Integritet

Nga Arlind Rama, botuar në Mapo, 22 dhjetor 2015

arlind-rama-150x150Rama shkruan se qeverisja e keqe, korrupsioni dhe problemet e mëdha me drejtësinë, varfërinë etj., nuk mund të zgjidhen kurrë në qoftë se integriteti njerëzor nuk do të jetë bashkudhëtar i gjithkujt që ka një rol për të luajtur në vendimmarrjen publike.

William Wilberforce mund të mos jetë i njohur gjerësisht në Shqipëri, por kjo nuk e bën këtë figurë madhore më pak simbolike e të referueshme në historinë e njerëzimit si një nga shembujt më të lartë të ushtrimit të përgjegjësive publike me integritet. Wilberforce njihet si parlamentari më i ri në historinë e House of Commons të Parlamentit britanik, i cili u zgjodh deputet kur ishte vetëm 21 vjeç dhe ushtroi shërbimin e tij publik si përfaqësues gjatë viteve 1780-1826 duke ja përkushtuar të gjithë jetën një kauze të përmasave të një perandorie: abolicionit të tregtisë së skllevërve. I lindur aristokrat dhe i rritur si i tillë, me një jetë të pasur shpirtërore ai zgjodhi që angazhimin parlamentar ta kthente në një mision në shërbim të njerëzimit, duke iu kundërvënë pareshtur klasës skllavopronare që e kishin ngritur gjithçka mbi tregtinë dhe shfrytëzimin e skllevërve. I rrethuar nga një grup miqsh në virtyte, e duke i dhënë zë kësaj kauze në debatin e përjavshëm parlamentar për 18 vite me radhë, përpjekja e tij e palodhur sensibilizoi një fushatë të gjerë në Perandorinë Britanike dhe u kurorëzua me shpalljen e Aktit të Rrëzimit të Skllavërisë në vitin 1833, tre ditë pas së cilës u shua jeta e tij e ngritur në Integritet.

Duke ndjekur diskutimet e ndezura të kohëpaskohshme mbi sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi ynë sot më shumë se ndofta askurrë më parë, në përpjekjen për të përmbushur ëndërr-ambicien tonë europiane, më kujtohet shpesh Wilberforce si inspirim i pastër i shembullit të vlerave që qytetarët e përfaqësuesit e tyre duhet reflektojnë në çdo fjalë e mendim. Në fakt, duket sikur sistemi shoqëror i trashëguar pas 25 vitesh tranzicion i ngritur me deformim nga egoizmi i pakufizuar i njerëzores për para e pushtet, po e vështirëson çdo ditë e më shumë realizimin e një aspirate që shqiptarët e meritojnë pavarësisht se në jo pak raste nuk dinë ta shprehin. Tanatosi i manifestuar në të përditshmen me zënka pa kuptim, debate publike pa thelb, propagandë pa kriter e populizëm pa kujdes duket sikur dominon çdo qelizë në mjedisin socio-politik shqiptar duke penguar në një formë apo tjetër sinergjinë institucionale e qytetare në shërbim të reformave të rëndësishme në vend.

Ndjehet nevoja për më shumë Integritet, kudo. Përtej utopizmit, ndoshta disa gjëra mund të formësohen më lehtë nga ç’e mendojmë: Më shumë integritet në administrimin e fondeve publike do të nënkuptonte më shumë transparence dhe përgjegjshmëri në të gjitha institucionet publike të cilat qëndrojnë për t’u shërbyer taksapaguesve. Mirëmenaxhimi i financave publike në formë është një proces i shtrirë në shumë instanca institucionale po që në thelb, suksesi i tij qëndron tek individi dhe vlerat e tij njerëzore të cilat duhen manifestuar në administrimin e buxhetit të qytetarëve për qytetarët. Ndoshta në këtë pikë, krijimi i një mjedisi lehtësues për më shumë eficiencë dhe sukses në administrimin e fondeve publike mund të fillojë nga individi më integritet. Informaliteti dhe evazioni fiskal në ekonominë shqiptare janë dy nga simptomat më të dukshme e të ndjeshme të konkurrencës së deformuar në sektorin privat ndër vite ku . Duket se përpjekjet institucionale për të korrigjuar në një kohë të shkurtër fenomene socio-ekonomike të krijuara si pasojë e një tregu të pastrukturuar mirë në vite, nuk po reflektohen me eficiencën e pritur në arkën e shtetit. E në fakt duket sikur edhe këtu mungesa e etikës dhe përgjegjësisë individuale në raport me kontributin për shoqërinë shkakton efekte negative afatgjata jo vetëm ekonomike. Dhënia e shembujve institucionalë në mbështetje e në mbrojtje të garantimit të konkurrencës së lirë do të krijonte një sinergji pozitive mes agjentëve ekonomikë e do të kontribuonte pozitivisht në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm. Korrupsioni është një fenomen thellësisht shqetësues në Shqipëri e që duket se është një nga barrierat penguese për progresin e shpresuar ekonomik. Shumëdimensional dhe në sofistikim të vazhdueshëm në formë duket se ç’rrënjosja e tij kërkon një angazhim kapilar prej secilit nga ne. Ndoshta gjithçka mund të ndodhë ashtu siç në Hong Kong-un e largët ku trinomi ”ndëshkim, edukim, parandalim” njohu sukses. Por ajo që vlen për t’u sjellë në vëmendje është fakti se pas dy dekadash përfshirjeje të vlerave morale si pjesë e dedikuar e kurrikulës edukative, intoleranca ndaj korrupsionit është kthyer në parim themelor social, ndërkohë që korrupsioni masiv ka mbetur histori. Gjithçka nis nga individi, pritshmëritë, bindjet dhe vlerat morale në të cilat ai beson. Përtej pesimizmit që shoqëron implementimin e reformës në drejtësi që duket sikur është një shans që nuk duhet humbur në procesin e integrimit dhe të rimëkëmbjes, ka ende shpresë që mbështetet te individi me integritet. Nëse tregtia e skllevërve u përmbys në një perandori ku vlerat njerëzore morën kuptim, atëherë edhe Shqipëria do të bëhet, por duhet t’i përkushtohemi më shumë, me Integritet.

*Instituti për Politika Publike dhe Qeverisje të Mirë

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan