Diskrecioni i koncesioneve

Editorial i Monitor, 23 nëntor 2015
porti-durres-c1200x600

Plani i qeverisë për të dhënë me koncesion shumë pasuri apo shërbime publike është ndërtuar mbi një historik dështimi me shumë kosto të larta financiare dhe ekonomike. Për koncesionin e Aeroportit të Rinasit, që vlerësohet më i arriri, sepse përmirësoi ndjeshëm infrastrukturën aeroportuale, rriti cilësinë e shërbimit, garantoi numër më të lartë fluturimesh dhe përdoruesish, tani po rezulton se ka bllokuar liberalizimin e tregut për shkak të monopolit që gëzon. Qeveria e socialistëve i ka hyrë negociatave për të lehtësuar këtë dominim absolut, por ato janë të vështira dhe do të duhet të ofrojë diçka tjetër në këmbim të lëshimeve nga koncesionarët e Rinasit.

Nga koncesionet e tjera në naftë, kontributi në buxhet është fare qesharak, më pak se 3% e të ardhurave buxhetore nga shitja e një pasurie të paçmuar natyrore. Koncesionet në ndërtimin e HEC-eve të reja vendore, jo vetëm janë një dështim i plotë në shumicën e tyre, por edhe humbje e madhe financiare për vetë sipërmarrësit. Ndërkohë lumenjtë si pasuri e vyer kombëtare kanë mbetur kolateral i marrëveshjeve ligjore të nxituara dhe të pambështetura në legjislacion të qartë.

Ka edhe raste ekstreme, si disa koncesione në kufijtë e vjedhjes për të cilët paguhet për shërbim, por shërbim nuk ofrohet, siç është skanimi në dogana apo ngjyrosja e karburanteve për të evidentuar cilësinë e produktit.

Përgjithësisht koncesionet që kanë mbijetuar në Shqipëri kanë rritur kostot e përfitimit të shërbimeve nga qytetarët dhe kanë krijuar biznese pasive, që rriten nga tregjet dhe llokma financiare që u transferojnë qeveritë, pa krijuar vlerë të shtuar, si dhe kanë ngushtuar hapësirat për të krijuar biznese konkurruese, për shkak të transferimit bruto të monopolit nga duart e shtetit te privatët, të pashoqëruara me liberalizim të tregut dhe as rregulla.

Gjithë kjo “strategji”, që ka prodhuar kaq histori zhgënjimi e kosto, nuk ka ndryshuar, ndaj mbetet dyshimi më i madh pse ato vijojnë të jepen në këtë mënyrë. Qeveria ka argumente bindëse, por gjithsesi sipërfaqësore dhe më së shumti politike, për të mirat e koncesioneve. Duke qenë në pamundësi financiare për t’i shërbyer e për t’i ofruar shpejt të mirat nga shërbimet publike, ajo ka menduar të angazhojë fondet e privatit, në këmbim të rikuperimit të kohës së humbur dhe për të rritur shpejtësinë e bërjes së gjërave. Por rrezikon t’i bëjë gjërat keq. Disa prej tyre po ecin keq. Vetëm nga koncesioni i pullës fiskale për cigaret dhe ngjyrosja e karburanteve, qytetarët paguajnë një kosto shtesë prej 20 milionë eurosh në vit, që nuk kthehet mbrapsht në buxhet, por është e ardhur për koncesionarin dhe as eliminon kostot e tjera për të cilat u krijuan këto koncesione.

Tri ishin arsyet kryesore që sollën dështime të tilla që, edhe në disa raste, edhe për t’i rikuperuar kushtojnë më shumë se humbja e parë, që u bë me dhënien e tyre: munguan studimet profesionale dhe të sakta të leverdishmërisë së koncesionit, u përjashtuan institucione nga vlerësimi dhe nuk u ndërtuan institucionet monitoruese si dhe përdorimi nga koniunktura politike të rastit.

Dy shkaqet e para mbeten ende në këtë mjedis. Qeverisja e sotme mund të ketë studime të tilla apo letërkëmbime institucionale, por ato janë mjaft diskrete. Dhe të paktën një institucion, Autoriteti i Konkurrencës nuk është thirrur asnjëherë për mendim. Është ende shpejt për të vërtetuar arsyen tjetër, që po përdoret për qëllime klienteliste, megjithëse në media kanë dalë raste që përftues të disa syresh kanë afërsi me njerëz në qeveri. Por pamundësia e qeverisë deri tani për të zhbërë koncesionet e dhëna gabim dhe nxitimi për të dhënë shumë prej tyre, pa pasur në avantazh as kohën fizike për t’i shqyrtuar të bëjnë të dyshosh se procesi po tenton të krijojë vatra të pushtetit jashtë shtetit, dhe për ta çimentuar atë në vite. Pra njëfarë koncesioni politik dhe qeverisës jashtë institucioneve që rrezikojnë ta vendosin shtetin e shqiptarëve nën sundimin e pakicës dhe në pamundësinë fatale për të reaguar më pas. Përveç rrezikut që vjen nga kostot, kapja e shtetit është rrezik edhe më i madh.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan