Një reformë që i ka ardhur koha

 

Nga Skënder Minxhozi, botuar në Java, 30 dhjetor 2015

Skender-Minxhozi-e1357845728822-289x320Pak ditë më parë ish-kryeministri i vendit Sali Berisha bëri atë që s’e kishte bërë deri më sot me shtetin më të fuqishëm europian, Gjermaninë. Ai sulmoi publikisht ambasadorin Helmut Hoffman, “Herr Hoffman”, siç e quajti ai, duke ironizuar gjatë me qëndrimin e tij ndaj zgjedhjeve të fundit lokale. Shumëkush pyeti me të drejtë se cila ishte arsyeja e këtij sulmi paksa të vonuar, për një ngjarje elektorale të ndodhur gjashtë muaj më parë. Motivi i vërtetë i atij shpërthimi të Berishës duhet kërkuar dhe gjetur jo në kutitë e Vorës apo të Tiranës, qershorin e shkuar, por në atë që po ndodh këto orë me ambasadorët perëndimorë në Tiranë. Të cilët janë lëshuar në një ofensivë të vërtetë mediatike e diplomatike, për t’i dhënë një shtysë sa më të fuqishme paketës më të rëndësishme ligjore të prodhuar në dekadën e fundit në vendin tonë: reformës në drejtësi.

Berisha sulmoi Hoffman jo sepse ai tha fjalë të mira për zgjedhjet, por sepse taktikisht ju desh të kursejë ambasadorin amerikan, me të cilin është në marrëdhënie mëse formale që prej ditës kur ai ka shkelur në vendin tonë. Por Berisha zgjodhi të mos atakohet as me ambasadoren e BE Vlahutin, ndoshta sepse të sulmosh ambasadorin e një vendi është më e lehtë sesa të godasësh përfaqësuesen e Brukselit.

Gjithsesi, përtej episodit Berisha-Hoffman, skena politike e mediatike po bëhet gjithnjë e më aktive dhe e “nxehtë” rreth dy ambasadorëve Lu e Vlahutin, të cilët kanë marrë përsipër të avancojnë votimin sa më të shpejtë reformës në drejtësi. Pasi Lu ka sulmuar mëse një herë gjyqtarët e prokurorët, duke u kujtuar orët e shtrenjta, makinat luksoze e vilat, pa harruar dënimin dhe burgun, ai e ka parë veten nën shigjetat e një pjese të medias së Tiranës. Donald Lu është akuzuar se po sponsorizon një “eksperiment” të rradhës, si ato që bashkësia ndërkombëtare ka kryer jo rrallë me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Mjaft shpejt sulmet janë orientuar edhe ndaj ambasadores Vlahutin, duke tentuar madje që këtë të fundit ta paraqesin si personin kryesor përgjegjës, për linjën e ashpër të diplomatëve ndaj drejtësisë shqiptare. Në rrugë e sipër është shpikur edhe një ndarje mes Lu dhe Vlahutin, në lidhje me përmbajtjen e draftit të reformës, duke nënvizuar se ambasadorja e BE është rreshtuar krah Edi Ramës, sa i përket substancës së vetë reformës.

I gjithë ky pazar thashethemesh të nënkuptuara personale, akuzash korruptive, aleancash të vogla politike me njërin apo tjetrin krah, po i faturohet dy personave që de facto dhe de jure përfaqësojnë dy krijesat më të mëdha gjeopolitike të kohës tonë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Duhet një alkimi e habitshme rrethanash, faktesh dhe provash të supozuara (por duhet edhe shumë fantazi, madje e sëmurë), që të besosh se dy ambasadorë të huaj në Tiranë po investohen, së bashku me kolegët e tyre gjermanë, italianë etj etj, që qeveria aktuale të vendosë kontroll mbi drejtësinë shqiptare. Duke ja marrë këtë nga dora të djathtës, e cila realisht ka pasur aksionet e saj mbi këtë korporatë prej dy dekadash, e duke ja kaluar palës tjetër, që ta përdorë edhe ajo “sipas qejfit”.

Akuzat, pakënaqësitë, skepticizmi dhe ironia e kafeneve të Tiranës ndaj gjithkujt dhe gjithçkaje, është një fenomen i vjetër historik në këtë pjesë të botës ku jetojnë shqiptarët. Por të bësh sikur nuk sheh atë që po ndodh në Serbi, Kroaci, Rumani e Mal të Zi me sistemet e atjeshme të drejtësisë, duke u përpjekur ta shesësh paketën aktuale si një kurth të vogël ambasadorësh kundër njërit e pro tjetrit, do të thotë të devijosh thelbin e realitetit ku ndodhemi sot. Dhjetra zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë po shohin derën e burgut në vendet që na rrethojnë. Është një fenomen ballkanik dhe si të gjitha fenomenet rajonale, një ditë ai do të vijë edhe në Shqipëri.

Zakonisht jemi të fundit në listë, sa herë që në Ballkan ka procese emancipuese, e ky rast nuk bën përjashtim. Por të shpikësh “reformën e Donald Lu” dhe “reformën e Romana Vlahutin”, kur ka vetëm një proces unik të negociueshëm, të modifikueshëm, por të pakthyeshëm, kjo do të thotë ta kesh frikë atë që mund të prodhojë nesër ai draft që pret të votohet. Ndoshta kjo është arsyeja pse në këto ditë të fund-vitit ka një rritje të dukshme të aciditetit dhe pakënaqësisë, talljes e skepticizmit ndaj asaj që duket e pashmangshme në horizont. Sepse siç shkruar diku Viktor Hygoi “nuk ka gjë më të fuqishme në botë, sesa një ide të cilës i ka ardhur koha”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi