Dallimi mes të majtës dhe të djathtës

Botuar në Mapo Online, 13 janar 2016

mirrorleftright

Dallimet janë të shumta, ato nisin nga premisat dhe idetë mbi njeriun, botën, shoqërinë, të mirën dhe të keqen dhe përfundojnë në politika që përkthejnë këto ide. Në Shqipëri këto dallime as që vihen re fare dhe madje ato vijnë edhe bëhen të paqena, më së shumti për shkak të nivelit mizerabël të artikulimit të politikës.

Ka kohë që shumica e studiuesve, analistëve apo vëzhguesve të politikës mendojnë se dallimet e majtë-e djathtë në politikë apo partitë politike, janë zbehur ose janë bërë gati të padukshme. Kjo në fakt vihet re thuajse në të gjitha partitë politike të vendeve të Europës dhe të Amerikës së Veriut, vende ku këto dallime dikur kanë qenë të thekshme. Pavarësisht këtyre zhvillimeve dhe pavarësisht këtij mjegullimi, përsëri ndarjet janë të mëdha. Ato kanë të bëjnë me premisat nga të cilat mendimi i majtë apo e djathtë sheh botën, njeriun, shtetin, pronën, të drejtat etj., premisa të cilat thuajse nuk kanë ndryshuar aspak. Në politikën aktive jo të gjithë politikanët janë të vetëdijshëm për këto këndvështrime apo bindje por mendimtarët, studiuesit janë kujdesuar gjithnjë hollësisht për to. Në Shqipëri (me shumë pak përjashtime) deputetët dhe politikanët aktivë kurrë nuk e kanë ditur qartë se çfarë ëhstë e majta dhe e djathta, nga ku burojnë idetë e tyre, çfarë është njeriu, shoqëria, shteti, e drejta dhe si këto ide përkthehen në politika. Shumica e studiuesve dhe mendimtarëve të njohur bien dakord, mbi disa pika që përbëjnë dallimin kryesor mes të majtës dhe të djathtës. Së pari, e majta thotë që njeriu është i mirë. Në anën tjetër, doktrinat konservatore thonë që njeriu nuk lind por ai ka potencialin të bëhet tmerrësisht i keq siç ka potencialin të bëhet shumë i mirë. E majta beson se kur një njeri bën keq, vjedh, vret, mashtron etj., ai e bën këtë sepse shoqëria në të cilën ai rritet dhe edukohet e ka bërë të tillë. Për të majtën në një farë mënyre ai nuk ka përgjegjësi personale. Për të djathtën gjithkush që bën keq e bën sepse ai vetë ka shkuar drejt saj dhe ai vetë duhet të mbajë përgjegjësi. Është kjo arsyeja pse e majta kërkon gjithnjë të ndryshojë shoqërinë dhe flet për rende të reja shoqërore. E djathta gjithnjë beson se shoqëria ndyshohet kur çdo njeri i largohet të keqes në mënyrë individuale, fiton betejën me djallëzoren, joshjen, epshin etj.

Konservatorët besojnë se rruga për të përmirësuar botën është thuajse gjithmonë përmes përmirësimit moral të individit – me çdo person duke bërë luftën me defektet e tij morale. Është e vërtetë që veçanërisht në shoqëri të dhunshme si tiranitë fashiste, komuniste, individi duhet të preokupohet me betejën kundër forcave të jashtme. Megjithatë, thuajse kudo tjetër, e sigurisht në shoqëri të lira, beteja më e madhe e individit duhet të jetë me forcat e brendshme – që do të thotë, me karakterin e tij/saj, me të metat dhe defektet morale.

E majta, nga ana tjetër, beson se rruga drejt një bote më të mirë është thuajse gjithmonë përmes betejës me defektet morale të shoqërisë (reale ose të perceptuara të tilla nga e majta). Në Amerikë, e majta e përkufizon personin e mirë si dikush që lufton seksizmin, racizmin, mungesën e tolerancës, ksenofobinë, islamofobinë dhe të tjera sjellje të këqija që e majta beson se gjenden në shoqërinë amerikane. Kjo është një arsye që të majtët merren më shumë me politikë sesa të djathtët. Një shembull i thjeshtë e bën të qartë këtë pikë. Kurdoherë që përdoret termi “aktivist” ose “aktivist shoqëror” ose “organizues”, përfundimi është që termi i referohet dikujt në të majtë.

Një nga rrjedhojat e këtij dallimi është se të djathtët besojnë se e mira arrihet shumë më gradualisht seç mendojnë liberalët apo të majtët. Procesi i përmirësimit të botës është kryesisht përpjekje një nga një. Dhe çdo brez duhet ta ribëjë. Edhe brezi më fisnik i lindur ndonjëherë sërish duhet t’i mësojë fëmijët e tij si të luftojnë me natyrat e tyre. Nëse nuk e bën, edhe shoqëria më e mirë do të devijojë, dhe konservatorët besojnë se pikërisht kjo i ka ndodhur Amerikës që pas Luftës së Dytë Botërore.

E majta nuk fokusohet te zhvillimi individual i karakterit. Ajo gjithmonë dhe kudo është fokusuar te revolucioni social.

Një dallim themelor mes të majtës dhe të djathtës ka lidhje me mënyrën si ata i vlerësojnë politikat publike. E djathta pyet, “A është e dobishme?”. E majta bën një pyetje krejt të ndryshme. Një shembull është paga minimale. Më 1987 “New York Times” botoi një editorial kundër çdo page minimale. Titulli i editorialit i thoshte të gjitha: “Paga minimale e duhur: 0.00 dollarë”. “Mes ekonomistëve ka një konsensus virtual,” shkruhej aty, “se paga minimale është një ide që i ka kaluar koha. Rritja e pagës minimale me një vlerë të konsiderueshme do t’i nxirrte të varfrit e punësuar nga tregu i punës […]. Më e rëndësishmja, do të rritë papunësinë […]. Ideja e përdorimit të pagës minimale për t’iu larguar varfërisë është e vjetër, e nderuar dhe thellësisht e gabuar”.

Pse “New York Times” shkroi editorial kundër pagës minimale? Sepse bëri pyetjen e konservatorëve: “A është e dobishme”. Por 27 vjet më vonë, “New York Times” shkroi në një editorial pikërisht të kundërtën e asaj që shkroi më 1987, dhe bëri thirrje për një ngritje të madhe të pagës minimale. Në këtë kohë faqja e editorialeve kishte shkuar më tej majtas dhe tani nuk ishte e interesuar për atë që është e dobishme – por me pabarazinë e pagave, e cila shkakton një ndjesi të keqe. Editoriali qahej nga fakti që një pagë minimale e ulët nuk kishte “zbutur zemrat e kundërshtarëve të saj” – republikanëve dhe përkrahësve të tyre.

Si shembull i dytë është veprimi afirmativ. Studim pas studimi – dhe, më e rëndësishmja, mendimi i arsyeshëm dhe faktet – i kanë treguar efektet e dëmshme të veprimit afirmativ bazuar te raca lidhur me studentët me ngjyrë. Sipas të dhënave, ulja e standardeve të pranimit në kolegj për aplikuesit me ngjyrë ka siguruar të paktën dy rezultate të këqija: vetë studentët ngelin, nuk diplomohen për shkak të kërkesës së lartë dhe studentët besojnë se ata shihen me diskriminim. Një tjetër shembull është është pacifizmi dhe format e tjera të “aktivizimi pacifist”. E majta e ka pikë të dobët pacifizmin – besimi se vrasja e qenieve të tjera njerëzore është gjithmonë e pamoralshme. Jo të gjithë të majtët janë pacifistë, por pacifizmi buron nga e majta, dhe thuajse të gjithë të majtët përkrahin “aktivizimin pacifist,” “studimet e paqes” dhe gjithçka tjetër që përmban fjalën “paqe”.

E djathta, në anën tjetër, ndërsa është po aq e dëshiruar për paqe sa dhe e majta – cili prind i djathtë dëshiron që fëmija e tij të vdesë në betejë? – e di që pacifizmi dhe shumica e “aktivistëve pacifistë” rrisin mundësitë e luftës, jo paqes.

Asgjë nuk e garanton triumfin e të keqes më shumë se refuzimi për ta luftuar atë. Për rrjedhojë e keqja e madhe nuk është mundur kurrë nga aktivistët pacifistë, por nga fuqia ushtarake superiore. Fitorja e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore është një shembull i mirë. Fuqia ushtarake amerikane në të njëjtën mënyrë kufizoi dhe pastaj i dha fund komunizmit sovjetik. Përkrahësit e pacifizmit, studimet e paqes, çarmatimi bërthamor amerikan, tërheqja ushtarake amerikane nga vendet ku ajo ka luftuar – Iraku është shembulli më i fundit – nuk pyesin “A është e dobishme?”. A pati ndonjë të mirë tërheqja e Amerikës nga Iraku? Sigurisht, jo. Kjo vetëm çoi në rritjen e Shtetit Islamik me vrasjet e tij masive dhe torturat.

Kështu, pra, në vlerësimin se çfarë politikash publike duhet të ndjekim, të djathtët pyesin, “A është e dobishme?” Çfarë pyetje bëjnë liberalët dhe të majtët? Përgjigja është: “A i bën kjo njerëzit të ndihen mirë?”. Pse liberalët dhe të majtët e përkrahin rritjen e pagës minimale kur ajo nuk sjell dobi? Sepse kjo e bën marrësin e pagës më të lartë të ndihet mirë (dhe pse punëtorë të tjerë humbasin vendet e punës kur restorantet dhe biznese të tjera mbyllen ngaqë nuk munden të paguajnë paga më të larta) dhe kjo i bën liberalët të ndihen mirë për veten e tyre: Ne liberalët dhe të majtët, ndryshe nga konservatorët, kemi zemra të buta.

Pse liberalët dhe të majtët e përkrahin veprimin afirmativ bazuar në racë? Për të njëjtat arsye. Kjo i bën përfituesit të ndihen më mirë kur pranohen në shkolla më prestigjioze. Dhe kjo i bën liberalët të ndihen mirë për veten ngaqë duken sikur korrigjojnë gabimet e racizmit historik. E njëjta gjë është e vërtetë për aktivizimin pacifist të majtë: Përkrahja e “paqes” në vend të ndërhyrjes ushtarake i bën liberalët të ndihen mirë për veten. Ndoshta shembulli më i mirë është lëvizja e egos. Ajo ka pasur thuajse efekt tërësisht negativ në një brez amerikanësh të rritur, të kenë ego pa e fituar atë. Pastaj ata vuajnë nga narcizmi dhe paaftësia për të përballuar rëniet e pashmangshme në jetë. Por egoja të bën të ndihesh mirë. Dhe ndjenjat – jo arsyeja – është ajo ç’ka përfaqëson liberalizmi. Arsyeja pyet: “A është e dobishme?” Liberalizmi pyet, “A ndihesh mirë?”.

Gjithashtu në thelb të mendimit të krahut të majtë është mohimi i realiteteve të dhimbshme, mohimi i atyre që francezët i quajnë les faits de la vie: faktet e jetës. Konservatorët, të djathtët nga ana tjetër, janë shumë të vetëdijshëm për këtë realitet dhe bazojnë shumë nga pozicionet e tyre në to.

Të majtët dhe liberalët e kanë të vështirë ta shikojnë realitetin në sy dhe të pranojnë se njeriu ka shumë defekte, mbushet me shumë defekte. Kjo sepse mendimi i majtë është rrënjosur në shekullarizim dhe nëse nuk beson në Zot. Është më mirë të besosh te njerëzimi, ose do të përfundosh në dëshpërim.

Një tjetër fakt tjetër i jetës që e majta e ka të vështirë të pranojë, është ekzistenca e dallimeve themelore mes burrave dhe grave. Nuk ka shpjegim tjetër për mohimin e asaj çfarë ka qenë e dukshme për çdo burrë e grua gjatë historisë. Sigurisht nuk është rezultat i kërkimeve shkencore. Sa më shumë shkenca zbulon për trurin e meshkujve dhe femrave, mos të përmendim hormonet mashkullore dhe femërore, aq më shumë konfirmon dallime të rëndësishme në ndërtimin e sekseve.

Pse atëherë njerëzit duhet të mendojnë se vajzat janë të lumtura të luajnë me makina si lumturohen djemtë, dhe djemtë janë të lumtur po aq sa vajzat të luajnë me kukulla si vajzat?

Sepse pranimi i shumë këtyre dallimeve është i dhimbshëm. Për shembull, feministët dhe të tjerë në të majtë nuk duan të pranojnë se seksi mes njerëzve që nuk janë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit zakonisht ka më shumë domethënie për gratë se për burrat. Është shumë e dhimbshme të pranohet se burrat janë më të aftë të bëjnë seks anonim, seks pa kuptim emocional sesa gratë. Prandaj, feminizmi ka mësuar tani dy breza grash se ato janë të afta të shijojnë seks pa emocione me shumë partnerë, siç bëjnë burrat.

Që shumica e grave dëshirojnë shumë të lidhen me një burrë – më shumë seç dëshirojnë suksesin profesional – është një tjetër fakt i jetës që e majta nuk pëlqen ta pranojë. Kështu, feminizmi prodhoi moton false dhe idiote, “Një grua pa burrë është si një peshk pa biçikletë” – sepse realiteti është që shumica e grave pa një burrë ndiejnë një gropë në shpirtin tyre. Edhe kjo është e dhimbshme të pranohet. (Gropa ekziston dhe te burrat, por shumica e burrave nuk e kanë problem ta pranojnë.)

I gjithë koncepti i “korrektesës politike” buron nga mungesa e kapacitetit të së majtës të pranojë të vërtetat e dhimbshme. Pikërisht përkufizimi i “moskorrektesës politike” është një ide ose e vërtetë që njerëzit në të majtë e kanë të vështirë të pranojnë dhe prandaj nuk duan ta shprehin.

Pse ka kode të foluri thuajse në të gjitha universitetet. Sepse të majtët – që kontrollojnë shumicën e universiteteve – nuk duan të dëgjojnë fakte trazuese ose opinione me të cilat janë në kundërshti. Kjo u shkakton dhimbje.

Kjo është gjuha e të majtës. Të majtët flasin vazhdimisht për njerëzit në atë mënyrë që i bën të ndihen “jo rehat” dhe “të ofenduar” (konservatorët thuajse kurrë nuk reagojnë ndaj një ideje të kundërt duke thënë: “Jam i ofenduar”). Nëse një burrë ka një kalendar me modele gjysmë zhveshur varur në dyqanin e tij, të majtët e konsiderojnë atë se ka krijuar “një mjedis pune armiqësor” – që do të thotë disa gra mund ta kenë të vështirë të shikojnë një grua të prezantuar si objekt seksual.

Shmangia e dhimbjes me çdo çmim është në zemër të ideve dhe politikave të së majtës. Kjo është arsyeja pse fëmijët nuk mund të vrapojnë më gjatë pushimeve në shkollat amerikane, sepse mund të lëndohen. Kjo është arsyeja pse shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve, ua marrin fëmijët prindërve që i lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollë vetëm më këmbë, ose i lënë të luajnë vetëm në kopshtin e familjes për 90 minuta pa prindërit në shtëpi.

Ose le të shikojmë idenë tjetër të së majtës: “Lufta nuk është përgjigja.” Natyrisht, lufta është shpesh përgjigja ndaj të keqes së madhe. Kampet naziste të vdekjes u çliruan nga ushtarët që luftuan, jo nga aktivistë pacifistë. Por detyrimi për të pranuar domosdoshmërinë morale të luftës është një e vërtetë e dhimbshme për shumë njerëz në të majtë.

Dikush mund të thotë se e majta u pëlqen atyre që dëshirojnë të mbeten fëmijë të pafajshëm. Të rriturit dhe përballimi me faktin që jeta është e ngatërruar, e vështirë dhe e dhimbshme është gjithnjë e më shumë një pikëpamje konservatore. Dallimet mes të majtës dhe të djathtës janë të larmishme dhe padyshim që nuk mbyllen me kaq sa u përmendën në këtë shkrim. Në Shqipëri nuk janë shtruar për asnjë moment të vetëm për diskutim dallime të tilla. Këtu, e majta është dalluar më shumë për rritje të taksave, për mbrojtje të simboleve që vinin nga komunizmi, për data të luftës antifashiste, për lapidarë dhe për fasada. E djathta ka mbajtur një diskurs antikomunist por në fakt ka ndalur aty. Ka qenë e paqartë në dhjetëra politika. Disa ishin të majta, disa të djathta. Në shumicën e rasteve politikat e të djathtës kanë qenë të majta. E njëjta gjendje vijon akoma ndërkohë që grupi i deputetëve i të dyja palëve largon nga zgjedhjet në zgjedhje njerëzit që mund të kuptojnë diçka nga këto dallime.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi