Sukseset e imagjinuara të politikës së jashtme

Nga Agim Nesho, botuar në Panorama, 31 dhjetor 2015

agimneshoPara pak kohësh, në një intervistë Kryeministri Rama u shpreh për suksese në politikën e jashtme shqiptare. Masa e suksesit u përcaktua nga niveli i vizitave që qeveritarët shqiptarë kanë pasur në këto dy vite. Por a është i mjaftueshëm ky tregues për të treguar progresin e një qeverie në politikën e jashtme?! Le ta shohim në dinamikën e saj.

I. QËNDRIME DHE PLATFORMA NË POLITIKËN E JASHTME TË QEVERISË RAMA

Së pari, në qëndrimin e saj ndaj rajonit dhe Kosovës. Që në fillim nuk ishte e qartë se çfarë do të arrihej me veprimet e saj. Në mungesë të një platforme, marrëdhëniet me Kosovën u konceptuan brenda një “Traktati miqësie” me një shtet, i cili në fakt është gjysma natyrale e Shqipërisë dhe për të cilin, lind natyrshëm pyetja se çfarë do të rregullonte ky traktat miqësie. Frika për të mos u akuzuar nga një proces normal dhe i natyrshëm midis dy shteteve shqiptare u vesh me qëndrime diplomatike.

Të shumta ishin takimet midis qeverive dhe projektet e përbashkëta, e fortë simbolika e përdorur në takimet e Prizrenit dhe Tiranës. U mendua që një takim midis dy qeverive të bëhej në Vlorë, në Shtëpinë e Shpalljes së Pavarësisë, duke zgjuar ëndrrat romantike të patriotëve shqiptarë, dhe pastaj heshtje. Për më shumë se një vit nuk ka asnjë veprimtari tjetër. Simbolika duket që trembi komunitetin ndërkombëtar për ekzistencën e një projekti mbarëshqiptar, por në fakt kishim të bënim me një protagonizëm sipërfaqësor e individual.

Sot, për të ruajtur pushtetin, nacionalistët e së shkuarës u bënë globalistët e të ardhmes. Politika e jashtme shqiptare dështoi të ndihmojë Republikën e Kosovës në sprovën më të rëndësishme për njohjen e saj ndërkombëtare, siç ishte anëtarësimi në UNESCO. Asnjë votë nuk u shtua nga turizmi diplomatik i ministrit të Jashtëm në Singapor, Argjentinë, Brazil etj., përveçse fanellës së Mesit. Në fillimin e qeverisjes, jo pak herë u vu re tendenca për të marrë rolin përfaqësues të hapësirave shqipfolëse në Ballkan. Mesazhet dhe qëndrimet ndaj Maqedonisë, deklaratat e Kryeministrit Rama për situatën e brendshme atje, krijuan irritim dhe tkurrën marrëdhëniet mes dy vendeve.

Për më tepër, retorika nacionaliste e përdorur në intervistën e Ulqinit krijoi idenë e një qëndrimi nacionalist shqiptar, duke u dhënë shkak serbëve dhe qarqeve nacionaliste në Ballkan për të folur për projektin e Shqipërisë së Madhe. Në fakt, nuk kishim asnjë qëndrim, vetëm shfaqje. Ato ishin shfaqjet amatoreske të një politike të jashtme që kërkon vëmendje dhe një rol protagonisti rajonal, që as vetë nuk e kishte të qartë se çfarë pasojash mund të sillte.

Qeveria bëri përpjekje për të sjellë një klimë të mirë bashkëpunimi në rajon, duke filluar me Serbinë, duke realizuar një arritje në politikën e jashtme, arritje të cilën nuk e materializoi dot në rolin që duhet të ketë Shqipëria në rajon. Në të kundërtën, Serbia dhe Kryeministri Vuçiç morën avantazhet e kësaj politike të shtensionimit. Vuçiç, pavarësisht se deklaroi se “Jam lider lokal, ndërsa Rama lider global”, po luan aktivisht në diplomacinë botërore.

Ai arriti të pritet zyrtarisht në nivelet më të larta në Washington dhe sekretari Kerry e takoi sërish në Beograd gjatë vizitës së tij zyrtare, pa përmendur përkrahjen e pakufizuar nga Brukseli dhe Europa. Hapja e negociatave me Bashkimin Europian e distancon më tepër Serbinë nga Shqipëria, e cila mbetet peng e procesit të dekriminalizimit. Është për të ardhur keq që rolin kujdestar, që i takon Shqipërisë për Ballkanin Perëndimor, politika e jashtme Shqiptare e ka ridimensionuar në një rol për të kontrolluar vetveten nga diletantizmi dhe protagonizmi i shprehur.

Së dyti, marrëdhëniet me partnerët strategjikë Turqi dhe Greqi Projekti për një partneritet strategjik me Turqinë ishte gjetja e madhe e qeverisë Rama. Vizita e pjesëtarëve të kabinetit të ardhshëm përpara marrjes së votëbesimit tregonte për marrëveshje të rëndësishme dhe ndihmë financiare të konsiderueshme. Por si çdo projekt tjetër i kësaj qeverie, i filluar me entuziazmin e të paditurit, filloi të ridimensionohet. Pas një periudhe lajmet për dokumentin strategjik Turqi-Shqipëri mund t’i merrje vetëm nga agjencitë zyrtare turke.

Po të mos ishte edhe dhurata e dhënë nga Turqia për ndërtimin e xhamisë së madhe, perceptimi për këto marrëdhënie do të mbeteshin nga takimi historik i Prizrenit, ku liderët e tri vendeve ballkanike ishin ulur këmbëkryq në sofër. Politika e jashtme turke tregoi me zgjuarsi se ka influencën e saj tradicionale në Ballkan, vazhdon të punojë për ta zgjeruar atë, kurse politika jonë e jashtme vazhdon të mbetet në pritje.

Parimi i politikës së jashtme turke “zero probleme me fqinjët” paraqitur nga Dovutoglu për të tejkaluar marrëdhëniet problematike rajonale të Turqisë, u huazua me entuziazëm nga rishtarët e Rilindjes dhe u përfshi në politikën e jashtme shqiptare, duke dhënë mesazhe të gabuara në BE dhe Perëndim. Sot kjo doktrinë ka rënë në Turqi me konfliktet që janë krijuar me fqinjët e saj, ndërsa në Shqipëri është harruar fare në retorikën e diplomacisë shqiptare.

Marrëdhëniet me shtetin grek kanë mbetur në stand-by. Asnjë iniciativë diplomatike nuk po funksionon që kur qeveria Rama ka ardhur në pushtet. Tonet patriotike kundër marrëveshjes së detit kanë bllokuar çdo iniciativë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok. Edhe takimet e nivelit të lartë midis kryeministrave respektivë në New York më shumë prekën dhe u zgjatën për basketbollin dhe talentin e Kryeministrit shqiptar, sesa për thelbin dhe interesat midis dy vendeve.

I vetmi “sukses” në këto marrëdhënie është leksioni i ministrit të Jashtëm shqiptar për filozofinë ndaj kolegut grek Kotzias, i njohur si filozof dhe botues i më se dhjetëra veprash shkencore dhe mijëra artikuj shkencorë e politikë, diskutim i cili u mbyll me deformimin e emrit të ministrit shqiptar. Politika e jashtme shqiptare e ka për detyrë t’i mbajë këto marrëdhënie në nivel të lartë për arsye se në Greqi jetojnë më shumë se 700 mijë shqiptarë të larguar gjatë kohës së tranzicionit, por qeveria Rama nuk po arrin të gjejë një zgjidhje.

Politika e hapave të vegjël ndaj Greqisë po tregon gjithmonë e më tepër mungesën e ideve, iniciativës dhe vizionit të kësaj qeverie për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, në bazë të respektimit të interesave reciproke. Atë që po bën sot Bullgaria, duke thithur mbi 4 miliardë euro investime nga Greqia, Shqipëria e ka të vështirë apo nuk ka vizion për ta arritur.

Në parim, platforma e politikës së jashtme e bazuar në katërkëndëshin e interesave të saj në rajon – Itali, Austri, Greqi dhe Turqi – është një qëndrim për t’u përshëndetur; në praktikë ky katërkëndësh qëndron në ajër i pafiksuar në dy kulmet e tij (Turqi, Greqi). Së treti, marrëdhëniet me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare Politika e jashtme e Shqipërisë e humbi shansin të ishte një aktor në diplomacinë shumëpalëshe kur refuzoi vendimin për demontimin e armëve kimike.

Dhe kjo jo vetëm për refuzimin, por për mënyrën e sjelljes që u krijua në këtë rast. Aprovimi dhe më pas refuzimi tregon jo vetëm amatorizëm diplomatik, por edhe për papërgjegjshmëri para faktorit ndërkombëtar. Te partnerët tanë ndërkombëtarë kjo qeveri ka humbur seriozitetin në bashkëpunimin ndërkombëtar. Politika jonë e jashtme akoma nuk ka kuptuar rolin e institucioneve ndërkombëtare dhe OKB-së. Percepsioni i saj ndaj këtyre institucioneve është ai i OJQve.

Kjo shpjegon edhe qëndrimin e Kryeministrit tonë në New York, ku për dy javë merr pjesë në aktivitete periferike, një të drejtuar nga Jordania dhe Vatikani për bashkëekzistencën fetare dhe tjetri nga Kina për rolin e gruas në politikë. Asnjë takim substancial, përveç Samitit për luftën kundër terrorizmit të organizuar nga SHBA, ku morën pjesë më shumë se 100 përfaqësues të vendeve në koalicion me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësuesit e politikës së jashtme shqiptare sot nuk arrijnë të ndajnë dot qëndrimet politike me diskurset intelektuale publike, që për hir të së vërtetës Rama dallohet për to. Deklaratat emocionale të Kryeministrit Rama në Asamblenë e Përgjithshme në vitin 2013, të lidhura me aktorët e Hollivudit, tregojnë se qeveria shqiptare i shikon këto forume si mundësi PR-i, sesa për rëndësinë e problematikës që shqyrton kjo organizatë. Kjo shpjegon edhe mungesën e ideve, iniciativave dhe bashkëpunimit serioz që Shqipëria pamjaftueshmërisht ka munguar t’ua ofrojë institucioneve ndërkombëtare.

II. NË FORMËN E PARAQITJES DHE QËNDRIMET DIPLOMATIKE

Ajo që bie në sy në diplomacinë shqiptare është një formë e suksesshme e diplomacisë kulturore, ku pa modesti mund të përfshihen edhe ekspozitat e Kryeministrit Rama. Diplomacia shqiptare, edhe në qoftë se kishte dëshirën për të bërë diçka të mirë, nuk kishte njohuritë dhe përvojën për t’i realizuar ato. Në shumë raste, deklaratat kanë qenë pa substancë dhe retorikë boshe. Në ndonjë rast tjetër, përpiqemi të krijojmë simbolikën e kryqtarit të krishterimit.

Le të kujtojmë këtu konferencën për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ku Kryeministri Rama i përmend dy herë se çfarë ka thënë Papa Françesku, sikur të ishim në një konklavë kishtare. Impresioni personal dhe dëshira për ta parë një personalitet të botës shpirtërore në qendër të diskutimit nuk është e mjaftueshme për ta përdorur si argument në diskurset e politikës së jashtme.

Për më tepër, deklarimet e Kryeministrit së vizita e Papës në Shqipëri është arritja më e madhe e politikës së jashtme të Shqipërisë gjatë kësaj qeverisjeje, nuk tërheq më vëmendjen e Perëndimit dhe nuk të jep atributet e kryqtarit të fundit që duhet ndihmuar. Cinizmi dhe moseksperienca kanë shoqëruar veprimtarinë e politikës së jashtme të kësaj qeverie gjatë veprimtarisë dyvjeçare.

“Let’s go Dutch (Secili për vete)”, shprehja ironike e ministrit të Jashtëm i pakënaqur nga ligjvënësit holandezë, është një cinizëm që nuk i shërben diplomacisë dhe interesave të vendit, pa përmendur këtu intervistën në Fox News që shoqëroi emisionin humoristik me gafat konceptuale nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në New York (2013), si dhe qëndrimet butaforike me disa nga ministrat e jashtëm të rajonit.

NË VEND TË KONKLUZIONEVE

Asgjë substanciale nuk ka ndryshuar në politikën e jashtme të Shqipërisë gjatë këtyre dy viteve. Ndoshta në formë dhe parada pritjesh mundet. Ajo që është e rëndësishme për politikën e jashtme të një vendi të vogël, është vazhdimi i politikës së jashtme me konsekuencë, pa u luhatur dhe futur vendin në lojën e interesave të ditës.

Po kaq e rëndësishme është që të mos lejohen investime strategjike nga fuqi kompetitive me interesa strategjike në rajon, interesa që një ditë mund të përdoren. Mund të jenë financime të marra shpejt, por që mund të prodhojnë konsekuenca në periudhë të gjatë. Shqipëria i përket orientimit perëndimor dhe si e tillë duhet të punojë për sjelljen e investimeve nga Perëndimi. Por sjellja e këtyre investimeve kërkon prezencën e shtetit ligjor, luftën kundër interesave klienteliste të oligarkëve, luftën kundër krimit të organizuar dhe një reformë të rëndësishme në Drejtësi.

Politika e jashtme e vendit duhet të tregojë përparësitë e krahasueshme të vendit dhe kushtet e tregut. Në shumë raste ne përpiqemi më shumë të tregojmë cilësitë individuale sesa përparësitë e vendit. Vizita e Kancelares Merkel ishte një nga shanset e arta për ta bindur atë për investime të rëndësishme gjermane në Shqipëri, por u morëm më tepër me modelimin dhe pikturimin e zyrave të Kryeministrisë pa folur për një projekt ekonomik konkret.

Politika e jashtme, në funksion të vlerave individuale apo formave të paraqitura, sado të spikatura qofshin ato, janë të tejkaluara dhe jo rezultative. Si përfundim, politika e jashtme shqiptare nuk ka asnjë “fitore”, përveçse në formë dhe në pritje e përcjellje. Vendet europiane janë të kujdesshme të tregojnë mesazhe miqësie në një kohë që Bashkimi Europian ka pezulluar për një periudhë pesëvjeçare integrimin e vendeve të Ballkanit në familjen europiane.

Kjo është pjese e lojës gjeopolitike të Europës ndaj Ballkanit. Moshapja e negociatave që pason marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, është një tjetër mosarritje e politikës së jashtme shqiptare. Në qoftë se gëzohemi për formën, le të pranojmë që jetojmë në Shqipërinë virtuale, të cilën mund ta ngjyrosim ashtu siç duam ne. Por ngjyrat dhe arroganca nuk bëjnë ndryshimin.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi