Kush, kundër reformës?

Nga Sokol Hazizaj, botuar në Ballkanweb, 12 dhjetor 2015
sokolhazizajNë mënyrë të përditshme, kudo dhe për këdo, kurdo dhe nga gjithsecili, në politikë apo përfaqësues të shërbimeve diplomatike ndihet të thuhet që rruga e reformave në drejtësi është e pandalshme dhe çdo skeptik dhe kundërshtar e ka të pamundur ta ndalojë atë. Deklarim i cili si pohim nuk e ka të kundërtin e tij, që do të thotë se nuk është e vërtetë se mund të ketë ndonjë individ, institucion apo dhe përfaqësim politik që të mos pranojë nevojën e reformës. Atëherë, kush janë penguesit? Janë vallë të padukshmit, apo duhen shpikur ata edhe nëse nuk janë? Duket që kjo e dyta është më e rëndësishme për të gjithë mentorët e zakonshëm të reformave. Për iniciatorët është shumë e rëndësishme të zbulojnë zërat e kundërt, dhe nëse nuk ka, ata duhen shpikur, dhe nëse nuk shpiken, ata duhen zbuluar, dhe nëse nuk zbulohen, ata duhen gjetur, dhe, me sa duket, edhe pse nuk ka të tillë, përgjigjja është e thjeshtë: është duke u bërë vetë prej iniciatorëve, pra reformatorët sajojnë të kundërtën. Situatë më qesharake nuk ka!
E thëna më lart provohet se, ndërsa në nëntor të vitit 2014, një vit më parë, është hedhur hapi i parë për konstituimin e Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi; që prej asaj kohe dhe më pas, ndonëse opozita ka luajtur vetëm për çështje numrash në komision, ose është kapur mbi ndonjë element të rëndësishëm, siç është ai i kriminalizimit të politikës, në esencën e lëvizjes së saj nuk ka ndjesi apo shprehje kundër reformës në drejtësi. Institucioni i Presidentit të Republikës, ndonëse ka qenë dhe është i pakënaqur në nivel pjesëmarrjeje, nuk është në kundërshtim me reformën në drejtësi. Gjykata dhe korpusi i saj, ndonëse kanë qenë tërësisht të papërfaqësuar në vendimmarrje, nuk kanë dalë ndonjëherë kundër reformës në drejtësi, dhe kështu me radhë. Po kush është kundërshtari i reformës në drejtësi? Përgjigjja vjen vetiu: janë vetë iniciatorët. Pse? Ndonëse nuk e përmendin, konstatoj se janë të bindur se, përpos standardit europian si fakt i përmendur shumë herë deri në lodhje, nuk është gjetur paradigma, shembulli e saktë për t’iu përshtatur dhe interpretuar gjithashtu. Situata në të cilën ndodhemi dhe qeverisja në mënyrën se si jepet është në nivelin e së pashembulltës ndonjëherë. Dhe nëse do të pranonim të kundërtën për rastësi, pra ekzistencën e një shembulli, sërish nuk ekziston se nuk ka të tilla në optikën moderne europiane. Në asnjë vend tjetër afër dhe larg nesh nuk ekziston një perceptim i tillë për parlamentin, ku vetë eksponentët kryesorë të saj inkriminojnë institucionin nga mëngjesi deri në darkë, sikur të mos jenë ata vallë prodhuesit e kësaj rrokopuje institucionale.
Në analizë teorike dhe historike ndryshimet kushtetuese, në parim provokohen në mënyrë të vazhdueshme nga ndryshimet politike thelbësore, të cilat konsistojnë në ndryshime, zëvendësime të dispozitave të caktuara të Kushtetutës. Të gjitha perifrazimet apo modifikimet që kërkohen të bëhen ndaj saj vijnë për shkak të analizës konceptuale dhe krahasimore me praktikat dhe jurisprudencën kushtetuese europiane, duke sjellë në çdo vend, për më tepër në vendin tonë, mënyrë të re të vëzhgimit dhe analizës së sistemit. Ky arsyetim nuk ka dilemë.
Por parë në këtë vështrim, konstatohet se i vetmi sens, i cili detyroi Kuvendin e Shqipërisë të lëvizë në drejtimin e reformës në drejtësi, nuk ishte domosdoshmëria e ndryshimit të sistemit, por korrupsioni në drejtësi që solli si pasojë ndryshimin e sistemit, sipas komisionit. Duke mos qenë cinik në interpretimin e faktit konceptual që duhet ndryshuar dhe realitetit që domosdoshmërisht duhet të marrë fund njëherë e mirë, pohoj që rruga e gjetur nuk do të funksionojë, jo sepse nuk mund të bëhet nga parlamenti i vetëdeformuar, por të gjitha ndryshimet kushtetuese nuk sjellin përmirësim të atij standardi për të cilat duhet ndryshuar Kushtetuta. Sjellja në vëmendjen e Kushtetutës, pra ndryshimi i emrit të KLD-së dhe ngritja e më shumë se tetë institucioneve të organizimit dhe funksionimit të drejtësisë në rang kushtetues, rast i rrallë në kushtetutat europiane, duket nga njëra anë sikur e evidenton për nga rëndësia drejtësinë, por nga ana tjetër, duke parë se sistemet te ne deformohen për shkak të njerëzve, ka mundësi ta kthejë situatën në të kundërtën e aspiratës së kërkuar. Shanset për të ndodhur kjo janë reale, pse jo, edhe për shkak të papërgjegjshmërisë historike të lidershipit politik. Historia, veçanërisht kjo e jona, ka treguar se kur duket sikur betejat fitohen gjithmonë nga njëra anë, nga ana tjetër kanë dështuar gjithmonë më pas. Kujtoj se të gjitha ndryshimet ligjore në vendin tonë, të paktën pas vitit 1998, kur lindi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, pas demokracisë, janë bërë nën asistencën e të gjithë organizmave europianë dhe më tej. Asistenca ka qenë ngushtësisht dhe veçanërisht në përafrimin ligjor dhe formal gjithashtu. Koha tregoi, siç dhe po tregon dhe deklarohet nga asistuesit europianë, se drejtësia ka dështuar për shkak të njerëzve. Kjo ndoshta përbën shtysë për formalizimin e institucioneve të reja të emërimit, mbikëqyrjes dhe vlerësimit. Po kush na garanton se, përpos ndryshimeve të mënyrës së emërimit dhe karrierës në ndryshimet kushtetuese, të njëjtët njerëz të hartojnë dispozita ligjore të cilat deformojnë më tepër se çfarë është krijuar? Kush garanton, duke shtuar dhe mungesën totale të transparencës së veprimtarisë së Komisionit të Reformës për Drejtësi, që ligjet organike të institucioneve të krijuara rishtazi në Kushtetutë, të mos e kthejnë gjithë mendimin e mirë dhe shpresën e madhe për të bërë drejtësi, vetëm në reformë institucionale? Në këtë kuptim, shanset për të bërë drejtësi janë të vogla sa kohë ndryshimet kushtetuese nuk mbartin brenda përgjegjësi dhe mostjetërsim siç janë tjetërsuar apo ndryshuar nga pushteti. Nga vetë komisioni është pranuar në materialin shpjegues se ndryshimet e vitit 2008 të Kushtetutës krijuan disbalancim të pushteteve duke arritur në përfundimin se mundësia e njëanshmërisë politike të presidentit (si rezultat i ndryshimit të mënyrës së zgjedhjes së tij) e bën të pamundur zbatimin e formulës aktuale të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm dhe garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Në këtë kuptim do të ishte më e thjeshtë të rivendosej e njëjta formulë e zgjedhjes dhe rrëzimit të presidentit, apo balancimi i rolit të tij në lidhje me emërimet e gjyqtarëve, sesa shpikja e disa precedentëve të pashembullt, të cilët do të kërkonin si investim njerëzor por dhe financiar, që kanë një burim, xhepat e qytetarit shqiptar. Rritja e kostos së shoqërisë për prodhime hibride, kur dihet se ato rriten vetëm një vit dhe nuk ekzistojnë më vitin tjetër, është e tepërt për një shoqëri të lodhur si e jona. Lutem që kjo të mos konsiderohet si kundërshti reformash, për faktin e thjeshtë se reflektimi mbi ligjin është më tepër skllavëri sesa sundim mbi të.
E kundërta e kësaj aksiome është fryma korruptive, ose ndryshe korrupsioni, – siç thuhet rëndom tani.
Pa u hyrë detajeve të iniciativës ligjore të ndryshimeve kushtetuese nga komisioni i posaçëm, të cilat, për shkak të numrit të madh të ndryshimeve që rekomandohen, shtojnë aparatin burokratik të rënduar në administrimin e pushtetit gjyqësor, duke mos dhënë asnjë shpresë për motivin për të cilën ato kryhen. E thënë më troç, nënvizoj se ndryshimet e propozuara kushtetuese në thelb nuk janë gjë tjetër veçse një frazeologji ndryshe nga drafti i Kushtetutës së vitit 1994, e cila u rrëzua me referendumin e asaj kohe. Citova këtë jo për të thënë se ky draft duhet të marrë të njëjtën përgjigje, por së paku duhet bërë kujdes se mos, nisur nga fryma e luftës kundër korrupsionit, bëhemi promotorë të gjithë për sofistikimin e një lloji tjetër veprimi korruptiv më të stërholluar se ky i sotmi në institucione. Ndryshimet e herëpashershme edhe kur ato mbartin një dëshirë të mirë rastësore, duhet të orientohen nga arsyeja, dhe kur kjo e fundit ekziston, atëherë formulohet ligji. Por në vendin tonë po ndodh e kundërta; fati dhe rastësia po e çojnë kaq larg ligjin nga individi për shkak të ndryshimeve të shpeshta, saqë mund të ndodhë që korrupsioni të zërë vendin e së drejtës.
Nëse kjo e fundit mund të jetë pjesë e frontit kundërshtar të nismave apo reformës në drejtësi, duke u shoqëruar me pamundësinë e njerëzve për t’u njohur me ligjin, faji nuk është i tyre dhe as vetëm i komisionit, por i të gjithëve Ju që shpikni sisteme imagjinare drejtësie, sisteme eksperimentale organizimesh, duke e bërë Shqipërinë në rolin e epruvetës laboratorike spontane, sa për të bërë shou mediatik, në mungesë të një vullneti të përbashkët politik dhe më tej. Drejtësia te ne ka nevojë vetëm për shembuj praktikë dhe ligjorë brenda së cilave qëndrojnë përgjegjësia dhe shpagimi, në justifikim të njëra-tjetrës. Sa kohë nuk ekzistojnë këto, kundërshtari është brenda teje, nuk është qytetari.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi