Raporti: Institucionet publike jo transparente dhe të mbyllura

Nga Ivana Dervishi, BIRN, 4 dhjetor 2015

Një monitorim i zbatimit të ligjit të ri të të drejtës së informimit zbuloi se institucionet publike e kanë ende të vështirë të jenë plotësisht transparente karshi kërkesave të qytetarëve për informacion.

raporti-e-drejta-e-informimit1-600x400Sipas një raporti të publikuar nga Qendra Res Publica për të drejtën e informimit dhe zbatimin në praktikë të kësaj të drejte programet e transparencës mungojnë gjerësisht ose nuk përmbushin standardet ndërsa në një pjesë të madhe të autoriteteve nuk është caktuar ende koordinatori për të drejtën e informimit.

Projekti “Vlerësimi i efektivitetit të ligjit të ri për të drejtën e informimit, nr. 119/2014” mbështetur nga Civil Rights Defenders ka monitoruar përgjatë vitit 2015 rreth 100 autoritete publike që nga entet dhe agjencitë shtetërore, te kryeministria, ministritë e deri te bashkitë dhe drejtoritë e ndryshme.

“Duke krahasuar ligjin e vitit 1999 dhe atë të vitit 2014 ne arritëm në përfundimi se ligji i ri është më i efektshëm, ka përshpejtuar përgjigjet ndaj kërkesave fillestare dhe numrin e tyre,” tha në konferencë Av. Dorian Matlija, drejtues i Qendrës “ResPublica”.

“Megjithatë nuk ka ndryshuar shpejtësia e përgjigjeve ndaj ankimit dhe as përqindja e përgjigjeve të paplota,” shtoi ai.

Ligji aktual për të drejtën e informimit hyri në fuqi në nëntor të vitit 2014.

“Shumë institucione publike qendrore dhe vendore hasin vështirësi në zbatimin e të drejtës së informimit edhe prej faktit që administrata publike nuk është mësuar ende të jetë transparente dhe e hapur,” tha në prezantimin e raportit Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Disa institucione e justifikojnë mungesën e transparencës me faktin se nuk kanë burimet financiare për të krijuar faqe interneti, staf IT dhe burime njerëzore, megjithatë kjo është një përqindje e vogël që nuk duhet të merret shembull”, shtoi ai.

“Rritja e transparencës është një betejë që të gjithë komponentët duhet ta zhvillojnë së bashku, për këtë arsye Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka kryer kryesisht sensibilizim më tepër sesa gjobëvënie” tha Dervishi.

“E drejta e informimit është një nga shtyllat kryesore për zbatimin e ligjit dhe ajo po merr rëndësinë që meriton përmes faktorëve shtetërorë dhe institucional” përmbylli ai.

Sipas raportit për vitin 2015, 52 për qind e 202 kërkesa kanë marrë një përgjigje me kërkesën fillestare, krahasuar me vetëm 29 për qind të përgjigjeve të marra nga një studim i vitit 2013 me po të njëjtën numër kërkesash.

Nga këto përgjigje të dhëna në vitin 2015, 88 për qind e tyre janë të plota, ndërsa në vitin 2013, 87 për qind të tyre janë të plota.

Një tjetër problem i ngritur nga raporti është fakti që mosemërimi i koordinatorëve për të drejtën e informimit nuk shoqërohet me asnjë pasojë dhe fakti që nuk ekziston një mekanizëm për të vënë në ekzekutim të detyrueshëm vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

“Ligji merr kuptim kur të gjithë ne kërkojmë që ai të zbatohet,” tha Vasilika Laçi përfaqësuesja e Civil Rights Defenders.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi