Këshill kombëtar për shoqërinë civile apo instrument politik?

Nga Nevila Xhindi, botuar në Panorama, 7 nëntor 2015

nevila-xhindi-150x150Në një shtet bashkëkohor është e vështirë të kuptohet shoqëria civile pa iu referuar shtetit. Koncepti i shtetit modern është njëherësh i ndarë, por edhe i lidhur me konceptin e shoqërisë civile. Natyra e kësaj lidhjeje përcaktohet nga fakti që shoqëria civile me praninë dhe veprimet e saj përbën një sferë publike, e cila është një hapësirë jashtë institucionale. Shoqëria civile merret me çështje të interesit publik në mënyrë të pavarur dhe autonome nga shteti, por domosdoshmërish lidhet me shtetin, kur ajo ndërhyn dhe merr pjesë në veprimtaritë, të cilat janë hapësirë e qeverisjes dhe funksion i saj. Ndaj si shteti, ashtu edhe shoqëria civile, janë të nevojshëm për të plotësuar procesin e qeverisjes në shoqëri. Shteti përfaqëson strukturën e qeverisjes dhe shoqëria civile krijon dhe kontribuon në vlerat dhe kuadrin e normave për këtë qeverisje.

Krijimi i besimit dhe mirëkuptimit reciprok midis qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile(OSHC) kërkon krijimin e mundësive të rregullta për dialog dhe shkëmbim pikëpamjesh mbi sfidat kryesore me të cilat përballen të dy palët, në përpjekjet e tyre për përmirësimin e mjedisit për zhvillimin e shoqërisë civile. Megjithëse kanë ekzistuar dhe ekzistojnë disa organe këshillimore sektoriale dhe ndërsektoriale apo agjenci ekzekutive të bashkëpunimit dhe mbështetjes financiare, si Agjencia e Mbështetjes së Shoqërisë Civile (AMSHC), lind nevoja për ngritjen e një organi këshillimor dhe ndërveprues me qeverinë, ndërsektorial, që do të mundësonte ndërveprim të vazhdueshëm mes aktorëve kyç mbi të gjitha çështjet e politikës së zhvillimit të shoqërisë civile.

Raporti i vitit 2014 për Shqipërinë, “Matrica monitoruese mbi mjedisin mundësues për zhvillim të shoqërisë civile”, thekson mungesën e një dokumenti strategjik kombëtar kushtuar zhvillimit të shoqërisë civile, mungesën e strukturave institucionale dhe të mekanizmave lehtësues për marrëdhëniet shtet-OSHC, identifikon mungesën e rregullave, procedurave të qarta për kontraktimin e OSHC-ve për ofrimin e shërbimeve me interes të përgjithshëm, nxjerr në pah mungesën e kapaciteteve bashkëpunuese brenda qeverisë për krijimin e një mjedisi më mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile.

Nën këtë background, nisur edhe nga praktika të ngjashme të vendeve në rajon, me përparësi është ndjekur modeli kroat, u ideua edhe Këshilli Kombëtar për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, vizioni i të cilit, siç edhe është parashikuar në ligj, është që të bëhet një forum kombëtar i njohur gjerësisht për adresimin e çështjeve strategjike kyçe, duke i paraprirë trendeve dhe duke përcaktuar axhendën e ardhshme për zhvillimin e shoqërisë civile në Shqipëri. Misioni i Këshillit Kombëtar është të mundësojë dialog të rregullt dhe të strukturuar kuptimplotë të organeve shtetërore me përfaqësuesit e OSHC-ve mbi çështjet kyçe të zhvillimit të shoqërisë civile në Shqipëri.

Shoqëria civile është konsultuar në mënyrë sporadike mbi nismat e politikave dhe ato ligjore, por konsultimet duhet të bëhen më sistematike dhe transparente, përfshi këtu edhe reflektimin e rekomandimeve që ato japin. Gjithashtu, komisionet parlamentare kanë qenë proaktive në mbajtjen e konsultimeve me shoqërinë civile dhe grupet e interesit, por vazhdon sot problematika e njoftimeve në momentin e fundit dhe mungesa e rregullave të qarta mbi konsultimet publike.

Projektligji “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile”, në kuadrin e një boshllëku të strategjisë për bashkëpunim me SHC, na sjell një instrument dhe jo një politikë të bashkëpunimit. Ndaj, pa pasur nevojë për ligj, ashtu siç është aktualisht i formuluar, do të mjaftonte miratimi i një vendimi të Këshillit të Ministrave për ngritjen e instrumentit të bashkëpunimit: Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile (KKSHC), si organ këshillimor ndërsektorial i Qeverisë, ku marrin pjesë përfaqësues të ministrive dhe agjencive shtetërore përgjegjëse për fushat kryesore që prekin OSHC-të, si edhe përfaqësues të OSHC-ve të përzgjedhur mbi bazën e kritereve dhe procedurave të parashikuara.

KKSHC në këtë ligj është më shumë një këshill kombëtar Qeveri- OJF/OSHC, sesa një Këshill Kombëtar i shoqërisë civile, tendencë për ta kontrolluar këtë këshill dhe shoqërinë civile, është prezenca e madhe e anëtarëve të qeverisë në këtë këshill (13/27), si dhe drejtimi i KKSHC do të bëhet nga një ministër, që do të jetë kryetari i KKSHC-së. E shkruar/e thënë kështu ky këshill e humbet autonominë e tij, shto këtu edhe faktin që takimet, mbledhjet e tij do të bëhen në godinën e Këshillit të Ministrave, po ashtu edhe vendimet do të zbardhen e do të shfaqen në website-n e KM.

Në projektligj është parashikuar që SHC të përfaqësohet në KKSHC vetëm me anëtarë që vijnë nga OJF/OSHC (skeptike për procesin gjithsesi). Koncepti i SHC është më i gjerë se kaq, e më përfshirës, dhe nuk limitohet me regjistrimin e tyre në Tatime (rasti i OJF-ve apo fondacioneve). Grupime me interesa të përbashkëta për çështje të caktuara, të cilat i vlejnë oponencës qytetare ndaj qeverisë duhet edhe ato të gjejnë hapësirë përfaqësimi e të jenë pjesë e këtij këshilli, pavarësisht regjistrimit apo jo në Tatime (pra formalizimit). Në projektligj, AMSHC është sekretariat i KKSHC.

Në fakt, një sërë problematikash e kontestimesh janë ngritur nga përfaqësues të shoqërisë civile lidhur me funksionimin e AMSHC-së, llogaridhënien, menaxhimin e brendshëm dhe atë të konfliktit të interesit. Me sa duket, rezultatet dhe bashkëpunimi me SHC nuk kanë folur në favor të saj, kushtet kanë ndryshuar dhe AMSH duhet të rishikojë funksionimin, zgjedhjen e anëtarëve të bordit, bashkëpunimin sipas fushave me SHC, transparencën dhe efektivitetin e punës dhe mbi të gjitha, sinkronizimin e prioriteteve për financim me planet e zhvillimit kombëtar.

Pavarësisht rolit dhe kontributit të AMSHC-së në mbështetjen e sektorit të SHC përgjatë viteve të shkuara, sot, prevalon mbi krijimin e KKSHC-së, nevoja për të përmirësuar kuadrin rregullator të AMSHC-së, në përgjigje të shqetësimeve të mësipërme, si dhe të ndërmerren hapa konkretë për përmirësimin e punës së AMSHC-së. Për të siguruar angazhim afatgjatë dhe përqasje sistematike të Qeverisë në zbatimin e reformave të nevojshme, si dhe krijimin e platformës për konsensus me OSHC-të dhe aktorët e tjerë për të gjitha masat e nevojshme, Këshilli i Ministrave duhet të konsiderojë mundësinë e miratimit të një strategjie për krijimin e mjedisit mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile në Shqipëri, si edhe të planit të veprimit për zbatimin e kësaj strategjie, me indikatorë specifikë dhe të matshëm, shoqëruar me vlerësim preciz të efekteve financiare të të gjitha veprimtarive afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.

Kjo do të kontribuojë në përmirësimin e koordinimit të politikave në këtë fushë shumë komplekse, ku përfshihen aktivitetet e një sërë ministrish dhe agjencish shtetërore. Strategjia dhe plani i veprimit duhet të hartohen në bashkëpunim të ngushtë me OSHC-të, përmes një procesi pjesëmarrës dhe përfshirës. Nevojitet një përqasje më e strukturuar për të krijuar një mjedis favorizues për zhvillimin e shoqërisë civile, sepse vetëm kështu sigurohet progres i qëndrueshëm në zbatimin e angazhimeve të Qeverisë dhe adresohen thirrjet e shoqërisë civile për reforma më thelbësore, si edhe përmbushen kërkesat e aderimit në BE.

Qeveria duhet të tregojë koherencë më të madhe në adresimin e sfidave të shumta në fushën komplekse të zhvillimit të shoqërisë civile, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë vendor dhe duhet të marrë masa konkrete në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për punën e OSHC-ve – por pa cenuar lirinë e pavarësinë e saj; duhet të jetë inovatore në krijimin e programeve të bashkëpunimit me financimin publik – ndërsa deri më sot shoqëria civile ende varet pothuaj nga financimet e huaja, të bashkëpunojë për krijimin e standardeve në ofrimin e shërbimeve sociale – praktikë që rezulton e suksesshme në shumë vende, konsultimet me OSHC-ve në hartimin e ligjeve të reja, vullnetarizmi, filantropi, politika tatimore për OSHC-të etj.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi