Reforma dhe hierarkia e përmbysur institucionale

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli, 16 janar 2016

Afrim_KrasniqiDebati për reformën në drejtësi ka arritur në kuotat më të larta politike. Mbaroi faza e ekspertizës, u dhanë vlerësimet primare të Venecias, faktori ndërkombëtar konsumoi presionin e tij politik dhe tashmë draftet dhe fati i saj është në tavolinat e politikës. Siç pritej, palët politike duken larg njëra-tjetrës, dhe madje, kanë interes të jenë larg njëra-tjetrës. Sepse në prioritetet politike në Shqipëri, axhenda për shtetin dhe interesin publik ka qenë edhe është dytësore, ndërsa primare mbetet axhenda dhe interesi i vetë politikës. Më shumë sesa analiza e reformës, defektet e saj, rrugëzgjidhjet e mundshme institucionale, etj, debati është përqendruar tek llogaria e votave dhe mekanizmave imponues përmes votës.

Të dy palët po luajnë me oferta maksimale. Mazhoranca me 84 vota numerike mendon se votat e saj janë legjitime për të marrë vendime zgjedhore në gjithë hierarkinë e sistemit të ri të drejtësisë. Në fakt, kërcënimi më i madh për mazhorancën nuk janë deklarimet e opozitës, por problemet brenda saj. 84 votat e saj janë numerike, por nuk janë qartësisht funksionale. Plus, 84 votat janë më shumë post-zgjedhore sesa zgjedhore, të paktën 5-6 deputetë ia janë shtuar asaj rrugës, megjithëse janë zgjedhur nga listat elektorale të opozitës së sotme. Opozita gabimisht mendon se ndryshimi i status-quos është në disavantazh të saj. Ajo thotë se sistemi mund të reformohet vetëm duke krijuar garanci bllokuese prej saj. Ajo nuk ka numra votues, nuk ka vota popullore bllokuese dhe kërkesa e saj maksimaliste, ngjan dukshëm pa sens dhe pa garanci, se edhe vetoja e saj (92 vota) do të mund të prodhonte një sistem më të mirë sesa ai me 84 vota. Sipas vetë traditës, veto bllokuese ka prodhuar kriza ose përfaqësim politik të balancuar, ndërkohë që publiku, vendi dhe partnerët tanë kërkojnë jo një sistem drejtësie në krizë apo të balancuar politikisht, por një sistem drejtësie të pavarur, profesional dhe larg ndikimit politik.

Nga ana tjetër, ka një fakt interesant që na bën skeptikë për sistemin e vlerave që palët pretendojnë që mbrojnë me fanatizëm. Shteti përbëhet nga institucionet dhe në demokraci, qytetarët marrin pjesë direkte dhe indirekte në qeverisjes. Në Shqipëri ata nuk kanë pushtet direkt, dhe se piramida e legjimitetit në hierarkinë shtetërore është e kthyer mbrapsht. Le të marrim një shembull aktual: në sistemin politik shqiptar zyrtari me kuotat më të larta zgjedhore është Avokati i Popullit. Ai duhet të zgjidhet nga 84 vota, 3/5 e të gjithë deputetëve. Ky institucion, në hierarkinë e funksioneve renditet shumë poshtë, gjithsesi ligjvënësi dhe vullneti politik i ka krijuar kufi kaq të lartë zgjedhor. Gjithsesi, herën e fundit të zgjedhjes, palët ndryshuan mendje, injoruan praktikën kushtetuese dhe drejtuesi i AP u përzgjodh nga selia e një partie politike!!. Nga ana tjetër, megjithëse janë në krye të sistemit qeverisës, Presidenti dhe Kryeministri zgjidhen me 71 vota, pra me 13 vota më pak sesa Avokati i Popullit. Për kryeministrin është kufi normal, sepse përfaqëson shumicën e parlamentit, kurse Presidenti, me mandat 5 vjeçar dhe përfaqësues i Unitetit të Popullit, numri prej 71 votash është minimal, është dukshëm pa sens dhe e kthen atë në nënprodukt të vullnetit politik të vetëm një pale politike.

A duhet zgjedhur prokurorët dhe gjyqtarët drejtues me më shumë vota? Me 36, me 71, me 84 apo me 92 vota? Praktikat e vendeve më me demokraci funksionale se Shqipëria ofrojnë modele të ndryshme, por logjikë të njëjtë: sistemi politik dhe qeverisës duhet të ketë sens zgjedhor, vlerësim hierarkik, të jetë legjitim, i besueshëm dhe efektiv. Zgjedhja tërësisht partiake dhe zgjedhja e kushtëzuar dypartiake janë propozime në kundërshtim me këto modele. Gjithashtu, vendosja e një piramide të re hierarkike në gjyqësor dhe vendimmarrje, duhet të ketë sens mase dhe përgjegjshmërie. Për shembull, a ka sens që një gjyqtar i një trupe zgjedhore qoftë edhe në Gjykatën e Lartë, apo në trupën vlerësuese zgjedhore apo në KLD/strukturën e re që krijohet, të ketë mandat shumë më përfaqësues sesa Presidenti i Republikës? Natyrisht që jo. Ndaj reforma, nëse merret me logjikën e numrave, sensit, besueshmërisë dhe funksionalitetit, duhet të krijojë një sistem të ri hierarkik në sistemin qeverisës në vend. Duke rritur numrin e votave të zgjedhjes së Presidentit, në të paktën 84 vota, ose duke e kaluar atë në zgjedhje direkte politike. Nëse një mazhorancë e kërkon Presidentin me 71 vota, le të provojë ta marrë atë me votë qytetare direkte. Këtë sistem aplikon Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Serbia, etj. Përse të mos e aplikojë edhe Shqipëria?

Së dyti, le të zgjerohet demokracia funksionale dhe institucionet e garancisë. 84 apo 92 votat e sotme parlamentare janë produkt emërimi, – deputetët zgjidhen nga partitë përmes listave të mbyllura proporcionale. Le ti zgjedhim ata direkt, ose në mazhoritar, ose në formë preferenciale me lista të hapura. Nëse deputetët zgjidhen më me shumë legjitimitet e mbështetje qytetare mandati i tyre merr më shumë vlerë dhe përfaqësim, dhe 84 apo 92 votat direkte janë shumë më me vlerë në demokraci sesa 84 apo 92 votat e emëruara.

Së treti, politika i ka një borxh të madh qytetarëve. Kontratën e saj me qytetarët (kushtetutën 1998) e ka ndryshuar të paktën katër herë (2007, 2008, 2012, 2015) pa pyetur qytetarët. Tani kërkon ta ndryshojë përsëri, madje në mjaft nene të reja. Kontrata e ndryshuar në mënyrë të njëanshme nuk ka vlerë, dhe ndryshohet sa herë kemi rotacione politike të thella, siç ndodhi më 2013. Që kushtetuta (kontrata) të ketë vlerë, që qytetarët të ndjehen më të përfaqësuar, më vendimmarrës dhe që politika të flasë në emër të tyre, ka vetëm një zgjidhje, – referendum popullor për një draft kushtetues me të paktën dy alternativa në çështjet thelbësore me interes shtetëror e publik. Flasin në emër të qytetarëve, – le tia besojnë qytetarëve vendimmarrjen!

Nuk ka rëndësi nëse draftet i bëjnë ekspertët, nëse ata kanë konflikt interesi, nëse politika vendos të ndërhyjë përmes bisedimeve apo nëse zgjidhjet teknike përfundojnë me natyrë eksperimentale, sic ka ndodhur shumë herë me reformën zgjedhore. Rëndësi merr thelbi i konceptit mbi sistemin e ri politik e qeverisës: nëse sistemi piramidal i zgjedhjes mbahet i përmbysur, nëse eksperimentojmë më tej me institucionet, kushtetutën dhe ligjet pa ofruar reflektim nga gabimet e provuara të 1991, 1998 apo 2008, nëse vullneti për pakte të fshehta nominale politike dominon detyrimin për vullnet qytetar në vendimmarrje, – atëherë reforma e re nuk do jetë aq e re dhe se produkti i saj do të jetë shumë më tepër histerik sesa historik. Ky është një leksion që zyrtarët e Brukselit po e shohin në mënyrë kritike edhe në Hungari e Poloni. Shqipëria mund të jetë stacioni i radhës, për tu ndjekur më pas edhe nga modelet identike autoritare dhe të personalizuara në rajonin e brishtë të Evropës Juglindore. Ndaj është koha për një vizion më afatgjatë, për shtet në vend të pushtetit, për interesa publike në vend të interesave politike, për lidership dhe aftësi që edhe në një vend me 1000 probleme si Shqipëria, shpresa tek demokracia dhe vlerat e saj të mos shuhet.

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi