Tjetërsimi i një parlamenti

Nga Teuta Nunaj, botuar në Mapo, 14 janar 2016

Teuta-NunajMandatimi nga KQZ-ja i deputetes më të re të parlamentit shqiptar, rizgjoi sërish opinionet publike, mbi cilësinë dhe vlerat e këtij parlamenti, i teti për nga radha në tranzicionin demokratik. Parlamenti është tribuna e çdo kombi dhe prezumohet se aty duhet të jenë njerëzit më të zgjedhur, intelektualët më të mirë, më të mençur, më dobiprurës dhe më ndihmues kundrejt kombit. Në Shqipëri, Kodi Zgjedhor nuk e mundëson që parlamentarët të zgjidhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë përmes sistemit maxhoritar. Përkundrazi, me vetëdije të plotë të hartuesve të tij, Kodi ka krijuar kryetar partie fuqiplotë, duke i dhënë vetes të drejtën sublime të zgjedhin ata dhe jo populli, anëtarët e ardhshëm të parlamentit.

Është folur dhe vijon të flitet për parlamentin më të dobët në historinë e 25 viteve demokraci, ku një nga arsyet themelore është se anëtarët e tij nuk kanë formimin e duhur arsimor, kapacitetin e domosdoshëm intelektual dhe nivelin e nevojshëm të përvojës, që të marrin përsipër përgjegjësitë e një kombi. Arsye këto, që i bëjnë edhe më të papërgjegjshëm një pjesë të konsiderueshme prej tyre, kundrejt detyrës së lartë që ata duhet të bëjnë, por që jo të gjithë e bëjmë.

Në 16 seancat parlamentare të sesionit të pestë, Legjislatura VIII (në vijim), sipas të dhënave të procesverbaleve të këtyre seancave plenare, të publikuara në faqen e web site të Kuvendit të Shqipërisë, në mijëra orë parlamentare, kanë folur 66 deputetë të pozitës dhe 45 të opozitës. Shumë prej tyre kanë mbajtur vetëm një herë fjalim. Ndërsa pjesa tjetër, që përbëjnë 24% të deputetëve të pozitës dhe 15% e deputetëve të opozitës kanë heshtur dhe nuk kanë shprehur asnjëherë qëndrimin e tyre në sallën plenare të parlamentit edhe për çështje me ndjeshmëri të lartë publike, si ajo e CEZ-it, paketës fiskale, buxhetit etj. Në total 29 deputetë ose 21% e tyre kanë qenë thjesht dëgjues ose vëzhgues, që do të thotë se, nga buxheti i shtetit ata janë paguar me 14.4 milion lekë në tre muaj për prezencë fizike në Kuvend dhe jo për punë konkrete. Ndaj natyrshëm lind pyetja: Kur në Kuvendin e Shqipërisë me 140 deputetë, 29 prej tyre nuk janë aktivë, a është e drejtë dhe ligjore që këta 29 deputetë të paguhen nga taksat tona për inaktivitetin e tyre?

Po kështu, përmes të dhënave zyrtare të botuar po në të njëjtën faqe, shohim se niveli arsimor i deputetëve tanë lë shumë për të dëshiruar, një pjesë e tyre vazhdojnë ende studimet për t’u “kompletuar”, një pjesë nuk janë transparentë për universitetet ku kanë studiuar dhe një pjesë janë me diploma nga universitetet e mbyllura. Një tjetër e dhëna ka të bëjë me faktin se deri tani kemi 27 deputetë të rinj ose 19% e totalit, që kanë marrë mandatet e deputetëve që kanë qenë në krye të listës, pasi kanë dhënë dorëheqjen apo janë larguar, duke bërë që deputetët e këtij parlamenti të jenë nga më të qarkullueshmit në krahasim më legjislaturat e tjera dhe duke e kthyer parlamentin në çel e mbyll.

Kjo bën që këta deputetë të jenë intelektualisht të paplotë që të mbrojnë, kundërshtojnë apo përmirësojnë një ligj dhe ndërkohë të gjithë këta deputetë i kushtojnë për çdo muaj buxhetit të shtetit 22.4 milion lekë. Nuk mungojnë edhe deputetët me rekorde kriminale, të cilët sa më parë duhet të dorëzojnë mandatet dhe të dalin përgjithmonë nga skena politike shqiptare. Ndaj ata nuk mund të jenë moralisht, kulturalisht dhe intelektualisht përfaqësuesit e kombit në parlamentin tonë.

Kjo cilësi e dobët është një arsye edhe më shumë për të bërë ndryshime të thella dhe të rëndësishme për Kodin Zgjedhor, që të ndalet shit-blerja e votës; të ketë transparencë në financimet e partive politike dhe shpenzimet e tyre, sidomos në kohë fushate; për rregulla të qarta për numërimin dhe vlefshmërinë e votës; që votuesit të kenë të drejtën të zgjedhin kandidatin që duan; dhe njëkohësisht, vota e çdo votuesi të vlerësohet drejtë dhe të shkojë për subjektin që ai ka zgjedhur. Por që Kodi të rregullohet, nuk mjafton vetëm vullneti dhe deklaratat politike, por duhet edhe punë konkrete që ndryshimet të ndodhin vërtet.

Tashmë parlamenti ynë është kthyer në një veshje të shtrenjtë, që ka humbur shkëlqimin e duhur, por që e lakmojnë të gjithë, që griset vazhdimisht dhe arnohet me copa që nuk i përshtaten as në ngjyrë, as në cilësi dhe as në madhësi. Është bërë për keqardhje dhe për të të ardhur turp sesi është katandisur.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi