Elita shqiptare dështoi t’i japë fund tranzicionit

Sipas Reporter.al, 25 nëntor 2015

simpozium-600x338

Shqipëria ka kryer hapa të rëndësishëm zhvillimi, por ekspertët thonë se liderët politikë të vendit duhet të bëjnë më shumë për të konsoliduar demokracinë dhe për t’i dhënë fund procesit të tranzicionit.

Dhjetëra ekspertë shqiptarë dhe të huaj u mblodhën të mërkurën në simpoziumin “Shqipëria 25 vjet pas rënies së komunizmit: rindërtimin i shtetit dhe shoqërisë” organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert dhe Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë.

Në praninë e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, ish-ministrave shqiptarë dhe profesorëve nga universitete prestigjioze në Europë dhe SHBA, debati shkencor u fokusua në disa panele që diskutuan për çështje të tranzicionit, demokratizimit dhe shoqërisë, ekonomisë dhe migrimit si dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikës së jashtme.

“Konceptimi i transformimit nga tranzicioni në një demokraci të përparuar mund të jetë paksa çorientues për vendet që e ndërmarrin atë për shkak të matësve që lidhen me transformimin. Shqipëria nuk duhet ta shohë transformimin e saj të lidhur vetëm me anëtarësimin në BE, pasi ky nuk është i vetmi matës,” tha Florian Bieber, profesor i Studimeve për Europën Juglindore në Universitetin e Gracit.

“Nuk ka pasur prej një dekade një ndryshim kolektiv në përmirësimin e demokracisë në Europën Juglindore, por vetëm ndryshime të vogla individuale në fusha të caktuara.

Polonia, Estonia dhe Shqipëria janë të vetmet vende në Europë që kanë pasur më të lartë kombinimin e demokracisë funksionuese dhe PBB për frymë që nga viti ’99, gjë që tregon qartë se matësit aktualë të transformimit nuk mund të jenë automatikë për të gjitha vendet”, shtoi ai.

“Natyra demokratike e Europës Lindore sot përqendrohet te informaliteti, polarizimi politik, shfrytëzimi i autoritetit si dhe mungesa e ndjekjes së ideologjive të ndara politike te partitë. Megjithatë periudha e komunizmit në Shqipëri dhe ndryshimi i viteve ’90 nuk duhet të shihet si viti ‘zero’, pasi krijon mangësi për trashëgiminë pozitive apo negative që i vjen Shqipërisë nga e shkuara” përfundoi Bieber.

Duke komentuar për evolucionin e Shqipërisë prej vitit 1990, historiani dhe profesori i historisë, Bernd Fischer, në Universitetin Indiana Fort Wayne u shpreh se Shqipëria ka bërë një rrugë shumë të gjatë, por nuk ka mbërritur ende në destinacion.

“Tiparet e regjimit të vjetër nuk janë zhdukur plotësisht nga skena dhe ky është shkaku për gjendjen aktuale të vendit,” tha Fischer. “Çështja themelore e Shqipërisë duhet të jetë forcimi i bazave të demokracisë,” shtoi ai.

“Për të përparuar Shqipërisë i duhet të zotërojë një kulturë të shëndetshme politike, të ketë parti politike funksionale dhe lidership politik të efektshëm që funksionon në të gjithë vendin,” sugjeroi ai.

Sipas historianit Fischer është themelore që Shqipëria të përsosë sistemin zgjedhor, të krijojë mundësitë e një shtypi të pavarur, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, si dhe të përsoset gjyqësori.

“Megjithatë Shqipëria ka bërë disa hapa përpara në ekonominë e tregut, në sistemin shumëpartiak dhe zgjedhjet e lira, në krijimin e organizatave të shoqërisë civile dhe nëhedhjen e disa hapave për shtetin e së drejtës,” përfundoi Fischer.

Duke pranuar kritikat e vëzhguesve të huaj dhe vendas, ish-ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj nënvizoj që elita shqiptare kishte dështuar në transformimin e vendit në një demokraci funksionale.

“Ne zbuluam shijen e pushtetit përpara se të zbulonim shijen e lirisë, ne dështuam si elitë”.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë e nënvijëzuan transformimin e Shqipërisë duke kujtuar vitet ’90 dhe duke dhënë mesazhe për rritje të vullnetit politik për progres.

“Unë besoj se dëshira për të ndryshuar në Shqipëri është e fortë për të zgjidhur problemet e thella me të cilat haset shoqëria. Është e rëndësishme të kujtohen burrat dhe gratë guximtare që erdhën nga të katër cepat e Shqipërisë dhe rrezikun jetën e tyre duke bërtitur “E duam Shqipërinë si gjithë Europa,” tha ambasadori amerikan Donald Lu.

“Shqipëria nuk duhet ta humbë kohën me gjëra të parëndësishme, por të përfitojë nga mundësia për të rikuperuar kohën e çuar dëm të së shkuarës,” tha kreu i BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin.

Nga ana tjetër kreu i OSBE në Tiranë, Florian Raunig u shpreh se megjithëse shqiptarët dhe ndërkombëtarët menduan se 10 vjet do t’i mjaftonin Shqipërisë për të kaluar periudhën e tranzicionit, kanë kaluar tashmë dy dekada dhe përpara ka shumë punë.

“Për historinë mund të jenë pak 25 vjet, por për jetën e një njeriu janë shumë,” tha Raunig.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi