vetë përdorimi i emrit etnik shqiptar dëshmon se ata e ruajtën identitetin e tyre, jo vetëm në komunikimin e përditshëm, por edhe në dokumentet zyrtare e literaturën historike të kohës.

Ndaj mund të themi se shqiptarët myslimanë u integruan fort në Perandorinë Osmane, por nuk u asimiluan. Ndërsa natyra dhe shkallët e integrimit të tyre në shtetin osman ishin të ndryshme, një gjë është më se vërtetë: shqiptarët e integruar në shtetin osman kanë mbajtur mbi supe një pjesë të madhe të peshës në drejtimin e perandorisë; falë elementit etnik shqiptar mund të kuptohet më mirë karakteri multietnik i kësaj perandorie dhe fleksibiliteti i treguar prej saj në ndarjen e pushtetit, çka është edhe një prej faktorëve që i garantoi jetëgjatësi asaj.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan